-Shqiptarët e kanë deklaruar identitetin e tyre në çdo rast, por akademikët shqiptarë nuk kanë qenë të aftë ta bëjnë të njohur botërisht këtë identitet, duke i bërë të pakënduara, së paku prej 100 vjetësh, këngët shqiptare për shqipen/shqypen e tyre

A e dinë shqiptarët përse quhen shqiptarë? Ka dy qëndrime për lidhjet e simbolit të shqiponjës me shqiptarët. Një palë, kryesisht gjuhëtarë, nuk gjejnë asnjë lidhje të shqiptarëve me shqiponjën e tyre të flamurit. Sipas kësaj pale, fjalët shqiptar dhe Shqipëri vijnë nga ndajfolja shqip (kuptimisht) dhe kjo prej latinishtes excipit-excipere, që do të thotë me folë kuptueshëm, qartë. Një palë tjetër, kryesisht historianë (ose individë që u referohen më tepër argumenteve historike) qysh nga periudha e Rilindjes e, ndoshta, më herët, argumentojnë se shqiptarët e marrin emrin e tyre nga shqypja/shqipja, shpend i shënuar i faunës së trojeve shqiptare dhe simbol i traditave iliro-arbërore.

Ndërsa akademikët e sotëm, që nuk janë një, por shumë palë, heshtin për shpjegimin e parë, duke e pranuar kështu se Shqipëria dhe shqiptarët kanë mbirë nga ndajfolja shqip.  Dhe, kur këta akademikë e hapin gojën, gjë që e bëjnë vetëm për argumentin e dytë, shqiptojnë togfjalëshin argumentim folklorik, duke këmbëngulur se shqipja (shqiponja) s’ka fare lidhje me Shqipërinë e shqiptarët. Lidhja me shqiponjën/shkabën e grupit të fjalëve Shqipëri, shqiptar dhe shqipe (gjuhë shqipe) është veçse produkt i ndjenjave patriotike atdhetare të shqiptarëve të sotëm. U thotë mendja atyre se patriotizmi dhe atdhedashuria nuk qenkan ndjeshmëri, por formulim akademik.

2. “Kënga e Shqipes”, e pakënduar që 100 vjet

Deri një shekull më parë, kur nuk kishte institucione akademike, shqiptarët këndonin një këngë për Shqipen (shqiponjën), shpendin që simbolizon Shqipërinë, shqiptarët, dhe gjuhën e tyre shqipe. Por ajo këngë, si duket, nuk u këndua më dhe nuk u mblodh prej akademikëve të munguar dhe humbi. Humbi apo na e bënë të humbur, nuk mund të themi gjë të sigurt. E sigurt është se “Kënga e Shqipes” është kënduar deri në vitin 1914 kur e gjejmë të botuar në një antologji për Shqipërinë në gjuhën frënge, si një këngë popullore të mbledhur në  Shqipërinë e Veriut. “Kënga e Shqipes”, mjerisht, na vjen në prozë për shkak se francezët në prozë i përkthejnë poezitë përgjithësisht, prandaj mund të përmbledhim vetëm përmbajtjen e saj të rikthyer në shqip prej studiuesit Fotaq Andrea:

Shqipja e fortë, mbret i zogjve të qiellit si luani ndër kafshët e tokës, lëshohet shigjetë mbi prenë e vet.

Shqipet e ngrenë folenë majave të larta, përmbi shkëmbinj dhe hone: quhen edhe petrita e gjeraqina. Sepse janë trima si shqipet, edhe shqiptarët kanë marrë emrin prej shqipes dhe flasin gjuhën e atij zogu.

Ndoshta, edhe për këto vargje të munguara në origjinal, shpjegimi i natyrshëm, që e justifikon të vetëquajturit shqiptar me simbolin e shqypes/shqipes (shqiponjës-shkabës), është konsideruar prej disa gjuhëtarëve shpjegim jo shkencor, por folklorik. Por edhe shpjegimi “shkencor” i atyre albanologëve, shqiptarë e të huaj, që e arsyetojnë vargun e fjalëve shqiptar, gjuhë shqipe dhe Shqipëri me prejardhje prej ndajfoljes shqip (kuptimisht), është ironizuar me të drejtë qysh herët prej Faik Konicës, i cili ka shtuar se Shqipëria barazohet me Kuptonjëria.

