Kosova të mahnitë me bukuritë e saj natyrore.Në këtë vend pyjet, bjeshkët lëndinat dhe ujrat e bollshëm e të pastër si kristali qëndrojnë në harmoni të përkryer me njëri tjetrin.Eshtë më se e vërtetë se në Kosovë ëmbëlsia e mjaltit dhe aroma e frutave është e veçantë, ashtu siç janë të veçanta për nga shija edhe llojet e bulmetrave apo perimet e kopshtijeve, që nuk mungojnë në ushqimin e përditshëm të çdo familjeje. Po aq të famshme për shijen dhe aromën e tyre janë edhe llojet e bukëve dhe të simiteve,apo samunave si u thonë në Kosovë, të gatuar qoftë nga mjeshtrat bukëpjekës nëpër dyqane apo nga amvisat në çdo shtëpi.
Por edhe më shumë Kosova të tërtheq me historinë e kultures dhe përgjithësisht të qytetërimit të saj, gjë që e dëshmojnë materialet e shumta e të pasura arkeologjike, kultura e begatë materiale e shpirtërore, monumentet e ndryshëm arkitektonikë të ruajtur dhe të trashëguar deri në ditët tona.
Si tërësi gjeografike, Kosova kufizohet me Shqipërinë në pjesën Perendimore, në Veri – Perendim me Malin e Zi, në anën Veriore me Serbinë dhe në Lindje me Maqedoninë.
Në vështrim të përgjithshëm etnografik ajo ndahet në dy krahina të mëdha, njera njihet me emërtimin Rrafshi i Dukagjinit, ndërsa tjetra quhet Rrafshi i Kosovës ose Fushë Kosovë.Krahas tyre, janë mjaft të përmendura për veçoritë e tyre etnografike edhe dy krahina të tjera më të vogla si ajo e Drenicës, e vendosur midis dy Rrafsheve dhe ajo e Moravës që ndodhet midis Kosovës dhe krahinës shqiptare të Preshevës në Serbinë Jugore.
Të gjitha këto krahina përbëhen nga njësi të tjera, më të vogla, të cilat dallojnë nga njera tjetra përsa i përket elementëve etnografikë dhe atyre gjuhësorë.Ndër elementët etnografikë, veshjet konsiderohen më të rëndësishmet. Në mënyrë të veçantë veshjet e grave përmbajnë më shumë elementë dallues, të cilët ndikojnë në përcaktimin e kufijve të krahinave etnografike apo dhe të njësive më të vogla si p. sh.Gora apo Opoja. Vec të tjerash element mjaft i përfillshëm në përcaktimin e kufijve midis tyre është edhe ngjyra e mbështjellsës së grave ( e quajtur fustanellë), e cila në fshatrat e Opojës është me ngjyrë të bardhë, ndërsa në ato të Gorës me ngjyrë të kuqe.
Krahasuar me veshjet e grave, ato të burrave për arsye që dihen, paraqiten më të unifikuara. Ekzistojnë dallime të vogla në formën e kapuçit apo në modelin e prerjes së tirqëve si dhe në formën e opingave etj Kësisoj mjaftojnë këto ndryshime për të kuptuar se të ardhurit në një mjedis festiv apo në një ceremoni tjetër jetësore, janë banorë nga fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit apo nga ato të Fushë Kosovës.
*************
Përgjithësisht në Kosovë deri në vitet ’30- ’40 të shekullit 20, veshjet popullore ishin ende në përdorim në pjesën më të madhe të popullsisë fshatare e pjesërisht edhe të asaj qytetare.Ndërsa pas viteve ’50-60 të këtij shekulli, brezi i ri filloi të shfaq prirjen për t’i zëvëndësuar ato me veshje të tjera, të përshtatura, kurse në qytete vendin e tyre prej kohësh e kishin zënë veshjet e modës europiane.
Megjithatë, për arsye dhe rrethana të ndryshme, deri në vitet ’80,jo rrallë në ditë pazari, por edhe në ditë të zakonshme, në rrugët e qyteteve të Kosovës mund të shikoje njerëz të veshur me kostumin tradicional të fshatit të tyre, sidomos persona të moshuar, të cilët në të shumtën e herës i mbanin për forcë tradite.Ndërkohë një kategori e caktuar burrash edhe pse të veshur me veshjet e kohës, me tendencë për t’u identifikuar si shqiptarë, vazhduan të mbajnë në kokë plisin e bardhë edhe kur udhëtonin drejt Europës apo Australisë së largët. Ndërsa në ditët e sotme ai e ka tejkaluar rolin identifikues dhe është kthyer në simbol memorizues.
