“LARISA PRESS”
Në shkrimin e saj “Dhjetë gjëra që duhet të njohim rreth Revolucionit Grek”, historiania greke Maria Efthimiu, përmes një përmbledhjeje në formë pyetje – përgjigjesh, shpjegon rëndësinë e revolucionit grek, jo vetëm për lexuesin në Greqi, por edhe atë ballkanas e europian. Revolucioni grek është i një rëndësie të veçantë, pasi u priu gjithë kryengritjeve që pasuan më vonë në Ballkanin otoman, me përjashtim të atij serb.
Pikërisht gjatë kohës së Revolucionit, fillojnë përpjekjet e para për shkëputjen e Kishës Greke nga vartësia e Patriarkanës së Stambollit, pavarësisht se gjuha e përbashkët ishte greqishtja. Kisha Ortodokse e Greqisë do të shpalli autoqefalinë në vitin 1833, dymbëdhjetë vite pas fillimit të Revolucionit, por vetëm në vitin 1850, do të bëhet njohja zyrtare e autoqefalisë. Shembullin e autoqefalisë greke, do ta ndjekin edhe kishat e tjera ortodokse të Ballkanit, çka do të sjellë shkëputjen e tyre të mëvonshme nga Patriarkana e Stambollit.
Një referencë të veçantë, përbën ndarja e popullsisë greke në kohën e Revolucionit në “heterektonë” dhe “autoktonë”, jo në kuptimin e elementit të huaj, por të dasive gjeografike, krahinore dhe kulturore mes tyre. Në këtë kontekst, një grek i ishujve jonianë p.sh., nuk perceptohej njësoj nga një grek i Peloponezit dhe i Greqisë kontinentale.
Kjo ndarje, u reflektua dhe në përmasat e konfliktit mes ushtarakëve dhe politikanëve grekë në kohën e Revolucionit. Konflikti mes tyre lindi si pasojë e përçarjeve që kishin, në lidhje me mbështetjen ekonomike dhe ushtarake, nga njëra apo tjetra fuqi europiane, si dhe politikat administrative dhe fiskale. Efthimiu, një hapësirë të madhe i kushton pjesës së filohelenëve dhe rolit vendimtar të Fuqive të Mëdha në fitoren e Revolucionit grek.
***
Maria Efthimiu
1. Grekët nuk ishin të parët, që u rebeluan kundër otomanëve
Revolucioni grek, që filloi në vitin 1821 dhe mbaroi më 1830-ën, me njohjen e shtetit të pavarur kombëtar me emrin Hellas, është i dyti në Ballkan. Të parin e bënë serbët, më 1804. Kishin si prijës Gjeorgje Petroviç Karagjeorgjeviç, Karagjeorgjin e Serbisë, emrin e të cilit, mban një nga rrugët e Athinës, personalitet i njohur serb, që ndikoi edhe në skenën greke. Revolucioni serb, që zgjati shumë vite, përfundoi në vitin 1830, por me autonomi. Domethënë, u formua një shtet autonom dhe jo i pavarur, siç ndodhi më vonë, me shtetin grek.
Revolucioni serb nuk ngjante shumë me revolucionin grek, sepse filloi si kryengritje dhe më vonë mori formën e revolucionit. Gjatë shpërthimit të tij, nuk ekzistonte një qëllim i epërm kombëtar, pasi rebelimi u nxit nga prishja e privilegjeve, që gëzonin serbët në Perandorinë Otomane. Më pas, rebelimi u kthye në revolucion. Në të kundërt, revolucioni grek filloi si i tillë. Revolucioni serb ndodhi gjatë luftrave të Napoleonit, ndërsa ai grek pas luftrave të Napoleonit. Ky fakt ka rëndësi, pasi skena e përgjithshme ishte e ndryshme për secilin prej tyre.
2. Greqia ishte shteti i parë i pavarur kombëtar në Mesdheun lindor
Greqia ishte shteti i parë kombëtar i pavarur, që u krijua duke u shkëputur nga Perandoria Otomane. Kjo ishte një çarje shumë e madhe, kur mban parasysh se përgjatë shekujve, Perandoria Otomane ishte fituese; dhe edhe në rastin kur humbiste – që nuk ndodhte lehtë – zotërimet e saj shkonin në favor të një vendi tjetër. Dhe në këtë rast, një pjesë e Greqisë, jo e madhe natyrisht – pasi kufijtë e shtetit të parë grek ishin të ngushtuara – arrin të bëhet shtet i pavarur. Kjo arritje, ndikoi në zhvillimet e mëtejshme, pasi rasti grek u morr si shembull nga ballkanasit e tjerë në rrugëtimin e tyre kombëtar përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX dhe gjysmës së parë të shekullit të XX.