Është vendi të theksojmë se i pari, që vërtetoi se shqiptarët duhet të kenë si simbol të flamurit të tyre shqiponjën e zezë dykrenore në një fushë të kuqe, është Faik Konica, i cili u mbështet kryesisht në dokumente historike dhe zbuloi se stema e Skënderbeut ka qenë shqiponja dykrenore. Por fakti se shqiponjën një-dykrenore e kanë edhe popuj të tjerë si simbol të flamujve të tyre kombëtarë apo të emblemave zyrtare, shpesh herë ka ngjallur dyshime: mos vallë shqiptarët e kanë huazuar këtë simbol prej të tjerëve me ose pa vetëdije, prandaj mund edhe të mos ishte shqiponja si simbol në flamurin e tyre?!

3. “Shqypnia dhe shqyptarët”, sipas Plutarkut

Deri vonë, lidhja e vetme në mes të shqiptarëve dhe të shqiponjës së flamurit të tyre ka qenë epoka e Skënderbeut. Me pas u zbulua se ajo shqiponjë e Skënderbeut trashëgohej nga stema e shtetit të Arbërit, por, edhe me herët, nga Pirrua i Epirit. Pashko Vasa tek eseja e tij “E vërteta mbi Shqypninë dhe shqyptarët”(1879) pohon se populli shqiptar e njeh vetën me emrin shqyptar qysh kur Pirua i Epirit, sipas Plutarkut ( 46-120 e.r), u quajt shqiponjë dhe luftëtarët e tij iliro-epirotas, krahët e shqipes. Plutarku të “Jetë paralele” shkruan:

“Pas betejës që bëri me maqedonasit Pirroja u kthye në Epir krenar e plot famë. Epirotët e pritën duke e përshëndetur me emrin “Shqiponjë”. “Jam shqiponjë, me ndihmën tuaj; si të mos jem shqiponjë, unë që ngrihem lart me armët tuaja që janë porsi pendë të shpejta”

Të gjithë studiuesit e institucioneve shkencore shqiptare kanë parapëlqyer ta paraqesin atë dëshmi të Plutarkut si jo shkencore. Sipas tyre, shkencat historike kanë bërë përpara me fakte e teza, që argumentuakan edhe sot e kësaj dite se Epiri nuk mund të jetë shqiptar (iliro-shqiptar), sepse, sipas tyre, është “djepi i helenizmit”, madje, jo vetëm Epiri i Vjetër, por edhe Epiri i Ri, që vinte deri mbi Shkumbin, duke i lënë shqiptarët, kështu, pa truall, si shkruante Jani Vretua: “pa histori, pa letërsi, pa asnjë përparim dhe pa vetëqenie kombëtare”.

4. Shqiponja e Dodonës

Siç është bërë e ditur shkencërisht, ndër pellazgë shqiponja është simbol i Zeusit të Dodonës dhe i heronjve pellazgo-ilirë; është homonim i Pirros së Epirit, emblemë e Shtetit të Arbërit dhe, si vazhdimësi e tyre, në formën dykrenore del te flamuri i Skënderbeut. Rilindësit, shpjegojnë historianët, e zgjodhën shqiponjën dykrenore simbol të flamurit kombëtar, pikërisht për këto vlera historike, si “flamur shkabë… për Vegjëlinë” (Noli).

Asnjë gjuhëtar a historian, akademik qoftë apo amator, nuk mund të shkruajë një histori tjetër nga ajo që njohin shqiptarët për veten e tyre. Dhe, në qoftë se nuk mund të bëjë ndryshe, si ka bërë deri tani, ai duhet ta respektojë (duke e deklaruar) atë që populli mendon për veten e vet, atë që ai popull ka përcjellë brez pas brezi, rapsod pas rapsodi deri në ditët e sotme.

5. Shqiponja, mëkati dhe virtyti

Do të doja të shtoja se simboli i shqypes/shqipes është universal, sado që ndër popuj dhe kultura të ndryshme atij simboli i janë veshur edhe petka të ideologjizuara. Në thelb simboli i shqypes përftohet me flatra të hapura (dielli) lartësive të pafund (qielli) prej nga lëshohet si shigjetë mbi prenë e vet (vetëtima e bubullima): shqiponja, zog i lartësive të mëdha simbolizon që prej së pari dritën”.

“Në mes të 7 mëkateve kapitale, shqiponja simbolizon kryelartësinë; në mes të katër virtyteve kryesore, drejtësinë. C.G.Jung sheh te shqiponja një simbol atëror.”

