6.1 C
Pristina
Saturday, July 31, 2021
Home KULTURË Historiku i furrave të bukës së qytetit Memaliaj

Historiku i furrave të bukës së qytetit Memaliaj

Të gjithë memaliotët e dinë se, se vendbanimi i parë të këtij komuniteti, filloi nga disa familje që kanë banuar përtej lumit Vjosë, në veriperëndim të pyllit Karaule. Aty u ngritën edhe kasollet e para, që u zëvendësuan me baraka dhe më pas, pati edhe ndonjë me gurë. Gjithë kjo domosdoshmëri e ndërtimit të këtyre banesave nga më të thjeshtat, lindi si nevojë e përfitimit të kohës dhe shmangies së lodhjes që sillte përshkimi i rrugës që bënin punëtorët e minierës, të cilët, ishin nga fshatrat përreth. Siç e kam përmendur edhe në një shkrim tjetër, e para ka qenë nënë Pero Minaj, ajo që nguli thuprën e kasolles së parë në fillimin e verës së vitit 1947-të. Nga fundi i muajit gusht po të kësaj vere, nënë Perua e transformoi në një kasolle me baltë dhe me një çati me llamarina, të cila i kishte përfituar nga hapja e fuçive boshe që i kishte gjetur nëpër periferitë e Sektorit të I-rë të minierës që ishte hapur në atë kohë, po në Karaule, disa dhjetra metra ku u vendos të ngrihej vendbanimi Karaule.

Kjo familje vinte nga Kashishti, dhe ngritja e kësaj banese me mjete rrethanore, tërhoqi vëmendjen edhe tek punëtorët e tjerë që venin e vinin nëpër fshatrat përreth. Këto vajtje -ardhje mbi dy-tre orë rrugë, duke u ndeshur, jo vetëm me lodhjen e rrugës që ia u dyfishonte të nesërmen puna që do bënin, por edhe në pikun e vapës, të ftohtin e hidhur, por edhe shirat që u përshkonin edhe trupin e tyre. Si e tillë, filluan të ndërtonin me shpejtësi edhe punëtorët e tjerë, jo vetëm nga fshatrat përreth, por edhe ata që vinin nga rrethet e tjera e më pas morën edhe familjet e tyre.

Këta të fundit banonin në një barakë me llamarina që u përdor si kapanon punëtorësh, dhe pasi familjet e tyre u vendosën me banim nëpër barakat që ngritën, aty u ngrit edhe një furrë e vogël buke për punëtorët që punonin në minierë, flinin në kapanonë dhe hanin në një mensë.

Padyshim që disa nga amvisat e familjeve të para, për mos të thënë të gjitha, e bënin vetë bukën duke e pjekur nëpër saçet e tyre. Të gjitha këto nëna, punonin në repartet ndihmëse të minierës që ishin në sipërfaqe të këtij sektori dhe padyshim që lodhja nuk ka qenë e pakët.

Nuk e dija që në vendbanimin Karaule ka patur furrë buke edhe pse duke parë që punonin gjithë ata punëtorë, padyshim që krahas një kapanoni dhe mense, detyrimisht që do të ishte edhe një furrë buke. Këtë e mësova nga një bisedë që kam bërë në verën e vitit 2013-të, me memaliotin Thodhori Puto, i cili ka ardhur në moshë të vogël me familjen e tij dhe kanë banuar për disa muaj në Karaule. Thodhoriu është djali i Xhevdet Putos i ardhur me familje nga Goranxia e Gjirokastrës, edhe të atin e tij e ka patur furrxhi dhe ka qenë furrxhiu i parë në qytetin e Memaliajt, që ka punuar tek furra e parë që u hapë në vitin 1953, tek vendi i quajtur “Gorica”.

Por nga bashkëqytetari Bilbil Meta mësojmë se: “Furrxhiu i parë përtej lumit Vjosë, në vendbanimin Karaule, ka qenë Sotir Koçi, dhe më vonë erdhi të punoj në Memaliaj, pasi u hapë furra tek “Gorrica”, ku ka sjell edhe detaje të tjera të cilat do t’i lexojmë përgjatë shkrimit. Këtë e vërteton edhe rrëfimi i mësuesit veteran, Thanas Hoda i cili shprehet: “Furrxhinjtë e parë që kanë punuar në furrën e bukës përtej lumit Vjosë, në vendbabinim Karaule, kanë qenë pjekësi Sotir Koçi dhe tre pjekësit e tjerë nga Trëbuqi i Gjirokastrës, Tasho Zisi (përgjegjës), Stefan Stefani dhe Rako Dedi. Më vonë, Tasho Zisi iku për të punuar dhe jetuar në Tiranë dhe të tjerët shkuan të punoin tek furra që ishte hapur në qytetezën e minatorëve Memaliaj, që sapo kishte filluar të ndërtohej dhe popullohej me ritme të shpejta. Pjekës të tjerë që kanë punuar nëpër furrat e Memaliajt, janë edhe Kiço Shella, Xhevdet Puto, Andon Kora, Qamil Llaka dhe të tjerë emrat që ju i keni të plotësuar në listën me të gjithë emrat e punonjësve që kanë punuar në këto furra.”

Tek furra e hapur tek “Gorrica”, toponim që u pagëzua si pasojë e një peme prej gorrice që ishte aty afër kësaj furrë buke, si fillim kanë punuar si pjekësa Xhevdet Puto, Kiço Shella nga Peshtani, Kiço Jorgo nga Dropulli. Më pas, tek kjo furrë erdhën të punojnë edhe pjekësat Sotir Koçi, Stefan Stefani dhe Rako Dede, pasi u mbyllë furra në Karaule. Në këtë furrë ka punuar ndihmëse edhe Grarito Kllapi nga Këlcyra. Nisur edhe nga vjetërsia në punë, nga këta pjekësa, punuan për shumë vjetë përgjegjës furre Sotir Koçi. Përgjegjësa për shumë kohë, punuan edhe Nako Xhori dhe Refit Çibuku. Në moshë të re, aty ka punuar ndihmës, por më pas edhe furrxhi, Thodhori Puto, i cili është djali i furrxhiut Xhevdet Puto.

Me zhvillimin e vrullshëm që solli shfrytëzimi i qymyrgurit në sajë të hapjes së sektorëve të rinj, u shtuan edhe ndërtimet e banesave disakatëshe për të përballuar rritjen e popullsisë nga familjet që vinin nga rrethe të ndryshme të vendit, lindi si nevojë për ndërtimin e një furre të re dhe më të madhe, që do të përballonte me bukë jo vetëm qytetin, por edhe mensat e sektorëve të minierës. Kjo furrë, u hapë në vitin 1960-të, në krah të ish fushës së parë zyrtare të futbollit, që përfaqësonte rrethin e Tepelenës në atë kohë. Ashtu si edhe furra e vjetër, edhe kjo furrë, punonte me dru, por përdorej edhe solar. Kjo e fundit, kështu njihej nga ne si lëndë djegëse në atë kohë, pasi lëshonte një tym të zi dhe blozë, ku ne që banonim nëpër pallatet shumë afër saj, na ndoteshin edhe rrobat, të cilat i hapnim nëpër telat që kishin sajuar prindërit nëpër ballkonet apo telat e gardhit rrethues të fushës së futbollit.

Tek kjo furrë, përveç disave nga punonjësit e Furrës së Gorricës, filluan punën edhe furrxhinjtë të tjerë si: Arif Hysi, Andon Kora, Qamil Llaka, Nikolla Loli, Bashmir Sala, Astrit Pazaj nga Izvori i Tepelenës dhe Sadik Ziraj. Ndihmësa ishin, Bale Guca, Bedrie Kanani, vëllezërit Thodhori dhe Vasil Puto. Thodhoriu punoj 6-muaj në këtë furrë dhe më pas, kaloi me punë magazinier në NFP, ndërsa i vëllai i tij Vasili, punoi disa muaj para se të thirrej dhe të kryente shërbimin ushtarak. Në këtë furrë të madhe, në moshë të re, ka punuar për 6-muaj si ndihmës, Memet Hoxha, ndërsa Rako Laska punoi më shumë se një vit. Në sitjen e mielli kanë punuar, Zyrako Myslymi dhe Vito Miho, ndërsa brumator ka punuar, Qani Shehu nga fshati Toç i Tepelenës. Trasportimin e bukëve, e bënte Kono Laska me anë të një karroce dhe kjo mbahet mend si transportuesja e parë. Ndërsa shitëset e para që kanë punuar tek dyqani i bukës, janë Margarita Jonuzi që ka punuar për 36-vjet rresht dhe Drita Qibini. Si përgjegjësa vazhdonin të punonin Sotir Koçi, Refit Çibuku dhe Nako Xhori, derisa dolën në pension, u zëvendësuan me të tjerë qe do i lexojmë përgjatë shkrimit.

Edhe pse kam banuar shumë afër furrës së bukës dhe i shikoja pothuajse çdo ditë këta punëtorë të thjeshtë dhe të nderuar, nuk po më kujtoheshin të gjithë emrat e tyre! Për t’i kujtuar dhe t’i përfshirë të gjithë emrat e punonjësve në këtë shkrim, i kërkova ndihmë Albert Osmanit, i cili ka punuar për shumë vite në këtë furrë buke. Ai e priti me shumë kënaqsi dhe më kujtoi shumë nga emrat që kanë punuar në furrën e bukës, madje edhe disa të tjerë që unë nuk i njihja! Po ashtu, me anë të faqes Memaliaj në Facebook, u ndihmova edhe nga bashkëqytetarët e mi, të cilët me anë të komenteve të tyre, e plotësuan edhe me emra të punonjësve të tjerë, ndihmesë kjo që e bënë më të pasur dhe më të plotë këtë shkrim dokumentar.