E vërteta është se në Kosovë qoftë për t’u përdorur në festa familjare dhe në jetën artistike e kulturore apo dhe të ruajtura në fondet muzeale,vazhdon të ekzistoj një pasuri e konsiderueshme kostumesh popullore.
Bukuria dhe shumëllojshmëria e tyre përveç ndjesive estetike, na jep informacion të gjithanshëm midis të cilëve edhe mesazhe qytetërimesh të hershëm e të mëvonshëm.Janë pikërisht pjesët përbërëse të veshjeve të ndryshme që na japin mundësi të informohemi për zhvillimin ekonomik, historik, shoqëror e kulturor të krahinave fshatare dhe të qyteteve të Kosovës në periudha të ndryshme të zhvillimit historik të saj.
Njëkohësisht vlerat artisike që ato përmbajnë na japin mundësi të njihemi edhe me sqimën e shqiptarëve, për t’u paraqitur sa më bukur e me dinjitet para të tjerëve, pavarësisht se cilit grup shoqëror i përkasin..E vërtetojnë edhe më mirë këtë gjë edhe llojet e stolive që shoqëronin kostumet e njërës apo tjetrës krahinë.Të gjitha së bashku janë dëshmi e pa kontestueshme e nivelit të qytetërimit dhe e kulturës së jetesës në qytetet dhe në fshatrat e krahinave të ndryshme shqiptare në Kosovë.
Ndërkohë nëpërmjet disa pjesëve të veshjeve qytetare dhe atyre fshatare, informohemi jo vetëm për nivelin e zhvillimin e ekonomisë vendase,por edhe për orientimin e saj tregtar si dhe për komunikimet e lidhjet e ndryshme kulturore me vendet e tjerë lindorë e perendimorë.Gjithashtu nëpërmjet veshjeve njihemi edhe me preferencat artistike të banorëve të krahinave të ndryshme si dhe me aftësitë krijuese të atyre që i kanë ideuar, modeluar dhe realizuar stolisjen e tyre.
Teksa sheh pëlhurat e pambukta, ato të leshta, apo ato prej mëndafshi,llojet e teknikave të punimeve me grep e me gjilpërë, të realizuara nga gratë e krahinave të ndryshme fshatare,mahnitesh e befasohesh nga intuita e tyre artistike.
Ndërsa në qytete veshjet nuk punoheshin vetëm brenda kuadrit të ekonomisë familjare( ashtu siç punoheshin nëpër fshatra), por edhe nga zejtarët e specializuar në qendrat më të njohura të Perandorisë, të cilët punonin me porosi dhe me materiale industriale të ardhur nga tregjet e vendeve lindore e perendimore.
Veçanërisht tejet luksoze ishin materialet e përdorura për veshjet e shtresave të pasura, sidomos ato të qytetit të Prizrenit, të Pejës, Gjakovës, të Mitrovicës, Prishtinës etj. Historikisht këto qytete patën njohur zhvillim të vrullshëm shoqëror,ekonomik, zejtar, tregtar, urbanistik e kulturor, madje u bënë të njohur për prodhimet e tyre edhe në vendet e tjera ballkanike e më gjërë.
Në këto qytete,sidomos në Prizren, prej kohësh ishte krijuar një kategori e atillë shoqërore, e cila përpiqej të imitonte në çdo aspekt mënyrën e jetesës së metropolit të perandorisë.
Për këtë arsye veshjet e tyre ngjajnë gati mbretërore për nga eleganca e stilimit dhe skemat e pasura kompozicionale të përdorura për zbukurimin e tyre. Sigurisht këtyre kërkesave mund t’u përgjigjeshin vetëm mjeshtra rrobaqepës, qëndistarë dhe argjendarë shumë të specializuar, fama e të cilëve i kishte kaluar kufijtë e Kosovës. Aftësitë e tyre krijuese arritën kulmin sidomos në llojet e xhybeve dhe jelekëve të përdorur në raste ceremonish e festash të ndryshme familjare,të cilat edhe sot vazhdojnë të konsiderohen si kryevepra të artit popullor shqiptar në Kosovë. Të gjitha ishin të zbukuruara me fije ari dhe tejet të pasura me skema kompozicionale nga më të ndryshmet. Të pa përsëritshme në elegancën e tyre ishin dhe xhybet treçerekëshe të grave, të bëra me cohë ngjyrë vishnje e të zbukuruara me fije gajtanësh prej pambuku, me ngjyrë të zezë ose blu. Po aq luksoze ishin dhe llojet e stolive prej argjendi të punuara në përshtatje me shijet e popullsisë qytetare dhe asaj fshatare.