Shqiptarët, me sa duket, edhe për këtë simbolikë universale identifikohen me shpendin e lartësive. Por ky realitet, që identifikon shqiptarët me shqypen, nuk përmendet në asnjë fjalor universal të simboleve. Dhe gjëra të tilla ndodhin, jo se shqiptarët nuk e kanë deklaruar identitetin e tyre në çdo rast, por se akademikët shqiptarë nuk kanë qenë të aftë ta bëjnë të njohur botërisht këtë identitet, duke i bërë të pakënduara, së paku prej 100 vjetësh, këngët shqiptare për shqipen/shqypen e tyre.

Pjesa II

Shqype dhe shqipe

Diferenca nga shqype/ shqiponjë dhe shqipe /shqiponjë vjen për shkaqe dialektore. Ky fakt gjuhësor e ka pështjellosur arsyetimin, Veçanërisht kur fjalët “shqype  dhe shqipe shpjegohen si dy fjalë të  ndryshme. “Në të vërtetë,-shkruan Çabej,-  tek autorët e vjetër shqiptarë, shqip, shkruar me këtë trajtë, dallohet dukshëm nga emri i shpendit, që shkruhet tek ata rregullisht shqype, gjë që tregon se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme”.

“Shqiptar”, si fjalë e shkruar, del për herë të parë në fillim të shek.XVII në “gjuhen e Schiyppetareve” (“Kuvendi i Arbënit”: 1706); ndërsa fjala Shqipëri del në gjysmën e dytë të shek.XIX, në formën “Scciypniis” (“Koncili i Dheut Shqypniis”:1872). Ndajfolja shqip (me thanë shqip/shqyp – sŁip) dokumentohet e shkruar më herët, së pari te “Meshari” i Gjon Buzukut, në mesin e shek.XVI (Çabej, II, f.77  dhe Ashta: 1996, XXV, II). Prej këndej, siç e kemi thënë edhe më lart, gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se shqiptar dhe Shqipëri/Shqipni kanë si rrënjë fjalën shqip, e cila vjen prej latinishtes excipit-excipere.

Ku kanë gabuar gjuhëtarët?

Ata nuk kanë marrë parasysh, se, ashtu si gjendet te Buzuku fjala shqip, gjendet edhe fjala shqype, prej së cilës duhet kërkuar burimi i fjalëve shqiptar dhe Shqipëri, sepse ato nuk janë shfaqur me formën sotme shqiptar dhe Shqipëri apo Shqipni, por në formën shqyptar dhe Shqypni (1868), si shihet, mbi bazën e fjalës shqype (shqiponjë) e jo shqip (kuptimisht). Ndërsa togfjalëshi gjuhë shqipe apo gjuhë shqype mund të kërkonte shpjegime të tjera.

I pari ndër gjuhëtarët shqiptar që ka tentuar një shpjegim tjetër është Kolë Ashta. Ai me një “me sa duket” dhe një “mund të kenë”, vuri në dyshim “se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme” dhe, për pasojë, edhe etimologjinë e fjalës shqip prej excipere, kur shkruante:

“Me sa duket emri i shpendit shqype dhe ai i gjuhës shqipe mund të kenë rrugë etimologjike të ndryshme”

Por dyshimi i Kolë Ashtës mund të mos na duket më vetëm dyshim, nëse do të ndaleshim pak më gjatë te fenomeni Y-I dhe anasjelltas në gojën e shqyp apo shqipfolësve.

Arsyetimi i parë: supozojmë se te fjala shqype (Buzuku) nuk ka ndodhur palatizimi Y-I, si mund të mendohet se ka ndodhur te fjala shqip (po te Buzuku) e më vonë te Budi (e përdorur 3 herë), Bogdani (1 herë) dhe Kuvendi i Arbërit (2 herë). Po të kishte ndodhur ai fenomen, atëherë fjala shqype do të vinte shqipe dhe prejardhja e ndajfoljes shqip nuk do të kërkonte etimologji tjetër, veçse prej fjalës shqype-shqipe/shqiponjë, shkabë.

Arsyetimi i dytë: po e njëjta logjikë do të vlente për supozimin e kundërt, që do të thotë, të kishte ndodhur shndërrimi i Y-I te fjala shqip. Atëherë do të kishim ndajfoljen shqyp, prejardhja e së cilës do të lidhej me shqype, ashtu si e gjejmë këtë fjalë te Buzuku (e përdorur 2 herë), te Bardhi (1 herë) dhe te Bogdani (1 herë). Të mos çuditemi, sepse te Buzuku (dhe jo vetëm tek ai) shkruhet fjala krypë për kripë.

