Nga Graham Allison/ Në verën e nxehtë të 1914-ës, Car Nikolla II i Rusisë dhe Kajzeri i Gjermanisë, Vilhelmi, shkëmbyen një seri telegramesh, për të ndalur hyrjen në një një luftë, që nuk e donte asnjeri prej tyre. Ata i nënshkruan letrat e tyre, me pseudonimet përkatëse “Nicky” dhe “Willy”.
Kushërinjtë, i kalonin pushimet bashkë, dilnin bashkë në gjueti dhe kënaqeshin duke veshur uniformat ushtarake të njëri-tjetrit kur lundronin me jahte. Dy stërnipërit e Pavlit I të Rusisë, i shkruan njëri-tjetrit në anglisht, duke konfirmuar interesat e tyre të përbashkëta, dhe përgatitur një marrëveshje, që do të zgjidhte krizën me terma të pranueshëm për të dy sundimtarët.
Megjithatë vetëm 3 ditë pas fillimit të asaj korrespodence mes të dyve, Gjermania i shpalli luftë Rusisë, dhe Lufta e Parë Botërore kishte nisur. Tragjikisht, këta liderë u mbërthyen në atë që Henri Kisinger e quajti “makthi i fundit të botës”:një rrjet aleancash të ndërlidhura, dhe afatet e përpiluara të mobilizimit ushtarak, që i lejuan ngjarjet në terren të kapërcenin përpjekjet e tyre më të mira.
Telegramet midis tyre, u zbuluan nga një gazetar amerikan në arkivat e qeverisë ruse në vitin 1919, dhe bënë bujë kur u botuan në vitin 1920. Një shekull pasi u shkruan, ato janë përkujtues të gjallë të rreziqeve që vijnë nga mënyra e menaxhimit të krizave – dhe mençuria e diplomacisë parandaluese për të zgjidhur sfidat si mosmarrëveshja territoriale e sotme në Ukrainën lindore, para se të shndërrohen në kriza që thithin edhe fuqitë e mëdha në luftime.
Shkëmbimi i telegrameve, nisi në orët e para të mëngjesit të 29 korrikut, vetëm pak orë pasi Austria-Hungaria (një aleate e Gjermanisë), i shpalli luftë Serbisë (një aleate e Rusisë), në shenjë hakmarrje për vrasjen e arkidukës austriak Franc Ferdinand në Sarajevë.
Nuk kishte shumë kohë, për të gjetur një zgjidhje diplomatike që do të parandalonte shndërrimin e një lufte rajonale, në një luftë botërore. Car Nikolla shkroi:”Në këtë situatë të rëndë, ju bëj thirrje që të më ndihmoni. Një luftë e pandershme, është shpallur ndaj një vendi të dobët. Zemërata në Rusi, që ndahet plotësisht nga unë, është e madhe. Unë parashikoj që së shpejti do të detyrohem të marr masa ekstreme, që do të çojnë në luftë. Për të provuar të shmang një fatkeqësi të tillë si një luftë evropiane, ju lutem në emrin e miqësisë sonë të vjetër, të bëni atë që mundeni, për t’i ndalur aleatët tuaj që të mos shkojnë shumë larg. Nicky”.
Edhe përpara se të mbërrinte ky telegram në Berlin, Kajzeri Vilhelm, i dërgoi mesazhin e tij Carit, duke thënë ndër te tjera:”Personat moralisht përgjegjës për aktin e poshtër të vrasjes, duhet të marrin dënimin e tyre të merituar. Në këtë rast, politika nuk ka asnjë rol. Nga ana tjetër, unë e kuptoj plotësisht se sa e vështirë është për ju dhe qeverinë tuaj, të përballeni me reagimin e opinionit tuaj publik.