Shekulli XIX, cilësohet si “shekulli i kombëtarizmit”, i prirjes së popujve për t’u shkëputur nga perandoritë dhe për të krijuar shtetet e tyre kombëtare. Në këtë pikë, grekët janë në pararojë të zhvillimeve ndërkombëtare, pasi me prijës si Simon Bolivari, në po këtë kohë, ngjarje revolucionare ndodhin në Amerikën Latine, të cilat sollën shkëputjen nga zgjedha spanjolle dhe krijimin e shteteve kombëtare.
3. Arsyeja kryesore e inovacionit grek: Arsimi
Një nga arsyet kryesore, se përse grekët zhvilluan më herët revolucionin e tyre kombëtar, ishte fakti që kishin arsimin më të përhapur e më të rëndësishëm në Ballkan dhe një gjuhë me vazhdimësi e pasuri të admirueshme. Gjuha greke, kineze e hindu janë të vetmet gjuhë të gjalla ndërmjet 6 000 gjuhëve të botës, rrugëtimin e të cilave mund ta ndjekësh përmes teksteve të shkruara përgjatë 4 000 viteve. Ishte dhe ende mbetet, gjuha e ortodoksisë. Nisi si gjuhë e krejt Krishtërimit dhe për shumë kohë, ishte gjuha kryesore e ortodoksisë, ndaj edhe ortodoksët, pavarësisht origjinës, quhen “Greek orthodox”, përderisa të katër Patriarkanat e Lindjes përdornin dhe ende përdorin greqisht, me përjashtim të Patriarkanës së Antiokisë, që së fundmi kanonizoi gjuhën arabe. E theksoj këtë, pasi Perandoria Otomane ishte teokratike, i ndante popullsitë në bazë të fesë. Si rrjedhojë, fakti që miliona të krishterë ortodoksë të Ballkanit, Azisë së Vogël e Lindjes së Mesme, administroheshin nga Patriarkana greqishtfolëse, i jepte gjuhës greke një rëndësi të veçantë. Gjithashtu edhe arsimit.
Gjatë shekujve të XVII, XVIII e XIX, grekët kishin shkollat më të shumta dhe më të mira nga çdo popull tjetër ortodoks në Ballkan. Jo shkolla të fshehta, por në të kundërt, tepër të dukshme e shumë dinamike. Ndaj dhe kishin një numër të madh të shkolluarish, të diturish e intelektualësh. Pikërisht, pas kësaj arritjeje arsimore gjatë shekujve të sipërpërmendur, qëndron dhe aftësia tregtare e grekëve në tokë e në det, që i sillte në kontakt me Perëndimin e Lindjen, duke u përforcuar vetëbesimin në kohën e kombëtarizmit.
4. U rebeluam për shkak të superioritetit
Ajo që thuhet rëndom, është që grekët filluan revolucionin e tyre në 1821-ën, të dëshpëruar nga 400 vitet e robërimit turk. Kjo natyrisht që është e vërtetë, por paralelisht ekzistonin edhe realitete të tjera. Këto realitete thekson dhe Spiridhon Trikupi, babai i Harilaos Trikupit, i cili ishte një nga udhëheqësit shpirtërorë të Revolucionit të 1821-it, njeri i ditur nga Mesolongji dhe një nga firmëtarët e historisë së Revolucionit, më pas. Në parathënien e veprës së tij të çmuar, duke iu referuar arsyeve të Revolucionit, ai përmend se, pavarësisht se grekët ishin “të sunduar”, ishin në pozita më superiore dhe kishin bërë progres, kurse turqit, ndonëse “sundues”, ishin në gjendje statike. Kjo i dedikohet faktit, që grekët kishin fituar vetëbesim, për shkak të aftësive të tyre në arsim, tregti, etj., dhe ndaj u ndërgjegjësuan që ishte koha e duhur për revolucion; që mundeshin të bënin Revolucion. Dhe që kishin shumë mundësi, t’ia dilnin mbanë.
