Nga Albert Vataj

Odhise Paskali(22 dhjetor 1903-13 shtator 1985) ishte skulptor shqiptar.

Odhise Paskali është padyshim personazhi më i rëndësishëm i skulpturës shqiptare, kësaj tradite modeste, të cilës ai i’u kushtua me mish e me shpirtë. Megjithë diktimin e ashpër të diktaturës dhe format përdhunuese të kritereve estetike të artit që duhet të përfaqësonte një krijues, ai arriti të ishte dhe të mbetet edhe sot një personalitet me vend të rëndësishëm nderi në peanteonin e vlerave kombëtare shqiptare.

Të gjithë veprat e tij janë tërësisht shqiptare dhe mishërojnë më të epërmet shkulme nacionaliteti. Historia, arti, Rilindja Kombëtare dhe figurat qëndrore që përfaqësojnë këto etapa, janë subjekt dhe vepër e Odhise Paskalit.

***

Odhise Paskali lindi në Përmet. Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927. Vite më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. Skulptori i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet pa frikë si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar. Odhisea lindi në vitin 1903 në Përmet. Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Që në rini spikati zgjuarësia, shkathtësia dhe vullneti i tij për studime, aftësi që i bënë të mundur fitimin e së të drejtës së studimit të shkollës së mesme në Itali, ku u shqua si një ndër studentët më të mirë. Po kështu, përfundon me rezultate të mira edhe Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Torino dhe më pas studion edhe për histori arti. Që në vitet e hershme, Odhisea dallohet për shpirtin e iniciativës. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20. Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë.

Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja. Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë. Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar. Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit. Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit, etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që ka më shumë se një vit që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Ndoshta ky bust mund të mos jetë evidentuar nga Galeria Kombëtare e Arteve Figurative. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar. Ndërsa janë ngritur mjaft shtëpi muze për figura të shquara të vendit tonë që nga Mic Sokoli e Luigj Gurakuqi në veri dhe të Vangjush Mio e Hasan Tahsini në jug ( pavarësisht se disa prej tyre janë shkatërruar nga varrmihësit e kombit) do të ishte mirë që këtij rrjeti muzeor t’i shtohet edhe shtëpia –muze e Odhise Paskalit. Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve ndoshta duhet të marrë një vendim për të rindërtuar shtëpinë e tij në qytetin e Përmetit – një shtëpi dykatëshe me pak dhoma – dhe në një kohë të përshtatshme ajo të kthehet në shtëpi muze (ndoshta për të dy skulptorët e popullit, përfshi dhe Janaq Pacon – të dy përmetarë dhe bashkëpunëtorë në themelimin e skulpturës shqiptare). Krijimi i një shtëpie të tillë muze do të kishte më shumë vlerë të bëhej tani që jetojnë njerëz nga brezi i vjetër dhe njohin strukturën e dikurshme të asaj shtëpie, aktualisht e rrafshuar. Në këtë mënyrë do të plotësohej edhe një dëshirë e Odhisesë, të cilën e ka shprehur aty nga vitet ‘60 në mjediset e Ministrisë së Arsimit e Kulturës. Ai shfaqi dëshirën që në oborrin e shtëpisë së tij në Përmet, të vendosej autoportreti i tij, të cilin e kishte gati. Por kjo ishte e pamundur në atë kohë, pasi nomenklatura moniste lejonte që vetëm për udhëheqësin kryesor të vendoseshin buste e shtatore për së gjalli. Sot Odhisea kujtohet nga veprat e tij skulpturore, të cilat flasin vetë dhe kuvendojnë përditë me kalimtarët. Ndoshta një shtëpi muze, ku të tregohej historia e jetës dhe veprave të tij do të përjetësonte për brezat e ardhshëm imazhin e plotë të këtij personaliteti të madh të artit shqiptar.

Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat:

Veprat artistike

“I urituri”,

“KETI”,

“Malësori”,

“Lufëtari Kombëtar”,

“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;

“Ushtari i panjohur”,

“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;

“Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë;

“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;

“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”

“Isa Boletini”

“Fan Noli”

“Onufri”

“Jeronim De Rada”

“Pashko Vasa”

“Zef Skiroi”

“Çerçiz Topulli”

“Naim Frashëri”

“Vojo Kushi”

“Migjeni”

“Enver Hoxha”

“Idriz Seferi”

“Ahmet Zogu”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here