Historia e Zalo Prodanit, njërit prej patriotëve të famshëm kolonjarë që luftoi kundra turqve e grekërve dhe mbështeti Petro Nini Luarasin në përhapjen e gjuhës shqipe.
Publikohen për herë të parë kujtimet e panjohura të Zejnel Prodanit, ish-prefekt dhe një prej njerëzve më të besuar të Mbretit Zog gjatë viteve të Monarkisë, i cili i ka shkruar ato në vitin 1961 kur ishte në moshën 75-vjeçare dhe në agoni të jetës së tij. Historia e Zalo Prodanit, njërit prej patriotëve të famshëm kolonjarë që luftoi kundra turqve e grekërve dhe mbështeti Petro Nini Luarasin në përhapjen e gjuhës shqipe.
Arrestimi e torturimi i Zalos nga grekët, dhe vrasja e tij në periferi të Pogradecit nga forcat rebele në vitin e mbrapshtë 1914. Kujtimet e ish-prefektit të Monarkisë ku në fund të tyre ka shkruar: “Dhe tash plaku 75-vjeçar që bëri këtë përshkrim, përfiton nga rasti t’u kujtojë atyre brezave të rinj të popullit t’onë, që mund të lexojë këtë apologji, fryt i një pënde të plakur dhe ndoshta dekadente, se atëhere (65-70) vjet më parë, kur Zaloja e të tjerë patriotë, përpiqeshin dhe luftonin për mëkëmbjen e përhapjes së idesë së shenjtë kombëtare, prapambetja e popullit tonë (peshqesh i zgjedhjes shekullore Turke) arrinte sa që herë herë shqiptari me shqiptarin vritesh për një keç a për një kapërxim të kufisë së gardhit të kopshtit, ose i shkelte tjetri shkopin e ramazanit, e jo për çështje kombëtare”.
LEXO EDHE:
Renditja, cili eshtë gjimnazi më i mirë në Tiranë
Ngjarjet, apo më saktë rrokopuja e ngjarjeve të ndodhura në Shqipëri në vitin e largët 1914, apo siç është njohur ndryshe prej shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, ku në një nga veprat e tij me temë historike ai e ka cilësuar si “Viti i mbrapshtë”, i sollën jo pak andralla kombit shqiptar dhe shtetit të porsaformuar në nëntorin e 1912-ës. Sikur të mos mjaftonin rreziqet e shumta qe i kanoseshin Shqipërisë së asaj kohe, nga lakmitë e fqinjëve pushtues që e okupuan atë në pjesën më të madhe të territorit të saj nga jugu në veri, si dhe masakrat çnjerëzore që ata bënë ndaj popullsisë sonë të pambrojtur, shqiptarët filluan të vriteshin me njeri-tjetrin, duke i shtuar akoma dhe më shumë plagët e tragjedisë që kish pllakosur mbi ta. Përplasja e ndodhur asokohe ndërmjet forcave qeveritare dhe lëvizjes rebele “haxhiqamiliste”, veç dëmeve të mëdha që i solli çështjes kombëtare, shkatoi edhe jo pak humbje njerëzore. Duke bërë që në fushën e betejës ku luftonin shqiptarë me shqiptarë, të binin dëshmorë mjaft burra të nderuar të pushkës dhe penës, të cilët vite më parë kishin luftuar kundër turqve apo grekërve, duke dhënë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarsinë e Shqipërisë.
