Dora prej bronzi, e shtatores gjigante, që portretizon perandorin romak, Konstandinin e Madh, është sërish e plotë rreth 500 vjet pasi një prej gishtërinjve të statujës figuronte i humburp

Pjesë të shtatoresh 11 metra të lartë ruheshin në “Musei Capotolini” në Romë. Edhe pjesë të tjera të saj janë dëmtuar përgjatë viteve, ndërsa gishti u rikthye pasi u gjet në muzeun e “Luvrit” në Paris. Ai ndodhej atje që prej vitit 1913, por studiuesit e kishin etiketuar si “gishtin e këmbës” dhe jo “gisht i dorës”.

Pas një sërë testimesh, në vitin 2018 u konfirmua se ishte gishti i shtatores së perandorit me origjinë ilire dhe të mërkurën, pjesa iu bashkua trupit të shtatores.

Shtatorja mendohet se është ndërtuar rreth vitit 330 pas erës sonë, por data e saktë nuk është përcaktuar, ndërsa pjesë të ndryshme të veprës, ishin të shpërndara në disa vende të Europës, gjatë mesjetës.

Kush ishte Konstandini i Madh

Lindi më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike ilire në Naissus- Nish të Dardanisë. I ati Kostanti, ishte në kohën e Dioklecianit njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte në Galinë, Britaninë e madhe dhe Spanjën.

Më 25 korrik të vitit 306 i vdes babai, Konstanti, në Jork dhe Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e përbërë kjo kryesisht nga ilirë. Konstandini i Madh ishte perandori i parë i krishterë dhe themeluesi i Kostandinopojës. Vizioni i tij për Romën qytet të përjetshëm, që mishërohej në Kostandinopojën, vazhdoi për 1129 vjet. Është shpallur shenjt nga Kisha Katolike. Kisha e Lindjes e konsideron si shenjtorin më të madh. Flav Valer Kostandini, mbiquajtur “i Madhi”, ishte një nga perandorët e famshëm të Romës, me origjinë ilire.

Përveçse si një perandor i madh, ai njihet si themelues i Kostandinopojës, kryeqendrës së perandorisë së mëvonshme të Bizantit, por mbi të gjitha ai njihet si perandori i parë i krishterë. Akti i konvertimit të Kostandinit nga pagan në të krishterë, përbën një akt historik jo vetëm pse shembulli i tij u ndoq nga një numër i madh nënshtetasish të perandorisë, por dhe sepse me këtë rast, mbas tre shekujsh përndjekjeje në perandorinë romake, krishtërimi nis të marrë frymë lirisht.

Në epokën e sundimit të tij mori fund një herë e mirë, persekutimi i të krishterëve. Ky perandor i madh, ishte i biri i Kostant Klorit, që në kohën kur lindet Kostandini ishte një komandant i thjeshtë dhe i Elenës (e cila, më vonë u konsiderua shenjtore dhe përmendet si pelegrinia e parë në tokën e shenjtë të Jeruzalemit, prej ku dhe pati sjellë në Kostandinopoli, Kryqin e Vërtetë).

Konstandini e kaloi rininë në oborrin e perandorit Dioklecian, edhe ai ilir. Në vitin 305, falë sistemit të ri politik, tetrarkisë, vendosur nga Diokleciani, që pak vite më vonë do të abdikojë, babai i tij bëhet një nga perandorët, ndërsa Kostandini, i cili kishte treguar talent të veçantë ushtarak në Lindje, shkon mbas të atit në Britani.

Në vitin 306, i ati, Kostant Klori, vdes dhe Konstandini proklamohet perandor falë mbështetjes së legjionarëve të Eburakumit, në Britani – pjesa më e madhe e të cilëve, ishin gjermanë dhe keltë. Në njëzet vitet e ardhshme, ai është i detyruar të luftojë kundër mëtuesve të tjerë për fron, që ishin Maksimiani, Masenci, Liçini, Galeri e Maksimilian Daia. Arrin të shpallet perandor, vetëm në vitin 324.

Reformat e Kostandinit të Madh

Me politikën e tij energjike, ai arriti ta bashkonte një perandori të tronditur, paçka se në të vërtetë hendeku i thellë kulturor mes Lindjes dhe Perëndimit, mbeti diçka e pashërueshme. Përveç absolutizmit të padiskutueshëm shtetëror, Konstandini ua bën të qartë të gjithëve se personi i tij përfaqëson një gjykatës suprem pa kurrfarë mundësie apelimi në të gjitha çështjet: juridike, ushtarake, politike dhe ekonomike. Ai bëhet perandor edhe për çështjet religjioze, është zot dhe kryeprift, e në të njëjtën kohë perandor dhe papë. Konstandini i Madh bëri reforma shumë të rëndësishme administrative: riorganizoi ushtrinë dhe e shpalli veten komandant suprem, plotësoi edhe më ndarjen mes autoriteteve civile dhe atyre ushtarake, ide kjo e filluar nga paraardhësi i tij Diokleciani. Urdhëroi prerjen e monedhave të reja të arit, që mbetën baza e këmbimit deri në rënien e perandorisë bizantine më 1453.

Vdekja

Para se të jepte frymën e fundit, ai pranoi të pagëzohej nga peshkopi Euzebio i Nikomedisë. Vdiq në mesditën e 22 majit të vitit 337. Sipas porosisë së tij, funerali ishte madhështor. Sot janë tri kisha që e quajnë Konstandinin të shenjtë: Kisha greke, Kisha ruse dhe Kisha armene.

Mendime mbi Kostandinin

Ka mendime se Flav Valer Kostandini ka qenë perandori më largpamës i tërë historisë romake, përfshirë edhe atë të Lindjes. Qe një gjeneral i madh, një ushtar i madh. Ai e kuptoi se Krishtërimi ishte tashmë një fe që mund të përdorej për qëllimet e veta; duke qeverisur mendjet e njerëzve, ai mund të arrinte të kontrollonte drejtpërdrejt popullsinë e vet. Nuk ishte rastësi që ai i mbajti funksionet fetare në grushtin e vet. Ishte i pari perandor i krishterë dhe i pari që ndërfuti doktrinën e re, të quajtur Cezaropapizëm; e në të vërtetë, ai e mbajti për sa ishte gjallë postin e kryepriftit-papës. Ka qenë i pari perandor i Perandorisë Romake të Lindjes, që, duke ndërtuar një kryeqytet të ri në Bosfor, kryeqytet që mori emrin e tij, i dha rrugë krijimit të një perandorie të re që do jetonte shekuj të tërë, deri më 1453.

John Julius Norwich, thotë: “Kostandini I, perandori i Romës. Askush nuk e ka merituar titullin “i Madh”, sa ky sovran që brenda pesëmbëdhjetë vitesh mori dy vendime epokale, secila e aftë për të ndryshuar historinë: përshtatja e kristianizmit si fe zyrtare e Perandorisë dhe transferimi i kryeqytetit të Perandorisë nga Roma në një qytet të ri, ndërtuar mbi themelet e qytetit antik të Bizantit. Aq të rëndësishme qenë rrjedhojat e këtyre dy vendimeve, sa Kostandini, – me përjashtim të Krishtit, Budës dhe profetit Muhamed, – mund të pretendojë në mënyrë të ligjshme, që të konsiderohet njeriu më me ndikim në histori”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here