Pse ndodhi vrasja e nipit të Sulejman Vokshit, Beqirit më 22 janar 1923
Pse u vra Beqir Vokshi
?Çfarë ishte vrasja e 22 janarit 1923.
?Pse u krijua Zona Neutrale e Junikut dhe pse u prish ajo.
?Si u sulmua Kruma e Tropoja nga forcat kryengritëse.
?A ishte i mundshëm kompromisi në janar 1923 i kryengritësve me Ahmet Zogun.
?Cili ishte qëllimi i këtij konfrontimi të dëmshëm.
Një vrasje e largët
Ishte 22 janari i vitit 1923. Në Zonën Neutrale të Junikut, vritet njëri nga njerëzit më të njohur të zonës, Beqi Vokshi, njëherazi nip i të shumë njohurit Sulejman Vokshi. Vrasja e tij shënoi edhe fundin e përpjekjeve për të arritur një kompromis me qeverinë e atëhershme shqiptare, në mënyrë që të kishim përpjekje të përbashkëta për çështjen shqiptare dhe që lëvizja kaçake në Kosovë të mos shfrytëzohej për interesa të ulëta nga politikanë pa pushtet në Shqipëri, apo jashtë saj si të arratisur. Nga kjo pikpamje është e logjikshme të shtrohet pyetja në kishte apo nuk kishte mundësi për të arritur një kompromis midis palëve. Dhe pyetja merr përgjigje nëse analizojmë shkaqet që çuan në vrasjen e Beqir Vokshit, vrasje që me një përjashtim të vogël, nuk përmendet fare në botimet e ndryshme historike të Shqipërisë, për të mos folur për historiografinë zyrtare e cila nuk e ka quajtur ndonjëherë detyrim një gjë të tillë. Problemi bëhet edhe më i thjeshtë nëse i shohim çështjet pa asnjë paragjykim e të ballafaquara në çdo rast me faktet përkatëse apo rrjedhojat e kohës.
Pse ndodhi para vrasja e Beqir Vokshit? Kush e kreu dhe a mund të shmangej ajo?
Konfrontim i zgjatur
Politika shqiptare në javët e para pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të dalë nga zgjedhjet e 5 prillit 1921, zhvillohej me brishtësinë që është veçori për çdo vend me demokraci të pastabilizuar dhe me probleme të shumta me fnjinjët e tij.
Në kulmin e këtyre zhvillimeve, më 17 korrik 1921, Zyra Jugosllave e Shtypit në Prizren njoftoi krijimin e të ashtuqujaturës “Republikë të Mirditës” të Marka Gjonit. Kjo sajesë jugosllave nuk ngeli deri këtu por u shty edhe më tej në kohën kur ushtria jugosllave kaloi kufirin dhe përparoi në brendësi të tokës shqiptare duke pasur si qëllim të saj Tiranën. Qeveria shqiptare për të thyer avancimin e serbëve, emëroi dy komandantë të operacionit kundër serbëve, atë të krahut lindor që ishte Ahmet Zogu dhe atë të krahut perëndimor që ishte Bajram Curri. Të dy këta me një ushtri të vogël kryen mrekullinë duke ndalur përparimin e agresorit jugosllav.
Përveç kësaj Ahmet Zogu arriti paqësisht të marrë nën kontroll edhe krahinën e Mirditës pas një marrëveshje me mirditorët. Në këtë kohë lindën edhe mosmarrëveshjet e Këshillit të Naltë në lidhje me marrëveshjen në fjalë duke u nxitur nga politikanët dritëshkurtër që nuk kishin nevojë për suksesin e përgjithshëm por vetëm për të personal.
