Zylyftar Hoxha
Unikal, ndoshta nga të rrallët në botë, është rasti që armiku të nderojë dhe t’i ngrejë përmendore armikut të vetë, duke i vlerësuar qëndresën, trimërinë, guximin dhe duke i përdorur këto cilësi të larta si simbol dhe shembull frymëzimi për popullin e vetë. Kështu ka ndodhur me Abdurrahman Abdi Arnavut Pashën, me origjinë nga Peqini, që, megjithëse pushtues, komandant i ushtrisë turke, Hungaria i ngriti në vendin ku u vra, në “Buda Castle”, një përmendore respekti me një dedikim shumë të veçantë dhe impresionues: “Guvernatori i fundit i pushtimit 145-vjeçar të Buda-s, Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha. Ra në këtë vend më 2 shtator 1686, kur ishte 70 vjeç. Ai ishte një armik hero. U prehtë në paqe!”
Memoriali u ngrit shumë shekuj më vonë, në vitin 1932, nga një familjar i ndjeshëm, pasardhës i një ushtari të ushtrisë çlirimtare hungareze, të quajtur György Szabó, që kishte rënë në këtë betejë më 2 shtator 1686, po atë ditë, që kishte rënë edhe pashai me origjinë shqiptare.
Po kush ishte Pashai me famë?!…
Abdurrahman Pasha lindi më 1616 në një fshat të Peqinit. Mësimet e para i mori në Medresenë e këtij qyteti dhe më pas vazhdoi studimet e larta ushtarake në Stamboll. U edukua dhe u stërvit në në repartin Jeniçerëve. Në maj të vitit 1669 merr titullin Aga (komandanti) i jeniçerëve dhe u dërgua në betejë, në Kretë në ekspeditën ushtarake të drejtuar nga Fazil Ahmed Pasha (luftë e cila kishte filluar para 100 vitesh). U shqua aty për komandant dhe trimëri. Beteja tjetër që vuri më në dukje cilësitë e tij komanduese ishte pjesëmarrja në vitin 1672 në ekspeditën ushtarake të drejtuar nga Mehmedi i Katërt, ku iu dha titulli Pasha dhe iu dhuruan dy kuaj race nga ana e Sulltanit.

