Haxhi MEHMETAJ
Skulptura e hyjit Merkur më hyjin Pluto është punuar sipas të gjitha gjasave në një atelie të Ulpianës, sipas inspirimit të modeleve të skulpturave monumentale të Praksitelit apo të Lisipit. I takon shek. II/III pas Krishtit. Ndodhet në Beograd ku është dërguar me 1998 së bashku me thesarin arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës.
Në fillim të gjysmën e dytë të shek. XX në qytetin antik Ulpiana është zbuluar një skulpturë e vogël e derdhur në bronz, e lartë 12.8cm, e cila portretizon hyjin Merkur. Hyji është dhënë si djalë i ri, lakuriq, zbathur, me flokë kaçurrel, kapele të udhëtareve më flatra (petasos). Trupi i hyjit është mbështetur për një trung dhe peshon mbi postament më këmben e majtë. Në krahun e majtë mban hyjin Pluto, kurse më pëllëmbën e dorës së majtë kaduceun , shkopin e lajmëtareve. Për rreth hyjit mbi postament janë paraqitur dashi, breshka dhe gjeli.
Hyji Merkur i njëjtësuar më hyjin Hermes ishte njëri nga dymbëdhjetë hyjnitë më të adhuruar të panteonit të antikitetit. Për nga atributet është i ngjashëm edhe hyjin etrusk Turnus. Ishte hy i tregtisë, kasnec i hyjnive, mbrojtjes i tregtarëve dhe i udhëtarëve (viator), mbrojtës i mashtruesve e hajnave, sikurse edhe shoqërues i shpirtrave në boten e amshuar (psihopomp). Ndërsa hyji Pluto ishte personifikim i pasurisë.
Në Dardaninë qendrore,Kosovën e sotme, siç kemi venë në dukje, adhurimi i hyjit Merkur është dëshmuar në fshatin Saradran të Komunës së Istogut. Ky hyjni në Sardaran sikurse në Kosh, dëshmohet në formë epikgrafike. E gjejmë në një pllakë mermeri të murosur, në përdorim dytësor, në kullën e familjes Maraj të shekullit XIX , ku kishte të skalitur mbishkrimin: … MERCUR /…ALLATOR /… ULP(ius) VIAT(or). Ka të ngjarë të jetë sjellë në kullë nga qyteza antike e Baicës së Istogut. Kognomeni Viator përputhet më epitetin e hyjit, viator, që do të thotë mbrojtës i udhëtarëve. Merkurin e gjejmë në qytetin antik të Ulpianës edhe në një shtatore të imëta bronzi dhe në një altari mermeri, në një bust – aplikë bronzi në fshatin Studençan të Therandës (Suharekës). Dhe së fundi hyji Merkur dëshmohet edhe në një sarkofag plumbi (të pa botuar), të realizuar bukur artistikisht, i cili u zbulua në vitin 2015 në pallatin mbretëror të antikitetit, në Dresnik të Klinës. I takon shek. II pas Krishtit. Në ketë sarkofag Hermesi ( Merkuri) në 17 paraqitje relievore, shfaqet në cilësinë e Hermesit Psihopomp, hyjit që përcjellës shpirtrat në botën e amshuar.
Skulptura e hyjit Merkur më hyjin Pluto është punuar sipas të gjitha gjasave në një atelie të Ulpianës, sipas inspirimit të modeleve të skulpturave monumentale të Praksitelit apo të Lisipit. I takon shek.II/III pas Krishtit. Ndodhet në Beograd ku është dërguar me 1998 së bashku me thesarin arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës.
Sulptura e Hermesit me atribute nga Ulpiana. /InforCulture.info