Iliria antike shtrihej në një territor shumë të gjerë, i cili në kohën tonë përfshinë në vete pjesën më të madhe të gadishullit të Ballkanit. Territori i Ilirisë antike edhe sot po të ishte brenda një entiteti shtetëror, do të konsiderohej si një entitet i madh edhe në konditat e sotme evropiane. Problemet e funksionimit të Ilirisë antike si një entitet shtetëror homogjen, përbërja e popullsisë dhe ndarja e saj në formacione të shumta fisnore, pasojat e pushtimeve të gjata romake, bizantine e bullgare, janë ende tema trajtimesh shkencore. Megjithatë, shtrirja e saj gjeografike është më e fiksuara, më e qarta nga të gjitha problemet e tjera, sigurisht për arsye se gjeografia nuk ka ndryshuar rrënjësisht. Të dhëna për shtrirjen gjeografike të Ilirisë antike kanë lënë shumë autorë të vjetër grekë e romakë. Kësaj radhe do të evokohen dëshmitë e dy autorëve, historianit helen, Apianit dhe gjeografit nga Aleksandria, Ptolemeut, të cilat hedhin mjaft dritë mbi vendndodhjen e Ilirisë antike.
Të dhënat që ka lënë Apiani (fundi i shekullit I-rë deri në vitin 70 të shekullit të II-të) për hapësirën në të cilën shtrihej Iliria, janë me interes për ta pasur një përfytyrim sa më të qartë për shtrirjen e saj gjeografike. Ky historian i njohur helen, i cili bëri karrierë edhe në Romë, në veprën e tij “Illyrike”, ka lënë si dëshmi këto fjalë:
“Helenët quajnë ilirë ata që banojnë mbi Maqedoninë dhe Thrakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri tek lumi Ister. Dhe kjo është gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia prej maqedonëve dhe thrakëve malorë tek paionët deri në Jon dhe rrëzë të Apleve. Gjerësia mban pesë ditë rrugë, kurse gjatësia tridhjetë ditë, siç thonë helenët. Sipas matjes që bënë romakët, gjatësia kalon të gjashtëdhjetë stadet, kurse gjerësia është rreth njëmijë e dyqind stade. Këtë emër e mori ky vend, siç thonë, nga Iliri, i biri i Polifemit.”


(Ilirët dhe Iliria te autorët antikë: 250)


Ndërsa, gjeografi i famshëm aleksandrin i shekullit të dytë të erës sonë, Ptolemeu, në veprën e tij, “Geographia” ka lënë dëshmi edhe më konkrete për territoret ku banonin ilirët:
“Iliria (Illyris) kufizohet nga veriu me të dy Panonitë sipas kufijve që parashtruam, nga perëndimi me Istrinë sipas një vije, fundi së cilës nga ana e Panonisë së Sipërme përfundon në gradat 36 30’- 45 10’, kurse fundi i saj në Detin Adriatik (Adrias) 36 30’- 44 50’, nga lindja me Myzinë e Sipërme sipas vijës prej vendit ku lumi Savo (Savos) ndërron drejtimin e tij, gjer në fundin e saj tek mali Skard (Svardos) gradat e të cilit janë 47 – 41 40’, nga jugu me një pjesë të Maqedonisë sipas vijës që arrin prej pikëmbarimit të lartpërmendur gjer në Adriatik, gradat e së cilës janë 45- 41 0’ dhe me bregun këtej Adriatikut gjer në pikëmbarimin e lartpërmendur pranë Istrisë.”