Por ky ishte vetëm fillimi i karrierës së tij. Bie në sy të Sulltanit dhe Vezirit dhe nis të emërohet në postet e larta në shërbim të perandorisë. Në vitin 1674 fitoi postin e guvernatorit në Bagdatit dhe dy vite më vonë u bë guvernator i Egjiptit. Në vitin 1681 u zgjodh në krye të belikut të Bosnjës. Po në këtë vit nga Bosnja transferohet në Kamenicë, ku do të ishte përgjegjës për mbrojtjen e zonës në urdhrat e Ibrahim Pashës.
Në vitin 1684 lirohet nga detyra dhe thirret në Stamboll. Një vit më vonë ai u emërua prefekt i Budinit në vend të Ibrahim Pashës. Ai hyri në qytet me 1200 ushtarë dhe një vit më vonë u shpall komandant i bejlikut të Budinit.
Po atë vit shkoi guvernator në Halep (Alepo). Në vitin 1686 u emërua për herë të dytë guvernator i Budës në Hungari. Në arkivat osmane, në Pallatin Topkapi gjenden disa dokumente, shkresa të shkëmbyera midis tij si komandant i Budinit dhe eprorëve të tij për gjendjen në këtë rajon.
Në vitin 1684 u emërua komandant i ushtrisë Osmane në Hungari. Shpejt u bë zot duke sunduar territoret e Hungarisë. Gëzonte respekt të madh në popull. Madje Budapesti ishte një nga qytetet e Perandorisë me status të veçantë. Me më shumë “demokraci”. Ata gëzonin tolerancë më të madhe nën osmanët në krahasim me Habsburgët.
Kronikat osmane përmendin punën e mrekullueshme administrative dhe qeverisëse të Abdurrahman Pashës në Hungari, sidomos në Budapest, ku kishte popullsi nga të gjitha kombësitë, myslimanë turq, krishterë evropianë, çifutë dhe pakica të tjera të popujve të Ballkanit. Ai kujdesej sidomos për popullsinë krishtere deri edhe të varret e tyre. Gjatë ndërtimit dhe rikonstruktimit të kështjellës tregonte sjelljen e tij të mëshirshme dhe bujare ndaj ustallarëve dhe punëtorëve. Ai kishte gjetur një gjuhë të përbashkët me popullsinë vendase, duke krijuar një periudhë mirëkuptimi të artë.
Por pikërisht në këtë kohë vjen edhe rreziku për turqit. Në vitin 1685, nga frika e kërcënimit osman, u krijua “Lidhja e Shenjtë”. “Lidhja” u ngrit me misionin për të larguar turqit nga Hungaria e cila sundohej prej tyre që prej 145 vjetësh. Me iniciativën dhe mbështetjen financiare të Papa Innocentit XI, Perandori i Shenjtë Romak, mbreti i Polonisë dhe Republika e Venedikut, dërguan 80.000 trupa në Budapest. Ushtria ishte e përbërë nga saksonën, bavarianë, brandenburgas, suedezë, holandezë, spanjollë dhe me numër më të vogël italianë, anglezë, francezë dhe gjermanë. Ata mbështeteshin edhe nga 15.000 hungarezë. Ushtritë ishin të udhëhequr nga ushtarakët më të shquar të kohës në Evropë.
Beteja e Budapestit ishte ndër më të përgjakshmet në histori. Aty u përplasën perandoritë më të mëdha të kohës. Pashai 70 vjeçar u vra në vijën e parë të frontit më 2 shtator të vitit 1686. Trupat e perandorit të Habsburgëve shkelën në muret veriore të qytetit pikërisht në këtë ditë duke i dhënë fund pushtimit 145-vjeçar të Budapestit.
Por Abdurraman Pasha nuk ishte vetëm një luftëtar dhe administrator i zoti që bëri histori, ai ishte edhe një njeri i ndjeshëm, human dhe fetar i përkushtuar. Thuhet se kudo që shkoi u kujdes për institucionet fetare, duke i rindërtuar dhe përsosur ato, si në Bosnjë, Bagdad, Buda e gjetkë.
Abdurrahman Pasha ndjente detyrime ndaj vendlindjes së tij. Thonë se ai në vitin 1666 ndërtoi xhaminë e Peqinit, një ndër më të bukurat për kohën. Ndërtoi një hamam, shtatë kroje, hane, dyqane, ura si dhe la vakëfe disa prona në Peqin.
***
Ja kush e solli këtë histori në Shqipëri
Kjo ngjarje e rrallë do të kishte mbetur e panjohur ose e njohur pak, vetëm nga turistë të veçantë që vizitojnë “Buda Castle-n” në Hungari, por jo nga shqiptarët, po të mos ishte kujtuar dikush për ta sjellë këtë histori në Shqipëri, që, me këtë rast duhet falënderuar. Dhe ky është fondacioni arsimor, kulturor dhe humanitar ALSAR, me qendër në Tiranë; fondacioni UKID me qendër në Turqi, si dhe qendra kulturore turko – hungareze në Budapest, të cilët para dy vjetësh, në vitin 2016, organizuan disa veprimtari përkujtimore në Budapest, mes tyre edhe një simpozium shkencor, ku autoritete shkencore hodhën dritë mbi figurën interesante të Abdurrahman Abdi Pashë Shqiptarit.