Një prej atyre burrave të shquar që ra viktimë e atyre ngjarjeve të ndodhura në vitet 1913-1914, ka qenë edhe i famshmi Zalo Prodani nga rrethi i Kolonjës, i cili u vra në rrethinat e Pogradecit në përpjekje me forcat rebele haxhiqamiliste që po marshonin drejt Korçës. Ndërsa regjimi i Monarkisë së Zogut e njohu dhe e nderoi Zalo Prodanin si “Dëshmor të Atdheut”, në vitet e regjimit komunist, propaganda dhe historiografia zyrtare e asaj kohe, e lanë atë deri diku në harresë, për shkak se njëri nga djemtë e tij, Zejnel Prodani, në vitet e Monarkisë së Zogut, kishte shërbyer si prefekt në disa rrethe të vendit. Por më saktë dhe më qartë për veprimtarinë e kontributin e Zalo Prodanit në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, na njohin disa shënime të shkruara në vitin 1961 nga i biri i tij, Zejnel Prodani, kur ai ishte në moshën 75 vjeçare dhe në agoni të jetës së tij. Nga këto shënime të Zejnel Prodanit për babanë e tij, Zalon dhe gjyshin, Mersinin, të cilat prej afro gjysëm shekulli janë ruajtur me fanatizëm të rrallë nga miku i tyre, Myftar Tare, (kolonel, ish-zv/ministër i Punëve të Brendëshme, i goditur si “njeri i Koci Xoxes”), i cili na i ka dhuruar vite më parë për t’i bërë publike, ne kemi përzgjedhur këto që po publikojmë në këtë shkrim, duke i dhënë ato në variantin origjinal pa asnjë ndryshim.
- https://www.facebook.com/v5.0/plugins/share_button.php?app_id=&channel=https%3A%2F%2Fstaticxx.facebook.com%2Fx%2Fconnect%2Fxd_arbiter%2F%3Fversion%3D46%23cb%3Df1aa320c38019e8%26domain%3Dshqiptarja.com%26origin%3Dhttps%253A%252F%252Fshqiptarja.com%252Ff338233e23281c8%26relation%3Dparent.parent&container_width=41&href=https%3A%2F%2Fshqiptarja.com%2Fgaleri%2F4910&layout=button_count&locale=en_US&mobile_iframe=false&sdk=joey&size=small
Kush ishte Zalo Prodani?
Zaloja kishte lindur në katundin Prodan të rrethit të Kolonjës në vitin 1849, i ati i tij, Mersini, dallohej midis shokëve për njerzi, altruizëm, trimëri dhe urrejtje kundër Sulltanit. Kurse i vëllai i tij, Aliko Prodani, ka qenë njeri nga heronjtë e luftës historike të Melesinit (katund afër Leskovikut), ku së bashku me Zylyftar Podën, i patën dhënë dërmën ushtrisë së Sulltan Muratit. (Lexo librin “Valët e detit”). Zaloja i pati përvetësuar e trashëguar të gjitha virtytet e mira që i karakterizonin të parët e tij. Ay gjatë jetës 65 vjeçare u përpoq e luftoi për idealin kombëtar, më në fund, nuk kurseu t’i falë atdheut edhe gjakun e tij, duke rënë dëshmor në periferinë e Pogradecit në mbarimin e muajit qershor 1914, në luftën e përgjakëshme që u zhvillua midis batalionit të Kolonjës dhe rebelëve kundërshtarë të lirisë dhe pamvarsisë.
