Nga Dr. Sc. Pajazit Hajzeri
Krahas dukurive të reja politike e shoqërore të kryengritjeve kundërosmane të viteve 1830/40, spikatën kërkesat për trajtim ndryshme të Shqipërisë dhe për administrimin e saj nga njerëz të vendit, për këtë lindi dhe u zhvillua në Shqipëri dhe në megrim një ideologji e re kombëtare.
Pushtimi klasik i një vendi me forca ushtarake, policore dhe administrative, është padyshim një pushtim klasik i dalë mode i cili herët a vonë do të mar kundërpërgjigjen nga masa popullore e shtypur, e shfrytëzuar, e nënqmuar dhe e rraskapitur nga pushtimi. Ndërsa, poshtimi kulturor i një vendi është edhe më i rrezikshëm sepse bëhet në heshtje edhe gradualisht ky pushtim të zhvesh popujt nga ideologjia kombëtare pa e kuptuar fare.
Trevat shqiptare ballafaqoheshin me të dy llojet e pushtimeve, nga periudha osmane e deri në ditët e sotme.
Ishin arbreshët e Italisë ata të cilët filluan të ngjallnin ndjenjen patriotike të një populli të pushtuar në një periudhë të stërzgjatur nga P. Osmane. Ata “Arbreshët” ende i mbante zgjuar ora e ndalur e shpërnguljes nga atdheu i tyre pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërsa popullsia e mbetur nën pushtimin osman ishte e rraskapitur nga skamja, mjerimi, terri informative, mos-shkollimi, shërbimi i detyruar ushtarak nëpër treva të ndryshme të P. Osmane, gjithmonë larg Atdheut, familjes, të kërrcënuar në çdo formë dhe me çdo mjetë, andaj edhe ndjenja atdhetare sa vinte e shuhej, por, ishin atdhetarët që punonin e vepronin jashtë trevave shqiptare që filluan të mendonin për një platëformë të unifikuar kombëtare, për të drejtat e asaj popullsie të rraskapitur në truallin arbëror dhe zgjimin e ndjenjës kombëtare për çlirim nga zgjedha turke.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare karakterizohet në këtë mënyrë: faza e parë prej viteve ’30 – 1878; faza e dytë prej vitit 1878 – 1881; e treat prej vitit 1881 – 1908 dhe e katërta prej vitit 1908 – 1912.[1]
Derisa, prania e Bejlerëve dhe Pashallarëve shqiptar, udhëhiqnin në pjesën më të madhe të botës arabe në kuadër të P. Osmane, si: Siri, Liban, Palestinë, Irak[2], etj. trevat shqiptare sa vinin e ndrydheshin nga pushtuesi, ku gjithandej kishte shkolla në gjuhën greke e serbe të hapura në këto treva e asnjë në gjuhën shqipe.
Prania e Osmanëve në Arbëri, bëri të mbyllej edhe Universiteti i Durrësit i cili në vitin 1380, për shkaqe të sulmeve osmane ishte tërhequr në Zarë për të themeluar atje Studium Generale ose Universitetin e Zarës me Rektor të Parë, Gjon Durrësakun (1396).[3]
Për themelimin dhe Rektorin e parë të Universitetit të Zarës, flet edhe Ueb sajti i Universitetit të Zarës[4] i cili ndër të tjera thot. Rektori i parë i Universitetit ishte Gjoni i Dyrrachium, pasi Universiteti i Përgjithshëm i Zadarit pasoi Universitetin e themeluar më parë të Dyrrachium, që u tërhoq në Zadar mes kërcënimeve në rritje Turke në Evropën Jug-Lindore.[5]
Në kohën kur filluan hapat e parë të gjuhësisë krahasuese dhe u zbuluan lidhjet gjenealogjike të një vargu gjuhësh, studiuesi Engjëll Mashi në vitet e para të shek. XIX dhe Josif Krespi e Gjon Skiroj në vitet e 30 të shek. XIX. hodhën tezën e prejardhjes së popullit shqiptar nga pellazgët e të gjuhës së tij nga pellazgishtja, gjuhë që mendohej se ishte folur nga banorët më të lashtë të Ballkanit e të Mesdheut.