(Ilirët dhe Iliria te autorët antikë: 266)
Pastaj Ptolemeu përmend një varg qytetesh të bregdetit të Liburisë, Dalmacisë, Maqedonasit e Epirit, që janë shenja të jetës urbane të ilirëve. Ndër këto qytete përmenden edhe Avlona, (Vlora) Epidaurusi, (Durrësi) Risinioni, (Rizoni) Ulkinioni, (Ulqini) Lissosi (Lezha), Scodra (Shkodra). Delminioni (Delminiumi) Apollonia, Bullis (Bylisi) Albanopolisi, etj, disa nga të cilat edhe sot janë qytete të rëndësishme shqiptare, që kanë ruajtur vazhdimësinë si qytete me mijëra vjet. Kjo gjeografi kaq e fiksuar, këta emra qytetesh kaq të kuptueshëm për gjuhën tonë shqipe, janë provë e fortë e vazhdimësisë iliro-shqiptare në aspektin gjeografik, po edhe etnik. Natyrisht me reduktimet që kanë ardhur nga tronditjet tektonike që kanë përcjellë nëpër shekuj këto hapësira. Por, atdheu i të parëve tanë është i njohur për ne në gjithë gjerësinë dhe gjatësinë e tij. Edhe shumë nga qytetet e shumta të kësaj hapësire ilire janë të njohura dhe popullohen edhe sot prej shqiptarëve. Prandaj sa i përket atdheut historik të të parëve tanë, mund të thuhet se kemi njohuri solide për të.
Kemi njohuri jo të pakta edhe për një pjesë të jetës dhe të fateve të paraardhësve tanë ilirë, që nga kohërat e errëta e deri në kohën kur ndodhën përmbysjet e mëdha demografike. Por, na mbetet ende një enigmë e madhe: mungesa e shkrimit në gjuhën ilire. A shkruan ata në gjuhën e vet, për të cilën dihet saktësisht se ishte e ndryshme nga gjuhët e tjera dhe kishte emrin e vet, ilirishte, ose gjuha e ilirëve? Apo nuk patën fatin e mirë, që ta arrinin atë shkallë iluminimi mendor e kulturor, sa të shkruanin në gjuhën e vet ilire? Kjo histori e shkurtër dhe modeste e komunikimit dhe e literaturës shqipe, pashmangshëm fillon nga kjo pikë.


A shkruan ilirët në gjuhën e vet


Pra, studimi i komunikimit dhe mediave ndër ilirë, si edhe hulumtimi për gjithë historinë e tyre, pashmangshëm duhet të fillojë me një pyetje që shprehë habi: pse nuk arritën ilirët të komunikonin me shkrim në gjuhën e tyre dhe të konstituonin institucione adekuate për zhvillimin e shkrimit e të kulturës, kur dihet që jetuan të kufizuar e edhe të përzier me dy popujt më të zhvilluar të kohërave antike, ndërmjet helenëve dhe romakëve? Çka i ka penguar ata që të “infektoheshin” nga pasioni që të shkruanin në gjuhën e tyre, për të shprehur ashtu identitetin e tyre etnik, gjuhësor e kulturor? Pse nuk arritën ta kishin një institucion ose medium të vetin, të ngjashëm me izagorian helene, ku të gjithë qytetarët e lirë kishin të drejtën e shprehjes së lirë në publik? Ky medium i bëri helenët antikë, që të çlironin një energji të jashtëzakonshme të mendimit e të dijes, filozofisë, retorikës, logjikës e poezisë, që u bënë gjenerator i zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror. Të ketë kaluar krejtësisht pa u vënë re nga ilirët izagoria e famshme helene? Kjo nuk është e mundur, pasi që disa autorë helenë kanë lënë dëshmi për ilirët dhe kontaktet që kanë pasur me fqinjët e tyre. Vetë Tukididi (460 – 400 p.e.s.) që edhe quhet themeluesi i historisë, në veprën e tij “Historia” sjellë dëshmi për ilirët, kur flet për luftën civile në Epidamn (Durrës) në vitet 436/435. Tukididi njofton:
“Epidamni është një nga qytetet që gjendet nga ana e djathtë kur hyn në gjirin e Jonit. Pranë tij banojnë barbarët taulantë, fis ilir.
(Ilirët dhe Iliria: 24)
Isokrati (436-338 p.e.s.) nga ana e tij ka sjellë një dëshmi për pushtimin e tokave ilire nga Filipi, përveç atyre që ishin buzë Adriatikut:
“Nuk u bë zot i pjesës më të madhe të tokave të ilirëve, përveç atyre që banojnë buzë Adriatikut?”