Zaloja, bashkëpunëtor i Petro Nini Luarasit
Zaloja ka bashkëpunuar me të ndyerin mjeshtër të gjuhës sonë dhe pionier të idesë kombëtare, Petro Nini Luarasin. Ky i dyti, për ushtrimin e misionit të lavdishëm që i pati ngarkuar vetes, për të cilën ndiqesh nga Turqia, tek Zaloja që dallohesh qysh atëhere për ndjenja kombëtare e urrejtje karshi okupatorit, pati gjetur një mbështetje mjaft të fortë, mbasi atij (Zalos), për guximin që e karakterizonte dhe për popullaritetin që gëzonte në të gjithë shtresat e Kolonjës, organet e Sulltanit hezitonin t’i shkelnin në gjurmë, siç thotë shprehja popullore. Ndër bimcat (kantinat), e dy tre dyqaneve tregtarësh me ndjenja kombetare (Jorgo dhe Kristaq Përmeti), Petroja, herë ditën dhe herë natën, nën dritën e zbehtë të një kandili, u mësonte abc-enë të rinjve kolonjarë që në atë kohë ndiqnin shkollat Turke t’Ersekës. Gjatë kohës që vazhdonte mjeshtri mësimin, Zaloja do të qëndronte vetë në dyqan ose do të linte ndonjë nga shokët a miqtë e tij që ta kishin nën kujdes Petron, e ta ruante që të mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe prej Turqvet. Prej vitit 1903 e gjer më 1912 kur plasi lufta Ballkanike, me qenë se kush po e bën këtë apologji nuk ka qëndruar vazhdimisht në Kolonjë, i mungojnë disa hollësira rreth aktivitetit të dëshmorit për sa i përket asaj periudhe. Me gjithë këtë, i kujtohet se Zaloja ndër ato kohra, përveç Petro Ninit, ka bashkëpunuar edhe me këta patriotë: Shahin Kolonjën, Themistokli Gërmenjin, Mihal Gramenon, Abdyl Ypin, Fetah Qinamin, Orhan Pojanin, Hasan Qinamin e të tjerë. Sidomso Themistokliu ka qenë njëri nga ata që shkonte shpesh në shtëpinë e Zalos ku bisedonin rreth veprimtarisë që duhësh të zhvillohesh kundër Turqëve. Shkruesi i këtyre rradhëve, kur ka qenë student, ka parë mbledhjet e fshehta që bënin patriotët e asaj kohe në shtëpinë e Orhan Pojanit në Korçë, ku midis të tjerëve ishin dhe Themistokliu me Zalon që merrnin pjesë në to. Gjithashtu i ka parë ata të dy që të bënin mbledhje dhe në Manastir, në hotelin që mbante Telemaku (vëllai i dëshmorit Themistokli), me patriotë të tjerë nga viset të ndryshme të Shqipërisë, Fehim Zavalani, Hamdi Ohri, Qenam Manastiri, etj. Hoteli në fjalë, mund të thuhet se ishte bërë në atë kohë një çerdhe e aktivitetit klandestin që zhvillonin patriotët kundër okupatorit Turk. Për shkak të veprimtarisë patriotike, organet e Sulltan Hamitit më 1895 e patën internuar Zalon në Kalanë e Janinës, ku e mbajtën 2-3 vjet. Edhe kur po përgatitesh kryengritja e fundit (para hyryjetit), e patën burgosur.
Në luftë edhe kundra Turqve të rinj
Edhe me Turqit e rinj (Xhemytxhinjtë), raportet e Zalos nuk ndryshuan, bile u acaruan edhe më tepër sepse ay qe i pari nisiator i “Klubit Bashkimi”, që u çel ahere në Kolonjë, fill mbas shpalljes së hyryjetit, dhe njeri nga organizatorët e mitingut historik që u mbajt n’ë atë kohë në Korçë, për çështjen e alfabetit tonë. Ay, duke mos përfillur aspak kundërshtarin e fortë që bënin në rastin konkret autoritetet e xhemijetit, së bashku me patriotë të tjerë kolonjarë, mblodhën burrat më të mirë të rrethit e rininë e tij dhe t’ë inkuadruar por si ushtarë dhe pjesërisht të armatosur shkuan në Korçë. Zaloja me flamurin kombëtar në duar në krye të atij grupi u nis nga Erseka për në Korçë dhe po ashtu duke mos e lëshuar flamurin nga dora. Është fotografuar ndërsa zhvillohej mitingu në fjalë. Midis rinisë kolonjare që mori pjesë n’ë atë miting, ndodhesh edhe djali i dytë i Zalos, Mersini, që edhe ay ra dëshmor më parë se i jati. Kujtimet që i përkasin Mersinit, do të reshtohen porsa të jenë përfunduar ato të babajt të tijë. Mitingu në fjalë ka qenë një demostratë aq e fortë sa mund të quhej një farë kryengritje e hapur kundër Turqve. Një kopje e fotografisë së atij mitingu, që paraqet një tabllo të këndëshme dhe interesante, ndodhet tek Xhaferr Dokoja prej Kolonje që ndodhet këtu në Tiranë.