Në paraqitjen e emrave të të gjithë punonjësve, do të mundohem që t’i ndaj sipas profileve të tyre që kanë punuar në këtë sektor të shërbimit ekonomiko-social. Emrat që kanë punuar, pjekës janë: Sotir Koçi, Kiço Shella, Stefan Stefani, Rako Dedi, Xhevdet Puto, Kiço Jorgo, Arif Hysi, Bashmir Sala, Nikolla Loli, Andon Kora, Qamil Llakaj, Astrit Pazaj, Thodhori Puto, Sadik Ziraj, Vasil Gërxhi, Hajri Shehu, Bilal Merdani, Hajri Ismaili, Mehmet Mehmeti, Vladimir Qama, Astrit Pasha, Arben Vrenozi, Edmond Gjoka, Bashkim Deshiku, Fitim Ndreu, Skënder Mullaj, Hekuran Merdani (pjekësi i gështenjave), Ali Laze nga Dragoti dhe Arben Baci e Avni Molla, të dy nga Tepelena.

Emrat e ndihmësve që bënin sitjen e miellit, bërjen dhe ndarjen e brumit nëpër tavat, heqjen e bukëve të pjekura nga këto të fundit dhe magazinimin në raftet e posaçme, kanë punuar: Garito Kllapi, Vasil Puto, Memet Hoxha, Zyrako Myslymi (sitëse mielli), Vito Miho (sitëse mielli), Rako Laska, Bale Gucaj, Bedrie Kanani, Luftije Nela, Qani Shehu, Tefta Çili, Maro Gërxhi, Flamure Gucaj, Mamude Gërxhi, Lumturi Muçi, Sose Ziraj, Lenxa Laska, Qemo Hoxha, Thjano Ajdini, Shqiponja Tafili, Evjeni Sotiri, Frederika Kristo, Donika Katiraj, Xhuljeta Caushi, Floresha Hoxha dhe Qamile Ziaj. Ndihmëse me periudha të shkurtra, për të zëvendësuar ata që iknin me leje të zakonshme apo për arsye shëndetësore, dërgonin të punonin edhe nga gratë që punonin tek “Sherebeli”, ku bënin seleksionimin e bimëve mjekësore, që niseshin për magazinat qendrore të Durrësit dhe prej andej bëhej eksportimi i tyre. Disa nga emrat e këtyre që më kujtohen për momentin janë: Konstandina Kondo, Liri Gjoka, Lutfie Kuçi, Shefiko Llaka, Pëllumbe Shehu, …etj. Nënë Konstandina Kondo ka punuar ndihmëse në furrën e bukës së Memaliajt, pasi më parë, ajo punonte në Sherebel. Këtë ndryshim e bëri, për të siguruar më të shumë ardhura. Ajo punoi në Memaliaj për një periudhë kohe dhe pak muaj punoi edhe në furrën e bukës në Tepelenë. Aty u sëmurë nga kjo punë, pasi mori një ftohje të rëndë dhe u detyrua që të kthehej prapë në punën e mëparshme që kishte në “Sherebel”.

Në organikën e punonjësve të furrës kishte edhe punëtor për shkarkimin e thasëve me miell, nga kamionët e tonazheve të ndryshme që i sillnin nga “Fabrika e miellit” të Gjirokastrës. Pothuajse këta kaminonë, shkarkoheshin çdo ditë; ndonjëherë edhe në dy ditë. Ishte punë shumë e lodhshme, pasi përveç shkarkimit, bënin edhe magazinimin, por edhe furnizimin me miell për turnet e ndryshme që punonin në këtë furrë. Në këtë profil, ka punuar për 16-vjet rresht edhe Albert Osmani. Kur mungonte për arsye të ndryshme, zëvendësohej nga Myzafer Tora, por ka patur raste edhe nga punonjës të tjerë si, Pajtim Shehu, Tafil Sulozeqaj, Mike Lamçe dhe Xhemal Muka, të cilët, ngaqë punonin në ngarkim-shkarkim tek NFP-së, thirreshin për ndihmë edhe nga furra e bukës edhe pse varej nga NGP-a. Më pas, ka punuar për 1-2 vjet edhe Adriaktik Guma dhe Florenc Goxharaj. Në shkarkimin e kamionëve me miell, vullnetarisht, ndihmonin shpeherë herë edhe djemtë e lagjes tonë sivëllezërit; Gëzim Hysi, Myzafer Hysi, Fatos Lamaj dhe Ermal Lamaj. Kjo ndihmë ofrohej sidomos në ditët e nxehta të verës, ato të ftohta të dimrit dhe në ato me shi.

Ndërsa shitja e bukëve, si fillim bëhej tek një shtesë që iu bë furrës, në krahun verior të saj, ku ishte edhe hyrja kryesore e furrës. Shitësi i parë ka qenë, Liço Ruka. Më vonë filloi të bëhej tek dyqani që ishte caktuar tek “Mapua Ushqimore”, ku në ambientet e kësaj mapoje, ishin edhe ajo e ushqimores dhe bulmetoria. Tek dyqani i bukës, shitëse ka punuar për 36 -vjet rresht, Margarita Jonuzi, ndërsa Afërdita Qibini që të gjithë e njohin me emrin Drita, ka punuar për 30-vjet rresht. Të tjera shitëse që kanë punuar për periudha të ndryshme, nga disa muaj deri më 7-vjet janë: Suzana Qibini (7-vjet), Zonja Dosti, Qeriba Hasa, Mjaftoni Hoxha, Hatixhe Grilli, Tefta Meta, Majlinda Merdani. Dallandyshe Memaj, Fatushe Ndreu dhe Fiqirete Shehud. Nërsa Majlinda Merdani dhe Qeriba Hasa, kanë shitur bukë edhe tek dyqani që ishte tek “Markatua”.

Për transportimin e bukëve, në fillim janë bërë me karroca të ndërtuara në ato përmasa që punëtori të kishte mundësin që ta shtynte. Dyqani i bukës nga furra ishte jo më shumë larg se 50 m. Trasportuesja e parë me karrocë dore, ka qenë Kano Laska. Më vonë, buka filloi të transportohej me karroca me kuaj, pasi nga viti në vit, edhe popullësia vinte në rritje. Në qytet ishin dy karroca: një që shërbente vetëm për bukën dhe ndonjëherë për artikujt të tjerë, dhe karroca tjetër që furnizonte ushqimoret, bulmetoret dhe dyqanet që tregtonin frutat, zarzavatet dhe qumështin çdo mëngjes. Karrocierë për shumë vite ka punuar Sadik Osmani, pastaj Xhafer Sinani nga Kashishti i Tepelenës. Më pas, për disa vite, në kohë të ndryshme, kanë punuar dhe Arqile Vlashi, Jano Gërxhi, Bashkim Ziaj, Petrit Selmani, Pajtim Shehu, Myrto Bega, Flamur Dedgjoni. Kur këta mungonin ndojëherë, me karrocat shërbenin edhe Myzafer Tora, Tafil Sulozeqaj, Mike Lamçe dhe Xhemal Muka. Xhemalin e mbaj mend shumë mirë pse u futë në NFP, pasi ngaqë kishte mbaruar një kurs për shofer, i duhej të fillonte punë në këtë ndërmarrje, siç kishin filluar edhe shumë shofera të tjerë, dhe me rastin më të parë, kuptohet edhe me anë të njohjeve, kishin filluar të punonin si shoferë.

Por me hapjen e njësisë tjetër për shitjen e bukës, me vendodhje në veriperëndim të qytetit, tek “Markatua”, e cila ishte më larg nga furra, bëhej edhe me kamionë të ndryshëm. Drejtuesit e këtyre kamionëve kanë qenë: Lefter Strakosha (Zis 51-sh), Vanthi Kocani (Zis 51-sh), Sadik Shehu (Zis 51-sh), Luiza Dashi që drejtonte kamionin të tipit Zuk dhe Fatos Hysesani. Në shumë raste, këta drejtues me kamionët e tyre, kanë trasportuar bukë edhe tek dyqani kryesor i bukës që ndodhej në qendër të qytetit. Këta drejtues kamionash, me kamionët e tyre, përveç furnizimit me bukë që u bënin të dyja dyqaneve të bukës, shërbenin edhe për transportin e artikujve të ndryshëm nëpër dyqanet e qytetit që i kishin caktuar për shitjen e tyre. Gjithashtu, bënin edhe furnizimet për mensat e punëtorëve nëpër sektorët e minierës, ku midis shumë produkteve ushqimore, ishte edhe një numër i konsiderueshëm bukësh.

Shoferja Luiza Dashi me kamionin e saj të tipit “Zuk”, që transportonte bukët, nga Furra e bukës, tek njësia e shitjes

Ndërsa në pozitën e përgjegjësit të furrës kanë punuar disa prej atyre emrave që përmenda më lart, përgjatë shkrimit, duke filluar në fillim si pjekësa dhe më vonë, kaluan në pozitën e përgjegjësit, të cilët mbanin përgjegjësi për organizimin e punëtorëve që do të punonion sipas turneve, furnizimin e furrës me miell të varieteteve të ndryshme, vaj, kripë, lëndët djegëse siç ishte ajo e drurit dhe solarit, higjenën e vendeve ku magazinohej mielli dhe bukët e pjekura, e deri tek realizimi i normave dhe i trasportimit të bukëve nëpër njësitë e shitjes dhe mensave. Emrat e punonjësve që kanë punuar përgjegjës, brigadier, magazinier dhe teknologë, në furrat e bukës në fillimet e saj e deri në ditën që u privatizua, janë këta: Tasho Zisi, Sotir Koçi, Nako Xhori, Refit Çibuku, Hajri Mustafaraj, Astrit Merdani, Adelina Mura, Luiza Xhaferi, Albana Çibuku-Miti, Lushi Zaimi, Teuta Nurka-Mamaj (magaziniere), Mineko Kocali (brigadiere), Liliana Vlashi (teknologe), Manushaqe Cela (teknologe) dhe Eleni Qirici (teknologe).

