6.1 C
Pristina
Sunday, June 20, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Vendi i mullinjve që mbart mbi supe historinë

Vendi i mullinjve që mbart mbi supe historinë

Në vend të një reportazhi/ Historia, magjitë, misteret dhe legjendat e vendit që trashëgon edhe sot traditat e të parëve.

Nga Gjergji Gusho*

Përshkrim i përgjithshëm dhe disa të dhëna historike

Pozicioni gjeografik pranë liqenit të Ohrit dhe kushtet e favorshne gjeo-klimaterike, e kanë favorizuar këtë krahinë që të popullohet që në kohët antike. Për këtë dëshmojnë gjurmët e vendbanimeve të vjetra si p.sh. në Selcën e Poshtme, gjetjet arkeologjike të fshatit Vërri etj. Për prejardhjen e emrit “Mokër” ka disa të dhëna interesante. Nga burimet e shkruara arkivore, krahina e Mokrës përmendet për herë të parë në shekullin XI. Në një letër, ku perandori Justiniani i Dytë i Bizantit i dërgonte në vitin 1019 kryepeshkopit të Ohrit, Joahanit, përmendet një krahinë e populluar dhe me shumë mullinj (mokra). Për këtë arsye e emërton me emrin “Mokër”.

Kurse në testamentin e lënë nga Gjin Muzaka, kur përmendet emri i krahinës së Mokrës, shkruhet se Mokër do të thotë “vendi i mullinjve”. Në gjuhën shqipe, fjala “mokër” do të thotë “gur mulliri”.

Në të vërtetë, kjo krahinë shumë e populluar, është e pasur në përrenj me ujë të bollshëm dhe ka qënë e përmendur për mullinj të shumtë. Në zonën e Mokrës Sipër ndodhen burimet e lumit Shkumbin, me të cilin bashkohen më poshtë edhe përrenj të tjerë, që e zgjerojnë lumin më shumë.

Në dokumentet e Turqisë për vitin 1583, ku dalin të regjistruar emrat e kryefamiljarëve dhe detyrimet që ka fshati për të paguar ndaj shtetit, del i regjistruar dhe numri i mullinjve për secilin fshat. Kështu, në krahinën e Mokrës pothuajse të gjitha fshatrat kanë nga një, dy, bile, disa janë edhe me katër mullinj, si p. sh. fshatrat: Potkozhan, Trebinjë, Dunicë, Rodokal e Velçan.

Një tjetër dukuri interesante për t’u përmendur është se në këtë krahinë prej shumë kohësh është kultivuar edhe rritja e krimbit të mëndafshit. Në dokumentet e Turqisë për vitin 1583, veç detyrimeve të tjera nga të ardhurat e prodhimeve bujqësore e blegtorale, është regjistruar edhe detyrimi që kanë fshatarët për rritjen e krimbit të mëndafshit.

Ja emrat e fshatrave që kanë kultivuar rritjen e krimbit të mëndafshit. Në Mokrën Sipër fshatrat: Çezmë e Madhe, Çezmë e Vogël, Potkozhan. Malinë,Trebinjë, Pleshisht, Çorodol, Selcë Sipër, Homezh, Hoshteçë. Për Mokrën Poshtë fshatrat: Velçan, Slatinë, Slabinjë, Proptisht, Laktesh, Debrovë, Selcë Poshtë, Rodokal, Homçan.

Mokra, sipas Barletit

Në shekullin XV, Barleti e përmend Mokrën si një krahinë mjaft të madhe. Ai thotë për Mokrën se: “Është një vend fort i bukur, shumë i populluar dhe plot me katunde të dendura”. Sipas përshkrimit të tij, ajo shtrihej përtej kufijve të sotëm, duke përfshirë fushën e Domosdovës (Përrenjasin e sotëm) dhe deri te vendi që sot quhet “Sofra e Skënderbeut”. Mokra në atë kohë ishte nën zotërimin e Gjergj Aranitit.