Lufta ndaj okupatorit grek në 1912-1914
Në vazhdën e luftës Ballkanike kur ushtrija Greke arriti në Kolonjë, Zalo me dy djemtë e mëdhenjë dhe niprit e tija u largua nga Kolonja, por kur mori vesh se grekërit po i internonin familjen që kishte mbetur ndër duart e tyre, besoi në premtimin e komandës Greke se nuk do t’u binin më qafë dhe u kthyen në shtëpi me djalin e madh, mbasi nisi për në Vlorë të birin tjetër, Mersnin me niprtit, Tulen dhe Fehimin. Për një kohë ata qëndruan në shtëpi të izoluar. Më vonë kur u bë i njohur vendimi i Fuqive të Mëdha t’ë asaj kohe mbi dërgimin e një komisioni ndërkombëtar që të hetonte rreth gjendjes etnike të qarkeve Korçë-Gjirokastër, Komandanti i Garnizonit të Ersekës, një Major i quajtur Mavraxa (një strap i dëgjuar), mbajti një mbledhje në Ersekë në zyrën e tija, ku kish thirrur një grup personash kolonjarë që ay i quante përfaqësues të popullit. Këtyre, mbasi u ofroi cigare, kafe dhe pije, u tha kështu: “Këto ditë pritet të vijë këtu një komision ndërkombëtar. Misioni i tij është që të hetojë nëse populli i kësaj kazaje (rrethi), dëshiron me të vërtetë që të mos shkëputet më nga Greqia. Unë e di – u tha ai kolonjarëve që asistonin aty – se disa sjellje hiç të matura të korofillaqisë (Gjindarmërija greke), aty këtu kanë shkaktuar pakënaqësira. Por unë sot, në emrin e Madhërisë së tij, Mbretit, po ju siguroj se ato kurrë nuk do të përsëriten më dhe kemi për të jetuar si vëllezër, pa asnjë dallim midis njëri tjetrit, e të tjera fjalë të bukura si këto. Më në fund, ay shtoi dhe këto: “Pjestarët e komisionit në fjalë, nuk e dinë gjuhën që flisni juve, gjë kjo që e bën të vështirë çfaqjen shprehimisht të dëshirës tuaj në këtë rast, më duket oportune që të përgatitet që tani një shkresë në gjuhën frëngjisht dhe anglisht ku të shprehet dëshira e popullit fisnik të Kolonjës për t’u bashkuar definitivisht me Greqinë, dhe pasi të vuloset (kt’ herë në fënd të firmës vendoset vula), prej jush që jeni përfaqësues të denjë të popullit, t’i paraqitet komisionit kur të vijë. Këtë shkresë – u tha ay të pranishëmëve – mund t’ua bëjë një avokat korçar që pashë sot të ndodhet rastësisht këtu.