Pikërisht për këto vlera kulturore e artistike dhe me qëllim që ato t’i bëhen të njohura një publiku sa më të gjërë si dhe në shenjë nderimi e mirënjohje ndaj trashëgimisë kulturore të popullit kosovarë, muarëm përsipër përgatitjen e këtij vëllimi ilustrativ shkencor, titulluar “Veshjet popullore shqiptare në Kosovë”.Vlen të theksojmë se ky botim është pjesë e një projekti strategjik në përmasat e një korpusi me pesë vëllime, i quajtur “Veshje popullore shqiptare”.Katër vëllimet e përgatitura tashmë, përmbajnë veshje të krahinave të ndryshme brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë.Ndërsa ky vëllim është i pesti në radhë.
Vlen të theksojmë faktin se gjurmimi, fotografimi dhe përgatitjet për botim, janë mbështetur financiarisht nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë (të cilën e falenderojmë), në kuadrin e një marëveshje për bashkëpunim midis asaj dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në vitet 2001-2002 dhe 2003- 2004.
**********
Studime të suksesshme për veshjet popullore në Kosovë janë bërë edhe më parë nga studiuesit e mirënjohur Akademik Mark Krasniqi, nga Prof. Drita Statovci etj.Por një botim i këtij lloji bëhet për herë të parë.Në këtë vëllim, i cili përmban jo vetëm veshjet shqiptare brenda kufijve shtetëror të Kosovës,por edhe ato të luginës së Preshevës së Medvegjës(në Serbinë Jugore), janë bashkuar kërkimet në terren dhe përvoja e studiuesve etnologë Prof. Dr. Afërdita Onuzi(Tiranë) dhe Dr. Ukë Xhema (Prishtinë),kontributi i fotografit të specializuar e të mirënjohur z.Nikolin Baba si dhe puna ndihmës shkencore e z. Gjergj Martini dhe e shoferit z. Hysen Salihaj, të gjithë punonjës pranë ish Institutit të Kulturës Popullore, në A SH të Shqipërisë.
Paraprakisht është bërë një punë gjurmuese dhe e hollësishme në terren dhe më pas është kryer fotografimi. Veshjet e përcaktuara sipas përhapjes së tyre, në rastet kur mungonin,veçanërisht ato të periudhave më të hershme, janë plotësuar me materiale që ruhen në fondet muzeale të ish I.K.P. në Shqipëri dhe të Muzeut të Kosovës.Eshtë patur në vëmendje që kostumet të jenë të grup moshave dhe profesioneve të ndryshëm dhe që fotografimi të bëhet në mjediset përkatëse të çdo krahine duke kryer proçese të ndryshme pune.
Por, le të njihemi më konkretisht me tipet dhe variantet e veshjeve të përdorura në krahinat apo njësitë e ndryshme etnografike të Kosovës.
Në pamje të parë të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një shumëllojshmëri veshjesh, sidomos të atyre për gra.Në fakt ato janë vetëm variante, por të shumtë në numur dhe që klasifikohen në tre tipe kryesore veshjesh për gra dhe një tip për burra.
Përsa i përket veshjes së burrave, të gjithë variantet i përkasin tipit të quajtur “me tirq”.
Sipas burimeve të shkruara dhe atyre gojore ashtu si në Shqipëri edhe në Kosovë deri në fillim të shek. 20 krahas kësaj veshje( ndonëse në raste të rralla), ende shihej nëpër qytetet,në tubime të rëndësishëm, ndonjë burrë i shtresave të pasura, i veshur me fustanellë të gjatë, e ngjashme me atë që përdorej në qytetet e Shqipërisë Veriore.Pas kësaj periudhe ajo doli plotësisht nga përdorimi duke mbetur vetëm në kujtesën e ndokuj apo si një kujtim i fiksuar në ndonjë fotografi.Që nga kjo kohë veshje mbizotëruese në të gjithë fshatrat e Kosovës mbeti ajo me tirq, të cilën vendasit e quajnë”veshë e moçme”.
