Është e dëshmuar se shqiptarët qenë për 500 vite pjesë integrale dhe e pandarë e Perandorisë Osmane. Përgjatë këtyre viteve shqiptarët kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm e po thuaj të pazëvendësueshëm në shumë aspekte të kësaj perandorie kolosale. Roli i shqiptarëve ishte i rëndësishëm jo vetëm në politikë, ekonomi, ushtri, administratë a gjyqësor, por edhe në art, shkencë e kulturë. Pikërisht për këtë të fundit, po fillojmë një seri shkrimesh mbi personalitetet kulmore me origjinë shqiptare që kanë dhënë kontribut të shquar në kuadër të qytetërimit osman që kulmin e tij e arriti në shekujt XVI-XVII.

  Jahja bej Dukagjini  (1498-1582)

Jahja bej Dukagjini  i njohur edhe si Dukaginzâde Yahyâ bey apo Taşlicali Yahyâ bey me origjinë nga veriu i Shqipërisë, konkretisht sipas Robert Elsie-t,  pasaardhës i familjes së madhe Dukagjini, territoret e së cilës familje përfshinin territore malore pranë Bjeshkëve të Nemuna. Qysh herët u rekrutua nga sistemi i devshirmesë, sistem ky që e dërgoi në Stamboll. Përgjatë gjithë shkollimit në rrugën për t’u bërë jeniçer, ai u dallua me trimëri, aftësi e mençuri. Këto tipare i mundësuan atij që të ketë më shumë liri, të cilën ai e përdori për t’u njohur  me veprat e Kadri Efendiut, Ibn Kemalit, Nishandji Tadji-zade Dja’fer Çelebiut, Pargalı Ibrahim Pashës, dhe İskender Çelebiut.

Përveç se poet i shquar, Jahja bej Dukagjini u dallua për aftësitë e tij ushtarake. Si për të na e kujtuar këtë, Sami Frashëri shumë vite pas, shkruan : “ishte i shpatës (luftëtar) dhe i penës (shkrimtar).” Jahja bej Dukagjini njihet se ka marrë pjesë gjatë rinisë së tij në Betejën e Çaldiranit të 23 gushtit 1514  të udhëhequr nga Sulltan Selimi I (1512-1520) , gjithashtu në Luftën Otomane-Mamluke të 1516-17, dhe në ekspeditën e Bagdadit të vitit 1535 nën  Sulejmanin I Ligjvënësin (1520-1566). Pikërisht këto vite ishin  vitet më të ndritshme të kësaj perandorie.

Megjithë trimërinë që e karakterizonte, ai u bë  më tepër i njohur në mesin e shtetasve të Perandorisë, pikërisht për shkak të poezive të tij madhështore. Madje  në këto poezi ai ishte i vetëdijshëm për origjinën e tij shqiptare dhe e pohonte vazhdimisht në vargjet e tij, gjë që nuk kishte ndodhur me shumicën e të rekrutuarve të sistemit të Devshirmesë që zakonisht zveniteshin nga ndjenjat kombëtare.

Në poezinë e tij “Trëndafili i ndritur” dëshmonte para botës se ishte me origjinë shqiptare:

 “Farefisi im rrjedh nga paria shqiptare,

       Sojin e kam prej princërve të Dukagjinit

       Sado që u bëra rob i osmanëve

       Nuk e fsheh dot

       Lumturine time që gëzoj,

        Krenohem duke luftuar në fushëbeteja

        Me flamur të kuq në dorë…”

Edhe në një rast tjetër në përmbledhjen “Thesare të fshehura”, si rrallë kush në Perandorinë Osmane, madje me krenari, ai shkruante mbi prejardhjen e tij, mbi shqiptarët, e mbi vendin që tashmë e kishte lënë e kishte shumë mall:

                                        “Raca shqiptare është raca ime,

                                        Mbarë populli mban shpatën pranë,

                                        Ata trima si petrita nuk e kanë për gjë,

                                       Të ngrënë shtëpitë mes shkëmbinjve,

                                       Kjo është dhunti e racës shqiptare,

                                           Ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh. “

Sipas studiuesve turq, aspekti më i rëndësishëm i Taşlicali Yahyâ bey është se ai ishte njëri nga pionerët e poetëve që shkroi poezi në letërsinë turke me stil të tij, stil ky i kuptuar nga populli si dhe i shkruar në gjuhë amtare larg nga ndikimi i shembujve të të shkruarit në gjuhën perse që në atë kohë  ishte shumë e përhapur në Stamboll. Shumë osmanlinj madje i kishin zili duke u shprehur se poeti i cili sipas tyre erdhi nga një vend i varfër e i shkretë si Shqipëria, kishte poezi  e libra të pakrahasueshem me të tjerët.

Sipas E.J.W. Gibb, poezia e këtij autori ka qenë aq interesante sa ishte jeta e tij poashtu. Madje Gibbi, orientalist skocez, Dukagjinin e fut në mesin e poetëve  më eminentë të shekullit XVI.

Pa e zgjatur shumë, do përmendim edhe disa nga veprat e tij më të mëdha për të cilat vlerësohen edhe sot e kësaj dite.

Şah ü Geda – Mbreti dhe lypësi

Yusuf ve Züleyha – Jusufi dhe Zylejhaja

Gencine-i Raz – Thesari i fshehtë

Gülşen-i Envar – Kopshti i trëndafilave

Kitab-ı Usul – Libri i procedurave

E veçantë mbetet edhe një vepër me 2000 vargje e quajtur “Suleymanname” që i kushtohet udhëheqësit të asaj kohe, Sulltan Sulejmanit (1520-1566). Kjo vepër si duket mbeti e papërfunduar.

Madje është shumë e famshme elegjia që Jahja Bej Dukagjini i ka kushtuar Shehzade Mustafasë, djalit të ekzekutuar  të Sulltan Sulejmanit. Fill pas  kësaj dhe akuzave të rënda që mori nga oborri perandorak, ai si për t’u shfajësuar u përgjgj : “ Ne e dënojmë atë me padishahun, por e vajtojmë me popullin”.            Kjo përgjigjje dëshmonte se kemi të bëjmë me një mendje gjeniale që edhe në situata shumë të ndërlikuara gjente zgjidhje.

Për fund iu mbetet studiuesve shqiptarë të fillojnë të hulumtojnë për këtë personalitet të madh për të cilin pak është shtruar e ka shumë nevojë të shkruhet në gjuhën shqipe. Ky shkrim më shumë ka për qëllim nxitjen e studimeve më të thelluara për këtë personalitet shumë të rrallë me përmasa botërore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here