Në shtëpinë e ankandeve Sotheby’s në Britani të Madhe, portreti i sulltanit osman Kanuni Sulltan Sulejmani, është shitur për 350 mijë sterlina.

Ankandi i titulluar “Bota Islame dhe Artet e Indisë” u zhvillua online dhe nëpërmjet telefonit. Ndërsa përbëhej nga 183 vepra, shkruan Anadolu Agency (AA), transmeton Indeksonline.

Portreti i Kanunit, i cili ishte në rendin e 58-të, u ofrua për shitje në një vlerë prej 60 mijë sterlina.

Pas ofertave çmimi i portretit është rritur në 350 mijë sterlina. Ende nuk është bërë i ditur emri i personit ose institucionit që e ka blerë portretin.

Blerësi bashkë me taksat do të paguajë 438 mijë sterlina.

Ndërkohë edhe portreti i vajzës së Kanuni Sulltan Sulejmanit, Mihrimah Sulltan, e bërë në shekullin 17 është shitur për 60 mijë sterlina. Vlerësohet se është një vepër shumë e rrallë.

Portreti tregon Kanuni Sulltan Sulejmanin në moshën 43-vjeçare

Portreti i cili është me dimensione 22.7 me 17.5 centimetra ndërsa bashkë me kornizën nga bakri 44.5 me 39.8 centimetra e tregon Kanuni Sulltan Sulejmanin në moshën 43-vjeçare.

Vlerësohet se portreti është bërë në një periudhë kur Kanuni Sulltan Sulejmani ishte në kulmin e fuqisë së tij, pasi i ka mundur safevitë në Irak dhe marinën e kryqtarëve në Prevezë.

Gjithashtu vlerësohet se vepra është e lidhur me portretet e Kanuni, njëri që është bërë për familjen Medici dhe tani gjendet në Galerinë Uffizi në Firencë ndërsa tjetri i kopjuar për kryedukadin e Habsburgut, Ferdinandi i Dytë dhe tani gjendet në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë.

Portreti ndër të tjerat do të hedhë dritë mbi shkëmbimin e artit mes osmanëve dhe venedikasve ndërsa që nga shekulli i 19-të ishte në koleksionin privat të një familjeje franceze.

Në ankand ishin pjesë edhe kopje të ndryshme të Kur’anit, qilima dhe tepihë të ndryshëm të periudhës Osmane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here