Në të shumtën e rasteve përdoreshin tirqit e bërë me shajak të bardhë, të zbukuruar me gajtanë me ngjyrë të zezë sasia e të cilëve varionte nga 6 deri në 12 ose18 fije, varësisht nga statusi social i bartësit. Për veshje pune apo për veshjen e kaçakëve është përdorur edhe shajak i bërë me leshin e deles së zezë,(është fjala për tirqit e quajtur“të galëm”).
Përgjithësisht si model pëlqehej ai me prerje të ngushtë e me xhepa , ndërsa në fshatrat e krahinës së Opojës dhe të Gorës, më shumë modelin me prerje të gjërë dhe pa “shkeka”(xhepa).
Pjesët e tjera që plotësonin veshjen e burrave ishin këmisha prej pëlhure, e bërë në avlemend shtëpiak, xhamadani pa mëngë dhe mitani me mëngë të gjata,gjithashtu prej shajaku të bardhë e të zbukuruar me gajtanë me ngjyrë të zezë.
Në veshjet ceremoniale përdoreshin xhamadanë dhe mintanë prej cohe, të qëndisur me gajtanë prej ari ose prej mëndafshi, shoqëruar me sumbulla dekorative, të bëra me fije gajtanësh.Në stinët e ftohta vishnin edhe një si xhaketë (herkë) prej shajaku, me mëngë të shkurta dhe jakë marinari, që shërbente edhe si kapuç për t’u mbrojtur nga era.
Për udhëtime më të largëta në dimër,sidomos në fshatrat e Rugovës barinjtë përdornin një lloj pelerine (e quajtur japanxhë), e bërë me shajak të bardhë, zbukuruar me gajtana të zi prej leshi.
Ndërsa blektorët në Opojë dhe në Gorë gjatë stinës së dimrit vishnin edhe një gëzof (gozhuf) të bërë me lëkurë delesh. Në cdo rast burrat në bel ngjishnin brezin(shokën), e cila endej në avlemend me katër lisa, me fije leshi, pambuku ose prej mëndafshi.
Brezi i mëndafshtë njihej ndryshe dhe “shall lahore”. Banorët vendas e përshkruajnë aq të hollë, sa mund të përshkohej në unazë .Në këmbë mbathnin çorape leshi dhe opinga “me dredha”,të bëra me lëkurë bualli ose kau,ndërsa dredhat që krijonin rrjetën në pjesën e sipërme, bëheshin me rripa prej lëkurë deleje.Krahas këtyre (që njihen edhe si modeli vendas),janë përdorur dhe të një lloji tjetër, të quajtura “ apanga gogisht”.
Por pjesa më interesante në veshjen e burrave dhe që konsiderohet si simboli më identifikues, është qeleshja, e njohur gjithandej me termin “plis”.
Në të shumtën e krahinave është mbajtur plis me formë gjysëm sferike dhe majë të rrumbullaktë, përvec fshatrave të Opojës dhe të Gorës, të cilët tradicionalisht e kanë mbajtur me formë rrashatake e njëjtë me atë të burrave të krahinës së Lumës.Në Rugovë në stinët e ngrohta përreth plisit lidhej një shall i bardhë, i cili duke kaluar rreth kokës në drejtim vertikal mbulonte edhe pjesën e veshëve, duke krijuar atë portret origjinal të banorëve të Rugovës
Edhe në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit plisi rrethohej me shall, veçse ai ishte më i ngushtë dhe më i shkurtë dhe i zbukuruar me breza disa ngjyrësh.Në fshatrat e Gorës dhe të Opojës rolin e këtij shalli e luante një shami e zbukuruar me lule dhe ngjyra të shumta.