Po në këtë kohë fillon veprimtarinë e tij edhe Jeronim de Rada (1814 – 1903), nga fshati Makje i Kalabrisë i cili u bë një nga figurat më të shquara të letërsisë arbreshe dhe të lëvizjes patriotike shqiptare. Edhe studiuesi arbresh Vinçenc Dorsa, nuk mbetet mbrapa atdhetarëve të tjerë nga komunitetit Arbresh në Itali, i cili i kushtij një vepër me titull “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime” në të cilën thekson se kolonitë arbreshe e ndienin veten si “pjesë të pandara të një të tërë, të kombit shqiptar.[6]
Pas shumë vitesh njëri ndër illuministët e parë shqiptar, Naum Veqilharxhi, filloi të ngritë zërin nga mërgimi për pozitën e shqiptarëve nën zgjedhën osmane dhe arrinë në përfundim se popullit shqiptar, të zhytur në padije, i duhej patjetër arsimimi në gjuhën amtare si mjet për ngritjen e ndërgjegjes dhe përparimit shoqëror e material të tij, se pa zhvillim kulturor nuk mund të kishte çlirim politik të popullit. “Ka ardhur koha, – shkruante ai më 1846, – që t’i flakim të gjitha paragjykimet e vjetra, ka ardhur koha që të mendohemi më me pjekuri dhe më me guxim të këmbejmë udhë, duke marr këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë”.[7]
Naumi e trajtoi edhe çështjen shqiptare, historinë e kombit të vet dhe detyrat që qëndronin përpara vendit. Kombi shqiptar, theksoi ai, është krijuar në të njejten kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë, ka karakter të veçantë, gjuhë e zakone të veçanta, shekujt e tij mitologjik, heroikë, politikë e fetarë dhe ruan në gjirin e tij një thesar të madh kulturor. “Territori i përket kombit” [8]thoshte Naumi Veqilharxhi në idet e tij.
Faktor vendimtar për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje, Naumi, mendonte se vetëm me përhapjen e arsimimit e të kulturës në gjuhën amtare, ky popull do të shohë rrugën e ndritur.
Më 1844 Naum Veqilharxhi botoi në Rumani “Evetarin” e parë në gjuhën shqipe,[9] një abetare e vogël e poligrafuar, e ciësuar si abetarja e parë në gjuhën shqipe. Në vitin 1845 Naumi botoi nja abetare të dytë me titull “Fare i ri evetar shqip”, shumë më e plotë se e para dhe me një parathënje të gjatë.[10]
Pas botimit të abetares së dytë Naum Veqilharxhi, me sa duket, u përpoq të krijonte një shoqëri kulturore shqiptare, e cila do të merrej me botimin në Rumani të librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin e tyre në Shqipëri.
Mes kushteve të vështira që po kalonte popullsia shqiptare mes taksave dhe tatimeve të rënda, luftrave dhe betejave të parreshtura, në fund të viteve 60 të shek. XIX, ideologët e lëvizjes kombëtare i formuluan hapur e më gjerë kërkesat për zbatimin në Shqipëri të reformave që do t’i çelnin rrugën zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe politik të vendit.
Një ndër këta ishte Zef Jubani nga Shkodra (1818 – 1880), i cili i kritikonte ashpër ligjet e padrejta, veprimet arbitrare, taksat e rënda, angaritë dhe gjykatat osmane, që drejtoheshin nga të paditur e që shkelnin drejtësinë.[11]
Në të njëjten kohë me Zef Jubanin, vepronin edhe Thimi Mitkoja (1820 – 1890), Preng Doçi, Elena Gjika, Konstantin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Ismail Qemali, etj. të cilët kontribuonin për çështjen kombëtare nga vedet ku jetonin e vepronin.
