NGA LUAN RAMA

“Ajo kometë je ti biri im, që do të shkosh në botën e shenjtëve”.

Kur në fillimin e viteve 30’ arkeologu francez Léon Rey zbulonte në qytezën antike të Apolonisë një nga skulpturat me fytyrën e Augustit, perandorit të parë të Romës, ai e kuptoi se kjo skulpturë e ngritur diku në mes të qytetit, ishte jo vetëm një vepër arti e Akademisë së Artit të Apolonisë, por dhe një dëshmi e lidhjes së fuqishme që kishte patur ky qytet me këtë perandor, i cili në rininë e tij kishte jetuar në shtëpitë e Apolonisë së Ilirisë. Përshkrimi i Rey-it në ditarin e tij gjatë një prej ekspeditave të përvitshme në këtë qytet antik është interesant:

“Dora zbulon mermerin dhe duke u dridhur, ndjek shtegun që ka lënë dalta mbi të. Tek qëndron, ashtu siç e ka krijuar vetë artisti. Burri i veshur me togën e madhe, duket sikur po zbret drejt qytetit që tashmë nuk ekziston më. Ai është i ri dhe i bukur. Vallë është Oktaviani, “Augusti” i ardhshëm, i cili bëri studimet në këtë qytet? Hipoteza duket tërheqëse…”. Dhe disa ditë më pas, Rey gjeti një kokë tjetër mermeri në të cilën vërtetoi se ishte pikërisht e Oktavianit, pasi një të tillë, të ngjashme, me të njëjtën shprehje, ai e kishte parë në muzeun e Firences.

Ky personazh historik, është një nga figurat më të shquara të dymbëdhjetë çezarëve për të cilët shkruan historiani romak Sueton në librin e tij “Jeta e dymbëdhjetë çezarëve”.

Historianët e Republikës së Romës dhe më pas ata të «Luftës Civile» dhe të kohës imperiale, shkruajnë pak për kohën e qëndrimit të Augustit në Apoloni, i cili në atë kohë kishte emrin Oktavian. Oktaviani kishte lindur në Romë më 23 shtator të vitit 63, para erës sonë, dhe prindërit atë e quajtën Caius Octavius Thurinus. Ai ishte biri i Atia-s, mbesës së Çezarit dhe i Gaius Octavius, i cili ishte guvernator i Maqedonisë së pushtuar në atë kohë nga ushtritë romake.

Pas luftës në Maqedoni, bashkë me disa legjione, Çezari e dërgoi Oktavianin në Apoloni që të ndiqte studimet në Akademinë Ushtarake. Bashkë me të ishte dhe Agrippa, i cili do të bëhej më vonë një nga gjeneralët më të shquar të perandorisë augustiane. Por atëherë Roma ishte ende Republikë. Ishte viti 45 para erës sonë dhe Apolonia bashkë me Durrachiumin, ishin dy nga qëndrat më të fuqishme të bregut të Ilirisë. Në rrethinat e Apolonisë, disa vite më parë, Çezari kishte ngritur kampin e vet dhe kur kishte hyrë në qytet, ushtarët e legjioneve romake, por dhe banorët e kishin brohoritur ardhjen e tij.

Luftrat kundër legjioneve të Pompeut njihen nga historia si ato në afërsi të Apolonisë ashtu dhe në rrethinat dhe kështjellën e Durrësit, për të përfunduar pastaj në Farsale të Maqedonisë, ku Pompeu u mund plotësisht.

Oktaviani ishte veçse 19 vjeçar kur erdhi në Apoloni, në një kohë kur sapo kishte sprovuar luftrat e Maqedonisë. Por meqë nuk kishte fëmijë, Çezari mendonte gjithnjë që ta bënte trashëgimtarin e tij, prandaj dhe e dërgoi nipin e vet të përgatitej nga ana ushtarake, të ushtronte artin e kalorësisë dhe të mësonte strategjinë e luftës. Apolonia atëherë ishte një qytet i lulëzuar, të cilin e kishte vizituar dhe kishte qëndruar pak vite më parë Ciceroni.

Ai e cilësonte atë “Magna urbis et gravis”, (“Një qytet të madh e hijerëndë”). Krahas banorëve, apoloniatëve, në qytet ishin dhe krerët ushtarakë, guvernatori, magjistratët, etj, ndërkohë që forcat ushtarake ishin në kampet e ngritura në fushat që rrethonin qytetin. Imagjinoni një çast 80 mijë ushtarët e Çezarit, që kishin rrethuar qytetin prej pak kohësh, pamje që ndoshta sot e tejkalojnë imagjinatën tonë.