Arsyetimi i tretë: të dy supozimet e mësipërme i përmbledhim në një konkluzion gjuhëtarësh seriozë, të cilët na thonë se  Y-ja (ˠ) te Buzuku (dhe jo vetëm tek ai) shpreh u, ˠ dhe y (Çabej II, f.49) dhe I-ja shprehet me i, y dhe j (Çabej II, f.47). Pra, ndryshimi midis grafive shqype dhe shqipe, si dhe shqip dhe shqyp, nuk është kaq i qartë, ashtu si nuk është i dallueshëm shndërrimi fonetik i Y-I dhe anasjelltas në të folme të ndryshme apo edhe brenda një të folmeje.

Dhe këtu nuk është fjala vetëm për një dukuri gjuhësore të lokalizuar, si, p.sh., e folmja e Çamërisë, e folmja e Gjirokastrës, e folmja e Lurës apo e arbëreshëve të Sicilisë (Matrënga), ku mungon thuajse fare Y-ja. Gjuhëtarët kanë arritur në përfundim se ngatërrimi i Y-së dhe I-së është fenomen i mbarë shqipes së folur, që, sipas mendimit tonë, është reflektuar edhe në gjuhën e shkruar, sidomos në variantin e saj të drejtshkrimit të pakonsoliduar. Kështu vetëm në titujt e librave të 1800-s për shqip dalin këto variante: Shkipetarze (1927), Shqip (1944 – Veqilharxhi), Sccyp (1856), Sskipe (1862), Schiyp (1862 – Radoja), Scciyptarvet (1864), Shqip (1866 – Kristoforidhi), shkjepe (1864 – D’Istria), Scgyp (1870), Scciypnis (1872). Ndërsa në një pasqyrë të Alfabeteve (1908) nuk e gjejmë fare grafinë e zanores i. I-ja del vetëm te alfabeti i De Radës si fonemë (i) pa grafi, ndërsa ka grafinë e ü-së tek alfabeti i albanologëve dhe të y-së te Alfabetet e tjerë (Alfabeti i Stambollit, Bashkimit, Agimit dhe i Manastirit). Kështu Y- ja është I, dhe Y-ja në këtë tabelë krahasuese nuk del fare, gjë që mbështet dyshimin e Kolë Ashtës se kinse kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme (shqype dhe shqipe), kur mund të ishte një e vetme (shqype): Y-ja në gjuhën e shkruar është shndërruar në I dhe na ka dhënë fjalën shqip.

Sot në gjuhën e shkruar fjalët shqype (shqyp, shqyptar dhe Shqypni) kanë mbetur si arkaizma apo dialektalizma historike. Ndërsa janë unifikuar format e tyre: shqipe (shqip, shqiptar dhe Shqipëri), të sanksionura me drejtshkrimin e 1972-shit. Ndoshta kështu është krijuar më tepër konfuzion në shpjegimin e marrëdhënieve në mes të shqypes/shqipes dhe të shqyptarëve/shqiptarëve.

2. Arbëni dhe Shqypni

Deri në gjysmën e dytë të shek.XIX në vend të fjalëve shqiptar/ shqyptar dhe Shqipëri (Shqypni) përdoreshin fjalët arbën (ose arbër) dhe Arbëni\Arbëri, si ka mbetur deri në ditët e sotme te kolonitë e shqiptarëve (arbëreshë) të Italisë. Edhe më herët, në vend të (apo së bashku me) shqyptar-arbën dhe Shqypni-Arbëni në gjuhën librore ndeshen dendur edhe fjalët epirotas dhe Epir.

Te “Meshari” i Buzukut na vjen për herë të parë në gjuhën e shkruar fjala Arbania. Çabej shpjegon se rrënja “arb” vjen nga “alb” paraindoevropiane (Çabej: 1976,68) dhe na çon te fisi ilir i albanëve me kryeqendër Albanopolis që përmend Ptolemeu (shek.I-II). Por asnjë gjuhëtar nuk është marrë me fjalët “epirotas” dhe “Epir”, sikur këto dy fjalë të mos kishin të bënin fare me iliro-shqiptarët dhe trojet e tyre iliro-shqiptare.