Në grupin e atdhetarëve që vepronin në Stamboll, si: Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Ismail Qemaili dhe Kristaq Zografi, në vitin 1867, në Stamboll krijuan një Organizatë, shqiptare me karakter kulturor, me emrin “Vllazëria qëndrore kulturore”, ndërsa në vitin 1871 themelohet klubi “Silogu kulturor epirot”, president i së cilës u zgjodh Kristraq Zografi.[12]
Një veprimtari të madhe në këtë fushë zhvilloi Konstantin Kristoforidhi. Duke hyrë në shërbim të një organizate protestante angleze, të Shoqërisë Biblike, e cila botonte përkthime të ungjillit në gjuhë të ndryshme të botës për përhapjen e besimit fetar, Konstantin Kristoforidhi, mes viteve 1864 – 1872 arriti të botonte në gjuhën shqipe mbi 10 vëllime, ndërmjet të cilave edhe “Dhiaten e re” etj. Në vitin 1867 botoi edhe “Abetaren e gjuhës shqipe” toskërsisht e gegërisht. Një rol të rendësishëm si aktivist i lerërsisë artistike shqipe dhe i lëvizjes kombëtare në përgjithësi filloi të luante në këto vite Thimi Mitkoja nga Korça. I mërguar në Egjipt, ai zhvilloi një veprimtari të madhe e të frytshme për mbledhjen e folklorit shqiptar.[13]
Në rrethanat e krijuara, dobësimi i P. Osmane, dhe hapja e frontit të luftës në disa drejtime, si nga Serbia, Mali i Zi. Greqia, të cilat kishin për synim coptimin e trevave shqiptare kinse duke e luftuar P. Osmane, qarqet atdhetare shqiptare kërkonin të formonin një qendër të vetme drejtuese, përgatitjet politiko-ushtarake dhe sigurimin e përkrahjes në arenën ndërkombëtare për një kryengritje të armatosur çlirimtare kundërosmane.
Nismën për ta vënë në jetë idenë e kryengritjes çlirimtare kundërosmane e mori Komiteti Shqiptar, që u formua në Janinë në maj të vitit 1877, në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes Kombëtare. Në këtë Komitet bënin pjesë përsonalitete, që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e vilajetit të Janinës, si: Mehmat Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurvelesh), Sabri Gjirokastra (Gjirokastër), Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Prevezë), etj.[14]
E një rendësie të veçantë dhe një rol shumë të madh për sensibilizimin e çështjes shqiptare mori përpara Komiteti i Stambolit. Më 18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit, me kryetar Abdyl Frashëri. Ndër emrat që njihen se ishin anëtar të Komitetit të Stambollit, janë edhe Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri etj.[15]
Në programin politik të Komitetit të Stambollit përfshihej teza mbi organizimin me ngutësi të kryengritjes së armatosur kundërosmane dhe krijimin e shtetit shqiptar. Komiteti vendosi gjithashtu që të zhvillonte bisedime me Greqinë për të arritur një aleancë shqiptaro-greke sipas platëformës së parashtruar nga Abdyl Frashëri.
Gjendja e krijuar si rezultat i luftrave të ashpra që zhvilloheshin midis Rusisë dhe P. Osmane, disfatat e një pas njëshme të P. Osmane, pruri mendime dhe ide të ndryshme ku Komiteti i Stambollit bëri një program të ri, i cili përmbante ndryshime teknike por jo strategjike. Udheheqësit e Komitetit të Stambollit nuk hoqën dorë nga synimet e tyre të mëparshme, nga formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Po tani para Shqipërisë qëndronte si detyrë e ngutshme ruajtja e tërësisë së saj tokësore.
Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën – Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Traktati i Shën Stefanit i shkëpuste P. Osmane rrethe 80% të zotërimeve të saj në G. Ballkanik.
Traktati i Shën Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike.[16]
Menjëherë në prill të vitit 1878, shtypi ndërkombëtar informoi për kundërshitmet e fuqive të mëdha në raport me Traktatin e Shën Stefanit. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën Stefanit të rishikohen nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mbledhej në Berlin më 13 qershor 1878.