Në kushtet e dorëheqjes së disa ministrave dhe të zëvendësimit të qeverisë së Pandeli Evangjelit, nga tre qeveri pasardhëse, lindi ajo që u quajt kriza e dhjetorit 1921, krizë e cila ka për protagonistë Këshillin e Naltë, politikanë si Hasan Prishtina, Qazim Koculi, Kolë Tromara, etj. Rivendosja e shpejtë e legalitetit duket se nuk i qetëoi ngjarjet. Disa nga deputetët e rrëzuar ndër të cilët më kryesori ishte Hasan Prishtina shfrytëzuan momentin e parë kundër qeverisë së Xhaferr Ypit, ata organizuan rrebelimin e marsit 1922. Me dështimin edhe të këtij rrebelimi Hasan Prishtina u end në Zonën Neutrale të Junikut. Si kuptohet, për vetë natyrën e personazheve historikë, ishte e pritshme që të organizoheshin të tjera rrebelime. Koha do të provonte se këto rrebelime, ndonëse me përmasa të ndryshme, do të ishin ato të janarit 1923 dhe ai i qershorit 1924. Në të gjitha këto zhvillime për fat të keq politikani Hasan Prishtina është në krahun destabilizues të shtetit shqiptar.
Kronikë e përgjakshme në Zonën Neutrale të Junikut
Zona Neutrale e Junikut, u krijua pas 9 nëntorit 1921, sipas një vendimi të fuqive të mëdha. Ajo ishte një zonë e lirë që fillonte nga Qafa e Morinës e vazhdonte deri në grykën e Deçanit. Në përbërje të zonës bënin pjesë fshatrat Junik, Mulliq, Brovinë, Ponoshevc, Shishman, Babajt e Bokës, Kosharja e Popoçi.
Krijimi i Zonës Neutrale të Junikut sigurisht që ishte një gjë pozitive për lëvizjen nacional ? çlirimtare në Kosovë, sepse kjo zonë mund të bëhej një strehë e sigurt për të gjitha veprimet luftarake që mund të ndërmerreshin kundër pushtuesve serbë. Mirëpo për fat të keq, kjo nuk i shërbeu aq shumë këtij qëllimi, por u bë shkas për destabilizimin e brendshëm të shtetit shqiptar, për vetë faktin se drejtues të caktuar të kësaj lëvizje, u bënë palë me atë pjesë të politikës që e shfrytëzonte këtë luftë për rrëzimin me çdo kusht të qeverisë shqiptare për interesa të ngushta, pavarësisht nga kostoja e shkaktuar që sillte natyrisht edhe shkatërrimit të shtetit akoma të dobët shqiptar.
Siç thamë edhe më lart, pas disa dështimeve politike, apo të armatosura, si në dhjetor 1921 dhe në rrebelimin e marsit 1922, Hasan Prishtina, një kundërshtar i vendosur i Ahmet Zogut, mendoi se ishte rasti të hakmerrej kundër tij duke përdorur Zonën Neutrale të Junikut.
Në ditët e para të janarit 1923, grupe njerëzish të armatosur nën drejtimin e Hasan Prishtinës, Bajram dhe Hysni Currit, sulmuan pa asnjë shkak trupat qeveritare në prefekturën e Kosovës (pjesa e Shqipërisë), zunë Tropojën dhe rrethuan Krumën. I gjithë ky sulm i pabesë kundër një prefekture të shtetit shqiptar, nuk mund të mos kishte vlera veçse negative. Ai fuste vëllavrasjen, i shërbente qorrazi një pjese të politikës së sëmurë për pushtet në Shqipëri dhe mbillte një kaos që s’dihej se deri ku mund të shkonte.
Më 18 janar 1923, gazeta “Populli” që drejtohej nga Bedri Pejani, përshkruan ndër të tjera edhe sulmin në fjalë kundër institucioneve të shtetit shqiptar. Ndër të tjera në artikullin “Ngjarjet e Krumës” thuhet:
“Në zonë asnjanëse nga ana e Kosovës, dihej që përpara që qenë mbledhë disa njerëz si Hasan Prishtina, Bajram Curri e Hyni Curri, të cilët po mundoheshin me bashkuem kryengritësit antiserbë të Kosovës e po dojshin të përgatisnin diçka kundër qeverisë e Shqipnisë së lirë që nuk u ka mbet borxha kurrgja. Një pjesë e këtynë të mjerëve që kishin ardhë të gjejnë shpëtim në zonë asnjanëse, u mashtruan dhe u banë vegël të mësyejnë çerdhen të ma mbrame të vet.