Nga ana e tij, Frang Bardhi fjalorin e vet e titullon “Dictonarium latino-epiroticum” (1635). Dhe Skënderbeun e cilëson “dragoi i Epirit” e gjuhën arbërishte për të huajt e quan “epirotice”. Kjo do të thotë se deri kur ai ishte student në kolegjin e Loretos dhe doktorant i Propogandës FIDE (Romë), këto fjalë (epiroticum, Epir, epirotice) që te Bardhi kanë ekuivalente (arbërisht,Arbëri dhe gjuhë arbërishte), ishin aktive në latinishten mbarevropiane për të shënjuar atë popullsi ballkanike që deri atëherë dhe në vazhdim do të njihej si Albanians (Arbënesh/arbëresh dhe shqyptar/shqiptar); për të emërtua atë vend në Ballkan që deri atëherë e në vazhdim do të njihet si Albania (Arbania/Arbënia/arbëria dhe Shqypnia/Shqipëria); për të dalluar atë gjuhë që, së paku, qysh te “Meshari” i Gjon Buzukut (1555) dhe në vazhdim, te fjalori i Frang Bardhit (1635), del me ndajfoljen arbërisht (më vonë shqyp apo shqip), por që të huajt vazhdojnë ta njohin edhe sot e kësaj dite si lingua albanese…

Të huajt ende përdorin albanain dhe Albania, për shqiptar dhe Shqipëri. Edhe ky përdorim e shmang simbolin e shqipes (shqiponjës), që shfaqet në flamurin e Skënderbeut dhe të princave të tjerë shqiptarë të mesjetës, ajo shqipe (shqiponjë) që dëshmohet te stema e shtetit të Arbërit në shek.XIII dhe shumë më herët te epirotasit ilirë, argumente të cilët, gjithashtu, mbeten jashtë arsyetimeve të gjuhëtarëve që janë marrë me shpjegimin e prejardhjes së shqiptarëve të sotëm.

Duhet të shtojmë këtu se në botimin e dytë të “Kuvendit të Arbënit”, ku përdoret për herë të parë fjala Shqypni prej Engjëll Radojës, ajo përdoret së bashku me Arbëni. Vetëm në parathënien prej 3 faqesh të autorit “Knuesit…” gjejmë të përdorur: 4 herë shqyptar për kundrejtë 1 herë arbnor  dhe 3 herë Shqypni (dhe 2 herë Dheu i Shqypnis) për kundrejt 2 herë Arbni.  

3. Arbëreshët e përçmuar

Në këtë pikë çështja ftillohet ndryshe: ç’lidhje ka fjala arbën (Shteti i Arbënit) me ndajfoljen shqip, me shqiponjën e shtetit të Arbënit dhe me flamurin e Skënderbeut? Të huajt e kanë njohur simbolin e shqiponjës dykrenore në flamurin e Skënderbeut, por fqinjët tanë, jo pa keqdashje, kanë shtrembëruar, veçanërisht, fjalën arbën që ka shënjuar popullin tonë.

Kështu, si arrin në konkluzion Çabej, nga albanët\arbanët ka dalë fjalemërtimi arvanitët në gojën e grekëve, që nuk deshën kurrë të pranonin popullsinë autoktone çame, si popullsi jo greke, në trojet, sipas tyre, greke; nga arbana ka dalë edhe fjala e deformuar rabana prej serbëve, të cilët bënin përpjekje të vazhdueshme që ta sllavizonin fjalën që emërtonte shqiptarët autoktonë dhe, së bashku me të, trojet arbënore; për të mbërritur te osmanët, që, prej shtrembërimit grek arvanitas krijuan fjalën pejorative arnaut, që, sipas orientalistëve, shënjonte popullsinë jo qytetase në trojet shqiptare të Perandorisë Osmane, pra, shqiptarin fshatar gjithmonë me qeleshe të bardhë në kokë.

4. Shqiptari i refuzuar

Por, për rilindësit shqiptarë (historianë ose jo), lidhjet e vetme në mes të shqiptarëve dhe arbanëve është shqiponja në flamurin e Skënderbeut, e cila, siç është thënë më lart, vjen nga stema e shtetit të Arbënit, veçse, edhe më herët, nga Pirrua i Epirit. Ata nuk kanë kërkuar argumente për të lidhur këtë shqiponjë me fjalët shqiptar dhe Shqipëri, që u përhapën në gjysmën e dytë të shek.XIX duke zëvendësuar fjalët arbën\arbër dhe Arbëni\Arbëri.

Nisur nga arsyetimi i mësipërm (pika 3) mund të thuhet me siguri se një nga motivet e zëvendësimit të fjalës Arbëni në Shqypni duhet të ketë qenë edhe domosdoshmëria për t’iu shmangur, pikërisht, shtrembërimeve të fqinjëve dhe, ndoshta, edhe qëllimeve të tyre të mbrapshta në kurriz të trojeve arbërore.