Qyteti i Apolonisë kishte atëherë një Agonothet, siç e shohim një pjesë të tij, të zbuluar nga Rey dhe të ringritur nga arkeologët shqiptarë, (një pjesë e fasadës), disa dekada më parë. Po ashtu, ishte Odeoni, Buleterioni, banjat, Nimfeu, tempujt e ndryshëm, siç ishte dhe ai i Apolonit, Dianës, Demetras, etj.

Monumentet e statujat e shumta të Erosit, Heras, Hermesit apo Meneadat, gjallonin rrugët me kalldrëm. Pllakat e mermerit ishin të mbushura me dedikime e mbishkrime të ndryshme. Në qytetin e ngrohtë e plot diell pranë detit, ishin sallat e hapura të muzikës, vendet e kultit, altarët në abside, kamaret dhe muret e trashë rrethues, akuadukët që sillnin ujë, etj. Rrugët e Apolonisë gumëzhinin nga njerëzit, tregjet, prostitutat, (më të shumtat gjendeshin atëherë në Durrachium, i cili kishte një nam të madh për pasurinë e shumëllojshmërinë e tyre), pasi pranë Apolonisë ishte porti ku zbarkonin anijet që vinin shpesh nga Brindizi dhe qytetet e tjera të Mesdheut.

Arkeologu francez Eric Follain, i cili kohët e fundit botoi në revistën franceze “Archeologia”, një studim mjaft interesant për Apoloninë, ka krijuar dhe sjellë në faqet e kësaj reviste, disa pamje sintezë, se si kishin qenë në të vërtetë shumë prej ndërtesave kryesore të Apolonisë së asaj kohe, nga të cilat kanë mbetur veçse rrënoja, pasi gurët e tyre, siç na dëshmon në kujtimet e tij arkeologu Rey, por dhe arkeologët e tjerë francezë si, Léon Heuzey apo Alfred Gilliéron, janë marrë me qerre nga pashallarët e Beratit për t’i përdorur për themelet e sarajeve të tyre.

Po në këtë mënyrë u morrën dhe gurët e tempullit të Dianës, një tempull tepër i veçantë në historinë e arkitekturës së asaj kohe, me gjashtë shtylla të mëdha dhe të larta, nga e cila në shekullin e XIX kishte mbetur vetëm një shtyllë, që me sa duket nuk kishin arritur ta shembnin, (ja pse dhe ai fshat që do të krijohej aty, më pas do të quhej Shtyllas). Sidoqoftë, në mes të qytetit ishte dhe obelisku i Apolonit, tempull të cilin Oktaviani e gjeti në Apoloni dhe kur ai u bë perandori i parë i Romës, një kopje e këtij tempulli u vendos në pallatin e tij, në Palatin.

Oktaviani, (apo Oktavi, siç e thërrisnin jo pak në atë kohë), ishte një djalosh shumë i bukur. Në librin për jetën e tij, historiani Sueton shkruan se “Ai kishte një bukuri të rrallë, bukuri të cilën e ruajti gjatë gjithë jetës… Sytë e tij ishin gjithnjë të gjallë e të shndritshëm, madje ai të bënte të besoje se shikimi i tij kishte diçka hyjnore. Kur u bë August dhe e fiksonte shikimin e tij tek dikush, ai kishte dëshirë që tjetri ta ulte kokën, si i verbuar nga dielli”.

Siç kishte legjionarët dhe magjistratët e tij, ky qytet kishte dhe skllevërit që mbanin me vete legjionarët, të cilët i ndiqnin nëpër ekspeditat e tyre. Historiani francez Pierre Cosme shkruan rreth Apolonisë së Ilirisë në librin Auguste se “Apolonia nuk ishte vetëm një qytet garnizoni ushtarak për trupat ku Çezari mendonte të niste ekspeditat e mëdha kundër dakëve dhe partëve.

Edhe pse nuk kishte shkëlqimet e Athinës, Aleksandrisë dhe Pergamos, Apolonia ishte një qendër e kulturës, ku Oktaviani u shoqërua nga Apollodori i Pergamos…” Pikërisht në Apoloni, pohon ky studiues dhe biograf i Oktavianit, (August), “nipi i Çezarit njohu astrologun e famshëm Theogjen, i cili i parathotë Oktavianit një të ardhme të shkëlqyer dhe të jashtëzakonshme”. Këtë informacion e kemi dhe nga historiani romak Sueton, i cili e shkruan këtë dhe në librin e famshëm të tij, ashtu si dhe nga shumë historianë të tjerë të kësaj epoke. Në librin e tij Hyjnori Auguste, Sueton shkruan se “Gjatë kohës së tij në Apoloni, bashkë me Agrippa-n, ai shkoi në observatorin e Théogène.