Ndërsa për emrat e punonjësve të furrës së bukës së Memaliajt që shtrihet në kodër, pyeta memaliotin Fatmit Meçe, i cili shprehet: “Furra e bukës ka qenë tek “Lagja e Teqesë”, pasi para se të sekuetroheshin dhe të bëheshin shtetërore, kanë qenë pronat e Teqesë. Më vonë u quajt “Lagja e Zyrës”, pasi aty ishin zyrat e fshatit. Të gjithë ata që kanë punuar pjekës buke, nuk kishin ndihmësa, pasi i përgatisnin vetë të gjitha në çdo proçes. Emrat e këtyre pjekësve janë: Dalip Mema, Lavdie Sina dhe Mine Beqiri. Magaziniere ka punuar Shpresa Meçe. Ndërsa furnitorë, ka punuar Hysen Tringa. Shitëse tek dyqani i bukës kanë punuar, Liri Çuku dhe Xhevaire Dedaj.”

Duke lexuar larminë e komenteve të shkruajtura nga memaliotët, tek faqja “Memaliaj” që kam hapur në Facebook, por edhe ato të dërguara me anë të mesazheve, mendova t’ia bashkangjis këtij shkrimi, pasi jo vetëm që janë nga banorët e qytetit, por edhe nga ata që kanë punuar edhe vetë në këtë sektor ekonomik të asaj kohe. Ato janë të shumta dhe po i sjellë si më poshtë:

Rako Laska: “Mbaj mend se furrxhinjtë në Memaliaj kanë punuar Sotir Koçi, Stefan Stefani, Xhevdet Puto, Thodhori Puto, Andon Kora, Qamil Llakaj, Astrit Pazaj dhe unë Rako Laska si brumator në vitet 1968-69. Ndërsa si sitëse e miellit ka punuar, Anea nëna e Kujtim Myslymit, e cila emrin e saj e ka Zyrako Myslymi. Sitëse mielli, në atë kohë ka punuar edhe Vito Miho. Trasporti i bukëve në atë kohë, bëhej me anë të një karroce dore të cilën e punonte mamaja ime, Kano Laska. Kjo ka qenë trasportuesja e parë e bukës që e bënte disa herë në ditë, nga furra e bukës deri tek dyqani i shitjes së tyre. Mbaj mend, se karroca ishte e thjeshtë dhe me konstruksion prej druri dhe rrotë metalike. Mesa me kujtohet, kutia që ishte vendosur mbi karrocë, e cila shërbente për mbajtjen e bukëve, ishte me një gjatësi prej 1.5 m, gjerësi prej 60 cm dhe thellësi prej 70 cm. Kutia merrte 100 bukë. Kështu që përgjatë orarit të punës bëheshin shumë rrugë. Padyshim që nëna jonë lodhej, pasi nuk duhej që të linte dyqanin bosh dhe të prisnin bashkëqytetarët për të blerë bukë, pasi dikush kthehej i lodhur nga puna dhe të tjerët nxitonin për t’u bërë gati për t’u nisur për në punë. Nëna nuk ankohej për lodhjen e saj, edhe pse ne e kuptonim. Ne si fëmijë të saj, shkonim shpesh dhe e ndihmonim duke e shoqëruar, që nga momenti kur ngarkohej karroca, trasportimin dhe shkarkimin. Ndihmën më të madhe ja jepte, sidomos vëllai jonë më i madh, Kiçua ndjesë pastë. Në atë kohë, unë nuk mbaj mend që të kishte karrocë tjetër për transportimin e bukëve. Më vonë ka ardhur dhe Qani Shehu nga fshati Toç i Tepelenës dhe ka filluar punë si brumator. Kështu quheshin ndihmësit në atë kohë që përgatisnin brumin në magje. Ishte punë e lodhshme, pasi përgatitja e brumit bëhej me krah derisa më vonë ka ardhur si brumator edhe Qani Shehu nga Toçi. Përgatitjen e brumit e bënim me krah, derisa aty nga viti 1969-të erdhën brumatriçet e para.”

Albert Osmani: “Mondi! Përveç shumë emrave që të kam dhënë, shtoj se furra e madhe e bukës, ka patur dy gryka furrash dhe më vonë u ndërtua edhe një grykë tjetër dhe u bënë tre. Aty prodhoheshin mbi 2500 bukë në ditë. Siç ju kanë folur edhe për emrat e karrocierëve ku një prej tyre është edhe babai im, Sadik Osmani, dua të shtojë se kali që i shërbente karrocës së babait tim, quhej Kuqo, ndërsa i karrocës tjetër, quhej Balash, i cili ishte më i ri në moshë, më i fizikshëm dhe një vrapues shumë i shpejtë. Sa herë që shkoja për ta gjetur ndonjë mëngjes, nëpër fushat buzë lumit Vjosë, ngaqë doja të ndihmoja babain, ia shaloja dhe ishte shumë kalë i zgjuar, pasi të ruante gjatë vrapit dhe nuk të hidhte, siç ndodhte tek ndonjë kalë tjetër. Të gjithë që kanë punuar tek furra e bukës, ku një nga ata jam edhe unë, janë treguar shumë të kujdesshëm si nga ana higjenore dhe ajo e prodhimit me cilësi të lart të bukës. Ishte një kolektiv, me një harmoni të mrekullueshme dhe punonim me përkushtim, për t’ia lehtësuar më shumë punën njëri-tjetrit. Të dy furrat, si ajo e Memaliajt edhe ajo e Tepelenës, vareshin nga NGP-ja, me administratë në Tepelenë.”

Avni Hima: “Transportin e bukëve me karrocë e bënte Barjam Merdani. Mbaj mend që në NFP-ë, ka punuar edhe Hekuran Merdani dhe kur ishte koha e gështenjave, e caktonin për të bërë zierjen e tyre tek furra e bukës që ishte ndërtesa e fundit, pastaj ishte fusha e futbollit. Pasi bëhej zierja e tyre, bënin shpërndarjen duke furnizuar të gjitha dyqanet e fruta-zarzavateve, të cilat bënin shitjen e tyre të ziera dhe me pesh. Nga emrat e punonjësve që lexova, shtojë se, shitëse buke kanë punuar edhe Zonja Dosti dhe Majlinda Merdani.”

Bilbil Meta“Mondi! Unë kam luajtur në ambientet e vendbanimit të Karaules sa herë që kaloja të shkoja për në fshat dhe të dielave shkoja dhe luaja tek rrënojat. E mbaj mend shumë mirë edhe pse kam qenë i vogël në moshë. Babai im Ismail Meta, i cili sot është 84 vjeç, më tregon se përtej lumit Vjosë, ku ka qenë Ashi i minierës, që ishte Sektori I-rë, tek Arganella, ka patur furrë buke dhe furrtar ka qënë Sotir Koçi. Po ashtu, furrxhi ka punuar edhe Rako Dedi që duhet të jetë gjyshi i kunatës time. Kjo furrë është hapur në vitet 1947-48-të. Në krahë ishte një mensë që shërbente për punëtorët të cilët flinin me familjet e tyre nëpër kasollet e Karaules se për beqarët ishte ngritur Kapanoni. Nr.1, pasi kështu e kishin caktuar në atë kohë. Pa kaluar shumë kohë, pak më tutje, u ndërtua një godinë e gurtë, ku shërbente për furrë buke. Po në të njëjtën godinë, veças dhe e ndarë, ka qenë edhe një mensë dhe kuzhinier ka punuar Mina Cui. Më vonë, kjo godinë e gurtë, u kthye në llambisteri, ku punonte mamaja ime Farie Meta, ndërsa pjesa tjetër shërbeu si nënstacion elektrik për minierën dhe nevoja të tjera publike. Kjo ndodhi, pasi u ndërtua një tjetër furrë buke tek “Gorrica”, nga ana e këtejme e Vjosës, ku shtrihet sot qyteti i Memaliaj. Duhet të ketë qenë viti 1953, kur është hapur “Furra e Gorricës”. Më vonë, në fillimin e viteve ’60-të, u ndërtua furra e madhe ku është edhe sot. Në këtë furrë kanë punuar pjekës edhe Andon Kora dhe Qamil Llakaj. Ndërsa ndihmëse Bedrie Kanani dhe Flamure Guca, ..etj. Xhafer Sinani ka punuar punëtorë në ngarkim-shkarkim.”

Sofokli Koçi: “Tek Sektori i I-rë, furrxhi ka punuar babai im Sotir Koçi dhe Rado Dedi nga Tërbuqoi dhe të tjerë që nuk më kujtohen për momentin. Ndërsa tek furra e bukës tek Gorrica, kanë punuar Xhevdet Puto, Bashmir Sala, Nikolla Loli,…etj.”

Mimoza Çela: “Është shumë mirë që të kujtohen dhe të nderohen të gjithë këta që kanë punuar edhe në furrën e bukës. Do doja të plotësoja edhe një emër, që nuk e lexova të përmendej nga të tjerët. Ajo është motra ime, Manushaqe Çela, e cila kishte kryer shkollën për teknologe në Tiranë dhe punoi tek furra nga viti 1984 deri në vitin 1987, pasi u nda nga kjo jetë, në moshën 25 vjeçare.”