Është koha kur nacionalizmi helenocentrist gjen një prej shprehjeve të veta në të ashtuquajturën “Megallo Idea”, dhe nacionalizmi ekspansiv sllav në Ballkan, serb e malazias, që arsyetohej me luftën kundër Perandorisë Osmane, duke qenë pjesë e koalicionit pansllavist me qendër Moskën e carëve rusë, lakmon Ballkanin Perëndimor pa i bërë pjesë një Shqipërie të shqiptarëve. Grekët sajuan teorinë e Vorio-Epirit helen dhe shqiptarët autoktonë të Epirit, çamët, i quajtën arvanitas, sipas tyre, të vendosur në trojet epirote, si kishte ndodhur edhe me arbëreshët e Italisë.

Një teori të tillë aplikuan edhe serbët, duke e quajtur Kosovën “Staraja Serbia” dhe shqiptarët autoktonë të Kosovës të ardhur aty prej maleve, pasi për shqiptarët kishte filluar të përdorej, veçanërisht, në Mal të Zi, edhe një fjalë tjetër përçmuese malokë, që, çuditërisht, dëgjohet duke u përsëritur edhe sot e kësaj dite prej vetë shqiptarëve për shqiptarët e Veriut.

Në këto kushte të pafavorshme po lindte edhe lëvizja kombëtare e banorëve më të vjetër të Ballkanit që u njoh si Rilindja Kombëtare Shqiptare, së cilës i duhej të përballej, si me Perandorinë Osmane (prandaj nuk mund të quhej Rilindje Kombëtare Arnaute), ashtu edhe me synimet e hapura dhe të fshehta ekspansioniste të fqinjëve grekë, serbë e malazezë (prandaj nuk mund të pranohej të quhej as Rilindje Kombëtare Arvanitase apo Rilindje Kombëtare Rabanske e, për të njëjtat arsye, as Rilindje Kombëtare Maloke). Prandaj, pra, u quajt Shqyptare (Pashko Vasa, 1879), Shqiptare (Sami Frashri, 1899).

5. Ironia e Konicës

Por, përveç arsyetimit konfliktual të paraqitur më sipër, a ka ndonjë shpjegim shkencor përse arbëreshët zgjodhën të vetëquhen shqiptarë? Shpjegimet e derisotme kanë qenë të pamjaftueshëm për të kënaqur kureshtjen gjithnjë në rritje të brezave më të rinj të shqiptarëve. Shpjegimi i natyrshëm, që e justifikon të vetëquajturit shqiptar me simbolin e shqiponjës (shqipes-shkabës), është konsideruar romantik prej gjuhëtarëve. Por edhe shpjegimi shkencor i albanologëve, shqiptarë e të huaj, që e arsyetojnë vargun e fjalëve shqiptar, gjuhë shqipe dhe Shqipëri me prejardhje prej ndajfoljes “shqip” (kuptueshëm), është ironizuar me të drejtë qysh herët prej Faik Konicës, duke shtuar, siç e kemi cekur edhe më sipër, se “Shqipëria, atëherë, do të thotë diçka si Kuptonjëria”. Konica ironizon më tej duke treguar një anekdotë urbane: Një anglez, dashamir i shqiptarëve e pyet njërin prej delegatëve të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, se çfarë mund të eksportonte Shqipëria për të mbuluar shpenzimet e qeverisë. Delegati shqiptar, i lindur diku jashtë shtetit nga prindër shqiptarë, prandaj nuk kishte qenë asnjëherë në Shqipëri,  përgjigjet jo pa humor: Shqipëria mund të eksportonte vetëm gurë.”

Historianët nuk këmbëngulin në arsyetimet e veta, sepse edhe atyre iu janë imponuar disa “autoritete” që historinë e kanë ngatërruar  me politikën dhe politikën me nacionalizmin e tyre ekstrem. Kaq e vërtetë është kjo, sa në tekstet shkencore pranohet pa mëdyshjen më të vogël shprehja se arvanitasit janë vendosur në krahina të ndryshme të Greqisë “qysh nga mesjeta”, duke injoruar kështu autoktoninë e popullsisë çame-epirote.

Për më tej kësaj, kanë mbetur formulime të tilla se shqiptarët në Greqi kanë qenë një minoritet i vendosur aty në shek XVI, që rezulton plotësisht i asimiluar, ndërsa minoriteti shqiptar i vendosur në Kosovë e Metohi, Jugosllavi, ka realizuar një farë autonomie; sikundër emigrantë të tjerë shqiptarë në Turqi, Itali dhe SHBA.