Programi përkujtimor vazhdoi më tej me vizitën në varrin monumental të Abdurrahman Abdi Arnavut Pasha, vepra e të cilit detyroi edhe armikun që ta nderojë.
Historia e pashait në fjalë është vërtet mahnitëse. Nga ushtar i thjeshtë, u bë komandant njësish gjithnjë e më të larta, pastaj bëhet pasha, guvernator, udhëheqës shpirtëror dhe më në fund hero.
Përshkrimi i mëposhtëm është një ekstrat i nxjerrë nga kumtesat e simpoziumit të botuara në almanakun vjetor të ALSAR të vitit 2016.
***
78 ditë, flakë e gjak në Kalanë e Budës, çelësit të Stambollit
Buda ishte çelësi i perandorisë osmane për të hapur dyert e Evropës. Ndaj dhe aty viheshin administratorët dhe komandantët më të zotë të perandorisë, siç ishte edhe Abdurrahman Pasha. Prej 145 vjetësh Buda ishte nën sundimin turk ku banonin turq, ballkanas, gjermanë dhe hebrenj. Abdurrahman Pasha me të ardhur aty, së pari u kujdes për përfundimin e fortesës, për të cilën mori inxhinierët më të mirë të Stambollit, me qëllim që sulmi i ardhshëm mos ta gjente pa përgatitur. Por nuk vazhdoi shumë dhe më 17 qershor të vitit 1686 rrethohet nga ushtria e parë evropiane e bashkuar, në përbërje të së cilës kishte gjermanë, francezë, italianë, polakë, austriakë dhe shumë kurucë hungarezë. Kjo ushtri ishe e përbërë prej 90 000 forcash të të gjitha armëve dhe specialiteteve. Pashai kishte brenda kështjellës jo më shumë se 8 deri në 10 000 forca. Pavarësisht se ishin 10 herë më pak në numër, ata arritën t’i shkaktojnë dëme dhe humbje të mëdha armikut, duke qëndruar me trimëri dhe heroizëm që i habiti vërtet armiqtë e tyre.

Pas tri ditësh, muret e kalasë u rrënuan, qyteti u dogj. Gratë turke u vunë në ndihmë të ushtarëve të tyre.
Më 22 korrik një gjyle e hedhur me top goditi një depo të municioneve ushtarake. Nga shpërthimi i barutit humbën jetën mbi 1500 ushtarë. Pas kësaj fatkeqësie të madhe Abdurraman Pashës iu përsërit kërkesa për dorëzim, por ai refuzoi si gjithnjë të dorëzohej
Pa thirrjes për ndihmë, Pashait iu dërgua një forcë e madhe me në krye Sulejman Pashën, por ajo u thye në Beograd. Më pas u bë edhe një tentativë për tjetër me 7 000 ushtarë për t’i ardhur në ndihmë Pashës, por edhe kjo u thye nga forcat e kryqtarëve evropianë.
Më 29 gusht, me urdhër të Sulltan Sulejmanit, nga ana e turqve organizohet një kundërsulm i fuqishëm, i mirëmenduar dhe i organizuar deri në ushtarin e fundit për të përballuar kryqtarët, por fatkeqësisht, kundërsulmi nuk përfundoi i suksesshëm.

Sipas dorëshkrimeve dhe kronikave të kohës, të cilat nuk mungojnë për këtë ngjarje, ushtari i parë krishter që arriti që arriti të ngrinte flamurin e aleancës evropiane ishte David Petnehazy. Ushtarët e Abdurrahman Pashës u dorëzuan vetëm pas rënies dëshmor të tij më 2 shtator 1686.
Beteja e Budës është përjetuar në disa vepra historike dhe artistike botërore, në libra, filma, drama dhe piktura, ku protagonisti kryesor është pashai plak legjendar me flokët e bardhë të mbështjellë me turban. Në të gjitha këto vepra përsëriten fjalët e tij historike të thëna në momentin fundit: Nëse unë nuk arrita të mbroj dot kalanë e Budës që më la amanet Pashai im, nuk ka më kuptim për jetën time. Ajo çka është e drejtë, është që bashkë me rënien e kalasë, të bie dhe unë dëshmor. Dhe kështu nxjerr shpatën dhe bashkë me një grusht komandantësh dhe ushtarësh që i kishin mbetur turren përpara drejt vdekjes, për të mbetur martirë dhe heronj shekullorë.

Pas rënies së qytetit kryqtarët dogjën dhe plaçkitën shumë vende, vranë dhe persekutuan banorët e të gjitha moshave dhe gjinive.

Trupi i Abdurrahman Pashës, i mbuluar nga gjaku, u la në shesh për disa ditë. Pastaj u varros nga disa ushtarë. Vendi ku u vra, u ruajt dhe u rrethua, deri sa 245 vjet më vonë, në këtë vend u ngrit nga vetë armiku përmendorja, që është edhe sot, kushtuar “armikut – hero”.
Dita