5. Filohelenizmi dhe lidhja e Revolucionit me Perëndimin
Filohelenizmi, që u shfaq gjatë periudhës së Revolucionit grek, përbën një kapitull shumë të madh, unik në historinë botërore. Asnjë popull nuk do mundej të kishte privilegjin që gëzonin grekët në atë periudhë vendimtare, të cilët ishin të njohur për shkak të paraardhësve të tyre, që adhuroheshin e studioheshin nga popujt e Europës, të paktën qysh prej shekullit të XIV. Lufta e serbëve, për shembull, nuk shkaktoi një lëvizje të tillë, pasi serbët ishin thuajse të panjohur për europianët. Përkundrazi, europianë dhe amerikanë, kur mësuan për Luftën greke, u mallëngjyen thellë, sepse ndjenin që u përkiste edhe atyre, meqenëse grekët e lashtë konsideroheshin se ishin origjina e ideve dhe civilizimit të tyre.
Fakti, që sa më i ngritur dikush nga ana kulturore (rrjedhimisht edhe nga ana sociale e ekonomike), aq më tepër i prirur drejt mësimit të gjuhës greke, kishte rëndësi në zhvillimet greke, pasi personalitete të një rëndësie të veçantë, qëndruan në krah të grekëve në shumë rrethe të Europës dhe Amerikës. Kjo bëri diferencën përsa i përket Revolucionit grek, pasi nga një pikë caktuar e tëhu, Anglia, Franca dhe Rusia mbështetën grekët dhe vendosën të krijohet një shtet grek, që do të ishte i pavarur. Diçka që nuk e jetuan serbët e që solli si rezultat, fitoren prej tyre të pavarësisë, shumë kohë më pas, në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shek. 20-të.
Filohelenizmi kishte dy ndarje: ata që erdhën të luftojnë në krah të grekëve dhe ata që vepronin pro grekëve, por nga vendet e tyre, të organizuar në komitete filohelene. 1200 veta erdhën nga Perëndimi, që të luftojnë në krah të grekëve – shumica e tyre gjermanë. Nga 1200 veta, rreth 350 u vranë ose vdiqën në Greqi – përsëri shumica gjermanë.
Lëvizja filohelenike më e zjarrtë u vu re në Gjermani (kryesisht në Bavari), në Zvicër, në Francë, në Angli, në SHBA. Lëvizja e Anglisë ishte më e rëndësishmja, sepse Anglia në atë kohë ishte fuqia më e madhe në botë dhe rrjedhimisht prej aty pritej që të vinte zgjidhja – sikurse dhe ndodhi në fund – për çështjen greke. Edhe mbështetja. Edhe mbrotja. Edhe ushtarakë profesionistë që të administronin luftën greke, sikurse ndodhi. Me vendim të Konferencës së III Kombëtare të Trizinës, në vitin 1826 dhe 1827, Richard Church dhe Thomas Cochrane (konti i 10-të i Dundonald-it), u caktuan udhëheqës të forcave të armatosura greke, tokësore e detare. Nuk është e rastësishme, që pas vitit 1823, ai që ndryshoi qëndrimin e europianëve ndaj çështjes greke, ishte Ministri i Jashtëm i Anglisë, George Canning, i cili falë ndikimit të filohelenëve britanikë, u bind se ishte në interes të shtetit britanik dhe veprimtarisë britanike në Mesdheun Lindor, krijimi i një forme qeverisëse greke.
Ndryshimi i qëndrimit të Anglisë, ndikoi edhe qëndrimet e Francës dhe Rusisë, me përfundimin e njohur pozitiv për Greqinë, në 1830-n. Nuk është i pashpjegueshëm fakti, që shoqëria greke, kryesisht falë të diturve të saj properëndimorë – të cilët ëndërronin një shtet bashkëkohor sipas modelit më përparimtar në botë, atij të shteteve perëndimore – u kthye gjatë Revolucionit, drejt Anglisë e Perëndimit, në vend që të orientohej kah Rusisë, me të cilën e lidhte historikisht dogma e përbashkët fetare dhe fakti, që kjo fuqi e madhe e Veriut, luftonte për shekuj të tërë me Otomanët.