(Avokatin e pat sjellë vetë ay një ditë më parë e ndoshta edhe shkresën e përgatitur). Zaloja, që si më plaku i shokëve që i printe atij grupi dhe që dinte jo vetëm, të fliste por edhe të shkruante mjaft mirë greqishten, i’u përgjigj majorit kështu: “Zoti Komandant, Ju për këtë propozim që na bëni, sigurisht do të jeni menduar. Pra mua më duket e arsyeshme që të na lini të mendohemi edhe neve për këtë punë dhe pastaj të vijnë dhe t’u përgjigjemi. “Po ju të tjerët çfarë mund të thoni – u tha greku shokëve të Zalos? Që të gjithë t’ë atij mendimi jemi – ia priti avokat Osman Novosela që ndodhesh në mes të atij grupi. Mirë – u tha majori, por dua që përgjigjien të mos ma vononi dhe të ma sillni pasdreke. Mbasi dolli grupi nga Komanda, si vënd “tenha” për të biseduar, caktoi xhaminë që ndodhesh në atë kohë në Ersekë. Kur u mblothnë atje, Zalua qe përsëri i pari që e mori fjalën, duke u thënë shokëve kështu: “Eh mor vëllezër, e kuptuat se ç’po kërkon Mavraxaj prej nesh? Unë them, se ç’po qe se do të pranojmë atë që na kërkon ay, nuk do të kemi bërë gjë tjetër, veçse punën e atij që heth me duart e veta litarin në qafë, dhe si rrjedhim do marrim mbi vehte, mallkimin e gjithë kombit tonë. Prandaj unë them që të mos pranojmë të vulosim asnjë shkresë dhe t’i themi grekut: Ne e shohim si të tepërt shkresën që na thatë të bëjmë sepse populli nuk na ka dhënë ndonjë të drejtë të tillë, dhe po qe se ay do të na pyesi, le të shfaqë dëshirën me gojën dhe me gjuhën e vet”. Të gjithë të pranishmit e pranuan mendimin e tija. Mbasdite siç qenë në grupe, u paraqitën tek majori. Kësaj here ay as nuk i uli të rrinin. Duke qëndruar edhe vete në këmbë (sigurisht që ishte informuar rreth vendimit unanim që kishin marrë ata), iu drejtua Zalos duke i thënë: “E çke të më thuash ti për veten tënde dhe për llogarinë e këtyre të tjerëve që thonë “amin” për çdo gjë që u thua ti? Zaloja i shpjegoi me gjakftohtësi vendimin që disa orë më parë kishin marrë në xhami. Majori satrap, me një fytyrë të ashpër, u tha: “E kuptova mirë atë që deshët të më thoshit. Shkoni pra dhe shikoni punrat tuaja…
Arrestimi i Zalo Prodanit me djalë
Qysh në mbrëmjen e asaj dite 8 shtator 1913, në mes të natës, u rrethua prej një kompanie ushtarësh shtëpia e Zalos në Prodan. N’agim të ditës trokiti fort porta e avllisë së shtëpisë. Zalua dolli vetë të hapë portën. Dy oficerët që i dolën përpara i thanë kështu: “Merr shpejt tët bir që ke brenda dhe hajdeni me ne se ju kërkon komandanti n’Ersekë”. U nisën të dy të rrethuar nga ushtarët dhe kur arritën n’Ersekë i rrasën në një bodrum të komandës greke. Në mes të ditës sollën atje dhe avokat Osman Novoselën bashkë me Zihni Gjonçin. Që të dy këta patën marrë pjesë në mbledhjet e ditës së parë që u mbajt në komandën greke edhe në xhami, dhe që të dy i patën dekllaruar Zalos se ishin gati edhe të vdisnin me të për shpëtimin e vendit nga zgjedha greke. Të nesërmen shkoi vetë Mavraxaj në bodrum ku ishin që të katërt. Me të hyrë satrapi ata u ngritën në këmbë. Mavraxi, pasi u tha “kalimeras” i drejtoi Zalos këto fjalë: “Ti je ay që na urren dhe na lufton më shumë se kushdo tjetër në këtë vënd. Me gjith këtë, unë të qeretis (fjalë greqishte në kuptimin e përshëndetjes), sepse na e ke çfaqur troç idenë tënde. Pastaj u komunikoi se të nesërmen do të largoheshin nga Kolonja dhe prandaj mund të lajmëronin familjet që t’u sillnin sendet për të cilat kishin nevojë. Të rrethuar prej një kompanie ushtarësh, të lidhur me zinxhirë, i nisnë në drejtim të Korçës. Kur po i lidhnin me një përbuzje dhe violencë, Zaloja nuk mungoi t’i drejtohej një grupi bashkëatdhetarësh që ishin grumbulluar aty afër dhe që me keqardhje po shikonin skenën që po zhvillohej, me këto fjalë: “Ju mos u mërzitni hiç o vellezër kolonjarë, se ne një ditë do të kthehemi këtu, por edhe në mos u kthefshim, po ju paralajmëroi se ju, në mos herët, vonë, keni për të parë që në këtë shtyllë që sot po qëndron flamuri i huaj, të valvitet flamuri kuq e zi i Skënderbeut! Në atë çast, oficeri që komandonte forcën shoqëruese, me një “marsh” të ashpër urdhëroi nisjen e tyre. Mbasi qëndruan një natë në burgun e Korçës, dhe 3-4 net në stacionet e rrugës, arritën në Follorinë, dhe s’andejmi në Selanik. Atje i rrasnë në burgun politik, ku mbasi mbetën disa muaj pa i pyetur dhe pa i gjykuar, duke përfituar nga një “amnisti” që bëri qeveria greke, i liruan në muajin dhjetor të ‘913-ës. Mirpo vuajtjet e tyre ende nuk kishin mbaruar, sepse ç’posa që u kthyen në Ersekë, pa i lënë që të shkonin nëpër shtëpitë dhe të shihnin familjet, përsëri i arrestuan.
