Fundi tragjik i Ajdin Kullës, nacionalisti dhe intelektuali që u çua në pushkatim nga shoku i klasës në Normalen e Elbasanit, Nevzat Haznedari. Ndërsa Ajdin Kulla doli të luftonte kundër fashistëve që në ditët e para të pushtimit, Haznedari veshi këmishën e zezë dhe u bë pjesë e rinisë fashiste…

Me 29 qershor 1945, në mbrëmjë, kur ora shënonte 21:00, në dy vende ekzekutimi, pranë korçës dhe në Bilisht, ishin vënë para togave dhe ishin pushkatuar 8 nacionalistë: Maliq DushariCane DushariNiko Çeno,  Sheh Qerim BilishtiSalih ShehuGani ZemblakuZydi TapijaAjdin Zemblaku.  Lajmin e këtij ekzekutimi e jep një ditë më vonë me 30 qershor 1945 prokurori  Nevzat Haznedari, i cili duke dhënë edhe detaje mbi vendin ku i kanë ekzekutuar, shënon emrat në rradhë, duke lënë në fund Ajdin Zemblakun, që dikur, para Luftës, e kishte pasur shok klase.

Atë natë në Bilisht, para një grope të hapur paraprakisht do të pushkatonin Ajdinin, xhaxhanë e tij Gani Zemblakun, bashkë me Sheh Qerimin e ai bashkë me djalin e tij Salihun dhe Zydi Tapinë.

Ndërsa tre të tjerët i kishin pushkatuar në dalje të Korçës rrugës për në Bilisht.

Në foto:Nevzat Haznedari

Ajo që bën përshtypje në këtë ngjarje makabre, e që duhet ndarë me lexuesit,  është fataliteti që i ka bashkuar dikur në bankat e shkollës Ajdinin dhe Nevzat Haznedarin. Ajdini vinte nga familja Kulla, e shquar për bindjet e saj nacionaliste dhe si mbështetëse e  mbretit Zog. Gjatë rrugës për në ekzil mbreti Zog ka pushuar pikërisht në shtëpinë e Gani Zemblakut (Kulla), para se të kalonte përmes Kapshticës në Greqi.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, Gani Zemblaku (Kulla) dhe nipi i tij Ajdin Zemblaku, rrëmbyen armët dhe krijuan çetat e para kundër poushtuesve fashistë.

Por prishja e marrëveshjes së Mukjes, pas së cilës komunistët i shpallën kundërshtarë dhe armiq nacionalistët ishte bërë shkak i nisjes së vëllavrasjes.

Por në zonën e tyre, zemërgjërsia e Gani Kullës dhe zgjuarsia e të nipit, Ajdinit, i cili ishte djalë me kulturë dhe tepër inteligjent (zotërues i tri gjuhë të huaja; anglisht, frëngjisht dhe italisht) bëri që të shmangej vëllavrasja në atë zonë deri në vitin 1944. Madje ata arritën që të lironin edhe nga duart e gjermanëve partizanë të arrestuar, siç ishte rasti i  Hysen Treni-t, të cilin pasi e liruan, e përcollën jashtë zonës së rrezikshme. Ka shume raste të dokumentuara, ku falë ndërhyrjes së Ganiut dhe Ajdinit ishin shpëtuar nga reprezaljet e ushtrisë gjermane dhe djegja, dy fshatra të zonës,  Menkulasi dhe fshati Poncarë. Po me ndërhyrjen e tyre ishin shpëtuar, duke u liruar nga burgu edhe rreth 60 partizanë, shumica nga Bozhigradi.Por këta akte atdhetarie, nuk do tu shërbenin aspak Ajdinit dhe xhaxhait të tij pas Luftës, kur në pushtet do të vinin komunistët, sepse shumë shpejt ata do të arrestoheshin si kundërshtarë të regjimit, do të dënoheshin me vdekje e do të pushkatoheshin.

Pushkatimi i Gani dhe Ajdin Kullës

Siç e rrëfen edhe veprimtaria e tyre përgjatë luftës, Gani dhe Ajdin Zemblaku, ishin nacionalistë idealistë. Ajdini qe i shkolluar në shkollën amerikane “Harry Fultz”. Xhaxha e nip  luftonin për Shqipërinë dhe nuk e çonin kurrë ndërmend se një ditë bamirësitë e tyre në shpëtimin e jetës së partizanvë do të shpërbleheshin në mënyrë cinike duke u marrë jetën.

Duke qenë se Ganiu dhe Ajdini nuk patën bërë krime ndaj popullit të tyre, duke qenë se dhe në çastet e fundit lista e “bamirësive” të tyre në drejtim të partizanëve ishte shtuar,  ata nuk u arratisën nga Shqipëria, por i besuan thirrjes mashtruese të komunistëve.

Nëntori i vitit 1944 xhaxha e nip i gjenë në Shkodër, qëndresa e fundit antikomuniste.Pjesa më e madhe e nacionalistëve morën rrugën e ikjes, ndërsa ata vendosin të qëndrojnë. Në atëq kohë u bë edhe thirrja që në të vërtetë ksihte qenë kurth për shumë nacionalistë:”Kush nuk ka lyer duart me gjak të mos ikë por të kthehet për të punuar së bashku për të rimëkëmbur Atdheun.”Kjo ishte thirrja e Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar.