(Ilirët dhe Iliria: 31)
Oratori i famshëm, Demosteni, po ashtu sjellë të dhëna për ilirët në kohën e Filipit, babait të Aleksandrit të Madh, duke rrëfyer se Filipi i kishte pushtuar edhe ilirët, të cilët nuk ishin mësuar të binden dhe me gjasë nuk po pajtoheshin me sundimin e huaj. Edhe njoftime si këto të Demostenit dëshmojnë se ilirët njiheshin me helenët dhe madje kishin një mplakje të imponuar me ta:
“…Përsa i përket paionëve, ilirëve dhe të gjithë fqinjëve të tij në përgjithësi duhet besuar se për ta është më e kënaqshme të jenë të pavarur e të lirë se sa të nënshtruar. Janë njerëz që nuk janë mësuar të binden, kurse njeriu ynë (Filipi) thuhet se është zot i rreptë…”
(Ilirët dhe Iliria: 33)
Këso dëshmish për kontaktet, njohjet e raportet heleno-ilire po edhe romako-ilire, ka shumë, që nga Iliada. Prandaj, mbetet e paqartë pse këto nuk kanë provokuar edhe ndonjë formë të alfabetizimit të ilirëve.
Pyetja tjetër shqetësuese: pse janë mjaftuar me mundësinë që sapo të mund të arrinin shansin e të mësuarit të shkrimit e leximit, atë ta bënin në ndonjërën nga gjuhët e huaja, helene, latine, ose sllave? A ka qenë kjo prirje për t’u identifikuar me gjuhët dhe kulturat e tjera, që kishin traditë shkrimi e forma institucionale komunikimi, e kushtëzuar nga “prirje gjenetike”, nga “rrethana natyrore” apo nga statusi politik e kulturor i tyre, si popull i rënë në robëri të gjata?
Në fund të fundit, shtrohet edhe pyetja: pse pas rënies nën sundimin romak, nuk arritën asnjëherë të fitonin pavarësinë dhe lirinë (edhe pas shpërbërjes së Perandorisë Romake) e të shndërroheshin në një faktor të përfillshëm në gadishullin, të cilin një herë e një kohë, ndonëse me formacion fisesh të paorganizuara në një shtet, e kishin populluar pothuajse sa gjerë sa gjatë? Pyetje ka edhe më shumë, ndërsa përgjigjet e plota ende mungojnë.
Mbase përgjigjja në pyetjen se kur dhe ku u formua etnosi ilir, mund të hapë një kënd më të qartë për të hulumtuar shkaqet e asaj ngecjeje në formimin kulturor. Muzafer Korkuti sjellë këtë kumt për kohën e formimit të etnosit ilir:
“…një përputhje e tillë e konkluzioneve arkeologjike me ato linguistike e bën më bindës përfundimin se në bronzin e mesëm* duhet të kërkojmë fillimin e formimit të etnosit ilir”
(Studime ilire: 41)
Sipas periodizimit të Korkutit, periudha e bronzit të mesëm shtrihet në vitet 1800 (1700) -1500 para erës sonë. Ndërsa, formimin e mirëfilltë të etnosit ilir, Korkuti e vendos në periudhën e hershme të hekurit, pra në shekujt XII-V para erës sonë. Edhe pse kjo çështje e periodizimit nuk ka si të jetë objekt mëtejshëm i studimit tonë, na imponohet të shtrojmë një dilemë lidhur me të: a është e mundshme që ilirët, duke qenë në procesin e formimit etnik, të luanin një rol të rëndësishëm në Luftën e Trojës, e cila ndodhi në shekullin XII para erës sonë? Dhe nga ana tjetër, a është e mundshme që ata nuk i “spërkati” aspak lulëzimi kulturor i helenëve në shekullin V-IV para erës së re, pra në periudhën e lulëzimit të tragjedisë antike greke? Po të shikojmë më larg, procesi i formimit të etnosit ilir, përkon edhe në kohën kur lulëzoi shkrimi te fenikasit dhe prej tyre kaloi edhe tek helenët. Pse nuk kaloi nga helenët tek ilirët, të cilët në distancë gjeografike ishin shumë më afër me ta se sa që ishin helenët me fenikasit, mbetet një enigmë tash për tash.