Mbas dy ditësh, së bashku me një grup patriotësh të tjerë kolonjarë që i patën burgosur ato ditë, i nisnë për në Janinë. Prej Erseke gjer në Leskovik, në forcën përcjellse të tyre, mbasi ndodheshin edhe andarë (komitë grekë), u bënë objekt i torturave më çnjerëzore. Pas tre katër ditësh arritën në Janinë, ku mbetën përpara një surprize aspak të imagjinuar. Sapo patën arritur në komandën e Garnizonit ku i patën shtënë në gjendje arresti, u vajti atje Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Greke (t’ Epirit siç e quanin ata), Gjenerali Papullasi, i cili pasi i përshëndeti me xhentilesë u çfaqi keqardhjen e tij e të Qeverisë për masën e padrejtë që kishin marrë autoritetet lokale të Kolonjës dhe u tha: “Mbasi të shpërndahesh turma e popullit që për kuriozitet i kish ndjekur duke kaluar nëpër rrugët e qytetit, ju do të liheni fare të lirë. Mbasi u ngrys dita dhe turma u shpërnda, të ndarë dy e nga dy i shpunë në Pallatin e Guvernatorit. Ky i fundit e priti grupin në zyrën e tij dhe, mbasi u vuri në dukje vështirësitë e panumërta që shihte ai në formimin e shtetit shqiptar, i la të lirë. Mbas 4-5 ditësh u kthyen në Kolonjë, me përjashtimin e Zalos që mbeti në Leskovik. Patriotët Leskoviqarë duke dyshuar për ndonjë atentat që mund t’i bëhesh atij prej grekëve që e urrenin aq fort, e mbajtën atje gjer në vigjiljen e largimit nga Kolonja të ushtrisë greke. Populli, duke e admiruar qëndrimin patriotik dhe xhestet guximtare të Zalos, karshi grekëve, i ka pas thurrur një këngë që këndohet edhe sot në Kolonjë e ndër rrethet limitrofe të saja.