Pas krijimit të këtyre rrethanave, Komiteti i Stambollit e merr nismën për thirrjen e një Kuvendi të ri mbarkombëtar. Si qytet u zgjodh Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut.[17]
Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ishte deri atëher organizimi më i madh politik dhe ushtarak qysh nga vdekja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në parim ky takim lindi si nevoj imediate për t’i bërë presion më fuqishëm edhe Fuqive të Mëdha, pasi që ato nuk ndienin dhe nuk mereshin fare me një etnitet të pushtuar aty e 500 vite më par, etniteti i cili luftoi dhe u flijua që P. Osmane mos të dilte përtej Adriatikut për Europë, edhe pas gjithë këtyre sakrificave, Fuqit e Mëdha nuk e njihnin këtë popullsi si popullsi shqiptare por si popullsi osmane, veçse kjo popullsi në shumicë tashmë i takonte besimit islam të përhapur ndër shekuj.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit i takon fazes së dytë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila karakterizohet për formimin dhe veprimtarin e cila udhëhoqi Lëvizjes Kombëtare dhe luftën për autonomi në periudhën 1878 – 1881.[18]
Madhështia historike e Lidhjes së Prizrenit qëndron te veprimtaria e saj e cila mund të zbërthehet në së paku tri fushveprime kryesore: 1) bashkimi i popullit shqiptar, 2) organizimi i luftës për çlirimin nga zgjedha e huaj dhe 3) lufta për autonomin e trevave shqiptare dhe zhvillimin e lire.[19]
E lindur si rezultat i lëvizjeve të përgjithshme shoqërore, ekonomike, politike, kulturore të popullit shqiptar dhe i kushteve politike ndërkombëtare e raporteve të tyre, Lidhja e Prizrenit si organizatë udhëheqëse e lëvizjes për autonomi, ushtroi ndikim të dukshëm në organizimin e lëvizjes mbarë kombëtare.[20]
Lidhja shqiptare ka qenë e detyruar që menjëher prej themelimit të saj më 10 qershor 1878, të luftoj në tri fronte: kundër fqinjëve të cilët cënonin territoret shqiptare në periferi, kundër pushtetit turk në përgithësi dhe në luftë diplomatike me Fuqitë e Mëdha, duke sensibilizuar dhe duke u orvatur që përsonaliteteve përfaqësuese të këtyre Fuqive t’u shpjegohet se “ekziston një vend i quajtur Shqipëri”, “se çështja e shqiptarëve duhet zgjidhur në favor të shqiptarëve”, sepse ata kanë kombin e vet, kanë gjuhën, traditat e karakterin e përbashkët në gjithë territorin e tyre, ndonse P. Osmane është orvatur me shekuj që t’i asimiloi dhe t’i tjetërsoj përmes besimit fetar.
Program i përbashët i cili u aprovua në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit përfshinte pesë pika kryesore:
Bashkimin e të gjitha viseve të banuara me shqiptar në një Vilajet;
Njohjen e gjuhës shqipe nga nëpunësit shtetror;
Përhapjen e arsimit dhe të kulturës si dhe në shkolla të mësohej gjuha shqipe;
Të krijohet një Këshill i Përgjithshëm që do të mblidhej katër herë në vit e të hartonte ligje të dobishme për vendin, dhe
Një pjesë e të ardhurave të Vilajetit të përdorej për arsim dhe ndërtim.[21]
Në planin nacional veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit ushtroi ndikim të rendësishëm në zgjerimin e ndjenjës kombëtare shqiptare në masat e gjera të popullit.