Nga shënimet që kam mbajtur që nga vitit 2013-të, pas një bisede telefonike me memaliotin Thodhori Puto, ai u shpreh: “Ka patur një furrë buke përtej lumit Vjosë, në Karaule, ku si furrtarë kanë punuar Sotir Koçi dhe Rako Dedi. Më pas, në vitin 1953, u hapë tek “Gorica” në Memaliaj. Aty kanë punuar si pjekës, babai im Xhevdet Puto, Kiço Shella nga Peshtrani, Kiço Jorgo nga Dropulli. Ndërsa Garito Kllapi nga Këlcyra ka punuar si ndihmëse. Në këtë furrë kam punuar edhe unë, Mehmet Hoxha (6 muaj), vellai im Vasil Puto, pak muaj para se te ikte ushtar. Tek furra e re dhe e madhe, bukëpjekës kanë punuar Andon Kora, Qamil Llakaj, Sadik Ziraj, Mehmet Karaman Mehmeti, Hajri Shehu, Vasil Gërxhi, Alqi Vlashi, …etj. Në magazinim të miellit ka punuar i palodhuri Albert Osmani, ..etj. Ndërsa si dihmëse kanë punuar Bedrie Kanani, Bale Gucaj, Flamure Gucaj, Tefta Çili, Mamude Gërxhi, …etj.”

Abaz Hoxha: “Duke lexuar emrat e punonjësve që keni përmendur më sipër, patjetër që duhet të përmenden të gjithë, por secili thotë atë që njehë nga ata që kanë punuar në furrat. Mbaj mend, që përgjegjësa për një kohë të gjatë, kanë punuar Sotir Koçi, Nako Xhori dhe Refit Çibuku.”

Flora Dogani Jaupi: “Tek agjencia, e cila ishte disa metra larg furrës së bukës tek “Gorrica”, ka qenë një klub si kioskë me konstruksion metalik dhe aty shiteshin panine me qofte të cilat përgatiteshin nga shitëset, Fatime Sina dhe Neslie Goxhaj. Ato merrnin paninet e freskëta nga furra e bukës që nuk ishte as 40 m larg dhe përgatisnin paninet, siç i quajmë neve sot, sanduiça. Ishin shumë të shijshme dhe shumë të shitura në atë kohë.”

Isak Vlashi: “Në furrën e bukës së qytetit tonë, ka punuar edhe vëllai im Arqile Vlashi. E ka filluar punën në këtë sektor, që në moshën 16-vjeçare si transportues i bukëve me karrocë me kalë. Më pas, përgjatë shërbimit ushatarak në Çajup të Gjirokastrës, punoi bukëpjekës në furrën e repartit të ushtrisë. Pasi kreu shërbimin ushtarak, kthehet në Memaliaj dhe punon për një periudhë të shkurtër kohe, ku për arsye shëndetësore, e dërgojnë me punë në Tepelenë, ku mësoi zanatin e marangozit (pasi buante nga tensioni i lartë). Tek furra e bukës, kanë punuar edhe Tafil Sulozeqaj dhe Mike Lamçe, në shkarkimin e makinave që sillnin miell nga “Fabrika e miellit” të Gjirokastrës. Të dy ishin shumë të fuqishëm dhe puna ishte e vështirë, pasi duhej forcë dhe të ishe i fizikshëm që të ngrije ata thasë. Në furrë, përgjegjës ka punuar edhe Nako Xhori.”

Evjeni Zaimi Haxhiaj: “Ashtu si shumë bashkëqytetar, por edhe bashkëmoshatarët e mij, edhe unë e mbaj mend furrën e bukës që ka qenë në punë, deri nga mesi i viteve ’70-të. Përveç pjekjes së bukëve, aty prodhonin edhe panine. Aty kanë punuar disa bukëpjekës, të cilët janë edhe nga të parët, si Sotir Koçi, Xhevdet Puto, Kisho Shella, e shumë emra të tjerë, që ju i keni përmendur përgjatë shkrimit, por po ju kujtoj emrin e Uljanova Hoxha, e cila ishte bashkëshortja e Karafil Hoxhës, por nuk e kishte përmendur asnjëri, nga çfarë lexova! Në fillimet e viteve ’60, u hapë një furrë tjetër më e madhe, e cila ishte në krahë të fushës së sportit. Aty u hapën më shumë fronte pune dhe u punësuan më shumë bukëpjekës, brumatorë, teknologë, trasportues e përgjegjës. Po iu japë disa nga emrat e tyre, që kanë punuar si bukëpjekës: Andon Kora dhe Qamil Llaka.

Ndihmëse kanë punuar Bedrie Kanani, Bale Gucaj, Tefta Çili,..etj. Si përgjegjësa kanë punuar: Sotir Koçi, Refit Çibuku, Nako Xhori, Adelina Mura, Teuta Nurka,..etj. Trasportin e bënte me karrocë me kalë, xha Sadik Osmani dhe shumë emra të tjerë që ju i keni përmendur më lartë. Ajo që mbaj mend nga furra e vjetër, është se kjo furrë kaloi me pas, vetëm për pjekjen e tavave dhe aty punoi derisa doli në pension veterani i kësaj furre, Xhevdet Puto. Në këtë furrë çonte gjithë qyteti për të pjekur tavat e ndryshme, byreqet, pastiçot, bakllavatë, mishërat në raste gëzimesh familjare dhe ditë festash, pa harruar në ditë jave dhe më shumë në fundjava. Për një tavë, paguanim 10 lekë, për byreqet paguanim 15 lekë dhe për bakllavatë 20 lekë. Kur u mbyllë kjo furrë, oër arsye se aty u ndërtua një pallat, shkonim dhe i piqnim tek furra e madhe. Tek dyqani i shitjes së bukës, mbaj mend të ketë punuar shitëse mbi 30 vjet, nënat, Margartita Jonuzi dhe Drita Qibini, pastaj filluan të punonin edhe të tjerat. Aty shitej bukë gruri e zezë, e bardhë, misri dhe panine. Një bukë me reze të zezë kushtonte 40 lekë, ajo me reze të bardhë 66 lekë dhe buka e misrit kushtonte 24 lekë. Ndërsa një panine, kushtonte 10 lekë. Edhe pse furra punonte 24 orë, përsëri, kishte raste që dyqani ngelej boshë dhe memaliotët ktheheshin duar boshë në shtëpi. Në rastet kur ndonjë familje kishte miq në shtëpi, mund të siguronin ndonjë bukë nga furra, pasi pothuajse të gjithë njiheshim në Memaliaj. Të gjithë punonjësit e furrës dhe të shitjes së bukëve, ishin të përkushtuar në punën që bënin, por ishi edhe të respektuar nga të gjithë ne.”

Marsel Hysi: “Respekt për të gjithë këta bashkëqytetarë që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë sektor të ekonomisë! Krahas gjithë këtyre emrave që lexova, nuk pash të shkruajtur emrin e gjyshit tim, Arif Hysi, i cili është një prej veteranëve të parë dhe ka punuar me kolegët e tij, Andon Korën e Qamil Llakën dhe më vonë doli në pension. Profesionin e tij, në demokraci, e trashëgoi i nipi tij Edval Hysi krahas një eksperiencë të marr në Athin, ai solli edhe nje teknologji të re dhe bashkëkohore, të cilën instaloi dhe vuri në shfrytëzim në qytetin tonë Memaliaj.”

Ndërsa ish-punonjësja Tefta Cili shprehet: “Kam punuar për 13 -vjet rresht në furrën e bukës së Memaliajt. Në kohën që kam punuar si ndihmëse, mbaj mend ndihmëse të tjera si; Bedrie Kanani dhe Luftie Nela, ndërsa Andonin Kora, Vasil Gërxhi dhe Hajri Shehu, kanë punuar bukëpjekës. Përgjegjës të furrës në atë kohë, kanë punuar Mineko Kocali, Teuta Mamaj (Nurka), Luiza Xhaferi dhe Aldana Muraj. Teknologe buke, ka punuar Lijana Vlashi. Në magazinimin e miellit ka punuar Albert Osmani, ndërsa në shitjen e bukëve ka punuar Margarita, Jonuzi, Drita Qibini, Suzana Qibini, ..etj, që nuk më kujtohen për monentin dhe u kërkojë ndjes, pasi kanë kaluar mbi 28 -vjet që jemi shkëputur nga ajo punë dhe ai kolektiv, pas ndryshimit të sistemeve.”

Vasil Vasili: “Mondi, urime për shkrimin! Na ke sjellë një degë të veçantë të jetës së qytetit Memaliaj. Diçka nga kujtesa ime. Para Sektorit të Parë, kalonte një përrua dhe po të ndiqje rrjedhën e tij drejt veriut, të shpinte te “Burimi i Peros”, një çezëm në anën e majtë ngjitur me shtëpinë e Pero Minajt. Ndoshta ka qenë burimi më i afërt për ujë të pijshëm; pra edhe për gatimin e bukës në furrën ku më vonë u ngrit llambisteria. Dhe diçka tjetër, pas shitores së bukës në krah të furrës, shitorja tjetër ka qënë atje, ku pas ‘90-ës u bë shitorja e Liri dhe Lato Latajt. Pastaj u hap shitorja te “Mapua Ushqimore”. Edhe një herë urime juve dhe të gjithë memaliotëve që kanë ndihmuar për të rindërtuar me kujtesën e tyre një pjesë të jetës sonë në Memaliaj.”