6. Ndjenja kombëtare ishte filoruse, jo filoperëndimore
Marrëdhënia e grekëve me Anglinë përgjatë revolucionit të 1821-it, është faktor shumë i rëndësishëm i historisë së mëvonshme greke, pasi shpjegon dhe një skizofreni kombëtare që na shoqëron, madje edhe 200 vite pas formimit të shtetit të parë grek. Fakti, që pas ’21-it u lidhëm me Perëndimin, ndërkohë që greku i zakonshëm ishte – dhe deri në një pikë vazhdon të jetë – kryesisht filorus dhe antiperëndimor. Donte të konsiderohej perëndimor, pikësëpari që të mbrohej nga Perëndimi i fuqishëm dhe së dyti, që të ndodhej mes inovatorëve, të fuqishmëve dhe të suksesshmëve të botës.
7. Armiqësia mes “politikanëve e ushtarakëve”
Përgjatë 200 viteve, i shërbejmë si shoqëri një formacioni që u trajtësua gjatë Revolucionit: atij të armiqësisë mes “politikanëve” e “ushtarakëve”. Ky polarizim i gjysmës së parë të shek. të 20-të, u përforcua më tepër nga shkrimtarë me orientim të majtë, si Janis Kordhatos, sipas të cilëve “politikanët grekë” morën në duar revolucionin dhe u sollën padrejtësisht ndaj “ushtarakëve të mirë”. Ky është narracioni kryesor, që ka mbizotëruar për Revolucionin e 21-it.
Nëse dikush pyet grekun e zakonshëm, cili ishte heroi i revolucionit, do të të thotë: Theodhoros Kolokotronis. Kush ishte figura negative, – do të thotë: Aleksandros Mavrokordhatos. Kjo gjykim mbështetet në diçka reale: në konfliktin që ekzistonte gjatë revolucionit, mes “politikanëve” e “ushtarakëve”. Për më tepër, gjatë vetë revolucionit, njeriu i thjeshtë arrinte të kuptonte më mirë Kolokotronin dhe qëndrimin e tij, sesa Mavrokordhaton, i cili ishte politikan europian, ndërsa Kolokotroni ishte një njeri i tyre, si ata.
Por në faktin, që u bëmë shtet i pavarur, një rol shumë të madh luajtën sa ushtarakët, aq dhe politikanët. Përpos të tjerave, “politikanët” ndërmorën anën diplomatike të Revolucionit. Nëse s’do ishin ata, sipas shumë gjasave do të ishim shtet autonom, jo i pavarur. Do t’i përkisnim domethënë, Perandorisë Otomane, do t’i paguanim taksa, në politikën tonë të brendshme do të kishim liri të madhe, por nuk do të kishim ushtri tonën dhe as politikë të jashtme. Përgjithësisht, Revolucioni i vitit 1821, u ideologjizua shumë gjatë 200 viteve që pasuan. Gjithë palët e përfshira kërkuan që ta monopolizonin dhe të njëjtën gjë, bëri dhe Kisha.
8. Luftrat civile
Karakteristikë kryesore e Revolucionit të ‘21-t ishin konfliktet e brendshme të shkallës së gjerë, që morën natyrën e luftës civile. Në fakt, gjithë viti 1824 ishte vit i luftës civile. Ajo çka e shtyu revolucionin drejt dy cikleve të luftës civile ishte synimi i Kolokotronit, ta kontrollojë politikisht. Në fund Kolokotroni dhe luftëtarët e Peloponezit u burgosën nga kundërshtarët e tyre në 1825-n, në manastirin e Profetit Ilia në Hydra.
Kolokotroni ndërmori rrugën e pushtetit në emër të “ushtarakëve”, falë faktit që kishte fituar Dhramalin në Dhervenaki në verën e 1822-it, çka kulmoi fuqinë dhe autoritetin e tij, por edhe të “ushtarakëve” mbi “politikanët”. Me lëvizjet e tij që të ketë nën kontroll Kongresin Kombëtar të Astrusit, u akuzua që synonte të vendoste një “guvernë të militarizuar”, domethënë shtet ushtarak. Mund t’ia kishte dalë mbanë me sukses, por nuk e administroi këtë situatë ashtu siç duhej, në çastin që Ibrahim Pashai dhe egjiptianët, gati po e shtypnin Revolucionin, me rrezikun të pasonte një kasaphanë e përgjithshme.