Pasi dëgjoi dhe pa horoskopin e Agrippa-s, ai i tha atij se kishte përpara një të ardhme të shkëlqyer. Oktaviani nuk kishte folur për horoskopin e tij, nga frika, apo nga turpi se mos parashikimi i Théogène-it nuk do të ishte si ai i mikut të tij. Por pas nxitjesh dhe hezitimesh të shumta, Oktaviani i tregoi Théogène-it dhe ai u habit menjëherë për fatin që e priste atë. Më vonë, Augusti kishte një besim të jashtëzakonshëm në të ardhmen e tij, madje ai prodhoi monedha që kishin konstelacionin e lindjes së tij, me simbolin e dhisë”.

Në Apoloni, Oktaviani njohu dhe Mecenën, një figurë tjetër e kësaj kohe, i cili do të bëhej këshilltari më i ngushtë i Oktavianit gjatë gjithë jetës së tij si konsull dhe pastaj si perandor.

Ishte pikërisht Mecena, (nga vjen dhe termi i mecenatit, mecenëve të artit, etj,), i cili e shtyu Augustin që ta shndërronte Romën në një qytet plot shkëlqime, duke i dhënë një impuls të jashtëzakonshëm ndërtimeve të mëdha, ngritjes së tempujve, monumenteve, banjave publike, etj, aq sa në historinë romake, kur flitet për kohën e Augustit thuhet ndryshe “shekulli i Augustit të shenjtë”. Që nga ajo kohë ka mbetur shprehja: “Augusti e gjeti Romën me tulla dhe kur vdiq e la me mermerë të bukur”.

Apiani, nga ana e tij, në librin e tij Histori romane-Luftrat civile, duke treguar për jetën e Oktavianit, shkruan se «Oktaviani, biri i vajzës së motrës së Çezarit, ishte bërë një “hipparque” i Çezarit përgjatë një viti, sepse Çezari e kishte kthyer këtë funksion vjetor që të ushtrohej nga miqtë e afërt të tij. Oktaviani ishte ende djalosh kur u dërgua nga Çezari në Apoloni, në gjirin e detit Jon.

Atij iu dërguan trupa e kuaj me qëllim që të stërvitej dhe shpesh oficerë të shumtë shkonin ta takonin meqë ishte i afërt i Çezarit. Ai i priste të gjithë me mirësjellje, çka forcoi miqësinë e tij me ata dhe me ushtrinë. Por gjashtë muaj më vonë, një mbrëmje, atë e lajmëruan se Çezari ishte vrarë në Senat nga ata që ishin miqtë më të shtrenjtë të tij dhe që ishin më të fuqishmit, pas tij”.

Nga porti i qytetit vinin dhe të rejat e Republikës. Pikërisht në ditët e marsit të vitit 44, një anije mbërriti në portin e Apolonisë dhe menjëherë në qytet u përhap lajmi se Çezari ishte vrarë nga Bruti, njeriu të cilin ai e mbante si një ndër më besnikët, aq sa, siç shkruajnë historianët, kur pa që Brutus i nguli thikën, Çezari i kishte thënë “Edhe ti biri im?” Padyshim që për Oktavianin vrasja e Çezarit ishte një lajm i tmerrshëm pasi Çezari sapo e kishte proklamuar si trashëgimtarin e tij pas vdekjes, duke i lënë trashëgim gjithçka, me shpresë se pikërisht Oktaviani do të merrte në duar drejtimin e Romës dhe do të vazhdonte stafetën e lavdishme të tij.

Por njëkohësisht me lajmin dhe konfuzionin që krijoi ky lajm në Apoloni, në kohën midis datave 20-27 mars, Oktavianit i erdhi dhe një letër nga nëna e tij, Atia, e cila e porosiste që të mos nxitohej dhe të mos nisej për t’i bërë luftë vrasësve të Çezarit, por të qëndronte ca kohë në heshtje sa të qetësohej situata. Por nga ana tjetër, të gjithë oficerët e komandantët e legjioneve romake që ishin në Apoloni, vinin pranë Oktavianit dhe i kërkonin veçse shpagim, duke i premtuar besnikëri deri në vdekje. Por a do të mundte ai që të fitonte ndaj ushtrive të shumta që kishin në Romë dhe në vendet e pushtuara si në Maqedoni e gjetkë Mark Antoni dhe Bruti?

Agripa dhe miku tjetër Salvidienus Rufusi, një tjetër figurë e kohës imperiale, i kërkonin me këmbëngulje Oktavianit që ta linin Apoloninë menjëherë dhe të niseshin bashkë me legjionet drejt Brindizit, nëpër “Via Appia” e pastaj drejt Romës, me bindjen se dhe legjionet e tjera romake që do të ndeshnin rrugës, do të bashkoheshin me ta, meqë vrasja e Çezarit i kishte prekur të gjithë.