Bekim Malaj: “Furra e bukës ka qenë dy metra larg nga vija anësore e fushës. Furrxhinjtë nuk linin ndeshje pa parë, jo vetëm kaq, por ishin tifoza të çmendur për ekipin e futbollit “Minatori“. Sa herë që kishim ndonjë ndeshje të vështirë, oxhaku i furrës bëhej si oxhak fabrike. Kjo ndodhte gjithmonë në 20 minutshin e pjesës së dytë. Në fushë nuk dukej asgjë nga tymi i zi që dilte nga oxhakët e furrës. Loja luhej në një portë dhe tifozët bërtisnin pa pushim. Rezultati, dilte sipas parashikimit, pasi lëshohej tymi i furrës, i cili ndikonte edhe në golat që përmbysnin rezultatin.

Respekt për Refit Çibukun, i cili ka punuar si përgjegjës furre, gjithashtu edhe dhe për furrxhinjtë e tjerë, që punonin natë e ditë, për të siguruar bukën e minatorëve, familjeve të tyre, dhe fshatrave rreth qytetit të Memaliajt.”

Shaban Qibini: “Buka në qytetin tonë ishte më e mira në gjithe jugun dhe këtë e gatuanin duart e furrxhinjve memaliotë. Respekt për kontributin e këtyre grave dhe burrave që kanë punuar me ndërgjegje të lartë dhe përkushtim! Të falënderojë Mondi Ismailati për këtë shkrim që na ngjall kujtesën për kohën e shkuar, të vështirë,por dhe shume të bukur!”

Dy shitëset veterane të njësisë së shitjes së bukës për qytetin e Memaliaj; majtas Margarita Jonuzi dhe Drita Qibini. Kujtim i viteve 1980

Me ndryshimin e sistemeve, edhe në qytetin e Memaliaj, u hapën disa furra buke private. Ato u hapën nga ish punonjës së furrës, nga nipër memaliotë që banonin në Elbasan, të tjerë që nuk kishin eksperiencë në këtë industri dhe investitorë të tjerë, banues në zonat përreth. Mbaj mend, se në fillimet e vitit 1992, u hapë furra e parë private në Memaliaj, nga vëllezërit Arian, Roland dhe Fatos Gucaj. Janë djemtë e memaliotit Hasan Gucaj i cili u largua herët nga Memaliaj, për të ndjekur studimet e larta të Akademisë Ushtarake. Të tre janë nipërit e veteranit të luftës dhe të minierëss së Memaliajt, Muharrem Karafil Gucaj. Në qershor të vitit 1992, kur fillova punimet për ta kthyer lokalin nga Bilardo në lokal nate (diskotekë, e cila në atë kohë ishte e dyta në Shqipëri, pas atij të hapur në Tiranë), përshëndeteshim disa herë të çdo ditë dhe shikoja tek ata një harmoni dhe disiplinë korrekte me njëri-tjetrin, me punën, me punëtorët dhe klientët. Madje, në shumë raste, tregoheshin edhe human edhe pse nuk kishin shumë kohë që e kishin hapur furrën.

Të tre vëllezërit Gucaj, që president të firmës së tyre, kishin të vëllanë e madh Arianin, kishin hapur edhe shumë furra të tjera nëpër Shqipëri. Në Memaliaj, kjo furrë u hap tek godina e ish frigoriferit, që në sistemin e kaluar, ishte në pronësi të NFP-së, ku magazinohej mishi, peshku, vezët dhe sallamet për furnizimin e qytetit dhe të mensave të punëtorëve që punonin nëpër sektorët e minierës. Ata e morën me qira, perkundrejt një shume të kërkuar nga pronarët që e kishin privatizuar nga NFP-ja, siç ndodhi në atë kohë për të gjithë ata që kishin punuar dhe i zuri privatizimi. Ata e morën me qira, përkundrejt një shume të kërkuar nga pronarët që e kishin privatizuar nga NFP-ja, siç ndodhi në atë kohë për të gjithë ata që kishin punuar dhe i zuri privatizimi.

Në fillim, pati shumë sukses ky biznes, pasi ishte furra e parë, por disa muaj më vonë u hapë edhe një furrë tjetër buke me pronarë Lushin dhe të vëllain e saj, Pëllumb Mamaj. Të dy këta pronarë, shfrytëzuan një hapësirë midis ish Mapos së parë në Memaliaj, që më vonë u kthye në mobileri, magazina dhe godinës tjetër po të NFP-së, që shërbente për magazinimin e miellit që përdorej për furrën e bukës së qytetit. Të dyja furrat, u hapën, tek rruga e dyqaneve, që në fillimet e para të qytetit të Memaliajt, ku nga memaliotët quhej edhe si rruga e njësive tregëtare. Me zhvillimin e qytetit, shumë nga këto njësi kaluan tek katet e para të pallateve të gurta, që u ndërtuan në qendër të qytetit, sic ishin, Mapua Ushqimore, ajo industriale, kingaleri, fajanca, ..etj. Të dyja furrat konkurronin njëra-tjetrën, si nga cilësia, por edhe nga shpërndarja e bukëve që bënin që çdo ditë edhe në fshatrat më të thella. Pëlllumba Mamaj, hapi edhe një furrë buke në qytetin e Tepelenës.

Jo më larg se 10 m nga ish magazinat e minierës, që u privatizuan nga ekonomisti Lame Selmani, u hapë një tjetër furrë me pronar Petrit Shehu. Këto furra, i kapte territori i lagjes nr.5, ndërsa në lagjen nr.3, u hapë nga ing. Kiço Jorgo, ku më vonë ia bleu Astrit Pasha, i cili kishte punuar disa vite si bukëpjekës, tek furra shtetërore e qytetit. Mbyllet, furra e parë nga vëllezërit Gucaj dhe largohen për të vazhduar aktivitete të tjera tregtare, nëpër qytete të tjera të vendit. Po në lagjen nr. 3, hapet furra e bukës “Vael”, me pronarë Edvael Hysi, i cili kishte punuar në një nga furrat e Athinës dhe pasi investoi duke blerë në Athinë, çdo pajisje të re dhe bashkëkohore, e bënë shumë shpejtë një nga konkurruesit e fortë të kësaj industrie në qytet.

Më vonë, u privatizua edhe ish furra shtetërore, nga punonjësi i saj, Myrto Bega i cili vazhdon edhe sot, të përdorë drurin, si lënd të parë djegëse, pasi furrat e tjera, kanë punuar dhe ende punojnë me energji elektrike. Furra me pronarë, Myrto Bega ndodhet në territorin e lagjes nr.4. Një tjetër furrë buke u hapë me pronar, Petrit Metën në lagjen nr.1. Kur isha për vizitë në verën e 2018-ës, pata fatin të takoj Petritin dhe të shikoj edhe ambientet e kësaj furre, e cila mbahej shumë pastër dhe prodhonte bukë me kualitet shumë të mirë. Nga frekuentuesit e faqes “Memaliaj” në Facebook, mësova në qytet ka patur furrë private edhe Novruz Zeka. Duke komunikuar para disa ditësh me bashkëqytetarin Pëllumb Mamaj, që ka patur në pronësi dy furra private; një në Memaliaj dhe tjetrën në Tepelenë, mësova se ai banon në një nga lagjet e Tiranës ku ka hapur edhe një furrë buke dhe punon familjarisht.

Përgjatë rileximit të këtij shkrimi, më erdhën ndërmend disa kujtime të mësuesit veteran, Thanas Hoda, të cilat i kam lexuar para disa vjetësh, tek libri i tij, “Rrugët e jetës më shpien në Labovë”, të botuar në vitin 2008 -të. Është një botim me shumë vlera për lexuesin ndër breza, pasi në brendësi të këtij libri, gjen shumë kujtime që mbartin shumë informacione interesante dhe të hedhur me një stil shumë tërheqës, që të mban mbërthyer për ta lexuar me një frymë deri në fund. Pas shumë shfletimesh që lexova të shkruhej për Labovën, Memaliajn dhe rrethin e Tepelenës, tek kujtimet e tij rrënqethëse me titull “Gjurmët e njeriut të mirë.”, lexova për bukëpjekësin Xhevdet Puto.

Të dy, pasi takohen për herë të parë në Memaliaj dhe prezantohen me njëri-tjetrin, Xhevdet Puto, u gëzua shumë kur mësoi se mësues Thanas Hoda ishte nga Labova e Zhapës. Ai i tha se kishte punuar furrëxhi në Durrës, tek furra e një laboviti që quhej Ferdinat Qendro, dhe ky doli që ishte kushuriri i parë i mësues Thanasit. Nga gëzimi, Xhevdeti i shprehte mirënjohjen e tij të thellë, për fisnikërinë e kësaj familje, e cila e kishte ndihmuar shumë kur ai ishte i papunë dhe pa asnjë të hollë në xhep. Ai kishte punuar si furrxhi, në një nga furrat e Lushnjës dhe qëlloi që furra u mbyll si aktivitet.

Në një moment kalon me motorçiklet djali i Ferdinantit dhe e shikon Xhevdetin që rrinte ulur përpara furrës, ku ai kishte punuar dhe dukej në një gjendje shumë të dëshpëruar, i palarë dhe i lodhur nga mendimet për hallin që e kishte zënë. Djaloshin e tërhoqi furra e bukës dhe për kurrshtje, ndaloi dhe pyeti Xhevdetin që po rinte ulur. Kur pyeti Xhevdetin dhe mësoi arsyen pse ishte mbylluar furra, por edhe se ai ishte nga Gjirokastra dhe se kishte punuar për disa muaj tek kjo furrë dhe nuk ishte paguar, e merr me vete për në Durrës dhe ja prezanton babait. Ata vendosën ta ndihmonin me punë, të holla dhe strehim, njësoj sikur ai të ishte një nga pjesëtarët e familjes së tyre. Edhe xha Xhevdeti që atë kohë ishte moshe e re, ia u shpërlente mirënjohejn e thelle me punë të një bukëpjekësi profesionist, shumë punëtor, shumë i drejtë dhe i besuar, ashtu siç kishte edhe natyrën e tij.