Të rinjët shqiptar të Vilajetit të Kosovës dhe të Vilajeteve të tjera filluan të refuzonin kryerjen e shërbimit ushtarak në radhët e ushtrisë turke duke i ikur atij sepse asokohe detyroheshin të shërbenin në krahinat e Anadollisë, nga të cilat rrall kush kthehej i gjallë. Ata filluan vullnetarisht të paraqiteshin si pjesëmarrës aktiv në njësitë ushtarake që i formonte Lidhja e Prizrenit.[22]
Formimi i klubeve shqiptare nuk rreshti asnjëherë. Në shumë vise ku jetonin shqiptarët u formuan klubet politike menjëherë pas ngadhnjimit të Revolucionit borgjez turk të vitit 1908, që luajten rol të rendësishëm në organizimin dhe zhvillimin e Lëvizjes kombëtare shqiptare. Në këtë kohë u formuan dhe vepruan klubet politike shqiptare, u botuan rreth 30 gazeta e revista, u vu në dukje nevoja e krijimit të një alfabeti të unifikuar, filloj hapja e shkollave shqipe, etj.[23]
Në këtë kohë u paraqit nevoja e domosdoshme e krijimit të një alfabeti të unifikuar. Përfaqësuesit e inteligjencës shqiptare u mblodhën në nëntor të vitit 1908 në Manastir, duke organizuar Kongresin e Manastirit ose thenë ndryshe Kongresin e Alfabetit shqip. Në këtë kongres morën pjesë 32 delegat.[24] Në këtë Kongres u diskutua për disa variante të alfabeti shqiptar; ai i përdorimit të shkronjave turke ose arabe për gjuhën e shkruar shqipe, ai i Shoqërisë së Stambollit (ose i Frashërit), alfabeti i Agimit dhe alfabeti i Shoqëris Bashkimi.[25]
Interesimi i Xhonturqëve ishte shumë i madh duke shtyrë forca të centralizimit osman, duke menduar se përdorimi i shkronjave turke nga shqiptarët mysliman do të theksonte rolin e tyre si pjesë përbërse të Perandorisë dhe njëkohësisht do të çtheksonte lidhjen e tyre etnike dhe gjuhësore ndaj shiptarëve të krishterë.[26]
Shqiptarët atdhedashës të të gjitha religjioneve u pajtuan të përdorin shkronjat latine në alfabetin e tyre po në këtë Kongres në Manastir.
Nga ky Kongres mbeten në përdorim dy alfabete me shkronja latine, ai i Shoqërisë së Stambollit dhe ai i Shoqërisë së Bashkimit.[27]
Alfabeti i Stambollit arriti të përhapej më së shumti deri atëher tek shqiptarët. Me të u shtypen edhe vepra të rendësishme të Naimit, Samiut e të patriotëve të tjerë, libra shkollore etj. Mirëpo, atë nuk e përvetësuan të gjitha trevat shqiptare, sidomos rrethi i klerikëve katolikë të Shkodrës. Alfabeti i Stambollit nuk pati jetë shumë të gjatë.[28]
Alfabeti i Shoqërisë Bashkim edhe pse i kishte një përhapje më të vogël se alfabeti i Stambollit, u përdor në numrin e parë të revistës Albanisë në SHBA, alfabeti që kemi sot në përdorim, dal nga Kongresi i Manastirit plot dymbdhjet vjet më vonë.[29]
Pas Kogresit të Manastiri, vendë të rendësishëm zuri edhe Kongresi i Elbasanit, në shtator të vitit 1909. Në këtë Kongres u vendos që të hapet Shkolla Normale në Elbasan, që kishte për detyrë të përgatisë kuadro për shkollat fillore në gjuhën shqipe. Kjo shkollë e kreu me sukses këtë detyrë, që ja shtroj Kongresi i Elbasanit.[30]
Pas gjithë këtyre përpjekjeve të njëpasnjëshme nga ajka e inteligjencës shqiptare të organizuar në klube e shoqata të ndryshme, brenda e jashtë vendit, me përpiekjet e tyre titanike, nën trysni dhe rreziqe të pandëprprera nga njëra anë Perandoria Osmane, nga ana tjetër grekët dhe popujt sllav të përkrahur nga Rusia, popullit shqiptar nuk i mbetej tjetër veçse t’i rrokte armët dhe të hudhet në një kryengritje të armatosur siç ishte kryengritja e përgjithshme e viteve 1909 – 1912.[31]
Në pranverën e vitit 1910 kryengritja mori hov të madh në Kosovë, mirëpo, shumë shpejt ajo u shtri nga Kosova në Shqipërinë e veriut duke përfshirë viset që tashmë gjenden nën Malin e Zi, Shqipërin e mesme, atë të jugut dhe në viset tjera të banuara me shqiptar si në Qamri dhe Maqedonin perëndimore.
