Drejt Gurit të Bardhë, destinacionit tonë, mund të shkosh ose përmes krahut që vjen nga Qafa e Murrizit, ose përmes Klosit. Zgjedhim të parin për të zbuluar kështu edhe një pjesë të fytyrës deri më sot të fjetur të një zone kaq afër dhe larg kryqyteti
Nga Marin Mema
Kalaja e Gurit të Bardhë apo Petralbës, siç njihet ndryshe dikur ishte një ndër selitë e Kastriotëve. Sipas historianëve zona përbënte një ndër pikat e rëndësishme nën varësinë e tyre me një popullsi jo të vogël për kohën. Edhe sot shekuj më pas përrethmi jetohet, mes historisë e realitetit që pak shkëputen nga njëri-tjetri.
Ngjitja drejt selisë së dikurshme që siç shkruan Marin Barleti frekuentohej në mënyrë të rregullt nga Donika Kastrioti, por edhe nga bashkëshorti i saj Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një kacavirrje e vazhdueshme mes majave të thepisura. Duket e jashtëzakonshme të shohësh vendin e saj, ndoshta për këtë Barleti e cilësonte një kala të ngritur majë një mali e që s’i trembej asnjë fuqie armike, përveç urisë.
Ashtu siç pritej kalaja është lënë në mëshirë të fatit, një pjesë e mureve kanë rënë kurse të tjera kanë mbetur aty të braktisura. Sipas studiuesve jo larg shtrihej edhe qendra e banimit që u ngrit me shumë gjasa pas rënies të asaj antike të Xibrit.
Tejmi duket fshati i Gurit të Bardhë dhe ai i Petralbës që dikur kanë qenë një i vetëm. Ato u ndanë gjatë regjimit komunist, e megjithatë sërish funksionojnë thuajse si një i tërë. Shtëpitë e mëdha e të gurta tregojnë pozitën e dikurshme që kanë patur banorët, edhe pse sot vështirësitë kanë ndikuar mjaft në jetesën e tyre.
Fshati që rrënjët i ka në histori e që prej saj, por edhe natyrës së virgjër duhet të tërhiqte vëmendje e pse jo turistë , sot zgjidhjen më të madhe e jep përmes largimit të banorëve.
E të mendosh se dikur në këtë zonë arsimohej një figurë e madhe si Pjetër Budi, djal i Gurit të Bardhe, ku jetoi siç thonë shumë studiues deri të paktën në moshën 21-vjeçare. E po kështu kanë dalë edhe shumë figura të tjera nga kjo pjesë, banorët e së cilës duket se shquhen, jo thjesht për mikpritjen, por edhe një zemër e kulturë të madhe.
Guri i Bardhë merrte frymë atëherë kur shumë qytete të sotme nuk ekzistonin, kishte banorë kur zona të tjera ishin vetëm një grusht, e megjithatë ndryshe nga dikur sot mbështetje ende nuk ka parë. “Rruga e Arbërit” është hapi i parë e pas saj projektet duhet domosdoshmërisht të prekin këtë zonë, për ta rikthyer aty ku e ka vendosur historia . Diçka është e sigurtë Guri I bardhë dhe e gjithë zona janë një mrekulli. /