U mundova të perifrazoja këto kujtime, të cilat kanë shumë vite që më janë ngulitur fort në mendje dhe më kthenin pas në kohë duke kujtuar herë xha Xhevdetin, herë mësuesin tim të dashur Thanas Hoda, e herë prindërit e mi dhe të shokëve të mi, që padyshim edhe ata do kenë kaluar vështirësi të kësaj natyre apo të natyrave të ndryshme përgjatë jetës së tyre. Jo paqëllim, këta erdhën nga shumë treva të Shqipërisë, duke lënë vendlindjen e tyre, për të fituar një të re, atë të fëmijëve të tyre edhe pse shumë prej tyre ishin betuar për t’u përballur me pusitë e nëntokës, për të na dhuruar një jetë më të mirë. Nëse vendi doli nga lufta dhe u çlirua, prindërit tanë filluan një tjetër luftë, atë të përditshmen që luftonin të rrethuar me oshëtimat e kërcënimeve që lëshonte heshtja e nëntokës dhe kur dilnin në sipërfaqe shikonin diellin dhe bënin paqe përsëri.

Padyshim, nëse pyes çdo bashkëqytetar, për të ndarë kujtimet e tyre edhe për këtë temë, do jenë të shumta dhe të larmishme mendimet e tyre të arkivuara në kujtesë. Edhe unë kam kujtimet e mia, ndja dua të sjell disa prej tyre. Të gjithëve u kujtohen radhët e gjata duke pritur edhe me orë të tëra dhe në shumë raste edhe janë përleshur duke u shtytur në mënyrë verbale, për të arritur tek dritarja e vogël dhe zgjatur dorën, që të jepnim lekët dhe mandej për të marr bukën duke e mbrojtur me kujdes se mos dëmtohej përgjatë daljes nga turma që e bënte më të vështirë daljen, pasi të gjithë donin të mbrinin me çdo kusht po tek e njëjta dritare. Kjo dritare ishte prej druri dhe përmasë 45 cm me 80 cm dhe me thellësi 60 cm, të cilën e kishin ndërtuar në një nga faqet e murit të gurtë, që komunikonte me jashtë dyqanit dhe shërbente për të marr furnizimin e bukëve që dërgoheshin nga furra.

I gjithë konstruksioni i kësaj dritareje ishte prej druri, përfshi edhe dy kanatat që bënin mbylljen dhe hapjen e saj. Une kam banuar në një pallat disa metra larg, midis furrës së bukës dhe dyqanit dhe përjetoja pothuajse më të shumtën e rasteve. Rastet i shites së bukëve nga kjo dritare, bëheshin, kur e shikonin që nuk kishte mjaftueshëm bukë, për t’ua shitur të gjithëve dhe për të shmangur ndonjë situatë jo e këndshme, që mund të krijohej nga zemërimet masive të atyre që do të largoheshin me duart boshë dhe do të flinin edhe pa bukë. Në raste të tilla, janë shoqëruar edhe me thyerje xhamash, jo me dëshirë, por natyrshëm nga shtytjet e rrëmujave të momentit. Prandaj në raste të tilla, shitja e bukës bëhej nga dritarja e vogël që iu përshkrova më lart.

Në pikun e vapës, kishte raste nga ata që, pasi kishin marrë bukë, shfaqeshin jashtë turmës edhe me bluza të shqyera, herë edhe pa bluza, buzët të ënjtura të shoqëruara ndonjëherë edhe me gjakë apo gërvishtjet në fytyrë nga ndonjëri që nuk kishte prerë thonjtë. Ka patur raste të rralla edhe kur kanë thyer duart apo nxjerr shpatullat, nga këto situata. Kjo ndodhte edhe në ditë të ftohta dimri. Në këto situata, do të shikoje më shumë djem të rinj, sesa vajza dhe prindër. Më ka ndodhur që të futesha edhe unë e të blija bukë nga kjo dritare, por pasi e provova një herë, nuk mora guximin që ta kaloja as nëpër mend dhe jo më të tentoja prapë. Për shitëset e bukës, nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi i njihnin të gjithë memaliotët dhe familjet e tyre dhe në shumë raste viheshin në siklet kur vinte momenti që buka ishte në mbarim, apo dikush kërkonte bukë të freskët. Nisur nga këto situata, tek këto nëna krijohej një ndjesi tjetër, pasi e quanin jo njerëzore, që të bënin diferencime dhe aq më shumë me bukën. Ishte buka që u shërbente, jo vetëm e atyre heronjve të minierës bashkë me familjet e tyre, por të gjithë familjes së madhe memaliote, pasi nga respekti dhe dashuria vllazërore që kishim për njëri-tjetrin, na ishte krijuar një ndjesi shpirtërore, sikur të gjithë ishim kushërinjtë.

Mbaj mend nga një bisedë që bënin dy shitëset veterane, nënë Margarita Jonuzi dhe nënë Drita Qibini, bisedë kjo që u zhvillua një ditë më pas, pasi ishte shitur buka nga dritarja e vogël. Ishte kohë dreke dhe zakonishtë ishte qetësi dhe kishin kohë edhe të shkëmbenin ndonjë bisedë. I pashë të shqetësuara, kur flisnin për pamjet e duarve të zgjatura që vazhdonin t’i shqetësonin duke lënë edhe ndikim të gjatë psikologjik në kujtesën e tyre. Duke i dëgjuar, humba nëpër parafytyrimet që po më zgjoheshin nga këto pamje që i kisha parë shumë herë edhe unë. Sa herë që rinim nga brenda dyqanit, por jashtë banakut, me mendimin se mos blinim ndonjë bukë edhe pse ishim të vetëdijshëm, se në këto raste nuk bëheshin përjashtime, sytë na ngeleshin nga dritaja e drunjtë me pamjet, jo të këndshme, që më shumë, për të blerë bukë. Duart e zgjatura dhe që mbanin fort lekët, shoqëruar me britma nga më të fortat, për t’u siguruar se shitëset do ta kuptonin dhe do ta mbanin mend personin, për t’u dhënë bukët, pasi vetëm ndonjë fytyrë të plotë apo gjysëm mund të shikoje, pasi humbisnin duke zëvendësuar shumë shpejtë njëra-tjetrën apo gjysëm të mbuluara nga brylat e njëri-tjetrit.

Edhe kinostudioja, nuk mund t’i realizonte këto pamje, sa origjinale por edhe të shoqëronin gjatë në kujtesë. Më kujtohet në një nga këto ditë, pasi rrija mos më blente bukë ndonjë memaliot dhe në të majtën e krahut tim, dëgjojë një zë të njohur që më përshëndeti. Ishte Namik Shehu, i cili më pyeti, nëse e kisha ndarë mendjen të futesha në atë rrumujë dhe t’i blija edhe atij një bukë. E përshëndeta edhe unë, por në të njëjtën kohë zgjata pak më larë kokën, duke hedhur një vështrim, sa majtas dhe djathtas. Ai më pyeti përsëri: “Çfarë kërkon?”. “Po shikoj mos gjejë ndonjë vagonist të fortë, pasi vetëm këta do na mbarojnë punë”, ja ktheva unë me pak seriozitet, që po përpiqesha të fshihja të qeshurin. Namiku, shpërtheu së qeshuri duke e shoqëruar edhe unë që mezi po e mbaja, dhe dëgjojë të më thotë: “Vështirë e ke, pasi duhet të punosh në minierë, që t’i njohësh.”. Të dy u kthyem me fytyrë nga truma qi i ishte qepur dritares të mbuluar prej tyre dhe nga lëvizjet e shpejta dhe energji të papara, dukej sikur po luftonin për të depërtuar murin e gurtë të godinës, për të shpëtuar jetë njerëzish. Kësaj të fundit, ja bënin më të besueshme edhe pamjet e atyre që dilnin nga turma me shumë shpejtësi, herë me bukë dhe herë nga bosh.

Është e njohur nga të gjithë memaliotët, se nëpër radhët e gjata, aq më shumë duke pritur me orë të tëra, padyshim që edhe durimi humbiste duke ja lënë vendin dëshpërimit, ku kishte raste që shpirti fitonte një energji humori të çuditshme. Kjo ndodhte, pasi nuk flisje dotë hapur, se do të kushtonte, por e mbysnim me humor dhe njëri dukej më komik se tjetri, aq më shumë kur shoqërohej me të qeshura të forta apo të mekura. Aty prodhohej humor i çastit dhe i larmishëm. Meqë jemi tek shitja e bukëve, po ju tregoj një prej tyre. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, prapë qesh me veten, sa herë që kthehem në kohë dhe e kujtoj.

Në atë kohë duhet të kam qenë në klasë të gjashtë sportive. Ishte një nga të dielat e marsit dhe koha ishte e hapur dhe me diell sa për të na ngushëlluar, pasi kishte ditë që binte shi dhe dukej sikur nuk kishte ndërmend të ndalonte. Vjosa kishte dalë dhe zhurma dëgjohej edhe tek qendra e qytetit ku ishte dyqani i bukës, aty po mbaja radhën edhe unë. Kishim kaluar dy orë duke pritur dhe prapë nuk po kapnim mesin e radhës. Për t’u futur jashtë radhe, ishte bërë e pamundur, pasi pensionistët e kishin kuptuar këtë hilen e moshës tonë dhe bëheshin bashkë duke mbajtur sytë gjithmonë nga ata që vinin nga jashtë dhe nëse tentoje, nuk të linin. Dikush që nuk i dëgjonte, do ngeceshin tek shitësja, pasi ajo respektonte radhën, por edhe ankesat e pensionistëve. Karrocat e bukës edhe pse vinin njëra pas tjetrës, prapë radha dukej sikur nuk luante shumë. Të gjithë kërkonin të blinin bukë sa më shpejtë, pasi pasdite luante ekipi i futbollit “Minatori” dhe nuk duhej humbur kjo atmosferë festive. Koha po mblidhte dhe u gjeta ngushtë. Duhej të shpikja diçka, për të krijuar mundësinë që të blija jashtë radhe, në të kundërt, pas ndeshjes, do bëhej më e vështirë. Në radhë kisha edhe shokun e klasës Dilaver A. Abazin dhe bashkëmoshatarin Ilirjan Kristo. Ja u bëra të ditur planin dhe ata duhej të më mbështesnin, për ta bërë samë të besueshëm dhe kështu filluam ta realizonim menjëherë pasi ramë dakord.