Por këshilla e nënës ishte më e fortë sesa revolta e momentit. Ato netë, kampet rreth qytetit ushtonin nga thirrjet për t’u nisur drejt luftës. Këtë moment të vështirë në jetën e Oktavianit e kujton dhe historiani Velleius Paterculus në librin e tij Historia romane:

“Pas përfundimit të luftrave civile, Çezari e kishte dërguar në Apoloni që të mësonte disiplinat liberale dhe të zhvillonte talentet natyrore që kishte ky djalosh i ri i jashtëzakonshëm, në mënyrë që më pas, Çezari ta kishte si shok armësh në fushatën e mëvonshme kundër Gètes e më pas kundër Parthes. Kur mori vesh lajmin e vrasjes së dajës së tij, edhe pse “centurione”-t e legjioneve që ishin vendosur aty i premtuan ta mbështesin në luftën e tij; edhe pse Salvidienus dhe Agrippa i thanë që të pranonte kërkesat e tyre, ai nxitoi të shkonte në Qytet, (Romë), ku më së fundi mori vesh të gjitha detajet e vrasjes dhe e testamentit që i kishte lënë Çezari”.

Më së fundi Oktaviani u nis, i shoqëruar nga miqtë e tij më të ngushtë, Agrippa, Mecena, Rufusi si dhe disa legjione romake, të cilat e kishin shoqëruar dhe nga Maqedonia në Apoloni. Me vete kishte marrë dhe mësuesin e tij Apollodore, i cili ishte në moshë të thyer. Në ditët e para të prillit të vitit 44, ai mori anijet në portin e Apolonisë dhe u nis drejt Brindizit. Para vdekjes, i ati i kishte treguar Oktavianit se ditën që festonin fitoret e Çezarit, (Ludi Victoriae Caesaris), ai kishte parë një kometë.

“Ajo kometë je ti biri im, që do të shkosh në botën e shenjtëve”, i kishte thënë i ati. Oktaviani po i drejtohej Romës, i vendosur për të mos bërë luftë. Vallë a do të realizohej parandjenja e të atit me atë kometë të shndritshme që kishte parë në qiell?

A nuk i kishte thënë dhe astrologu Theogène-n në Apoloni se ai do të bënte një karrierë të shkëlqyer dhe se e ardhmja e tij do të ishte e ndritur? Kushedi… E megjithatë, parandjenja e atit të vdekur do të realizohej. Po si? Ç’ndodhi me Oktavianin më pas?… Në librin e tij Historia natyrore, duke iu referuar kthimit të Oktavianit në Romë, Seneka shkruan se “thuhet që ditën kur hyjnori August u kthye nga Apolonia dhe hyri në Qytet, (Romë), rrotull diellit u shqua një rreth shumëngjyrësh. Këtë grekët e quajnë “halo”, çka ne mund ta quajmë “kurorë të shndritëshme”.

Me të mbërritur në Romë, gjëja e parë që kërkoi Oktaviani ishte që të merrte trashëgiminë që i kishte lënë Çezari me testament. Pas kësaj, ai u afrua me Mark Antonin, me të cilin kishte luftuar në Maqedoni, por shumë shpejt ai u nda nga ai. I mbështetur nga Ciceroni, ai formoi rreth vetes një ushtri me të cilën luftoi kundër Mark Antonit në Modena, betejë ku vdiqën dy konsuj të Republikës.

Ciceroni i propozoi Senatit që bashkë me të të ishte konsull dhe Oktaviani që të drejtonin Republikën. Por për shkak të moshës së re, Senati nuk pranoi, edhe pse në luftën e Modenas, ushtarët, në ditën e fitores e kishin brohoritur si «Imperator». Meqë Senati nuk pranoi, i zemëruar, Oktaviani u bashkua sërish me Mark Antonin dhe pas pak kohësh pushtoi Romën, i dha fund Republikës dhe krijoi «Triumviratin» që do të ishte fuqia supreme.

Pikërisht në atë kohë, njerëzit e Mark Antonit do të vrisnin Ciceronin që largohej i tmerruar nga Roma, por dhe Mark Antoni do të mundej disa vite më pas nga Oktaviani, në vitin 30 para erës sonë, në luftën detare të Aktumit në brigjet joniane. I kthyer fitimtar në Romë, për të shpërblyer kujtimin dhe ndihmën që i kishin dhënë apoloniatët në kohën e qëndrimit të tij atje, ai e shpalli Apoloninë «Qytet i lirë», pra pa taksa dhe i pavarur në njëfarë forme nga Roma, por gjithnjë aleate e saj. Dy vjet më vonë, në vitin 28, Senati e shpalli Oktavianin «Princeps senatu», (Senator i parë), dhe një vit më vonë e shpalli «August», (të Shenjtë), pra perandor.