Pjesa III

1. Ekuacioni i Pilikës

Faik Konica, shpjegimit (ironik) linguistik (Shqipëria-Kuptonjëria) të dheut të shqiponjave, i ka shtuar edhe shpjegimin anekdotik të gurëve si pasuri kombëtare, sa që të duket se edhe titullin e veprës së vet (“Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”),  e ka lidhur me relievin shkëmbor të Dheut të të parëve. Por ai shton edhe “se Shqipëria do të thotë Vendi i Shqiponjave është kaq i rrënjosur, saqë ka përftuar një bestytni të çuditshme kundër vrasjes së shqiponjave, të cilat në sytë e popullit tonë janë po aq të shenjta sa edhe ulkonja për romakët e lashtë.

Një studiues tjetër, At Marin Sirdani ka gjurmuar në folklor. Ai ka hetuar se në një valle të kënduar të Zadrimës (shumë të hershme) dalin fjalët: shqyptar (“jam shqyptare”) dhe shqyptarisht (“këcen-o  shqyptarisht”). Po ashtu, na kumton studiuesi Sirdani edhe te kënga “Zani i kasnecave”, që përshkruan luftën e vitit 1571, përmendet fjala “shqyptar”  Madje, te kjo këngë emri shqiptar përmendet disa herë:

“P’eja, Pazvan bre, e xen si asht shqyptari!-

Diftoja mbretit t’onë se ke mbarue,-

Si dijn Shqyptarët me dekë, si me luftue…

Gzonju e këndoni, o shqyptarët e mi,-

Se me ne ka kenë Zoti, ai na ka pri.”

Por mund të kërkohen edhe argumentime të tjera. Dhimitër Pilika në veprën e tij, botim postum, “Pellazgët, origjina jonë e mohuar” sugjeron një ekuacion që nuk mund të lihet jashtë konsideratës kur duam të shpjegojmë përse shqiptarët u vetëquajtën shqiptarë në një çast kyç të historisë së tyre moderne. Ekuacioni i tij është:

“Pellazgë-ilirë-albanë-arbëreshë-shqiptarë,  është baras me shqiptar plus simbolin e shqipes/shqiponjës.”

Pas këtij arsyetimi nuk mund t’ia ndajë mendja kujt se shqiptarët janë të mbërthyer pas simbolit të shqiponjës së tyre, të ndikuar prej malazezve, të cilët besojnë se janë bijtë e skifterit, siç arrin në përfundim Robert Elsie. Ai vazhdon më tej, duke thënë se ky simbol kaq popullor te shqiptarët nuk ka gjasa të lidhet me fjalët “shqiptar” e “Shqipëri”, sepse fjala shqip te Buzuku vjen prej latinishtes “accipiter” që do të thotë skifter, soko-sokol në serbokroatisht. 

2. Shqiponja e shenjtë

Epiri, shpjegon Pilika (dhe jo vetëm ai) nuk ka qenë historikisht tokë greke, ashtu si pellazgët nuk kanë qenë helenë. Siç është pranuar, fjala Epir në gjuhën greke do të thotë kontinent, por ka edhe një shpjegim popullor, në të cilin ruhen lidhje edhe më të forta të fjalës Epir me fjalën shqiponjë, sepse në të folmen çame shqiponjës i thonë edhe sot e kësaj dite ipe (që duket të ketë dhënë epi, me ndërrim vendi), prandaj Epiri, sipas kësaj logjike, është vend i shqiponjave.

Natyrisht, vendi i shqiponjave, Epiri (mendoni se edhe Vorio Epiri) si mund të pranohej atëherë dhe sot prej grekëve të megallo idesë? Por studiuesi Dhimitri Pilika këtë e mbështet me citime dhe fakte të shumta e serioze. Shqiponja ka qenë simbol i Zeusit të Dodonës Pellazge (të atij Zeusi që helenët e përvetësuan prej pellazgëve). Shqiponja ka qenë emblema e Pirros së Epirit (edhe ky jo helen) që u trashëgua edhe nga Skënderbeu e princa të tjerë shqiptarë të shekullit të XV, dhe më herët. Deri atëherë nuk kishte as arbëreshë as shqiptarë, por epirotas dhe toka e shqiptarëve të atëhershme quhej Epir, që, sipas shpjegimit nga e folmja çame, do të thotë Dheu i Shqiponjave apo, si e pamë më lart, Dheu i Shypniis, i shqypeve. Shqiponja edhe sot e kësaj dite konsiderohet e shenjtë prej shqiptarëve, kudo që të jetojnë ata. 

3. Braktisja shtetërore

Tani le të mbërrijmë në një përfundim.