Materiali me të cilin bëheshin pjesët e kostumit ndryshonte varësisht nga rasti kur përdorej. Përgjithësisht për veshjen e përditshme përdorej material i përgatitur brenda ekonomisë familjare,(i endur nga gratë e shtëpisë) dhe qepur nga mjeshtrat ambulantë(burra).Ndërsa llojet e jelekëve dhe të mintanëve si dhe stolitë e ndryshme,punoheshin nga rrobaqepësit profesionistë nëpër qytete.Eshtë rasti të përmendim se edhe veshjet e burrave shoqëroheshin me stolitë përkatëse.Veçanërisht burrat e fsharave të Rugovës dhe ato të Rrafshit të Dukagjinit(kryesisht rrethinat e Pejës,Gjakovës e Prizrenit) kanë përdorur lloje qostekësh me kokrra,orë xhepi me zinxhir si dhe lloje unazash stolisur me gurë shumëngjyrësh.
Përsa i përket veshjes së grave, ato paraqiten shumë më të larmishme e më të pasura në lloje e variante, të cilët grupohen në këto tre tipe kryesorë:a- veshja me këmishë të gjatë dhe dy futa, (të quajtura nga vendasit mbshtjellakë).Kjo veshje ka qenë e përhapur më shumë në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit në Rugovë, në Has, në Drenicë si dhe në luginën e Preshevës, b- veshja me mbështjellsë(fustanellë), e përhapur në fshatrat e Opojës( me ngjyrë të bardhë) dhe në ato të Gorës (në variantin me ngjyrë të kuqe),c- veshja me dimi,që ndonse është shfaqur vonë në arealin etnokulturor shqiptar, gjeti përdorim të gjërë për shkak të disa rrethanave social-kulturore, por edhe për prakticitetin e saj, kryesisht në Rrafshin e Kosovës, në krahinën e Karadakut, të Gollakut si dhe në Shalën e Bajgorës.Në qytete ky tip veshje është njohur më herët, ndërsa në fshatra ajo filloi të bëhet veshje e modës pas luftës së parë botërore.
Nga këto tipe më i pasur në variante dhe në vlera artistike paraqitet ai “me këmishë dhe dy futa”, i cili në njësi të ndryshme etnografike të Rrafshit të Dukagjinit, paraqitet mjaft i larmishëm.
Një variant më vehte paraqet ai që njihet “veshja e Rekës”, e përhapur më shumë në fshatrat e Rugovës. Kjo veshje përbëhet nga një këmishë dy pjesëshe, fundi shumë i gjërë dhe i gjatë deri nën gjunj, bluza me mëngë të gjëra një brez i ngushtë, dy futa me formë trapezi(e përparmja më e madhe e pasmja më e vogël), të quajtura “kanaca”,corapet e gjatë deri në gjunj,opingat me rrjetë(me përkresa) dhe në kokë një shami me lule shumëngjyrëshe.
Por pjesa më interesante e kësaj veshje është një lloj jeleku (i njohur nga vendasit me termin krahca),forma e të cilit krijohet nga bashkimi i dy rripave (të thurur me grep), të cilët krijojnë formën e numurit tetë.Ndërsa pjesët më të zbukuruara të kësaj veshje janë dy kanacat,brezi dhe corapet në të cilët vërehen skema kompozicionale mjaft interesante, qoftë përsa i përket simbolikës së motiveve ashtu edhe sistemit të ngyrave.Yjet, dielli, insektet, gjarpëri etj. janë motivet më të pëlqyeshëm për të gjitha gratë e fshatrave të Rugovës.Ndërsa ngjyrat më të bukura për shijet e tyre janë: e verdha, ngjyra blu, e gjelbër, vjollcë etj.me të cilat krijohen lloj lloj kombinacionesh.
Nuk është për t’u habitur fakti se futat kanë të njëjtën formë me ato që janë pjesë përbërëse të veshjes me xhubletë të shkurtë,apo se pëlqehen të njëjtat ngjyra e motive me të cilat zbukurohen ato. Sipas të dhënave gojore rezulton se deri në fund të shek. 19 në fshatrat e kësaj njësie etnografike është përdorur gjërësisht veshja me xhubletë.Në mbështetje të këtij fakti dëshmon edhe prania e dy futave, që sic dihet janë pjesë shoqëruese të veshjes me xhubletë të shkurtë (si ajo e krahinës së Dukagjinit në Shqipërinë Veriore).Më pas, më shumë për prakticitet, vendin e kësaj veshje e zuri këmisha e gjërë me shumë kinda, e cila gjithsesi ruan edhe këto elementë të veshjes së mëparshme.
Një tjetër variant përbën veshja e quajtur “me lidhcë e mahramë”, e përhapur më shumë në fshatrat e zonave të ulta të Rrafshit të Dukagjinit.