Barleti thotë se, sa qe gjallë Gjergj Araniti, turqit nuk mundën të hyjnë asnjëherë në Mokër, se jovetëm që ishte vend me shumë male e shkëmbenj, por sidomos se në çdo shteg kishte mokrarë që e ruanin natë e ditë vendin nëpër rrugët kryesore të krahinës. Emri i Mokrës përmendet në historinë e Shqipërisë edhe në kohën e Skënderbeut. Në betejën e Torviollit, që u zhvillua në fushën e Domosdovës, pranë Mokrës Poshtë, kanë marë pjesë edhe luf tëtarë nga krahina e saj. Deri vonë, në Rodokal e në Pleshisht këndohej një këngë që përjetëson këtë kohë të lavdishme. Në të thuhej:

“Gjorg Golemi na çoi fjalë, (1)

Angjelini të më dalë,

Me nj’ata trima mokrarë,

Kush më këmbë e kush më kalë,

Të marrë udhën përpjetë,

Të dalë te Gurët e Gjetë”.

Angjelini ishte kapedani i Pleshishtit dhe besnik i Gjergj Aranitit.

(1) P.S. GjergjAraniti në Mokër quhej edhe Gjorg Golemi. “golem” në gjuhën sllave do të thotë “i madh”.

Faktin që është bërë një betejë në Mokër e dëshmon edhe toponimi i një fushe pranë Selcës së Sipërme, që i thonë “Va rret e Jeniçerëve”.

Degëzim i rrugës Egnatia

Dikur, në këtë krahinë ka kaluar edhe një degë anësore e rrugës Egnatia, që fillon nga Mokra e Poshtme, në kufi me rrethin e Librazhdit. Gjurmët e kësaj rruge duken që në fshatin Golik. Rruga merr përpjetë, duke ndjekur buzën e lumit Shkumbin.

Pranë fshatit Golik, tek lumi, ndodhen mbetjet e disa urave të vjetra që bënin të mundur kapërximin e lumit. Pranë fshatit Selcë e Poshtme, rruga ndahet në dy drejtime: njëri shkon drejt fshatit Selcë, ngjitet në Jamë, del pranë fshatit Çervenakë e pastaj merr poshtë nga liqeni, duke dalë në majë të kodrës së Kalasë të Pogradecit e vazhdon më tej …

Drejtimi tjetër kalon pranë fshatrave Vërri, Proptisht, Slabinjë, del pranë fshatit Shpellë (ku është gjetur një fragment i rrugës së lashtë i shtruar me kalldrëm me gurë të mëdhenj), pastaj merr drejtimin e fshatit Llëngë (pranë të cilit ndodhet një urë e vjetër), kalon në fshatin Niçë (të dy fshatrat e fundit janë të populluara me banorë arumunë), e më pas rruga të çonte në Voskopojë.

GJUHA

Toponime që nga koha e pushtimit romak

Në këtë zonë kanë mbetur edhe disa toponime nga koha e pushtimit romak (me origjinë latine), si p.sh.: “Fëngë” (baltë), mbi fshatin Kriçkovë; “Fëngovë”, pranë Bishnicës; fjala “Bishnicë”, nga “bosco” (pyll); “Laktesh”, nga “lactum est” (është qumësht); “Shpellë”, nga “speleo” (shpellë); “Niçë”, nga “noce” (arrë), etj. Krahina e Mokrës ndahet në dy zona: Mokra Sipër dhe Mokra Poshtë, të cilat kanë karakteristika të përbashkëta midis tyre, por edhe disa tipare të veçanta që i dallojnë ato nga njëra-tjetra. Dallimet janë si në folklor, veshjet popullore, ashtu edhe në të folur. E folura e Mokrës Poshtë është më afër gegërishtes se Mokra Sipër.

Nga toponimia e fshatrave kuptojmë se feja e krishtere, ka qenë e përhapur që shumë shekuj më parë dhe se myslimanizimi i popullsisë është bërë vonë dhe gradualisht, veçanërisht gjatë periudhave të krizave ekonomike, kur pushteti qendror otoman inkurajonte myslimanizimin e popullsisë, duke i premtuar asaj, se nuk do të paguante taksat e se do të kishte të drejtë të mbante armë. Të dhënat e mëposhtme e përforcojnë mendimin që fshatrat e Mokrës janë kthyer vonë në fenë myslimane: 1. Nga toponimia e pothuaj gjithë fshatrave të kësaj zone, dalin emra vendesh, ku përmendet jo vetëm fjala “tek kisha”, por edhe vetë emri i kishës me varret, të cilat binin në sy deri vitet e fundit. 2. Folklori i përbashkët në fshatrat me fe të ndryshme.