Bëhet fjalë për një realitet, që ngjall një problematikë: fakti që një njeri, i cili shpëtoi Revolucionin në Dhervenakia, vepron më pas në mënyrë të dëmshme për të, sikurse më vonë veproi edhe Mjauli, admirali më i madh i grekëve, i cili për shkak të konfliktit të tij me Kapodhistrian, dogji më 1831-ën në Poro flotën greke. Në realitet, lufta civile nuk mbaroi më 1825-ën, por pluskonte për vite të tëra, derisa u rindez pas 1830-ës, si opozitarizëm ndaj Kapodhistrias dhe kulmoi në 1831, me vrasjen e tij. Do të marrë fund më 1833, me ardhjen e mbretit dhe trupës ushtarake bavareze, që e shoqëronte.
9. “Heteroktonë” dhe “autoktonë”
Një polarizim tjetër i Revolucionit ishte dhe ai mes “autoktonëve” e “heteroktonëve”. Heteroktonë konsideroheshin grekët, që erdhën nga vende të tjera, në pikat ku u shenjua Revolucioni – domethënë në Peloponez, në Greqinë kontinentale dhe në disa ishuj. Ata erdhën që të luftojnë bashkë me vëllezërit e tyre për çështjen greke, ndërkohë që ata të Peloponezit dhe Greqisë kontinentale i quanin “heteroktonë”, domethënë nga vise të tjera, nga tjetër tokë dhe i trajtonin në mënyrë armiqësore, duke i akuzuar që erdhën qëllimisht që t’u merrnin punët dhe ofiqet.
Kjo përmasë u ruajt gjatë në jetën politike greke, deri në 1840-ën. Por, ka interes që në Kongresin Kombëtar të Epidavros në Janarin e 1822-it, grekët votuan si kryeministrin e parë një “heterokton”, një personalitet shumë të ngritur intelektualisht, fanariotin Aleksandros Mavrokordhatos. Ndërsa në Kongresin e Trizinës në 1827-ën, si kryeministër kryesor zgjodhën Joani Kapodhistrian, gjithashtu “heterokton”, një personalitet me aftësi të jashtëzakonshme, arsim dhe etikë.
10. Shkëputja nga Patriarkana
Shkëputja e grekëve nga Patriarkana e Konstandinopojës, është e një rëndësie të veçantë. Kjo shkëputje, në kombinim me marrëdhënien e grekëve me Perëndimin, sikurse dhe me kushtetutat që u adoptuan gjatë kësaj periudhe, përligjin faktin që lufta për Pavarësi Kombëtare të konsiderohet Revolucion, përderisa i referohet përmbysjeve të mëdha politike, në shkallë të lartë dhe shtrirje të gjerë gjeografike.
Shkëputja e Kishës së zonave të rebeluara, erdhi menjëherë pas shpërthimit të Revolucionit dhe vazhdoi gjithë kohës deri në 1833, kur u zyrtarizua me njohjen në 1850-ën të Kishës Autoqefale të Greqisë, nga e cila varemi sot. Gjatë kohë së Revolucionit, çështjet e Kishës zgjidheshin nga shteti përmes “Ministrisë së Adhurimit” dhe ministrit përkatës. Në këtë lloj mënyre, feja iu nënshtrua shtetit – shtetit kombëtar – çka ndiqet si praktikë edhe sot. Grekët përgjatë revolucionit, krijuan një sistem kontrolli të Kishës së tyre. E njëjta gjë, pasoi me të gjitha shtetet e krishtera ortodokse të Ballkanit, kur fituan pavarësinë, rendën – edhe ato – të shkëputen nga Patriarkana e Konstandinopojës, duke pasur Patriarkë të tyre. Baza kryesore e këtyre zhvillimeve, vjen nga fakti që kreu i Patriarkanës së Konstandinopojës ishte përgjatë Bizantit perandori, ndërsa gjatë Perandorisë Otomane, sulltani. Në kushtet e një shteti të pavarur kombëtar, nëse kleri yt ishte i lidhur administrativisht me Patriarkanën e Stambollit, atëherë në mënyrë të tërthortë, sulltani kishte ndikim mbi çështjet e brendshme. Por këtë, nuk e dëshironte asnjë shtet ballkanik në kohën e formimit./Konica.al
Burimi: “Larisa Press”
Përktheu: Eleana Zhako