“Hipoteza gjeografike” duhet të rishikohet
Këtë enigmë nuk e ka shpjeguar deri sot asnjë teori, ndonëse ka pasur mjaft përpjekje që të shpjegohet. Një prej përpjekjeve teorike është ‘teoria gjeografike’, e cila në qendër ka një autor të famshëm shqiptar, gjuhëtarin Eqrem Çabej, i cili në studimet për gjenezën e literaturës shqipe, të shkruar në vitet tridhjetë të shek. XX, ka theksuar rolin e pozitës gjeografike të Shqipërisë, si një rrethanë e pavolitshme për lindjen e literaturës më herët. Çabej ka konstatuar se pozita e Shqipërisë është e tillë që ndonëse në njërën anë kufizohet me det, në brendësi ndërpritet me vargmale, të cilat kanë penguar komunikimin normal dhe elementar, kështu që kjo ka stimuluar më shumë organizimin fisnor dhe nuk ka prodhuar mundësinë e krijimit të një kulture në gjuhën shqipe.
“Prodhimi literar i një populli nuk mund të kuptohet pa njohjen e historisë së tij, por historia shpeshherë është rezultat i të dhënave gjeografike, influenca e formimit tokësor dhe natyrës së vendit mbi jetën dhe mbi veprimet e njerëzve.”
(Çabej:101)
Pra, ai ka konstatuar se këto ndërprerje me male të krahinave të ndryshme thjesht nuk kanë lejuar një komunikim më dinamik që do të prodhonte vlera kulturore në gjuhën e vendit, ndonëse Çabej thotë se “Shqipëria paraqet në përgjithësinë e saj një njësi gjeografike”. (Çabej: 101) Pra, ndonëse është e ndarë, e fragmentuar dhe e copëzuar, sipas Çabejt, ajo prapë paraqet përsëri një njësi gjeografike, por e cila nuk paskësh funksionuar si e tillë.
Me ndikimin e gjeografisë, konfiguracionit mbi historinë e Shqipërisë, janë marrë edhe autorë si Peter Bartli, i cili edhe konstaton:
“Peizazhin shqiptar e mbizotërojnë kryesisht malet.”
(Bartl:13)
Edhe Noel Malcolmi e përmend këtë dimension të gjeografisë si një rrethanë për vonesën e kulturës, vonesën e krijimit të shtetit dhe krijimit të kombit shqiptar. Malkolmi pohon:
“Ilirët, të cilët kishin jetuar në rrafshinat bregdetare u romanizuan, si ata të bregdetit dalmatin, ashtu edhe ata të pjesës dërrmuese të trojeve të ish Jugosllavisë. Në kohën kur sllavët zunë të arrinin në shekullin VI, kishin mbetur vetëm grupe folësish të gjuhëve “barbare” në Ballkan, dhe të gjithë ata ndodheshin në viset malore.”
(Malkolm:35)
Sidoqoftë, kjo është një teori që ka anët e veta të logjikshme, mirëpo ka dobësi shumë serioze. Në një qasje kritike, mund të thuhet që teoria e cila pohon se pozita gjeografike ka ndikuar mbi gjithë këto aspekte të vonesave është e diskutueshme, për arsye se teoritë nuk mund të aplikohen në mënyrë selektive dhe të veçanta, por duhet të kenë një karakter më të gjerë dhe më universal. Në rastin e Shqipërisë, po të krahasohet konfiguracioni i saj gjeografik me atë të Greqisë, fqinjit të parë, del se është konfiguracion i përafërt gjeografik. Edhe Greqia në njërën anë kufizohet me dete, ndërsa pjesa tjetër është e shtrirë me ndërprerje malesh, me copëzime e fragmentime territoresh dhe madje ishujsh. Këto janë karakteristika edhe të disa vendeve të gadishullit ballkanik, Malit të Zi e Kroacisë. Pra, kjo teori, qoftë dhe vetëm me shembullin e Greqisë, nuk mund të aplikohet, sepse ky vend ka pasur një kulturë të lashtë antike, e pakta po të merret si vijë ndarëse periudha e këngëve homerike, prej shekullit VIII p.e.s. Kultura antike greke, jo vetëm me këngët homerike, po edhe me tragjedinë, me filozofinë, me poezinë lirike, me lojërat olimpike, me libraritë e shumta e të famshme në Athinën antike dhe me shumë vlera të tjera kulturore, konsiderohet si njëra nga shtyllat e mbarë qytetërimit perëndimor, por edhe më gjerë. Prandaj, teoria që e identifikon konfiguracionin gjeografik si shkak të vonesave të mëdha kulturore në rastin e ilirëve e shqiptarëve, duhet të merret me rezervë.