Në momentin që po na afrohej një nga të moshuarit që ishte para meje, por që më shumë rinte në fillim, për t’u kujdesur për radhën, i them Dilos me një zë serioz dhe pak të lartë që ta dëgjonte xhaja: “Çfarë u bë me diversantin që deshte të hidhej përtej Vjosës?! E kapën?!”. “Nuk di gjë, nga ty po e dëgjoj! Prandaj pashë (emrat e pensionistave) me belçik në duar, që po iknin me nxitim për nga ana e lumit!”, u dëgjua të fliste Lani, me një qetësi të përzier me habi. “Po t’a kishin diktuar, do binte sirena dhe do dilnin të gjithë për ta kapur!”, ja kthehu Dilua. “Mirë e ke t’i, por duan ta kapin rrob!”, -vazhdova unë me një tonë disi hakmarrës, edhe pse mezi po mbaja të qeshurin. Xhakua, po na dëgjonte me kureshtje të habitshme, por nuk po e jepte veten dhe sytë e tij vështronin më shumë pllakat dekorative të dyshemesë që vende-vende dukeshin të shëmtuara, prej një mori gjurmësh nga këpucët dhe çizmet që kishin shkelur nëpër pellgaçet që flinin nëpër rrugët e qytetit. Pa kaluar as 30 sekonda, u largua dhe iu afrua pensionistit tjetër dhe që të dy, i pamë të dilnin me shpejtësi nga dyqani sikur kishin vendosur për t’u largua për në drejtim të paditur.

Të gjithë përfituam nga mungesa e disiplinës që ata kishin vendosur dhe u sulëm drejtë banakut, për të blerë bukë. Nënë Dritës që shiste bukë në atë turn të paradites, i ra në sy rrëmuja dhe po zgjatej për të parë dy pensionistat, por kur pa që ata nuk ishin më aty, vazhdoi të shiste bukët me shpejtësi. Pas 10 minutash, morëm bukë edhe ne dhe po ecnim në drejtim të portës. Kur dolëm jashtë, shikojmë që drejtë nesh, po vinte polic Misiri i shoqëruar me të dy pensionistat dhe e kuptuam se ata na kishin raportuar. Misiri, pa hedhur mirë këmbën e djathtë mbi buzën e trotuarit, na fletë që të ndalonim. Si duket e kishin vënë në dijeni që nga larg. Kur u afruan, të dy pensionistët i thanë: “Këta dëgjuam!”. Në atë kohë Misiri, na shikon të tre dhe na pyet: “Është e vërtetë që keni parë diversant nga lumi???”. “Jo, jo! Këta janë keqkuptuar, pasi ne po tregonim tregimin “Diversanti sykaltër”, që kemi mësuar në shkollë!”, – ua kthehu Lani. Misiri heshti për pak sekonda duke na hedhur edhe nga një vështrim të ftohtë: “Mirë, mirë ikni dhe mos e bëni prapë këtë që bëtë sot!”, – u shprehë Misiri me një ton të qetë, që më shumë të linte të kuptohej, se nuk ja hodhëm atij, por këtyre që e kishin detyruar të mundohej, që nga posta e policisë.

Ka patur raste që memaliotët kanë shkuar edhe në Tepelenë për të blerë, por jo në të gjitha rastet kanë mundur të blejnë. Një herë kam shkuar edhe unë me disa memaliotë, por nuk na la me duar boshë, pasi ishte edhe orar i vonë, dhe ndoshta e ka menduar se ato pak bukë që kishin ngelur në një raftë, do të prisnin të nesërmen. Morëm nga një bukë dhe u kthyem me një nga urbanët e orëve të vona. Unë u djeva i gëzuar për këtë, por të tjerët më shumë të habitur, pasi kishin ardhur edhe një herë tjetër, dhe buk kishin mundur t’i mbushnin mendjen shitëses.

Shumë memaliotë mundoheshin që të ndihmonin edhe memaliotët që banonin lart në kodër, për t’u blerë ndonjë bukë, pasi ata preferonin më shumë bukën e furrës tonë, edhe pse ata kishin furrën e tyre. Nuk ishte e lehtë që t’i ndihmoje, pasi shitëset na njihnin të gjithëve se nga cila familje vinim, sa pjesëtarë kishte dhe sa bukë duhej të blinim, pasi ishte e caktuar nga Këshilli i qytetit që ja kishte dhënë NFP-së, listën me të gjithë emrat e kryetarëve të familjeve. Më shumë nga këta banorë, çdo memaliotë i ka pasur edhe shokë klase dhe çdo ditë, kur mbaronte shkolla, i drejtoheshin dyqanit të bukës, për t’u blerë ndonjë bukë, që edhe ata kur të shkonin në shtëpitë e tyre, ta kishin nëpër tavolinat e familjeve të tyre. Në të shumtën e rasteve, na është dhënë mundësia për t’i ndihmuar, pasi edhe vetë shitëset e kuptonin pse i blinim, ngaqë edhe ato ishin nëna dhe i ndjenin më shumë përpjekjet, si të atyre që prisnin jashtë dhe të fshehur, por edhe ne që donim t’i ndihmonim.

Një nga rastet që më ka ngelur në mendje, por që edhe jam friksuar nga çfarë pashë, ka qenë një moment kur nënë Maga, ishte duke shitur bukë dhe shkon për të tërhequr një bukë nga rafti ku i mbanin dhe siç e mori bukën, e çoi mbi banak. Në momentin kur u bë gati për ta prerë, pasi dikush i kërkoi të blinte gjysëm buke, nga brendësia e bukës doli me shpejtësi një mi i madh dhe u trembë, jo vetëm nënë Maga, por edhe ne që u befasuam nga ajo skenë. Miu kishte ngrënë të gjithë tulen dhe për disa orë e kishte kthyer në folen e tij. Nënë Maga, u pre komplet, si në fytyrë por edhe nuk qëndronte dot në këmb, dhe u ulë për disa minuta tek parmaku i brendshëm i dritares së dyqanit dhe ndezi një cigare. Ne që prisnim, nuk e përjetuam mirë këtë skenë, pasi na kishte kapur paniku tjetër, duke kaluar ndërmend se edhe bukët që do të blinim, do të ishin të shkelura apo të cimitura nga miu që sapo pamë apo të tjerë.

Të tjera çaste kanë qenë ato, kur ne djemtë e lagjes, luanim me topë lastiku 45 lekësh duke e qëlluar me kokë, ku njëri e hidhte dhe mbronte nga goli portën, e cila ishte dritarja e drunjtë që furnizohej dyqani i bukës dhe tjetri përballë e qëllonte me kokë. Ka patur raste që kanatat e dritares janë hapur menjëherë nga shitëset dhe topi ka përfunduar brenda në dyqan, por ato, edhe pse të mërzitura nga zhurma e përditshme që u dhuronim me goditjet e topave, qëndronin për pak sekonda duke na parë në sy dhe na e hidhnin prapë topin, me kusht që të mos luanim prapë. Ato shumë mirë, mund edhe ta prisnin topin me thikën e bukëve, por mesa mbaj mend, nuk e bënë asnjëherë. Shpesh, karrocat dhe makinat që vinin për t’u shkarkuar me bukë, edhe i ndihmonim, pasi donim që të mbaronin sa më shpejt dhe ne të vazhdonim avazin e lojës. Transportuesit ishin shumë të kujdesshëm, pasi me vete mbanin ujë me shishet, që ishin ambalazh për qumështin dhe një sapun që ne sapunisnim duart, shpëlaheshin nga uji që ata mbanin dhe i fshinim me një peshqir të pastër që ata mbanin gjithmonë në makinë.

Nga një bisedë telefonik me nënën time, Zengjine Ismailati e pyeta se mbante mend ndonjë furrë buke përtej lumit në Karaule, në kohën që ajo ka punuar tek arganella dhe dy fjalë për furrat që kanë qenë në Memaliaj, para vitit 1990-të? Ajo filloi të më tregojë, për aq sa mbante mend: “Unë kam filluar punë tek arganella në vitin 1966-ë dhe nuk mbaj mend të ketë patur furrë buke në atë kohë, pasi nga shumë familje që banonin përtejë lumit, kishin ardhur me banim në Memaliaj dhe kishin ngelur vetëm ajo e familjes Minaj dhe një tjetër që nuk më kujtohet. Si e tillë, kjo do ketë sjellë edhe mbylljen e furrës së bukës, nëse ka patur. Ata që janë më të mëdhenj në moshë se unë, duhet ta dinë të saktë dhe merren për të besueshëm. Si furrë të parë, mbaj mend atë tek Gorica, pasi kam qenë e vogël, për të mbajtur mend ndonjë tjetër, nëse ka patur para kësaj furre. Tek kjo furrë, furrëxhi ka punuar Xhevdet Puto, një nga Gjirokastra dhe dhe përgjegjës ka qenë Sotir Koçi.

