Propaganda e malazezëve më 1913: Shkodranë, na prisni si çlirimtarë! – Nga Armand Plaka

U gëzova shumë kur pashë se në duar kisha faksimilet me përmbajtjen e plotë të këtyre thirrjeve, në dy gjuhë: shqip dhe serbisht. E gjithçka jo falë shqiptarëve, as malazezëve, por falë austriakëve, të cilët duket se janë kujdesur të arkivonin e të na përcillnin për fatin tonë të mirë, deri në ditët e sotme, ato çka ata gjetën në Shkodër gjatë prezencës së tyre në vitet 1913-1918.
Nga hulumtimi i kryer në atë kohë realisht shumë të afërt në distancë nga ngjarja, sikurse dhe shumë hulumtime, studime, libra, dëshmi e artikuj të sjellë më vonë me këtë rast, nuk është bërë dot e mundur të sillet përmbajtja e plotë dhe për më tepër, mungon pamja origjinale e thirrjeve të malazezëve gjatë ditëve të qëndrimit të tyre në Shkodrën e pushtuar këtu e plot 105 vjet më parë, ngjitur me shumë gjasa nëpër mure e vende ku ato mund të lexoheshin e shiheshin qartë nga popullsia e drobitur shqiptare e Shkodrës.
Interes i rrallë publik ndërkombëtar
Populli shkodran kishte zgjedhur rezistencën, çka bëri që për 7 muaj me radhë t’i bënte ballë rrethimit të Ushtrisë së Malit të Zi dhe asaj të Serbisë, të cilët për të përmbushur synimet e veta ekspansioniste, donin të aneksonin me çdo kusht kryeqendrën e Veriut, mbi të cilin hodhën 36 mijë gjyle.
Interesi publik ndërkombëtar për ngjarjen në fjalë, do të bënte të mbusheshin faqet e gazetave nga Shën Petersburgu në Madrid, nga Nju Jorku deri në Australi e Zelandë të Re, me korrespondenca e reportazhe që do të sillnin raportime shumë të hollësishme e të aktualizuara si asnjë herë më parë nga territoret shqiptare. Në Shkodër në fillim të konfliktit ishin të regjistruar 13 gazetarë të huaj, numri i të cilëve u shtua deri në përfundim të luftës.
Sidoqoftë, përtej atyre çka ndodhën në muajt paraardhës, malazezët pas marrëveshjes së fshehtë që kishin realizuar me Esat Pashën, më 23 prill 1913, nën drejtimin e Princit të Kurorës, Danilo dhe shpurës që e shoqëronte u ngjitën në kështjellën e Rozafës ku nisi të valonte flamuri malazez. Shkodra kishte rënë. Interesant është gjithashtu fakti se në shumë korrespondenca të shtypit të huaj, Esat Pasha vijonte të cilësohej si “Mbrojtësi i Shkodrës” deri në fund të prillit 1913, megjithëse disa syresh (veçanërisht austriakët) kishin nisur hapur të bënin publike dyshimet për marrëveshjen mes tij dhe malazezëve dhe të denonconin rolin e tij në këtë pakt, sikurse na sugjeron një gravurë e rrallë marrë nga “Illustrierte Kronen Zeitung”, 24 prill 1913.

