Armët ndër shekuj janë konsideruar si mundësia që njerëzimi ka patur për t’u mbrojtur. Fuqia e mendjes njerëzore, më pas, i shndërroi ato edhe në vepra arti të rralla dhe tepër fisnike. E drejta për të mbajtur armë ka zënë vend kyç në ligjet e qytetërimeve që në kohët e lashta. Ashtu sikundër edhe vendi ynë, që një ndër problemet kryesore që e ka shqetësuar vazhdimisht në luftën shumëshëkullore për liri, ka qenë armatosja e tij.Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në prodhimin e armëve të rralla, të vlerësuara për punën madhështore të mjeshtërve. Muzeu Historik Kombëtar, prej disa kohësh është duke ndërmarrë aktivitete, që në fokus të tyre kanë kujtesën historike dhe materiale të vendit tonë. Kjo është një nismë e veçantë, që na sjell në vëmendje se si ka ecur armatimi në pikëpamjet ushtarake dhe artizanale. Si kanë vepruar shqiptarët, në një periudhë të vështirë si ajo e shekullit të 19-të, për t’u mbrojtur me armët më të mira? Nëse mund të aludojmë se e kemi të panjohur një fushë të tillë, ekspozita “Armë të Mjeshtërve Shqiptarë” vërtetoi të kundërtën. Në këtë ekspozite ishin ekspozuar 47 objekte, ku midis tyre kanë qenë 21 kobure, 8 pushkë, 10 vezme, 2 harbi dhe 6 jataganë. Ajo na tregoi për mendjet e duart e mprehta të artizanëve të kohës. Armët shkonin përtej funksionit parësor të tyre; atë të mbrojtjes. Në ekspozitë, ato shfaqnin edhe anën tjetër; punën e palodhur artistike, për t’i sjellë të zbukurura. Një armë tregonte edhe nivelin ekonomik të personit që e zotëronte. Kur ajo nuk përdorej për mbrojtje, qëndronte e varur në këndin e shtëpisë, për të treguar vlerën e saj unike. Të gjitha këto armë të përdorura ishin pjesë e armatimit vetjak të luftëtarit shqiptar.

Ledio Xhoxhi, Përgjegjës i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar tregon në intervistën e tij për “Scan Magazine”  se puna artistike e armëtarëve dallohet në të gjitha armët e ekspozuara. Xhoxhi tregon me kujdes se si nga ana funksionale, ashtu edhe nga paraqitja e jashtme, prodhimi i armëve tregonte për një nivel të lartë tekniko-mjeshtëror, të arritur në vendin tonë. Ato janë të zbukuruara me argjend, me filigran dhe të lara me ar. Në prodhimin e objekteve të argjendarisë përdoreshin teknika të ndryshme si ajo e rrahjes së metalit, e derdhjes, inicizimit etj. Rritja e zejtarisë të prodhimit të armëve, në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, e gjen shpjegimin, në radhë të parë në zhvillimin e brendshëm të forcave prodhuese dhe në atë të ushtrive e dy pashallëqeve të mëdha shqiptare, atë të Bushatllinjve me qendër në Shkodër dhe të Ali Pashë Tepelenës, me qendër Janinën, të cilat kishin nevojë edhe për prodhimin zejtar të armëve të zjarrit.