Populli i zonës asnjanëse po qahej se po i hajshin bukën e po i prishnin qetësinë e rehatin ndër shpëpija të tij; por Hasan Prishtina larg që të mendojë hallin e popullit, po mundohej të bashkojë edhe këtë me të tjerët, kështu të përgatisë një fuqi të mirë që të dalë në krye të qëllimit vet.
Hasan Prishtina për me sigurue bashkimin e duhun e për me lidhë një besë ndërmjet popullit e të ikunvet, kishte bam nji mbledhje kryetarësh në Junik ku ju kishte prishë puna ma tepër pse parija e popullit të zonës, me të marrmen vesh qëllimin, kishin protestue e kishin ikë prej mbledhje. Mbi këtë punë Hasan Prishtina me nji pjesë të këtyne të ikunve, kishte dalë në Qar, dy sahat larg Krumës dhe i kishte dërgue nji letër kërcënimi prefektit. Prefekti z.Adush Kastrati, iu kishte përgjigjë që asht ushtar e që ka me veprue mbas urdhnit të të parëve, vetëm si kosovas e uronte që po meerte në qafë emigrantët e Rugovës e të viseve të tjera pa pikë dhimbjeje.
Mbë 6 të këtij mueji, po mësyhej rrethkomanda e Tropojës e mbë 7 në mëngjez herët po rrethohej Kruma e po fillonte pushka.
Prefekti bashkë me qarkomandantin e prefekturës, z.Riza Cerova me 80 gjindarmë e 50 ushtarë, po mbylleshin ndër kulla e po betoheheshin për të mos me e lëshuem me të gjallë Krumën.
24 sahat pushkë e mbrapa nji kundramësyeme bashkë me popull që u armatos së shpejti, të përgjakun e të mundun rrebelt ikën e u futën prap në zonë asnjanëse.
18 të vra e 10 të plagos mbetën në fushë të luftës prej rrebelëve. Forca e jonë asht mbledhë në kufi të zonës, nuk dijm ene a do të ndiqen brenda apo jo”.
Ngjarja në fjalë shoqërohej edhe me një shënim të redaksisë së gazetës ku midis të tjerash thuhej se “Hasan Prishtona na ka kushtue mjaft”, duke kujtuar si shumë të dëmshme mësymjen e qendrave qeveritare të prefekturës së Kosovës (Tropoja e Kruma), grushtet e shtetit të dhjetorit 1921 dhe të marsit 1922 etj, të cilat sipas gazetës kanë përpirë “mjaft gjak e të holla”. Së fundi gazeta e mbyllte shënimin e saj me këto fjalë:
“Duhet ditë që ky atdhe ku mbështetet krejt shpresa e kombit mbarë, nuk i jep leje kurrkujt me qitë ngatërresa, me ba intriga, me shkretue vendin e më shtue numrin e viktimave nëpër votrat tona, tue bashkue frikën dhe korien në derë të nji elementi fisnik që nuk ia ktheu pushkën Shqipnis e flamurit të saj. Këshillojmë pra edhe nji herë qeverinë tonë me marrë masa radikale, e më i dhanë fund nji situacioni heroiko?komik që na pruni luftën vllaznore rreth Krumës dy herë brenda 6 muajsh. Sa për popullin e asaj prefekture si edhe nji pjesë të fortë të emigrantëve, jemi të sigurt që kan për ta përkrahë veprimin qeveritar me shpirt e me zemër”.