Fiasko për t’u dukur “miqësorë” me shqiptarët Malazezët, gjatë ditëve të qëndrimit të tyre në Shkodrën e pushtuar ( përtej asaj çka dëshmuan gjatë ditëve të rrethimit), regjistruan një sjellje që do të mbetej gjatë në kujtesën kolektive të shkodranëve e shqiptarëve, ndërsa krijuan shumë incidente, duke sjellë me vete edhe viktima të reja, sikurse dhe shumë dëme materiale, vjedhje e grabitje, ku më simbolikja mes tyre do të mbetet zjarrvënia e Tregut të Shkodrës në ditën e tyre të largimit pas ultimatumit të austro-hungarezëve.
Por kjo s’do ti pengonte – sikurse pohojnë shumë burime – ata të bënin përpjekje për t’u dukur sa më dashamirës në sytë e vendasve, dhe kjo – sipas po këtyre burimeve- vërtetohet jo vetëm nga sjellja e tyre katër-pesë ditët e para, por edhe nga thirrjet e tyre dëshpëruese të përgatitura me kujdes gjatë javës së fundit, para se të hynin “ngadhënjimtarë” në Shkodër.
Siç do të shkruante pesë vjet më vonë, dmth pikërisht sot e 100 vjet më parë, revista që shtypej në Shkodër “Vjetari Kombëtar 1918”, e cila i bënte një skanim të gjerë gjithë historikut të rrethimit të Shkodrës në mënyrë kronologjike:
“Ushtriis malazeze i priite general Martinoviqi. Malazezt kujtoshin se po gjeshin nji gjytet mushë me bajrakë, nji popull n’ kangë e n’ valle per Iibrim qi dote me ja prûmun, por kje krejt ndryshe. Gjetne rrugat gadi paa nierz; pane se po shkelshin n’ nji tokë t’ huej, n’ nji popull qi nuk kaa kurrnji farë lidhnijet as racet as historijet as literatyret me ta. Ato pak dit qi Malazezt ndejnë n’ ket gjytet u gjetne si t’ huej midis t’ nji popullit qi i durote pse i pafuqishem, por i njehte si t’ huej e si anmiq. Perjashtaliit qi u gjindshin n’ Shkoder pane me syy t’ vet se saa paa themel ishin fjalët e Nikollës I kuer zêmrote ushrriit e veta me marrë Shkodren sllave xhevahirin e kunores s’ moçme t’ Serbijes. Pane se Shkodra ishte shqyptare e dote me ndêjë shqyptare”.
Më 25 prill, sipas të njejtit burim, Princi trashëgimtar i Malit të Zi, Danilo ngre flamurin e kombit të vet në kështjellën e Shkodrës, ndërsa Esad Pasha lë qytetin bashkë me ushtrinë otomane.

Proklamata e princit Danilo
Më 27 prill, Komandanti i Përgjithshëm i Malit të Zi, Princi Danilo publikon me këtë rast një proklamatë drejtuar qytetarëve të Shkodrës e rrethinave, në të cilën sipas “Vjetarit të Vitit 1918”, u bën me dije se: “Ushtrija fituese e Malit t’Zii po vjen nder juu si nji ushtrii liruese, e une, qi n’ ket dekik po marr n’ dorë gjytetin t’ t’uej fort t’ bukur qi n’ historii t’ popullit serbjanë leodohet porsi nji kryegjytet i madh e i shndritshem me rreze lumnijet, po ju xehem se zakonet e besimet t’uja kan me gjetë n’ mue nji mprosë t’ vertetë. Mandej prep rrahte n’ t’ pritun e thote se njerzija e juej kaq e kandshme e t’ pritimit aq i permendun le t’ diftohet çiltas tesh qi po ju vjen nafaka te dera, kuer gjithkushi e kishte vrojtë ftoftsiin e dinjitetin qi populli i Shkoders kishte majtë u’ ket rasë”.
Por ç’përmbante dhe ç’pamje kishte pra thirrja e firmosur nga Princi i Kurorës, djali i madh i Kralj Nikollës?
Nga varianti origjinal na përcillet i plotë teksti i mëposhtëm, të cilin për shkak të vështirësive që mund të hasin një pjesë e lexuesve në sjellje me gegërishten e asaj kohe, po e transkriptojmë edhe në standardin e sotëm, duke e shoqëruar me faksmilien e origjinalit, e cila duhet thënë se na është përcjellë në një formë shumë të mirëmbajtur e cilësore, duke përbërë vërtetë një risi më vete.

Venali t sheherit
t Shkoders!
E permenuna ushtri fituese T MADHNIIS T TII KRAILIT T MALIT –XII, po vjen nermjet jush jo si gni asqer ci ka niete fitimit tvet, por po vien si gni forzade, per me ju librue sot, prej nen kamet Osmanlis, nen kui patne ra part tuoj, mas gni qinrimit burniet t madhe, tamam n ket muj ci jena, tash 435 viet.
Ushtria e Malit-Xii; me t ardhun t vet jo sald po ju pshton prei robnijet t mochme, por po i ven vedit ethe gni borch t fort per mei dal xot si ghith ligjeve e adeteve tuoi, ashtu dhe fenave tuoj ci keni, t zilat kan me pas n Mue gni paitor t madh, sikurse e ban beli name i Malit xii e komit Serbis, si dhane ghithmon liri t madhe e saidi e begheni fenave t ghithkui.