Kur arkeologu francez Alfred Gilliéron, (ashtu si më parë reverendi anglez Huges apo koloneli britanik Martin Leake më 1806), vizitonte Apoloninë në vitin 1869, ai nuk harron të flasë për kohën e lavdishme kur Augusti kishte studjuar artin ushtarak në Apoloni: «Përballë heshtjes mistike harroj që këtu ka qenë streha e studimeve të djaloshit Oktav, i cili ndoshta do ta kishte transformuar këtë kodrinë në një Akademi të Muzave»…

Por mjerisht shekuj më vonë Apolonia do ta humbiste shkëlqimin e saj: luftrat, tërmetet, braktisja e qytetit, bënë që Apolonia të mbetej thjesht një vend kulti, por që në epokën osmane do të binte në një errësirë të plotë dhe do të rrënohej e përmbytej nga balta. Ata të huaj, konsuj, arkeologë, historianë e gjeografë që e vizituan në shekullin e XIX, mezi arritën të shohin veçse disa gjurmë që kishin mbetur nga koha e lavdishme e Oktavianit… Sekretet që fsheh Apolonia në vetvete janë ende të mëdha.

Arkeologët e sotëm dhe ata të nesërm ndoshta do të na zbulojnë gjurmë të reja jo vetëm të Oktavian-Augustit, por dhe të bashkëluftëtarëve të tij të lavdishëm që jetuan në Apoloni, nga Ciceroni e më pas Bruti, Agrippa, Mecena, Rufusi, prijësit e legjioneve të tmerrshme, etj, çka e bëjnë këtë tokë të Ilirisë së lashtë, këtë qytet të themeluar nga kolonitë greke të Korintit dhe Korkyrës që në shekullin e V-të para erës së re, një vend me “bëma të pagoja”, pasi pjesa më e madhe e këtij qyteti shtrihet ende nën dhé…

Ciceroni, një azilant politik në brigjet shqiptare

«Erdha në Durrachium sepse është një qytet i lirë, pasi këtu njerëzit janë të përkushtuar ndaj meje… » Ciceroni

Eshtë e habitshme të mendosh sot që në brigjet e Adriatikut, Durrësi dhe Apolonia kanë qënë né kohën e Antikitetit vende ku strehoheshin të përndjekurit e Romës së kohës së Republikës, por dhe të kohës së imperatorisë. Këta ishin politikanë, por ndonjëherë dhe fetarë, njerëz të Kishës, si në kohën e fillimeve të Kristianizmit dhe luftës që i bënte Republika romake kristianëve të parë në Romës, çka njihet në historinë ilirike dhe me vrasjen e disa kristianëve romakë, në Durrës, (Durrachium), bashkë me Shenjt Astin, peshkopin e parë të Durrachium, të cilët u vranë sepse ishin ithtarë të Jezu Krishtit.

Por pa dyshim, një nga azilantët më të njohur të kësaj apoke antike ishte Ciceroni, (Marcus Tullius Cicero, 106-43 p.e.s.), një prej personaliteteve më në zë të kohës së vet, senator dhe orator i madh, ku ndër katër figurat më të shquara të Romës republikane, krahas Çezarit, Pompeut dhe Cassius, ishte dhe Ciceroni. Por përse Ciceroni kërkoi strehë në brigjet shqiptare dhe çfarë ndodhi me të?

Ciceroni ishte një figurë e madhe humaniste dhe ndër të parët autorë antikë që ka përdorur fjalën «humanitas». Eshtë ai që fliste me aq forcë në tribunat publike apo në librat e tij për vlerat e një shoqërie të ndërtuar mbi «demos»-in grek, pra modelin grek të demokracisë, për vlerat më themelore të njeriut si «drejtësi», (Institia), «moderim», tolerancë, (Temperantia) apo «kurajo» qytetare, (Fortitudo). Kur Brutus ishte me trupat e tij në Durrachium, Në vitin 63 p.e.s. ai mori vesh se në Romë, Ciceroni ishte shpallur konsull dhe i gëzuar i dërgonte një letër më 15 maj, ku i shkruante:

«E kisha mbaruar letrën kur mora vesh se ti do të zgjidheshe konsull. Atëherë, më duhet të mendoj idenë e një Republike legjitime, një «rem publicam instam» të mbështetur në forcat e veta». Edhe pse ky lajm nuk ishte i vërtetë, por një fjalë që qarkullonte në rrethet politike, kjo tregonte se Ciceroni kishte një famë të madhe dhe shumë komandantë të legjioneve romake ishin gati ta mbështesnin atë. Fjalimet e tij kundër korrupsionit të politikanëve dhe demagogjisë së populistit Cantilia e bënë atë një nga figurat më popullore, aq sa dhe konsujt më të fuqishëm si Çezar, etj, kishin frikë nga fjalimet e Ciceronit. Jo më kot atë e kishin quajtur «Pater patriae» (“Baba i atdheut”).