Në fakt, teorinë gjeografike e bën problematike edhe një rrethanë tjetër. Ilirët kanë jetuar në rrafshina të mëdha, duke përfshirë hapësirat e Sllovenisë së sotme, Panonisë së sotme, Vojvodinës e Serbisë së sotme, të cilat janë fusha të gjera dhe të lagura nga lumenj të mëdhenj siç janë Danubi, Sava, Drava etj. Edhe pse kanë jetuar në këto hapësira të mëdha, pa ndërprerje malesh fare, me aq sa dihet deri sot, ata prapëseprapë nuk kanë arritur që të krijojnë ndonjë kulturë shkrimore në gjuhën e tyre. Dhe kjo tregon se duhet të kemi përherë një qasje kritike ndaj teorive të tilla, të cilat sigurisht në të ardhmen do të begatohen me qasje të tjera.
Faktorët natyrorë kanë njëfarë ndikimi edhe në lindjen e kulturave dhe formacioneve shoqërore, por ky rol mund të jetë pak më i kufizuar, se sa të gjeneralizohet si një teori në vete, prandaj në këtë kuptim duhet të gjejmë edhe faktorë të tjerë, të cilët mund të na shpjegojnë pse historia kulturore e ilirëve dhe e shqiptarëve pas tyre, është kaq e vonuar dhe mjaft atipike në krahasim me popujt fqinj, veçmas me grekët. Nuk duhet të shmanget nga vëmendja që ilirët dhe shqiptarët e sotëm janë kufizuar me dy popuj, të cilët kanë vënë njërën nga shtyllat e qytetërimit evropian, nga grekët në pjesën lindore dhe nga romakët në pjesën perëndimore. Kjo fqinjësi direkte me grekët dhe me romakët, çuditërisht nuk ka prodhuar një provokim mendor, intelektual e kulturor ndër ilirët, së paku nga ajo që ne dimë deri më sot. Deri në ditët tona nuk janë gjetur shkrime në gjuhën e popullit ilir, (pasardhësve të tyre arbër, epirot, maqedonas) kështu që mbetet një enigmë se si është e mundur që popujt që jetojnë në një fqinjësi direkte dhe që në fakt shkëmbejnë njëri me tjetrin, nuk provokohen nga njëri tjetri kulturalisht. Në rastin e popujve të Lindjes, te sumerët, babilonasit, hititët, egjiptasit, fenikasit, ka ndodhur proces i kundërt me këtë. Edhe pse edhe ata kanë pasur konflikte dhe e kanë pushtuar njëri-tjetrin, ata kanë marrë kulturën dhe më pas e kanë zhvilluar e begatuar, i kanë dhënë dimensione të reja, kështu që ndonëse një popull është pushtuar, kultura përsëri është zhvilluar. Pra janë ndikuar prej këtyre afeksioneve kulturore. Megjithatë, në këtë kontekst duhet të mbajmë në vëmendje atë që ka thënë historiani antik, Herodoti, sepse mund të ndodhë që një ditë të zbulohet ajo që ai pati thënë:
“Pellazgët kanë qenë të parët që i morën shkronjat prej fenikasëve dhe prej pellazgëve i morën grekët, aty nga fillimi i shekullit XVI p.e.s.”