Prizreni, kryeqendra e punimit të armëve

Ashtu sikundër në çdo fushë mjeshtrat veçoheshin sipas zonës në të cilin jetonin dhe vepronin. Gjatë shekullit XVIII deri në mesin e shekullit XIX, armëtaria u zhvillua me shpejtësi, duke u përhapur gati në të gjitha qendrat kryesore të vendit. Kështu, armët prodhoheshin në Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Vranjë, Shkup, Tetovë, Dibër, Shkodër, Krujë, Elbasan, Berat, Delvinë dhe në Janinë. Por ka një qytet i cili dallon nga gjithë të tjerët, ose siç ndryshe do të quhej si kryeqendra e mjeshtrave për prodhimin e armëve. Ledio Xhoxhi shprehet më tej, në intervistën e tij, se Prizreni ishte qyteti që dallohej prej të tjerëve. Sipas Xhoxhit, ai çmohej si kryeqendra e punimit të armëve. Aty zhvillonin aktivitetin mbi 200 punishte, që prodhonin rreth 10.000 copë kobure në vit. Në disa qendra, prodhimi i armëve, i thikave dhe i jataganëve qe ndarë e specializuar sipas pjesëve përbërëse të tyre. Në Prizren, ashtu si në Tetovë e në Shkodër, në njërën punishte bëheshin çarqet; në tjetrën tytat, në të tretën kondakët dhe kështu me radhë, derisa arma e prodhuar zbukurohej artistikisht nga argjendarët e qytetit, duke marrë  formën përfundimtare të saj.

Pavarësisht se cili qytet e mbante peshën dhe mjeshtërinë e prodhimit të këtyre armëve, këto armë tregojnë më së miri punën e rrallë artistike të armëtarëve shqiptarë. Në morinë e shumtë të prodhimit të tyre, Xhoxhi ka dikë për të veçuar, ndërsa e pyes se cila prej tyre është interesante për t’u ekspozuar. Një nga armët më të përdorura të zjarrit ka qenë pushka e gjatë, e cila u quajt nga turqit “karajfilja shqiptare”. Në pavijonin e pashallëqeve dhe në atë të Rilindjes Kombëtare ka disa pushkë të tilla. Pushka e krahut, “karajfilja”, prodhohej në qendrat zejtare të vendit, si: Shkodër, Prizren, Dibër, Berat, Elbasan dhe Janinë. Ajo ishte rreth 147-197 cm e gjatë. Pushka “karajfile” ishte prodhim venecian. Ajo u përdor në Perëndim, kryesisht në fillimet e shekullit XVII, deri nga mesi i shekullit XVIII.

Ruajtja dhe restaurimi i armëve të vjetra

Një proces mjaft i rëndësishëm është ruajtja e tyre në mënyrën e duhur e më pas dhe restaurimi i nevojshëm që u duhet bërë. Periudhat e trazuara që Shqipëria ka kaluar nuk kanë lejuar të ruhen si duhet këto copëza historie. Prej disa kohësh Muzeu Historik është duke rikthyer vëmendje të madhe ndaj çështjeve të tilla. Këtë e tregon edhe specialisti, i cili tregon se si armët e zjarrit, ashtu dhe çdo objekti tjetër në muze i kryhen dy procese: konservimi dhe restaurimi. Për fat të mirë, Muzeu Historik Kombëtar është duke përgatitur një projekt për të kryer një rirestaurim të tyre. Për Ledio Xhoxhin, konservimi ka të bëjë me mirëmbajtjen e tyre duke i pastruar nga pluhurat dhe duke përpiluar raporte për gjendjen e tyre aktuale. Ky konservim kryhet nga specialistët e Sektorit të Konservimit të Koleksioneve në mënyrë periodike. Armët e ekspozuara janë në gjendje të mirë dhe nuk kanë shenja dëmtimi. Restaurimi i këtyre armëve është bërë për herë të fundit në vitin 1981, nga Instituti i Kulturës Popullore. Në atë kohë u bë çfarë ishte e mundur, me atë bazë materiale që kishin për kohën. Në ditët e sotme, përvoja e specialistëve restaurues është më e madhe si dhe sasia e materialeve në dispozicion është më gjerë. Një pjesë e armëve që ndodhen në muze kanë mungesa. Disave u mungon hallka, diku mungon një vidë, diku lëkurën e kanë të dëmtuar etj. Laboratori i Sektorit të Konservimit nevojitet të plotësohet me pajisje, kimikate, mjete pune të reja dhe bazë materiale. Pas kësaj mund të arrihet një restaurim i këtyre armëve duke pasur një ekspozim më fisnik për publikun.

Jolanda Shuaipi/SCAN Magazine

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here