Madje konsulli i gjithpushtetshëm Çezar filloi ta shohë me dyshim dhe si një kundërshtar të fortë, meqë me kurajon që e karakterizonte, ai dinte t’i bënte për vete fisnikët dhe shefat ushtarakë. Disa herë në Senat, Ciceroni kishte dalë hapur kundër politikës së Cezarit, i cili për ta bërë për vete, i kishte propozuar më parë ta dërgonte «legat», pra ambasador, përfaqësues të Republikës, por Ciceroni nuk e kishte pranuar.

Ai nuk mund të bënte kompromis meqë nuk kishte një etje të madhe për pushtet. Kjo ishte dhe arësyeja që gjëndja e tij në vitin 58, p.e.s. u rëndua dhe qëndrimi i mëtejshëm në Romë u bë i rrezikshëm. Çezari kishte filluar ta izolonte tashmë. Kur Ciceroni la Romën për të shkuar në shtëpinë e tij në periferi të kryeqytetit romak, ai e gjeti shtëpinë e tij të bastisur dhe pa njerëz. Koha e përndjekjes kishte filluar. Atëherë ai jetonte atje me gruan e tij Terentia.

Duke parandjerë se njerëzit e Çezarit mund ta kapnin dhe ta vrisnin në ndonjë pusi, ai vendosi të largohej menjëherë. Kështu, i vetëm, duke u ndarë me gruan e tij të dashur, fshehurazi, ai morri rrugën e njohur drejt jugut, “Via Apia”, dhe u nis në drejtim të Brindizit, ku u strehua në shtëpinë e një mikut të tij, Laenius Flaccus, në pritje të një anije, që ta çonte në Siqeli, por rrugës, duke marrë vesh se atje nuk ishte i mirëpritur nga guvernatori romak, ndaloi dhe u kthye drejt brigjeve të Ilirisë, drejt Durrachium-it. Ishte data 29 prill e vitit 58 p.e.s.dhe nëpër det atij iu desh të bënte një udhëtim të rrezikshëm.

Durrachium atëherë ishte një nga portet që mbahej nga ushtria romake. Rrugës në det ai i shkroi një letër gruas së tij, duke i treguar për dhimbjen e madhe që po e linte, duke ikur në udhë të panjohura.

Kur po afrohej drejt Epirit, ai morri vesh se Claudius ia kishte ndaluar qëndrimin në Buthrote, (Butrint). Atëherë e vetmja zgjidhje ishte të shkonte së pari në Durrachium, që në atë kohë konsiderohej si një nga portet më të njohura tregëtare, apo si «Taverna e Adriatikut» siç e konsideronte Catulle. Madje Durrachium ishte qyteti që kishte më shumë prostituta se në gjithë portet e tjera të Mesdheut. Sigurisht, çështja ishte nëse duhej të qëndronte në Durrachium apo të shkonte në thellësi drejt Selanikut, ku kishte njerëz të besuar, mes të cilëve Cyzique dhe guvernatorin romak Plaucius.

Ndërkohë në Romë, luftrat midis klaneve të ndryshme politike e ushtarake po ashpërsoheshin gjithnjë e më shumë. Disa kërkonin që Ciceroni të kthehej, të tjerë që të kapej dhe të ndëshkohej. Më 9 korrik të atij viti, Pompeu organizoi një mbledhje të Senatit në Capitol, në Tempullin e Jupiterit, duke i dhënë hapur Ciceronit titullin «shpëtimtar i Atdheut», çka tregonte qartë përçarjen dhe antagonizmin midis Çezarit dhe Pompeut që jo vonë do të çonte drejt luftës midis tyre.

Ciceroni vendosi të largohej nga Selaniku ku ndjehej i pasigurtë për jetën e tij dhe të rikthehej përsëri në Durrachium, në këtë qytet të ngrohtë me amfiteatrin e tij të madh, me banjot, mozaikët e bukur dhe plot gjallëri: qytetarë, skllevër, legjionarë, tregëtarë nga shumë anë të Mesdheut. Ardhja e Ciceronit ishte padyshim një ngjarje e madhe në qytet. Të gjithë kishin dëshirë ta dëgjonin atë lidhur mbi ligjet, shtetin, detyrat qytetare, etj, edhe pse ai tashmë tregohej i rezervuar. Më 25 nëntor, ai i shkroi një letër mikut të tij Atticus, në Romë, ku i shprehte se ishte tepër i trishtuar dhe se «banorët e Durrachiumit janë shumë të devotshëm ndaj meje».