Zalo, komandon batalionin kolonjar
Pas largimit formal apo sa për sy e faqe që bëri ushtria greke prej Korçës dhe Kolonjës, forcat kombëtare t’organizuara por në numër fort të kufizuar, u nisnë në drejtim të Leskovikut për të marrë në dorzim edhe atë qëndër me protokoll zyrtar prej ushtrisë greke, (sikurse ishte marrë Korça dhe Kolonja), por ushtrija greke me t’u larguar nga Kolonja , siç dihet, adaptoj uniformën e të ashtuquajturës “autonomi Epiriote”, dhe sulmoj forcat shqiptare që qenë drejtuar për në Leskovik. Kështu filloi lufta me grekërit. Populli i Kolonjës me t’u informuar për këtë tradhti e poshtërsi të grekërve, u ngrit pothuaj i tëri në këmbë dhe rrëmbeu ato pak armë që pati mundur t’i fshihte nga grekërit dhe u derdh për t’i bërë ballë rrezikut, që po i kërcënohesh. Zaloja qe i pari ay, që me far e fisin dhe me shokët e tija vrapoi të priste me plumb armikun. Ay luftoi pa rreshtur dhe heroikisht në frontin e parë që qe formuar në fillim të luftës në mes Ersekës dhe Leskovikut (front në të cilin ra dëshmor i biri i tij, Mersini), luftoi më pas në atë që u krijua në mes të Ersekës dhe Malit Qarr, edhe pse ishte tronditur nga humbja e djalit dhe dëmet mizore që i bënë grekërit duke i djegur shtëpitë dhe pasuritë modeste që kishte. Kur ay me vullnetarët e tjerë kolonjarë luftuan në frontin e dytë që u përmënd më sipër, u organizua dhe u formua batalioni i Kolonjës i përbërë prej dy kompanish. Të parën me gradën major e komandonte Zaloja dhe të dytin me gradën kapiten e komandonte dëshmori Gani Butka. Komandën e batalionit, për shkak të tarafllëkeve që ekzistonin ahere në Kolonjë, i qe ngarkuar me gradën major, Izet Zavalanit, që ishte dhe nënprefekt i Kolonjës. N’atë kohë, tamam pasi ishte formuar batalioni në fjalë, rebelët me flamurin e Turqisë po i afroheshin Pogradecit. Prandaj Prefekti i Korçës, Pandeli Evangjeli dhe ndihmësi i tij, Abdyl Ypi, duke marrë parasysh rrezikun që po i kanosesh Korçës edhe nga perëndimi, thirrën nga fronti grek Zalon dhe Ganinë, dhe u thanë se me bataljonin e tyre duhesh të niseshin për në Pogradec dhe t’i babin ballë sulmit të rebelëve. Të nesërmen bataljoni u nis dhe arritinë Pogradec.
Ditën tjetër Zaloja me kompaninë e tija, u nis dhe arrijti përtej Pogradecit ku ishin grumbulluar rebelët dhe atje filloi lufta midis të dyja palëve kundërshtare. Zaloja kur mori vesh se i pari i turmave të panumërta rebele, ishte Azis Alla prej Çermenike, doli në shesh dhe e ftoi atë që të dilte nga istikami e të luftonin shesh për shesh me njëri tjetrin. Edhe Azisi, të cilin propaganda nënë maskën e fesë e kishte hedhur në anën e tradhëtisë, si trim që ishte nuk hezitoi të dilte nga istikami dhe menjehere filloi dyeli në mes tyre i cili përfundoi me mbetjen të vrarë që të dyve. Edhe mbas vrasjes së Zalos, burrat dhe djemtë e Kolonjës që ishin efektiv i atij bataljoni, luftuan heroikisht dukem lënë në mes tyre shumë të vrarë e të plagosur. Siç dihet edhe komandanti i kompanisë së dytë, Gani Butka, pas shpartallimit të bataljonit për shkak të mungesës së municionit e ndaj forcës së pallogaritshme të rebelëve, ra dëshmor në mes të qytetit të Pogradecit. Zalos dhe shokëve të tjerë që ranë dëshmor në atë luftë, populli në shenjë mirënjohje u ka ngritur në Pogradec një monument 25 vjet më parë. N’atë monument (vepër e skulptorit Odhise Paskali), duke filluar nga Zaloja, kanë qenë shënuar të gjithë emrat e dëshmorëve të asaj lufte, por mbasi nuk ishin gdhendur në dërrasën e gurtë, me kalimin e kohës janë zhdukur. Edhe sot në këtë ditë të gjallë në Kolonjë mjaft burra nga ata që kanë pas luftuar së bashku me Zalon kundër grekërve e rebelëve, dhe prej atyre që kanë pas asistuar në rezistencën e tij sa patriotike aq dhe guximtare, si kundër Turqve ashtu dhe kundër Grekërve. Nga burrat në fjalë, ka që ndodhen edhe sot këtu në Tiranë, si Imzot Paisi Vodica, Kryetari i Kishës Orthodokse, Taullah Dume (i ati i gjeneral Petrit Dumes), Tako Selenica e të tjerë.