Kjo kryengritje ishte derivate i përpjekjeve paqësore, përmes kuvendeve dhe kërkesave me anë të memorandumeve, duke kërkuar nga turqit të drejtat për popullin shqiptar, të cilat nuk i morën asnjëher, përkundrazi u luftuan, shtypën, u burgosën, u maltretuan deri në shfarosje të shumë vendbanimeve, u dhuruan territore të tjerëve (rasti i Ulqinit, Hotit, Grudës, Malësis, etj. Malit të Zi), Greqisë, Serbisë dhe Maqedonisë, dhe u dertyruan të shpërnguleshin gjithë andej të uritur, leckosur nga shtypja dhe varfëria e skajshme pa mbrojtje nga askush, të sulmuar nga të gjithë deri në aktin final shpërthimin e kryengritjes së armatosur 1909 – 1912, e cila u kurorzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, në një Kuvend të mbledhur në Vlorë.
Një popull i lënë në mëshirën e fatit dhe kohës, ashtu si ishte populli shqiptar, deri në Pavarësinë e Shqipërisë, është për t’u habitur si arriti të mbijetoi dhe të zhvillohet. Derisa krerët e inteligjncës shiptare pregatiteshin për hapjen e gjuhës dhe shkollave shqipe pak para pavarësisë së Shqipërisë, kishin dilema se pas pavarësisë mbas kujt të rreshtoheshin shqiptarët. Të rreshtoheshin pas sllavëve të cilët ishin shumë më shumë në numër dhe shumë më të fuqishëm të mbështetur nga Rusia. Të rreshtoheshin mbas Grekëve të cilët nga ana tjetër coptonin me pamëshir territoret shqiptare që i kishin pranë. Adriatiku ishte një pengesë natyrore që të mbështeteshin tek Italia e cila jo shumë më vonë gjendet në Luftën e Parë Botërore edhe ajo i synonte disa territore të Shipërisë për shfrytëzim (Myzeqenë – hambarin e Shipërisë), që të bëhej një “tutore” për të.
Shfaqja e engjëllit mbrojtës për shqiptarët paraqitet për herë të parë në vitin 1918, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, atëherë kur Shqipëria rrezikon të coptohej sipas Traktatit të Fsheht të Londrës (1915), dhe kur shfaqet Presidenti Amrikan Wudro Wilson, i cili deklaron se SHBA kishte bashkuar armët me Fuqitë e Antantës për vendosjen e një paqeje të drejtë dhe se nuk do t’i njihnin traktatet e fshehta me të cilat parashikohej të coptohej Shqipëria. Presidenti W. Willson, në vitin 1920, ishte zëri i parë në mbrojtje të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ai bëri që të mbijetoj një popull i cili nuk kishta asgjë më tepër se sa truallin e vet në të cilin u paraqit qysh në organizimet e parë të shoqërive njerëzore në këtë treva. Pra, shqiptarët janë vazhdimësia e vetme e popullsisë së paraqitur në truallin e Gadishullit Ilirik, dhe të cilët mbijetuan krejt rastësisht dhe vazhdojnë edhe sot.
Dr. Sc. Pajazit Hajzeri
Kolegji UBT – Higher Education Institution,
Lagjja Kalabria,10000 Prishtine, Kosovo
{Pajazit Hajzeri, pajazit.hajzeri@ubt-uni.net}
Burimet dhe literature:
Bevington, Geri [1981]. Alfabeti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, II, Prishtinë;
Blaku, Murat [1981]. Rreth trajtimit të çështjes së Alfabetit të shqipes, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, II, Prishtinë;
Drançolli, Jahja [2018]. “Universiteti i Durrësit i vitit 1380 – i pari universitet në Ballkan”, https://telegrafi.com/, 24.01.2018;
Drançolli, Jahja [2008]. Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes gjatë mesjetës, Zagreb;
Glenny, Misha [2007]. Historia e Ballkanit 1804 – 1999, Nacionalizmi, Luftrat dhe Fuqitë e Mëdha, Tiranë;
Hadri, Ali [1981]. Lidhja e Prizrenit, (1878-1881), Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, I, Prishtinë;
Hadri, Ali [1967]. Historia e popullit shqiptar, Prishtinë;
Historia e popullit shqipatr II, [2002]. Rilindja Kombëtare vitet 30 te shek. XIX – 1912, Grup autorësh, Tiranë;
Hyseni, Agim [1981]. Koncepti dhe koncepcioni i Naum Veqilharxhit për Kombin, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prirenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, I, Prishtinë;
Mufaku, Muhamed [1990]. Shqiptarët në botën arabe, Prishtinë;
Nushi, Pajazit [1981]. Lidhja e Prizrenit dhe komponentet kryesore të etnitetit të saj, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prirenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, I, Prishtinë;
Puto, Arben, Problemi shqiptar dhe fuqitë e mëdha në gjysmën e dytë te shekullit XIX – fillim të shekullit XX, Studime Historike, Tiranë, 3/70;
Rexha, Iliaz [1981]. Komiteti i Stambollit dhe aktivitetet e tij, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prirenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, I, Prishtinë;
University of Zadra, This website uses cookies, https://www.unizd.hr/eng/about-us/history.