Venali t sheherit t Shkoders!
N ket dekik, ci n Emen T MADHNIIS T TII KRAILIT t Malit –xii po e mar n door sheherin tuoj te lumnueshm, ci ner vakina popudhit t Serbis, vien i shegnum per gni krueqytet i madh e i shnritshem me reze lumniis ma t bukur, une po ju zehem, ci kam me ken t sagdhamume jetat tuoja e madhi i juj, ci ghikimi i nrejtjes ka me ken per ghithken barabar, ci keni me e pas rehatin e venit, e paghien e nermietshme, e ci keni mei gzue ghith t mirat t gni hyqmit t’kshten t civilizuom.
Tash pra ghithkush prei jush let marin n door punt e veta, t braktisuna prei turbudhimeve ci kjene. Rahatin ta keni, e nighioni urdhnive hyqmit, e ato ci kan me ju kunershtue, kan me s sprovue ghith shtrengimin e liges.
Venali t sheherit t Shkoders!
Terbieti i juj aq i bukur e t prittunit aq t permenun, let diftohen acik tash, kur nafaka t mires tuoj po vjen prap meu bashkue, nen bajrak tmadhnueshem t Malit –xii, me istorie Serbijes, ci kje perdhuni e dame ee kputun para kater qin e kussur viet.
Venali t sheherit t Shkoders!
Bashk me nee conije zanin tui than,
Živio Krail NIKOLA I.
Živio! Živio! Živio!

NE SHKODER, 14/27 aprila 1913.
KOMANDARI I PAR USHTRIS
T MALIT – XII
Prestonasledniku DANILO m.p.

Qytetarë të qytetit të Shkodrës!

Ushtria e famshme dhe ngadhënjimtare e Madhërisë së Tij, Princit të Malit të Zi, po vjen mes jush jo si një ushtri që kërkon të përmbushë interesat vetjake, por si një ushtri që ka për synim t’ju çlirojë ju sot nga zgjedha osmane, nën të cilën patën rënë të parët tuaj, pas një qendrese e burrërie të madhe, pikërisht në këtë muaj që gjendemi, këtu e 435 vjet më parë.
Ushtria e Malit të Zi, duke ardhur mes jush, jo vetëm që po ju shpëton nga robëria e moçme, por po e sheh edhe si detyrim madhor për t’i dalë zot ligjeve e zakoneve tuaja, sikurse dhe besimeve që keni, të cilat nën Mua, do të gjejnë një mbështetës të madh, sikurse e kërkon emri e nami që kanë Mali i Zi dhe kombi serb, të cilët u kanë dhuruar gjithmonë liri të madhe e begati fesë së gjithkujt.
Qytetarë të qytetit të Shkodrës!
Në këtë moment që në emër të Madhërisë së Tij, Princit të Malit të Zi, po e marr në dorë qytetin tuaj të lumturuar, i cili në historinë e popullit të Serbisë, tashmë po i shënjohet fati të jetë një kryeqytet i madh e i ndriçuar me rrezet e lumturisë më të bukur, unë po ju zotohem se do të jenë të garantuara jetët dhe malli juaj, se gjykimi i veprave tuaja do të jetë i barabartë për gjithkënd, se do t’u sigurohet qetësi e trajtim i drejtë, e se do të gëzoni të gjitha të mirat që sjell me vete një qeverisje e krishterë dhe e civilizuar.
Tani pra, gjithkush prej jush le të shohë punët e veta të lëna pas dore, falë turbullirave të shkuara. Ruani qetësinë dhe bindjuni urdhërave të qeverisë, ndërsa ata që do të kundërshtojnë, do të përballen me forcën e ligjit.
Qytetarë të qytetit të Shkodrës!
Vendi juaj aq i bukur dhe mikpritja juaj aq e famshme, le të shfaqen haptazi tashmë, kur ora e së mirës po ju vjen sërish për t’u bashkuar nën flamurin e madhërueshëm të Malit të Zi, me historinë e Serbisë, e cila u këput dhunshëm katërqind e ca vite më parë.

Qytetarë të qytetit të Shkodrës!
Bashkë me ne ngrini lart zërin, duke brohoritur,
Živio Krail NIKOLA I.
Živio! Živio! Živio!

NË SHKODËR, 14/27 prill 1913.
KRYEKOMANDANTI I USHTRISË SË MALIT TË ZI
Princi i Kurorës, DANILO m.p.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here