Po atë ditë, një letër tjetër ai ia dërgoi gruas së tij Terentia dhe vajzës së tij Tullia, duke u shkruar se i vjen keq që ato po vuajnë për shkak të tij, «por nuk duhet rënë në dëshpërim»… «Erdha në Durrachium, – u shkruante ai, – sepse është një qytet i lirë, pasi këtu njerëzit janë të përkushtuar ndaj meje. Por nëse do të ndihem keq, në një vend kaq të rrahur, do të iki gjetiu».

Një ditë më vonë, ai morri tri letra që i kishte dërguar javë më parë gruaja e tij. «Aristocrite më solli tri letra që pothuaj i lava me lotët që derdha», shkruan ai. «Natë e ditë kam para sysh pamjen tuaj në zi… Nëse ndodhem në Durrachium, kjo për arësye se këtu mund të informohem më shpejt se çfarë ndodh atje. Këtu jam i sigurt, pasi ky qytet, më parë, më ka patur mbrojtës të tij.

» Ciceroni vazhdoi tu shkruajë letra dhe në 10 dhjetor, e më pas në gjysmën e dhjetorit apo në mesin e janarit të vitit 57. «Kam letrën e vëllait tim Quintus, – i shkruante ai gruas së tij, – i cili më njofton për vendimin e Senatit, (për kërkesën që ai të kthehej në Romë), por unë do pres që ligjet t’i propozohen popullit. Nëse do të ketë kundërshtim, më mirë të mohoj jetën time, sesa të kthehem në atdhé. Ndërsa ti nxitohu të vish». Në mesin e janarit ai i shkruante konsullit Matellus, duke i kërkuar mbështetje për kthimin e tij dhe duke e falenderuar për fjalët e tij në Senat, ku e ka mbështetur fuqimisht.

Në fillim të shkurtit të vitit 57, në kujtimet e tij ai shkruante se është duke u përgatitur për tu kthyer. Ishte kthimi nga një ekzil i pasigurt për jetën e tij. Edhe pse Senati ishte shprehur se ishte për kthimin e tij, përsëri u desh disa muaj derisa të vendosej ligjërisht. Dhe ligji u shpall në ditët e para të gushtit. Ndërkohë Senati kishte filluar të mbështeste Pompeun. Më 4 gusht të atij viti më së fundi ai morri anijen.

Në portin e Durrachiumit ai u përcoll gjithë fanfara, brohorima dhe nderime të mëdha nga guvernatori i qytetit si dhe ushtarakët e lartë. Të gjithë brohorisnin mbojtësin e ligjit dhe të lirisë. Një ditë më vonë Ciceroni mbërriti në Brindizi. Në të gjitha qytetet që kaloi, rrugës së kthimit për në Romë, ai u prit me një triumf dhe entusiazëm të madh. Më 4 shtator ai hyri triumfalisht në Romë… Por vila e tij në Palatin ishte shkatërruar nga kundërshtarët politikë. Po kështu dhe vilat në Tusculum dhe Formia ishin braktisur plotësisht.

Shumë vite më vonë, Ciceroni do të kthehej sërrish në Durrachium, ku do të qëndrojë për pak kohë, meqë ai përgatitej të udhëtonte larg Romës, duke marrë drejt Butrintit, Prevezës e më pas drejt Thalës dhe Lindjes së Afërme. Në këtë kohë janë shkruar dhe përshtypjet e tij mbi Apoloninë e Ilirisë, të cilën ai e konsideronte si një «Magna urbs et gravis», (“Qytet i madh dhe hijerëndë”).

Pas kthimit të tij nga nga Azia e vogël, ku ishte caktuar prokonsull në Cilici, në vitin 51 p.e.s. dhe disa betejave që komandoi, i ndihmuar dhe nga vëllai i tij Quintes, përveç jetës politike si senator dhe orator i famshëm, gjatë disa viteve ai iu kushtua shkrimit të librave të tij, De Republica, (Republika), De Oratore, (Mbi oratorinë), De Lois, (Ligjet), De officis, (Detyrat), çka ishte trashëgimi më i madh që ai i la njerëzimit. Në këtë kohë, i tërhequr disi, ai shkruante dhe u jepte këshilla të tjerëve: «Ju këshilloj të bëni siç bëj unë. Mos u dukni tepër, edhe pse mund të flitet shumë rreth jush. Meqë zërat tanë nuk dëgjohen në Senat dhe në Forum, ne e dimë mësimin e të urtëve të kohës së vjetër.