Ata u arrestuan, duke u kthyer në Korçë, kur sapo kishin mbërritur në Elbasan. Ishin  torturuar për javë të tëra. Akuzoheshin si tradhëtarë të Atdheut dhe se ishin kundër “vëllezërve” jugosllavë. Madje në aktakuzën e Ajdin Kullës shkruhej se “qenkish koshient për Shqipërinë Etnike”! Edhe pse e pat të paralajmëruar vdekjen, Ajdin Kulla, nuk u ligështua. Ditët e burgut për të kaluan aktivisht, u mësonte të burgosurve anglishten. Qëndresa e tij do të shfaqej edhe në ditën e ekzekutimit përpara skuadrës së pushkatimit.

Ja si e ka përcjellë Mërgim Korça në shkrimin e tij ”Shqiptarët pushkatojnë shqiptarët që shumë e deshën Shqipërinë”, çastin e mbramë të atyre që pafajsisht u vendosën përballë skuadrës së pushkatimit:

“Të vënë në radhë, në vijë të zhdërvjellët për një dhe të lidhur me litarë, ndodhen para gropës së çelur enkas për t’i gëlltitur patriotët që do të pushkatoheshin, Gani Zemblaku sypatrembur së bashku me të nipin, Ajdin Kullën. Sheh Qerimi, patriot i shquar dhe gojëëmbli i përkryer, i lidhur tok me të birin, Saliun, të riun ballist të vendosur dhe e mbyll vargun Zyhdi Tapia, elegant si gjithëmonë (i veshur enkas sikur shkonte në dasëm), që mëkat kishte vetëm se e donte shumë Shqipërinë…Xha Ganiu, i rrahur me jetën si dhe më i moshuar, duke pasur frikë se mos në çastin e fundit para vdekjes të nipin do ta lëshonin nervat e tendosura, ngre krahun e lidhur, e pushton të nipin dhe e shtërngon në krahëror për t’i dhënë zemër të qëndrojë si burrat dhe për disa çaste.Por Ajdini trim, jo që s’kish nevojë t’i jepnin zemër por u dha zemër të tjerëve me fjalët që ish partizani kalivaças (ai që e pushkatoi), dëshmitarë i gjallë i çasteve të fundit para vdekjes të Ajdinit, akoma sot,  i kumbojnë në veshë fjalët :”…. amanet Shqipërinëëëë!”

Testamenti i Ajdin Kullës

“Po vritem si shqiptar dhe jo si tradhëtar….të rrojë Shqipëria, të rrojë Flamuri Kombëtar!Amanet Shqipërinëëë!…”. Ky qe thelbi i Testamentit që shkroi më 18 qershor 1945 dëshmori i Nacionalizmës Shqiptare, Ajdin Kulla. Pas dy ditësh, pikërisht me 20 qershor 1945 ai do të ishte përballë atij, partizanit nga Kalivaci, i cili në emër të dashurisë për Atdheun dhe Partinë Komuniste, do t’i zbrazte plumba në krahëror djaloshit 32 vjeçar, Ajdin Kulla, me besimin se ky na paskish tradhëtuar partinë e partizanit nga Kalivaçi, Atdheun dhe “vëllezërit” Jugosllavë! Po pse thërriste:” amanet Shqipërinë” djaloshi nga Zemblaku, po të kish qenë tradhëtar?!Testamenti i Ajdin Kullës mbetet një akt-akuzë e rëndë për sistemin komunist. Ia morën jetën në mënyrën më të pabesë.

Roli i shokut të klasës

Në fund të dokumentit mandatë, sië e thamë edhe më lart,  është firma e Nevzat Haznedarit, që jo rastësisht  shkruante plot pasion këtë lajm, që kërkonte të publikohej në shtyp e radio.  Haznedari kishte qenë në të njëjtën shkollë me Ajdin Kullën, në Normalen e Elbasanit, e madje në të njëjtën klasë. Por ndërsa Ajdini ishte studenti më i mirë i Normales dhe në fundin e shkollës e kishin nxjerrë më të dalluarin; e kishin privilegjuar duke e ulur me trupën mësimore, për ta veçuar si më i miri i shkollës, Nevzat Haznedari, përkundrazi, qe nga ata që mezi shtyhej për ta kaluar klasën. Kishte gjithashtu edhe një ndryshim tjetër mes të dyve; ndërsa Ajdini kishte dalë në shesh për ta pritur me protestë pushtimin fashist të Shqipërisë, Nevzat Haznedari do të vishte këmishën e zezë të fashistëve pushtues dhe qe regjistruar në radhët e rinisë fashiste!

Vite më vonë pasi pushtetin e morën komunistët, Hajdin Kulla do të çohej në ekzekutim pikërisht prej shokut të tij të klasës./kujto.al

Ja dokumenti i plotë i ekzekutimit firmosur në fund nga Nevzat Haznedari.

Për hartimin e këtij shkrimi janë përdorur të dhëna nga artikulli i Dalip Grecës botuar në “Dielli” me titull: “KULLAJT E ZEMBLAKUT, NJE HISTORI PER T’MOS U HARRUAR”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here