[1] Ali Hadri, Lidhja e Prizrenit, (1878-1881), Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prirenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, I, Prishtinë, 1981, p. 9.
[2] Muhamed Mufaku, Shqiptarët në botën arabe, Prishtinë, 1990.
[3] Jahja Drançolli, “Universiteti i Durrësit i vitit 1380 – i pari universitet në Ballkan”, https://telegrafi.com/, 24.01.2018. Shih. J. Drançolli, Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes gjatë mesjetës, Zagreb, 2008.
[4] University of Zadra, This website uses cookies, https://www.unizd.hr/eng/about-us/history.
[5] https://www.unizd.hr/eng/about-us/history.
[6] Historia e popullit shqipatr II, Rilindja Kombëtare vitet 30 te shek. XIX – 1912, Grup autorësh, Tiranë, 2002, p. 101.
[7] Po aty, Historia e popullit shqipatr II, 2002, p. 98.
[8] Arben Puto, Problemi shqiptar dhe fuqitë e mëdha në gjysmën e dytë te shekullit XIX – fillim të shekullit XX, Studime Historike, Tiranë, 3/70, p. 131.
[9] Agim Hyseni, Koncepti dhe koncepcioni i Naum Veqilharxhit për Kombin, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, I, Prishtinë, 1981, p. 128
[10] Historia e pop. shq. op. cit. p. 98
[11] Ibid.
[12] Po aty, p. 127
[13] Ibid.
[14] Ibid.
[15] Iliaz Rexha, Komiteti i Stambollit dhe aktivitetet e tij, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prirenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, I, Prishtinë, 1981, pp. 69, 82.
[16] Op. cit. His. Pop. Shq., p. 147
[17] Ibid. p. 153
[18] A. Hadri, op. cit.
[19] Pajazit Nushi, Lidhja e Prizrenit dhe komponentet kryesore të etnitetit të saj, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prirenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, I, Prishtinë, 1981, p. 34.
[20] Ibid.
[21] Ibid. p. 36
[22] Ibid. p. 39
[23] Ali Hadri, Historia e popullit shqiptar, Prishtinë, 1967, p. 107.
[24] Ibid. p. 108.
[25] Geri Bevington, Alfabeti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, II, Prishtinë, 1981, pp. 46, 47.
[26] Ibid. p. 47.
[27] A. Hadri, op. cit. p. 108.
[28] Murat Blaku, Rreth trajtimit të çështjes së Alfabetit të shqipes, Konferenca Shkencore e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prishtinë, 6-9 qershor 1978, II, Prishtinë, 1981, p. 195.
[29] Ibid. p. 195. Në vitin 1897 doli numri i parë i Albanisë në SHBA, gazetë e cila mbanë firmën e patriotit Faik Konica. Kjo gazetë në numrin e parë të saj përdor alfabetin e Bashkimit, alfabet që përdoret edhe sot tek ne.
[30] A. Hadri, op. cit. p. 108.
[31] Misha Glenny, Historia e Ballkanit 1804 – 1999, Nacionalizmi, Luftrat dhe Fuqitë e Mëdha, Tiranë, 2007, p. 228. InforCulture.info/