Nga leximi i këtyre rreshtave vërehen shumë dukuri të ndodhura atëhere. Sigurisht njëra nga to është edhe rreshtimi i Riza Cerovës kundër Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, fakt që është fshehur tërësisht nga historiografia komuniste, e cila është marrë vetem me alencën e tyre në grushtshtetin e qershorit 1924, lindur kjo për interesa të përbashkëta.
Vrasja e Beqir Vokshit
Nuk do të kalonte shumë kohë dhe një tjetër ngjarje e rëndë do të ndodhte në zonën e Junikut. I cilësuar si njëri nga personat që i kishte prishur punë planeve të Hasan Prishtinës, Beqir Vokshi do të vritej pabesisht teksa udhëtonte nga Juniku për në Krumë.
Sipas dokumentave të Arkivit të Shtetit, prefektura e Kosovës, i kish dërguar një letër rezervat Beqir Vokshit për të ftuar të gjithë krerët e krahinës dhe në Krumë në mënyrë që të ndalohej gjakderdhja e kotë dhe e panevojshme për interesa të caktuara politike. Pas marrjes së kësaj letre, Beqir Vokshi së bashku me Sali Bajraktarin nga Juniku, më 22 janar 1923, nisen për në Krumë. Rrugës për këtu, Beqir Vokshi dhe bashkëudhëtari i tij vriten nga njerëzit që kishte dërguar Hasan Prishtina. Në telegramin që zv/prefekti i Krumës i dërgoi Ministrisë së Punëve të Brendshme më 26 janar 1923, rendit si vrasës të Beqir Vokshit, Azem Galicën, Ram Binakun, etj. Si shkak të vrasjes, zv/prefekti thekson se qëllimi i ardhjes së Beqir Vokshit ka qenë ndalimi i popullit për të marrë pjesë në vëllavrasjen që po shkaktohej për interesat e ulëta politike.
Më 31 janar 1923, në faqen 4 të saj, gazeta Populli” e Bedri Pejanit, njoftonte lexuesin për atë që ajo e quante “vrasjen mizore”, të Beqir Vokshit.
Gazeta e përcjell këtë ngjarje me këto fjalë:
“Nji telegraf i fortë i shkurt prej djelmënisë së Kosovës, thotë se i përmenduni patriot Beqir Vokshi, ra dëshmor nga plumbat e çetës së Hasan Prishtinës. Ky lajm i zi vërtetohet dhe nga telegrafet që kan marrë Ministria e Punëve të Brendshme e ajo e Luftës prej autoriteteve kompetente të prefekturës së Kosovës. Hollësitë e këtij lajmi janë deri më ditë të sodit këto:
Mbase u thyen kryengritësit përpara Krumës, e u futën përsëri në Zonën Neutre, Beqir Vokshi bashkë me parien e katundeve të kësaj zone, duel prej Junikut dhe u nis për në Krumë. Çetat e Hasan Prishtinës kërkuen mos me e lëshue me shkue. Pushka krisi në mes e mba nji sahat luftet mbeti vdek Beqir Vokshi e nji shoku i tij”.
Në shënimin përkatës gazeta thekonte:
“Vrasja ka nji randësi të posaçme e ata që njofin mirë Kosovën kanë për t’u çuditë prej këtij guximi të kobshëm e tradhtar kaq të randë që mujti m’u krye pej dorës së Hasan Prishtinës”.
Kush ishte Beqir Vokshi (1890 ? 1923)
Lindi më 1890 në Gjakovë. Ishte nip i Sulejman Vokshit. Pas pushtimit të Gjakovës nga serbët mori pjesë në forcat e armatosura të shtetit shqiptar në Durrës.
Më 1915 u bashkua me Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin, duke iu bërë këtyre mjaft ndere. Po ashtu aktivizohet edhe në Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës, i cili ishte krijuar më 1 maj 1918. Në vitet 1918 ? 1920 mbeti në Kosovë.
Në qershor 1920 luftoi kundër lëvizjes esadiste në Tiranë.