Në fakt kjo veshje( futat e së cilës quhen “mshtjellakë”), identifikohet më shumë me frizurën e krijuar nga mënyra e lidhjes së kokës me dy shalla,pikërisht ato të quajtur”lidhcë e mahramë”, të endur në avlëmend, të cilët kalojnëputhitur pas kokës në drejtim horizontal dhe vertikal, duke i mbështjellur flokët plotësisht.Mjaft e spikatur në këtë veshje është edhe këmisha, e cila bëhej prej pëlhure pambuku të endur në avlemend, e zbukuruar (gjatë procesit të endjes) me vija ngjyrë bezhë(me t’kuq) ose kafe(me t’zi t’arrës), varësisht nga mosha e bartësit.
Por atë e bëjnë edhe më të vecantë zbukurimet e realizuara në të dy anët e grykës,të cilat sipas shijeve tradicionale kompozohen në linjë asimetrike, ashtu sic veprohet dhe me motivet që zbukurojnë mbështjellakët dhe corapet e gjatë.
Në të gjitha rastet harmonizohen mjaft bukur zbukurimet e bëra gjatë procesit të endjes me punimet e realizura me grep si dhe kompozimet e ngjyrave, të cilat qëndrojnë aq guximshëm pranë njera tjetrës. Dhe si zakonisht ngjyrat më të preferuara janë: vishnje e errët, e zezë, e verdhë dhe ajo e gjelbër.
Variantin më të pasur në elementë dhe në kolorit e përbën veshja e quajtur “me kullan”ose ”me rreth”, e përhapur kryesisht në fshatrat e Hasit të Prizrenit.Pa mëdyshje mund të themi se kjo veshje përmban vlerat më të spikatura të artit popullor fshatar në Kosovë.Janë të jashtëzakonshme për nga kombinimet skemat kompozicionale të motiveve dhe ngjyrave të shumta,të përdorura për zbukurimin e pjesëvë të saj ashtu sic janë dhe realizimet teknike të pëlhurave si dhe të qëndisjeve, pëefshirë dhe ato me rruaza.
Por elementi që tërheq vemendjen më shumë dhe që i ka dhënë emrin kësaj veshje, është një lloj brezi voluminoz, i modeluar si një këllëf i mbushur.Në një variant tjetër ai zëvendësohej me një rrip dërrase rreth katër gisht i gjërë, i cili vendosej në pjesën e pasme të belit.Gjatësia e tij duhej të ishte sa gjërësia e shpatullave.
Sic dihet fshatrat e Hasit janë populluar nga banorë të dy besimeve, katolikë dhe myslimanë.Megjithatë të dy palët kanë mbajtur të njëjtën veshje,vec faktit se gratë e besimit mysliman mbanin brez dërrase ndërsa katoliket e mbanin në formë rrethi. Shumë i vecantë është edhe një lloj fundi i quajtur”fistan”, i bërë me pëlhurë pambuku, të endur në avlëmend dhe që në variantin më të thjeshtë qepej me 40 kinda.Në cdo rast ky fund shoqërohej me një bluzë të shkurtë me mëngë të gjëra, e cila zbukurohej në pjesën e gjoksit dhe tek mëngët, me qendisje të bëra me rruaza.Kulmi i dekoracionit arrinte në dy futat e gjëra dhe të gjata, të cilat e mbulonin fustanin pothuajse plotësisht. Me të njëjtin intensitet ngjyrash e motivesh paraqiten të zbukuruara edhe mahramat (mbulojet) e kokës, vecse të realizuara teknikisht ndryshe. Por edhe më interesante paraqitet frizura e këtyre grave, qoftë mënyra e krehjes së flokëve, me cullufe të prera tek veshët, ashtu edhe lidhja e mbulojës së kokës.Një model i këtillë gati na kujton personazhet e pikturave murale të periudhës mesjetare,vecanërisht shalli i lidhur mbi ballë në formën e një diademe, i cili ditën e dasmës shoqërohej me një si kapele në formë trekëndëshi, e zbukuruar me rruaza dhe monedha që vareshin deri mbi ballë..