3. Myslimanizimi nuk ndikoi shumë në veshjet tradicionale popullore. 4. Disa fise të fshatrave, të mbetura në fenë e krishtere, mbajnë mend se gjyshërit apo stërgjyshërit e tyre, kishin ardhur nga fshatrat e tjera të Mokrës, sepse fshatii tyre i mëparshëm ishte kthyer në fenë myslimane. Ata ishin shpërngulur në fshatrat pranë, sepse nuk kishin pranuar të ndërronin fenë.

KARAKTERISTIKAT

Mokra sipër, si i ka ruajtur traditat sot?

Zona e Mokrës Sipër, është zona më e lartë e rrethit, me një territor mjaft të thyer e malor, ku mbizotëron mali i Kozicit (dikur me emrin Kozion), poshtë të cilit janë fshatrat Dunicë e Potkozhan. Nga mali i Kozicit rrjedhin përrenj të shumtë që bashkohen me lumin e Shkumbinit. Ka të dhëna që para pushtimit të vendit nga Turqia dhe më vonë, kjo krahinë të ketë pasur si qendër kishtare fshatin Dunicë. Ky fshat, duke u bazuar në toponiminë e vendeve të tij, duhet të ketë qenë i madh (mbase qytezë), me disa kisha dhe një manastir.Në zonën e Mokrës Sipër, janë të pakta fshatrat që mbetën të krishtera.Përmendim këtu fshatrat Llëngë, Potkozhan, Pevelan, Pleshisht dhe lagja e krishterë në fshatin Hoshteçë. Por, në të gjitha fshatrat e tjera, gjenden emra vendesh që dëshmojnë për praninë e kishave. Në

kujtesën e popullit të kësaj zone, bëhet fjalë edhe për largimin e disa fshatrave të krishtera, gjë që mendohet se ka ndodhur në kohën e reformeve të Tanzimatit, për arsye të pasigurisë ose të ndonjë grindjeje me autoritetet qeveritare të asaj kohe. Kështu, p.sh. bëhet fjalë për fshatrat Vemiran (poshtë Pevelanit), Çorodol (poshtë Pleshishtit) e Remçidol (pranë Selcës Sipër). Gratë e krishtere të këtyre fshatrave kanë mbajtur deri vonë, rreth viteve ‘60 të shekullit XX, veshjen karakteristike për zonën.

Tjetër karakteristikë e këtyre fshatrave është edhe folklori i pasur dhe ruajtja e këngëve të vjetra legjendare, të përhapura në të gjithë Shqipërinë, si p.sh. kënga e murosjes, e Ymer Agës, e Dhoqinës etj, të cilat këndoheshin ditën e Pashkëve të Mëdha nga gratë e këtyre fshatrave, duke hedhur valle në oborrin pranë kishës. Fshatrat e kësaj zone janë: Trebinja (qendër administrative), Kalivaç, Potkozhan, Malinë, Pevelan, Pleshisht, Hoshteçë, Selcë Sipër, Zemçë, Dunicë, Çezmë e Madhe, Çezmë e Vogël, Hondisht, Llëngë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Çfarë ndodh me ushqimin që sekuestrohet në aeroport?

Pas një udhëtimi të bukur ku kemi mbledhur shumë sende dhe ushqime që duam t’i sjellim përsëri në shtëpi, mund të përballemi...

Çfarë ndodh nëse fotokopjoni një pasqyrë?

Në video tregohet se pas futjes në skanim të pasqyrës, printeri e lëshon pasqyrën të vendosur në një letër të formatit A4,...

Si u vodh Kupa e Botës në vitin 1983, në Brazil?

Në vitin 1970, ekipi brazilian fitoi kupën për herë të tretë, duke u lejuar për ta mbajtur përgjithmonë kupën origjinale prej ari,...

Si u dënua legjenda Ahmet Golemi me 5 vite burg pse festoi fitoren e Muhamed Ali

Ahmet Golemi, një nga pionierët dhe emrat të shquar të boksit shqiptar që u nda një muaj më parë në moshën 85-vjeçare.

Recent Comments