Gjeografikisht fiset ilire të epirotasve, dardanëve dhe albanëve janë paraardhësit e shqiptarëve të sotëm dhe trualli i tyre është kudo ku flitet gjuha shqipe (Fishta), pavarësisht se në kufijtë shtetërorë të cilit shtet modern përfshihen. Skënderbeu emërtohet princi i Arbënisë dhe i Epirit.

Historikisht emblema e epirotasve me shqiponjë (shqype) është trashëguar te Pirrua nga shqiponja e Zeusit të Dodonës pellazge te Shteti i Arbërit, te Skënderbeu e deri në ditët e sotme, pavarësisht se atë simbol e kanë përdorur perandori të dikurshme dhe e përdorin edhe shtete të sotme.

Politikisht fqinjët tanë grekë dhe sllavë kanë tentuar të mos i njohin shqiptarët në trojet e tyre dhe në shekullin XIX, kur formoheshin shtetet e tyre (Greqi, Serbi, Mali i Zi), mënjanuan simbolet e shqiptarëve, shtrembëruan emërtimet e tyre dhe përvetësuan troje arbërore: Çamëri, Kosovë-Metohi dhe treva nga Malësitë e Mbishkodrës. Pikërisht në këtë kohë kishin filluar të zgjohen edhe shqiptarët dhe, duke u vetëquajtur shqiptarë, si iliro-shqiptarët e hershëm, bij të Pirros (krahët e shqiponjës), të Skënderbeut dhe të princërve të tjerë shqiptarë: kërkuan identitetin e tyre të nëpërkëmbur kombëtar. Si kundërpërgjigje, fqinjët punuan që çamët të veçoheshin si arvanitas, shqiptarët në trojet e tyre jashtë kufijve shtetërorë të quheshin kosovarë ose malokë.

Vetëm gjuha shqipe mbeti shqipe, që për efekte të ndarjes së rreptë administrative në Ballkan, nuk u zhvillua paralel në të gjitha njësitë vendore, prandaj u sajua gegërishtja kosovarçe dhe arvanishtja e çamëve, që nuk u asimiluan dot as në kushtet e braktisjes më të madh shtetërore nga shteti amë (Shqipëria), që u shpall i pavarur më 1912.  

4. Historia si identitet

Shqiptarët e sotëm asnjëherë nuk e kanë ditur me saktësi përse quhen shqiptarë as pse vendi i tyre quhet Shqipëri. Kështu mendova ndërkohë që po shfletoja për një arsye krejt tjetër librin “Kuvendi i Arbërit”, botuar në Prishtinë më 2003. Aty janë përmbledhur katër tekste. I pari, latinisht, ku shqiptarët janë albanens dhe Shqipëria Albania; i dyti, një përkthim i tekstit latinisht, i bërë nga një anonim më 1703 (botuar së bashku me tekstin latinisht më 1706) ku për fjalën albanens na del arbenesh dhe për fjalën Albania del Arbenia; i treti, është përkthimi i Engjëll Radojës, realizuar më 1867, por botuar më 1872, ku, krahas fjalëve Arbnia dhe arbnesh na dalin për herë të parë fjalët shqyptar dhe Shqypni. Teksti i katërt është përshtatja e këtij të fundit në gjuhën e sotme letrare nga Anton N. Berisha, i cili sqaron në pasthënie se ka lënë në tekst edhe Arbëria edhe Shqipëria, ashtu si ka bërë Engjëll Radoja. Nga kjo del se deri në vitin 1706 në gjuhën shqipe të shkruar, shqiptarët thirren  arbënesh dhe Shqipëria Arbëni. Duke nisur nga viti 1867/1872 shqiptarët janë edhe shqyptarë edhe arbënesh dhe Shqipëria është edhe Shqypëri edhe Arbëni. Nuk ka asnjë shpjegim prej përkthyesit Engjëll Radoja, as prej ripërkthyesit Anton N.Berisha. Prandaj u përpoqa në këtë trajtesë të argumentoj se shqiptarët janë shqiptarë, sepse flasin shqip dhe sepse janë të lidhur pazgjidhshmërisht veçse me simbolin e shqypes/shqiponjës, si asnjë popull tjetër që e ka përdorur ose e përdor atë simbol edhe sot e kësaj dite.

Ndër pellazgë shqiponja është simbol i Zeusit të Dodonës dhe i heronjve pellazgo-ilirë; homonim i Pirros së Epirit, emblemë e Shtetit të Arbrit dhe, si vazhdimësi e tyre, në formën dykrenore del te flamuri i Skënderbeut. Rilindësit, shpjegojnë historianët, e zgjodhën pikërisht për këto vlera historike, si “flamur shkabë… për Vegjëlinë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here