Pjesë e pa ndarë e veshjeve që përmendëm më lart ishin edhe llojet e stolive,sidomos ato që përdoreshin në raste ceremonish gazmore. Më tipiket ishin vargjet e zinxhirëve të shoqëruar me monedha argjendi(paret e goksit), që vareshin në qafë, llojet e unazave me gurë xhami si dhe një varg zbukurimesh të tjera që bëheshin me rruaza, të cilët në të shumtën e rasteve përdoreshin për të zbukuruar gërshetat e flokëve.
Një variant tjetër, më vehte, ishte veshja e Drenicës.Ajo përbëhej nga këmisha e gjatë dhe e gjërë,e bërë me pëlhurë “vendi”(e endur në avlëmend), e cila gjatë procesit të endjes zbukurohej “me gurra”( me breza) ngjyrë bezhë dhe kafe.Këmisha e kësaj veshje është e pakrahasueshm për zbukurimet e realizuara në pjesën e gjoksit. Motivet stilizohen në mënyrë të atillë, që më shumë ngjajnë me stolitë e qafës. Mbi këmishë visheshin dy” pshtjellakët”(futat),i përparmi më i madh ndërsa i pasmi jo vetëm që është më i vogël por edhe i përbërë nga një numur i shumtë palëzash dhe vec kësaj në zbukurimin e tij bie në sy ngjyra e kuqe.Përdorin të njëjtin jelek si ai që mbajnë gratë e Rugovës,ndërsa corapet e grave të Drenicës janë tepër të njohur për modelet e tyre origjinal, të cilët krijohen nga kompozimet me shumë motive dhe ngjyra lloj-llojesh, të cilët mbulojnë gjithë sipërfaqen.Si në të gjitha krahinat e tjera edhe këtu tradicionalisht janë mbajtur opinga me përkresa,të thurura me fije dy-tre ngjyrëshe.
Tipi i veshjes “me mbështjellsë”, që në popull njihet “veshë me fustanellë”, është përdorur vetëm në fshatrat e Opojës dhe të Gorës.E merrte këtë emër nisur nga një lloj fundi me rudha, i hapur në njërën anë, i cili bëhej me pëlhurë leshi me ngjyrë të kuqe(në Gorë) ose prej pambuku me ngjyrë të bardhë(në Opojë).Ndërsa pjesët e tjera përbërëse, në përgjithësi ishin të ngjashme në mënyrën e stilimit, por të ndryshme në ngjyra dhe në llojet e motiveve të përzgjedhura.
Elementë të tjerë përbërës të kësaj veshje ishin tlinat me këmbëza, mëngët e punuara me grep, jeleku “me sumlla”i qendisur nga mjeshtrat e qytetit të Prizrenit,xhybja e zezë pa mëngë, e gjatë deri në kërdhokla si dhe shamia e kokës, e cila në Opojë pëlqehet me ngjyrë të verdhë dhe në Gorë e kuqe.
Mbas viteve ’70 të shek. 20 në fshatrat e Opojës krahas kësaj veshje filloi të gjejë terren gjithnjë e më shumë edhe ajo me dimi të gjëra prej mëndafshi artificial(për raste ceremoniale)ose prej pambuku, shoqëruar në cdo rast me përparje të leshtë ose prej pambuku, endur në avlëmend dhe e zbukuruar sipas modeleve që përdornin gratë e qytetit të PrizrenitNdërsa në ditët e sotme ajo është bërë pothuajse veshje mbizotëruese pothuajse në të gjithë fshatrat e kësaj krahine. Përhapje më masive gjeti veshja me dimi në fshatrat dhe qendrat e tjera të banuara të Rrafshit të Kosovës, madje duke e zëvëndësuar plotësisht veshjen e mëparshme tradicionale, e cila sipas dëshmive gojore, përbënte një variant të veshjes me këmishë të gjatë dhe dy futa (si ajo e Drenicës) Sipas të dhënave gojore procesi i zëvendësimit është kryer në dy etapa: e para ka ndodhur në vitet 20-30 të shekullit 20 dhe e dyta diku mbas luftës së dytë botërore.Veçanërisht etapa e dytë ka qenë më vendimtare në këtë proces, mbasi në këtë zonë ndodhën shumë ndryshime sociale, ekonomike dhe kulturore që e favorizuan këtë dukuri. Pikërisht në këtë zonë ishin përqëndruar qendrat industriale dhe minerare ku u angazhuan puntorë të shumtë, të ardhur nga fshatra të ndryshëm. Shkëputja nga mjedisi tradicional krahas zhvillimeve të tjera, solli ndryshime edhe në veshje duke e bërë atë më praktike në krasim me veshjen e mëparshme.