Mersin Prodani u prit me shumë nderime nga Hidri i Misirit
(Takimi i babait të Zalos, me Shahun e Egjyptit)
Në kujtimet e tija të shkruara në vitin 1961, kur ishte në moshën 75-vjeçare, krahas historisë së patriotit të famshëm Zalo Prodani, i cili mbeti i vrarë në vitin 1914 teksa luftonte në krye të një batalioni kolonjarësh kundër forcave rebele që po marshonin në drejtim të Korçës, Zejnel Prodani ka shkruar edhe për babane e Zalos, Mersinin, i cili sipas tij, ka qenë jo pak i njohur nmë ato anë. Në ato shënime, midis të tjerash ai ka shkruar: “Mersini ka qenë një pasonjës i sektit bektashian dhe si i tillë nuk kishte munguar të bënte pelegrinazhe ndër vendet e shenjta të Arabisë. Dikur ay pati shkuar edhe në Egjypt. Në një takim të tijin me Shahun (Hidrin e Misirit), këtij i pati bërë një pyetje të tillë: “S’i mund të shpjegohet fakti, o i nderuar Shah, që një shqiptar i vetëm (Aluzion për Muhamet Alinë), vjen nga Shqipëria këtu, shpëton Felahët nga zgjedha Turke, kurse në Shqipëri, të gjithë ne shqiptarët nuk po shporrim nga qafa atë zgjedhë të mallkuar?” Kësaj pyetja të tija, Shahu i qe përgjigjur kështu: “Unë kujtoj se shkaku i kësaj fatkeqësije duhet të jetë mungesa e bashkimit midis jush, duke shtuar, se që mund të shpëtoni edhe juve, duhet të bashkoheni me njëri tjetrin dhe të veproni. Prej meje,- shtoi Shahu, – do të keni çdo përkrahje që të jetë e mundur t’u bëj”.
Më në fund, Shahu çfaqi dëshirën që t’i falte Mersinit një kalë, po ky, duke falënderuar iu përgjigj: “Të atillë kalë që më duhet, o Shahu im, ju nuk besoj që të kini”. Shahu i tha se ai dispononte kuaj nga racat më të zgjedhura të botës, pra mund të shkonte vetë në stallat dhe te zgjidhte e të merrte atë që do t’i pëlqente. Mirpo Mersini e kish gjetkë hallin: I tha Shahut, se ay donte një kalë që t’i vinte te porta kur donte t’i hipte dhe kur t’i zbriste, të mos mendonte më për të. Ishte fjala për ushqimin, shërbimin e të tjera që kërkonin shpenzime. Shahu qeshi kur dëgjoj këto fjalë dhe i tha: “Ke të drejtë, të atillë kalë që kërkon ti, le unë që nuk kam, por as që mund të gjendet në ndonjë vend të botës”. Motivi i kësaj kërkese absurde të Mersinit, ishte gjendja ekonomike e tija; sikurse i biri (Zaloja), edhe ay nuk dispononte veçse një pasuri fare modeste, pa prona dhe çifligje. Dhe tash plaku 75-vjeçar që bëri këtë përshkrim, përfiton nga rasti t’u kujtojë atyre brezave të rinj të popullit t’onë, që mund të lexojë këtë apologji, fryt i një pënde të plakur dhe ndoshta dekadente, se atëhere (65-70) vjet më parë, kur Zaloja e të tjerë patriotë, përpiqeshin dhe luftonin për mëkëmbjen e përhapjes së idesë së shenjtë kombëtare, prapambetja e popullit tonë (peshqesh i zgjedhjes shekullore Turke) arrinte sa që herë herë shqiptari me shqiptarin vritesh për një keç a për një kapërxim të kufisë së gardhit të kopshtit, ose i shkelte tjetri shkopin e ramazanit, e jo për çështje kombëtare.