Prandaj, për shkak të miqësisë së përzemërt dhe të ëmbël që na lidh të dyve prej kohësh, po ushtroj ndikimin tim maksimal, për të nxitur austriakët të merren vesh drejtpërsëdrejti me ju, për të arritur një mirëkuptim të kënaqshëm. Unë shpresoj me siguri, që ju do të më ndihmoni në përpjekjet e mia, për të zbutur vështirësitë që mund të më dalin përpara. Miku dhe kushëri juaj shumë i sinqertë dhe i përkushtuar. Willy”.
Që në fillim, të dy liderët patën shpresë tek një zgjidhje diplomatike. Dhe Vilhelmi, kishte një kompromis të veçantë në mendje:trupat austriake do të lejoheshin të përparonin deri në Beograd, dhe të qëndronin atje, derisa Serbia të shkatërronte grupin terrorist “Dora e Zezë”, përgjegjës për vrasjen e arkidukës.
Kajzeri i tha kancelarit gjerman, t’ja komunikojë Vjenës këtë propozim. Por kancelari, e kundërshtoi privatisht politikën e “ndalimit në Beograd”, dhe nuk e përcolli mesazhin në mënyrë të qartë. Përkundrazi, ai e udhëzoi ambasadorin e tij në Shën Petersburg, t’i thotë ministrit të Jashtëm rus, se nëse Rusia vazhdon të përgatisë trupat për të luftuar kundër Austrisë, Gjermania do të mobilizohet gjithashtu, dhe “një luftë evropiane, vështirë se mund të parandalohet”.
Në raundin e ardhshëm të telegrameve, të dërguara mbrëmjen e 29 korrikut 1914, Vilhelmi i shpjegoi kushëririt të tij, se përse Rusia duhet të qëndrojë në periferinë e një lufte të kufizuar austro-serbe.
Nikolla u përgjigj:”Faleminderit për telegramin tuaj pajtues dhe miqësor. Ndërsa mesazhi zyrtar i paraqitur sot nga ambasadori tek ministri tim, u përcoll me një ton shumë më të ndryshëm. Të lutem ta shpjegosh këtë divergjencë! Do të ishte e drejtë që qëndrimin mbi problemin austro-serb ta jepni në konferencën e Hagës. Besoj në urtësinë dhe miqësinë tuaj. Nicky tuaj i dashur”.
Në këtë telegram, cari e bëri të qartë se ai ende ishte i etur të gjente një zgjidhje diplomatike. Ai e miratoi propozimin e negociatorëve të Kajzerit në Hagë, ku Gjermania, Rusia, Franca dhe Anglia, do të ndërmjetësonin arritjen e një marrëveshje midis Austrisë dhe Serbisë.
Dhe më vonë gjatë asaj nate, për shkak të porosive që ai po merrte nga Kajzaeri, ai i rezistoi këshillës së ministrave të tij të luftës, se një mobilizim i menjëhershëm i të gjithë ushtrisë ruse, ishte i vetmi reagim i besueshëm ndaj shpalljes së luftës nga ana e Austrisë.
Në vend të kësaj, ai lëshoi një urdhër që lejonte një mobilizimin e pjesshëm, duke shpresuar se kjo do të shihej si një lëvizje më pak provokative në Berlin. Mjerisht, të nesërmen, si Nikolla ashtu edhe Vilhelmi ishin pushtuar nga pikëpamjet konkurruese, dhe luftënxitja e qeverive të tyre.
Cari e pranoi argumentin e gjeneralëve të tij, se ishte i nevojshëm mobilizimi i plotë, pasi çdo vonesë do t’i vendoste forcat e tij në një disavantazh, në rast se ata do të rreshtoheshin kundër Gjermanisë. Dhe Kajzeri i dërgoi kushëririt të tij një telegram, me një gjuhë të ashpër, të hartuar nga kancelari gjerman:”Nëse, siç është rasti, sipas komunikimit nga ju dhe qeveria juaj, Rusia mobilizohet kundër Austrisë, roli im si ndërmjetës. . . do të rrezikohet, në mos shkatërrohet. E gjithë barra e vendimit bie tani vetëm mbi ju, që duhet të mbani përgjegjësinë për paqen ose luftën. Willy”.