Në formën më tipike veshja me dimi arriti të ruhet në qytetet Prizren, Pejë Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë etj.. Edhe pse prej kohësh ajo nuk përdorej si veshje e përditshme, në raste ceremonishë apo festash të ndryshme familjare nuset e cdo shtëpie për forcë tradite, vazhdonin të visheshin me dimi(dimija) mëndafshi natyral ose artificial, të qepura me 12-14m. pëlhurë, me këmishë mëndafshi të zbukuruar me oje, jelek dhe mëngore të qendisura me fije ari, brez argjendi “fishekli”,pandofla të qendisura me fije mëndafshi. Ndërsa nuset e reja në kokë vinin fesin e zbukuruar me monedha të vogla ari.Në të shumtën e herës veshja e kësaj kategorie, trashëgohej nga brezi në brez ,vecanërisht në familjet që donin të ruanin imazhin e derës së mirë.
Me një pamje krejt tjetër na shfaqet veshja me dimi në fshatrat shqiptarë të luginës së Preshevës, vecanërisht veshja e nuseve të reja. E vecanta e saj së pari vërehet në modelin e prerjes së dimive, të cilat ndryshe nga modeli i zakonshëm, në pjesën e pasme të trupit stiloheshin me 133 pala të vogla (të quajtura gurra) së dyti se ato bëheshin prej pëlhure të endur në avlëmend, me fije leshi të ngjyrosura me ngjyrë të zezë .Në kontrast me këto përsa i përket intensitetit të zbukurimeve, paraqiten pjesët e tjera të këtij kostumi. Në të gjitha aspektet nuk mund të gjindet në Kosovë një veshje tjetër që të përmbaj kaq shumë zbukurime , qoftë përsa i përket ngjyrave, por edhe sasisë së motiveve të përdorur në pjesë të vecanta. Po aq të larmishëm janë dhe llojet e materialeve dhe të teknikave të aplikuara, duke përdorur njëkohësisht qëndisje të bëra me fije pambuku dhe qëndisje me rruaza (të cilat janë mbizotëruese) si dhe punime me grep e me gjilpërë,etj. etj.Të gjitha së bashku paraqiten të kombinuara në skema nga më të ndryshmet, i shohim të jenë zbatuar kryesisht në pjesët e sipërme të veshjes si:brezi me rruaza(kushaku me peshq), tre peshqirët e brezit, jeleku, këmisha me mëngë të ngushta( për krahësh), mitani me mëngë të gjata, shamia e kokës(e qëndisur me rruaza), kapuci i zbukuruar gjithashtu me rruza, i modeluar në formë kurore, rruazat e gjoksit (disa vargje). Me të njëjtin mënyrë zbukurohej edhe përparja e veshjes së nuseve (ndërsa vajzat dhe gratë e moshuara e mbanin krejtësisht të zezë).
Kjo ishte njëra nga veshjet e nuseve të reja dhe pikërisht ajo që vishej të nesërmen e ceremonisë së dasmës..Ndërsa ditën që dilte nga shtëpia e vajzërisë, vishej me këmishë të bardhë (të bërë me pëlhurë avlëmendi) dhe dy futa, të quajtura njera “përpac”(e përparmja) dhe tjetra “pshellak”(e pasmja).Pjesët e tjera ishin të njëjta me ato të veshjes me dimi. Zëvëndësimi i këmishës së bardhë, të nesërmen e ditës së dasmës, me dimitë e zeza, në mendësinë e banorëve vendas, simbolizon ritualin e kalimit të vajzës nga një status në tjetrin.
Si i pari botim i këtij lloji, ku ilustrimi është në funksion të njohjes shkencore, ai përbën një ngjarje në jetën kulturore të popullit shqiptarë në Kosovë. Vec kësaj ky botim hap rrugën e krijimit të një reference për shkencat albanologjike si dhe përbën një shenjë shprese për rikthimin e vemendjes së duhur në këtë fond të pasur e të lashtë të trashëgimisë kulturore të popullit kosovar në këtë periudhë zhvillimi dhe integrimi .
Etnografia e shquar shqiptare Prof.Dr.Afërdita Onuzi