Kur punoja tek mensat e punëtorëve si banakiere, por pastroja edhe tavolinat dhe çoja kanat me ujë, pasi ishte detyra jonë shkoja tek furra e Gorricës dhe bëja furnizimin me bukë. Porosisja 30 bukë, sipas forcës së punëtorëve që vinin të hanin, pasi në atë kohë u shërbenim vetëm punëtorëve që kishin lata buke, që u thonim edhe tollona, por për ata që se kanë jetuar atë kohë, janë si bileta kinemaje apo stadiumi. Kjo ndodhte, pasi ishte e vetmja mensë punëtorësh deri në atë kohë, dhe sa ishte hapur. Ngaqë çmimet ishin më të lira se të restorantit, vinin edhe të tjerë, por pa latat, nuk u jepte kuzhinieri. Furnitorë ishte Sulo Meta, i cili na sillte bukët me një karrocë dore, por edhe furnizimet e tjera. Karoca të tilla, kanë shërbyer deri vonë për të furnizuar njësitë tregtare që ishin afër me NFP-në. Me hapjen e furrës së re, kjo furrë kaloi publike, pasi aty çonte gjithë qyteti, për të pjekur tavat, kundrejt çmimeve të caktuara nga shteti.

Tek furra e re, kanë punuar furrxhinjtë; Arif Hysi, Andon Kora, Qamil Llakaj, Mehmet Mehmeti, Sadik Ziraj, Vasil Gërxhi, …etj. Ndërsa ndihmës furrxhinj, kanë punuar Luftije Nela, Bedire Kanani, Bale Gucaj, Tefta Çili, Lumturi Muçi, Sose Ziraj, Mamude Gërxhi…etj. Përgjegjës, mbaj mend të kenë punuar, Sotir Koçi, Nako Xhori, Refit Çibuku, Adelina Mura, Luiza Xhaferi, Teuta Nurka Mamaj dhe Lushi Zaimi. Për trasnportin e bukëve e kanë bërë me karrocë Kano Laska, e cila e kryente me një karrocë dore të sajuar enkas për bukët. Më pas, transporti është bërë me një karrocë më të madhe, e cila kishte përmasat e një makine dhe tërhiqej me kalë, ku karrocier ka punuar Sadik Osmani. Tek godina e furrës së re, u bë një shtesë e vogël për të shitur bukën dhe shitës i parë ka qenë Liço Ruka, i cili punoi 2-vjet. Po tek kjo shtesë, punonin edhe përgjegjësit e furrës të cilët kishin tavolinën e tyre. Më pas, mbaroi ndërtesa në qendër dhe aty u caktua “Mapua Ushqimore”. Një nga tre dyqanet e kësaj mapoje, ishte edhe ajo e shitjes së bukës, ku si fillim ka punuar Margarita Jonuzi dhe Drita Qibini. Këto të dyja janë nga më të vjetërat që kanë punuar mbi 30 vjet. Më vonë, punuan edhe Suzana Qibini, Zonja Dosti, Mjaftoni Hoxha dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet për momentin. Me rritjen e popullsisë, po shtohej edhe kërkesa për rritjen e prodhimit të bukës. Buka jepej me triska se nuk dilte për të gjithë, prandaj jepej me grame për frymë, sipas pjesëtarëve të familjes, moshës, së tyre dhe puna që bënin. Një minatori i ishte caktuar 1200 gr, një puntori 600 gr dhe një fëmije 400 gr.

Shitja e bukës, nuk ishte e lirë që të blije sa të doje, prandaj jepej me triska pasi ishte e llogaritur. Çdo shitëse kishte listën me emrat për çdo familje dhe sa bukë u takonin. Kjo disiplinë e ndarjes së bukës vazhdoi derisa ndryshoi sistemi. Shitëset hapnin listën, shikonin peshën që na takonte dhe bënin prerjet e bukës. Nuk të jepnin dot më shumë edhe sikur të donin ato, pasi do ngelej familja tjetër pa bukë. Nëse ndodhte kjo e fundit, përgjegjësia u ngelej shitësëve nëse emri i familjes në listë do të tregonte se nuk ishte tërhequr racioni ditor. Të dyja shitëset, si Maga dhe Drita, jepnin bukë edhe pak më shumë se racionet e caktuara dhe kur ngeleshin, shkonin dhe tërhiqnin nga furra edhe 100 bukë të tjera. Shitëset e bukës, sidomos Maga me Dritën, nuk kishin më nevojë për t’i hapur listat, pasi i kishin mësuar përmendësh dhe i njihnin qytetarët më mirë se gjendja civile, pasi i shikonin çdo ditë dhe bisedonin në të shumtën e rasteve. Ajo që i vinte në siklet, ishte kur ato duhej t’u jepnin qytetarëve bukë misri me detyrim, 5 lekë, 10 lekë apo një rrotë të tërë, sipas sasisë së bukës që bleje. Ua kishin vënë si kusht.

Edhe tek kjo furrë piqeshin tavat me leke dhe jepej fatura, pasi ishte shtetërore. Kur ngeleshim, gjyshe Lulja nga ana e babait, na e bënte bukën me saç, pasi blenim miell tek fshatarët apo grurë dhe e bluanim tek mulliri që kemi patur si pronësi në fshatin Luftinjë. Më vonë u privatizua, siç ndodhi me të gjithë anembanë vendit. Më kujtohet kur shkoja për dru, përtej Vjosës, në Karaule, me Ruze Bejon dhe Rafete Bejon. Në Karaule ka qenë një parullë e bërë nga rinia e asaj kohe, ku shkruhej me gurë “YLLË”. I mblidhnim drutë dhe pasi i lidhnim mirë, i rrokullisnim derisa vinin poshtë në buzë të lumit dhe pastaj ruanim arganellen kur nuk kishte punëtorë dhe i sillnim përkëtej. Kishte raste që këto dru, i përdornim edhe për të bërë kulaç dhe petulla.”

Edhe pse nuk e mendoja se do dilte një shkrim kaq i gjatë, prapë më duket i shkurtër, pasi ka shumë për të shkruajtur. Shprehem kështu, pasi çdo memaliot që takon dhe e pyet, padyshim që do të rrëfej kujtimet e tij lidhur me furrën, ish punonjësit e saj dhe situatat e ndryshme, ku disa prej tyre u përshkruan edhe në këtë shkrim modest por me shumë vlera, që një ditë do të vlerësohet nga brezat që do e trashëgojnë qytetin tonë. Është shjeshtësia e këtyre njerëzve me ndërgjegje të lartë, të cilët kanë punuar me përkushtim në punën që u është besuar dhe ne sot, kemi rastin t’i respektojmë, t’i nderojmë dhe t’i përjetësojmë emrat dhe kontributin e tyre që kanë dhënë për qytetin tonë të përbashkët.

Për të realizuar këtë shkrim, gjejë rastin të shpreh mirënjohjen time edhe për bashkëqytetarët e mi si: “Vjollca Ajdini, Abas Hoxha, Fize Qendri, Spiro Hariza, Krisanthi Porodini Veshka, Laureta Tafili, Margarita Minaj, Gëzim Zaimi, Suzana Sala Laska, Arben Ndreu, Valbona Kristina Muçi, Asllan Deshiku, Arben Mullai, Hysnije Goxhaj Bano, Adriatik Hoxha, Artur Xhaferi, Besnik Kadena, Arsola Muzha, Edvael Hysi, Pëllumb Mamaj, Dorina Gjoni, Anjëza Sheta, Marsel Hysa, Maro Dine Zika. Kasjani Gërxhi, Edlira Nela.”, të cilët edhe këta kanë merita për ndihmën e tyre që kanë dhënë, me anë të postimeve të tyre plotësuese, për të bërë më të plotë listën me emrat e punonjësve dhe më të besueshëm këtë shkrim, duke shtuar, qartësuar dhe korrektuar njëri-tjetrin me anë të një komunikimi të lartë qytetar dhe të admirueshëm. Lutem dhe besoj se këtë bashkëpunim do ta kemi edhe për të realizuar shkrime të tjera, pasi ky nuk është vetëm qëllimi im, por edhe një detyrim i përbashkët.

Disa nga furrxhinjtë e ish kolektivit të furrës së Memaliajt. Lart nga majta; Andon Kora, Astrit Pazaj, Dashmir Sala dhe Thodhori Puto. Ulur majtas; Xhevdet Puto, Sotir Koçi, Refik Çibuku, Qamil Llaka and Stefan Tërbuqi. Memaliaj 1970.

Edmond Ismailati

Dhjetor 30, 2019 / New York City

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Dosja/ Musine Kokalari! Gruaja e 88 dosjeve, që i rezistoi 20 viteve burgim

Në arkivin e Shtetit ruhen 88 dosje për gruan e fortë që i rezistoi 20 viteve burgim dhe internimit të dhimbshëm në...

Gjëja më e keqe është të qëndrosh me persona që të bëjnë të ndihesh vetëm!

“Gjithmonë kam menduar se gjëja më e keqe në jetë është vetmia. Nuk është! Gjëja më e keqe është të qëndrosh me...

Sipas një studimi pushimet ndikojnë në mirëqenien tonë

Në fakt, studimet shkencore tregojnë se pushimi nga rutina e përditshme është thelbësor për një shëndet të mirë fizik dhe emocional.

Ja se çfarë përmban dokumenti i firmosur nga Ali Pashë Gucia dhe Hodo Bej Sokoli në Shkodër mbi Reformat e kërkuara nga shqiptarët te...

Nga Aurenc Bebja, Francë – 12 Maj 2020 “L’Univers” ka botuar, të dielën e 23 majit 1880, në faqen n°3, një...

Recent Comments