Në raundin e telegrameve të dërguara më 31 korrik, asnjëra palë nuk u tregua e gatshme të bëjë lëshime, apo për të ndërmarrë veprime që mund t’i kishin bërë vend një marrëveshje, për të parandaluar ose vonuar shpërthimin e luftës.
Kajzer Vilhelmi shkruante:”Tani unë marr lajme autentike për përgatitjet serioze për luftë në kufirin tim lindor. Përgjegjësia për sigurinë e perandorisë sime, më detyron të marr masa parandaluese mbrojtëse. Në përpjekjet e mia për të ruajtur paqen e botës, kam prekur kufirin e mundshëm maksimal . . . Miqësia ime ndaj jush dhe perandorisë suaj, që më ka transmetuar gjyshi im në shtratin e vdekjes, ka qenë gjithmonë e shenjtë për mua.
Dhe unë kam mbështetur sinqerisht Rusinë, kur ajo ishte në telashe serioze sidomos në luftën e saj të fundit. Paqja e Evropës, mund të mbahet ende nga ju, nëse Rusia do të bjerë dakord të ndalë përgatitjet ushtarake që kërcënojnë Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë. Willy”.
Car Nikolla:”Ne jemi larg dëshirës për luftë. Përderisa po zhvillohen negociata me Austrinë për llogari të Serbisë, trupat e mia nuk do të ndërmarrin asnjë veprim provokues. Unë ju jap për këtë fjalën time solemne. I kam besuar të gjithë mëshirës dhe shpresës së Zotit në ndërmjetësimin tuaj të suksesshëm në Vjenë, për mirëqenien e vendeve tona dhe për paqen e Evropës. Nicky juaj i dashur”.
Pak kohë pasi ky telegram mbërriti në Berlin, kancelari gjerman i dërgoi një ultimatum Shën Petersburgut, duke i dhënë Rusisë 12 orë për të “pezulluar çdo përgatitje për lufte kundër Austro-Hungarisë dhe vetes sonë”. Cari iu përgjigj Kajzerit:”E kuptoj se jeni të detyruar të mobilizoheni, por dëshiroj të kem nga ju të njëjtën garanci që ju dhashë edhe unë, se këto masa nuk nënkuptojnë një luftë, dhe se do të vazhdojmë negociatat për të mirën e vendeve tona dhe paqen universale, që është e dashur për të gjithë zemrat tona. Miqësia jonë e gjatë, duhet të ketë sukses, me ndihmën e Zotit, në shmangien e gjakderdhjes. Me ankth dhe plot besim, pres përgjigjen tuaj. Nicky”.
Rusia nuk e mori kurrë atë garanci. Gjermania pa t’i refuzohej ultimatumi. Korrespodenda midis Nicky dhe Ëilly, përfundoi më 1 gusht, me Kajzerin që shkruante:”Unë duhet t’iu kërkoj të udhëroni menjëherë trupat tuaj, të mos ndërmarrin as aktin më të vogël të kalimit brenda kufijve tanë”.
Atë mbrëmje, ambasadori i Gjermanisë në Shën Petersburg, i dorëzoi ministrin e Jashtëm rus një deklaratë lufte, dhe më pas shpërtheu në lot. Përpjekjet e fundit të dy kushërinjve dështuan, dhe sot trashëgimia e korrespondencës së tyre, është një nga mundësitë e humbura. Sikur Kajzeri dhe Cari ta kishin filluar më shpejt atë korrespodencë, dhe të ishin burra shteti më të mirë, ata mund të kishin parandaluar një luftë botërore, që në fund do ta humbisnin që të dyja.
Shënim: Graham Allison, është drejtor i Qendrës Belfer për Shkencën dhe Çështjet Ndërkombëtare në Shkollën Kenedi në Harvard.
Uashington Post – Bota.al