Në vitin 1921, e deri në muajt e parë të vitit 1922, sëmundja e detyroi të shtrohej në një sanatorium të Vjenës. Pasi la Vjenën u kthye në atdhe, e pikërisht në Zonën Neutrale të Junikut, zonë që kishte kohë që vlonte nga trazirat.
Qëllimi i tij mbeti ndalimi i keqpërdorjes së çetave kryengritëse nga Hasan Prishtina kundër shtetit të ri shqiptar dhe gjetja e gjuhës me kryeministrin e atëhershëm shqiptar Ahmet Zogu. Për një dëshirë dhe një qëllim të tillë, Beqir Vokshi vritet më 22 janar 1923 nga forcat që drejtoheheshin nga Hasan Prishtina.
Shkrimi që po botojmë është i pari i këtij lloji në shtypin shqiptar.
Përfundim i padëshiruar
Vrasja e Beqir Vokshit, mund të konsiderohet si një vrasje e pastër politike. Ajo pati veçse konsederata dhe dëmtoi rëndë çështjen kombëtare për disa shkaqe. Kjo vrasje përveçse solli një element të ri përçarjeje, ndihmoi së tepërmi në suprimin e Zonës Neutrale të Junikut, zonë e cila nuk filloi të përdorej më për ato qëllime që mund të përdorej në dobi të çështjes kombëtare për të organizuar një lëvizje nacional ? çlirimtare në Kosovë. Në këtë pikë sigurisht që përgjegjësia më e madhe bie mbi Hasan Prishtinën si drejtuesi kryesor i çetave të armatosura dhe si njeriu që i ktheu drejtimin kësaj lëvizjeje, në kahun që i interesonte atij politikisht kundër kundërshtarëve të tij politikë që ishin njëkohësisht edhe drejtuesit e shtetit shqiptar.
Pak pas vrasjes së Vokshit, ngjarjet përvijuan më tej në anën e padëshiruar të tyre.
Më 14 janar 1923, ministri i Luftës Haki Tatzati me anë të një telegrami kumtonte se “…Currat (Hyni dhe Bajram ?shënim) me Hasan Prishtinën janë tue ba përgatitje në Malësi të Gjakovës për nji lëvizje tjetër”. Me tej ministri urdhëronte moslejimin e veprimeve të mëtejshme të këtij grupi me çdo mënyrë qoftë.
Me gjithatë për fat të keq sërish në mars 1923, forcat e drejtuara nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hysni Curri etj, sulmuan përsëri Krumën, pas një fjalimi të zjarrtë të Hasan Prishtinës. I gjithë sulmi i ndërmarrë kundër shtetit shqiptar, bazohej në armiqësinë personale të Hasan Prishtinës me Ahmet Zogun, i cili në atë kohë ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme i Shqipërisë.
Gjendja gjatë gjithë vitit 1923 nuk pati ndonjë përmirësim të madh.
Kur më 31 maj 1923 në Këshillin Kombëtar, deputeti Ali Këlcyra propozoi që të falen ndër të tjerë edhe Bajram Curri, kryeministri Ahmet Zogu dekraroi se atë ditë forcat e Bajram Currit kishin vrarë dy ushtarë në grykë të Dragobisë (shih “Bisedimet e Këshillit Kombëtar 1923”, faqe 955).
Në fund të vitit 1923, grupi në fjalë mbështeti kandidaturën e Avni Rustemit si depetet në Kuvendin Kushtetues të Mbreëtërisë Shqiptare. Ajo që mund të thuhet është se zgjedhjet e kësaj zone lanë shumë për të dëshiruar.
Ngjarjet arritën një zhvillim akoma më negativ kur në maj 1924 filloi rrebelimi i armatosur i mbështetuar nga garnizonet ushtarake të Shkodrës e Përmetit, forcat e Bajram Currit, të Elez Isufit dhe ato të shoqërisë “Bashkimi”.
Përfundimi ishte pra më i mbrapshtë nga ç’parashikohej atëherë.