Pra ne duhet t’i shërbejmë atdheut me shkrimet tona, duke u përqëndruar në çështjet e etikës dhe të ligjit kushtetues». Por kur kriza midis Çezarit dhe Pompeut po bëhej gjithnjë e më e madhe dhe midis të dyve, Ciceroni zgjodhi Pompeun. Madje ai shkoi dhe u bashkua me Pompeun në Epir, kohë kur ka parë përsëri Butrintin, Orikumin, Apoloninë dhe Durrachiumin, ku do të bëhej dhe beteja e gjatë midis legjioneve të Çezarit dhe Pompeut, luftë e cila do të mbaronte me fitoren e Çezarit në Farsale të Maqedonisë. Pas kësaj beteje, Ciceroni u rikthye në Romë dhe filloi përsëri luftën e tij qytetare në fushën politike.

Korbat e Apolonit

Në vitin 44 p.e.s. shumë gjëra kishin ndryshuar në jetën politike të Romës. Edhe pse ai luftoi gjer në fund të jetës së tij për të mbrojtur ekuilibrin e brëndshëm politik të Republikës nga grindjet e mëdha që zhvilloheshin midis Brutus, Cassius, Marc Antonios, (Mark Antoni) dhe konsujve të tjerë, ai nuk arriti ta shmangte zemërimin e kundërshtarëve të tij politikë. Siç shkruan dhe në veprën e tij Filipikët, «Mark Antonio është një i çmëndur, një i korruptuar dhe akoma më i keq se Çezari. Antoni kërkon të fillojë një gjakderdhje të re».

Vrasja e Çezarit në 15 mars të atij viti ishte kulmi i kaosit në Romë. Oktav, nipi i Çezarit dhe trashëgimtari i tij, i cili studjonte në atë kohë në akademinë ushtarake të Apolonisë, u kthye me nxitim në Romë. Ciceroni i kërkoi që të bashkohej me të në luftën kundër Mark Antoni, por Oktavi nuk guxoi. Pikërisht këtë vit, duke e parë si një kundërshtar të rrezikshëm, Mark Antoni dhe besniku i tij Lepide, dërguan ushtarët e tij që ta kapnin. Tashmë emri i Ciceronit ishte në listat e njerëzve që duhej të ekzekutoheshin. Kur ushtarët shkuan ta arrestonin, tregojnë se atë e kishin gjetur duke u larguar me shpejtësi nëpër një pyll për t’iu afruar detit dhe për të gjetur atje ndonjë anije.

Ndoshta për ta çuar drejt brigjeve ilirike, në Durrachium, ku ende kishte miqtë e tij. Në fakt, para se të largohej, Ciceroni kishte shkuar më parë në shtëpinë e tij në Gaeta, që ishte bosh. Kronistët thonë se atë natë, mbi vilë fluturonin korbat. Madje një korb kishte hyrë dhe kishte shkuar në krevatin e tij, duke e goditur me sqep, por plaku i lodhur flinte. Me sa duket korbat ishin të dërguarat e Apollonit, që kërkonin t’i vinin në ndihmë Ciceronit, ta zgjonin që ai të ikte sa më shpejt.

Të nesërmen, miqtë e tij e morrën dhe po iknin. Ndërkohë ushtarët kishin mbërritur në vilën bosh dhe kishin pyetur për të. Njëri nga banorët, dhe pikërisht Filologes, që Ciceroni vite më parë i kishte dhënë mësime, u kishte treguar rrugën nga kishte ikur Ciceroni. Dhe ja, duke nxituar drejt brigjeve, ata panë Ciceronin që po priste anijen. Më së fundi atë e kapën dhe menjëherë i prenë kokën, të cilën ia dërguan në Romë të fuqishmit Mark Antoni. Ishte 7 dhjetor i vitit 43 p.e.s. dhe Herennius, i preu kokën dhe duart.

Brutus, i cili kishte lënë Durrachiumin, ishte ngjitur drejt Italisë së veriut, pastaj kishte marshuar në tokat e galëve e më pas kishte zbritur drejt Romës. Ai ishte shpallur imperator, por Ciceroni tashmë kishte vdekur. Koka dhe duart e tij ishin ekspozuar nga njerëzit e Mark Antonit në «rostrum», në tribunën popullore të Romës. Ata kapën dhe birin e tij si dhe vëllain Quintes, të cilët i vranë gjithashtu. Kohë më pas, Plutarku shkroi librin Jeta e Ciceronit, ku do të bënte të njohur jetën dhe veprimtarinë politike e humaniste të një prej gjigandëve që nxorri Roma antike, atë të Ciceronit, autorit të veprave të mirënjohura të antikitetit romak. Sigurisht, në veprën e tij De Fato, (Mbi Fatin), ai nuk e kishte parashikuar fatin e tij, as atë që do t’i prisnin kokën dhe duart e tij për t’i ekspozuar pastaj në Forum, para qytetarëve të Romës.

Gjenitë kishin shpesh një fat tragjik…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here