(Kotini:130)
Sipas kësaj të dhëne, rezulton se pellazgët e kanë njohur shkrimin, e kanë marrë prej fenikasve, dhe ua kanë dhënë grekëve. Fatkeqësia është se këto shkrime për të cilat flet Herodoti, nuk janë zbuluar ende. Por, hipotetikisht mund të ndodh ajo që ka ndodhur me shkrimet sumere, që janë zbuluar në gjysmën e parë të shek. XX, ndërsa deri në atë kohë nuk ka ditur askush për to. Pra, ndonjë ditë mund të ndodh që të zbulohet ndonjë qytet antik pellazg me krejt arsenalin kulturor e shkrimor në gjuhën pellazge. Por, shkencërisht nuk mund të vërtetohet pa ndodhur një gjë e tillë. Po ashtu ende zhvillohen diskutime lidhur me raportet ndërmjet pellazgjishtes e ilirishtes, sigurisht për shkak të mungesës së teksteve të shkruara, të cilat do të ndriçonin ato raporte më mirë se sa të gjitha hamendësimet e botës. Indikative në këtë mes është që Herodoti përmend pellazgët, por jo ilirët. Ndërsa tek autorë të mëvonshëm përmenden dendur ilirët, por jo edhe pellazgët. Këtë ndryshim ende nuk e ka gjurmuar askush deri në pikën sa të ndriçohet se a janë ilirët pasardhës të pellazgëve, zëvendësues të tyre në skenën e historisë, apo etnos i ri, që i ka dominuar pellazgët, (fjala vjen si babilonasit, sumerët) duke i fshirë nga memoria historike. Pra, kjo pjesë e antikës pellazge dhe ilire, ose pellazgo-ilire, mbetet e paqartë. Nga Herodoti, e qartë është vetëm që grekët dhe pellazgët nuk kanë qenë i njëjti popull, gjë që e kanë thënë disa autorë të kohëve tona.
Në Mesjetë dalin indikacione për shkrimin e shqipes, ndonëse tekste të shkruara shqip të asaj kohe, deri sot nuk janë gjetur. Fjala vjen, Brokardi, Guilelmus Adae, duke qenë një udhëpërshkrues për viset mesdhetare në shekullin XIV dhe ka shkruar:
“megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve, ata përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre.”
(Skendi: 111)
Fatkeqësisht, as ky fond librash për të cilin flet Brokardi deri më sot nuk është zbuluar.
Hipoteza e institucioneve – me më shumë përparësi
Një nga arsyet e mungesës së shkrimeve në gjuhën e ilirëve dhe të shqiptarëve deri në shekullin XVI, më shumë sesa faktorit gjeografik, i atribuohet mungesës së institucioneve kulturore, fetare e administrative të ilirëve dhe pasardhësve të tyre, shqiptarëve. Mungesa e institucioneve të shtetit në këtë rast ka qenë e tillë që nuk ka pasur një lloj adrese prej të cilës do të fillonte stimulimi dhe motivimi i fillimit të shkrimit dhe kjo është një nga arsyet e mungesave të mëdha të shkrimit në gjuhën tonë. Institucionet e atyre periudhave kanë mundur të jenë ose shtetërore ose fetare. Po të evokojmë shembullin e Greqisë antike, sipas autorit Jorge Livraga, rezulton që tragjedia antike greke ka lindur më shumë prej ritualeve fetare që janë zhvilluar në tempujt fetarë të Greqisë antike dhe më vonë është bërë pjesë e politikave kulturore të institucioneve shtetërore, veçmas në periudhën e Perikleut. Në periudhën e Perikleut, shteti e ka marrë nën mbrojtje dhe ka stimuluar teatrin, tragjedinë, por në krye të herës, këto kanë lindur në njëfarë ndërveprimi të ritualeve fetare në tempullin e Eleuzinës, tempullit kryesor të politeizmit grek:
“Thënë më saktë, teatri grek, i cili lulëzimin e vet e pati në shekullin V para Kr., u zhvillua nga misteret në Eleuzinë, e cila ishte edhe gjeografikisht e edhe kulturalisht afër Athinës”
(Livraga: 8)
Në mungesë të institucioneve shtetërore e fetare që do të prodhonin kulturë të shkruar, modeli kryesor i organizimit të ilirëve ka qenë organizimi fisnor. Bile, modeli fisnor i organizimit ka qenë edhe në Mesjetë dhe në periudhën e sundimit osman, për çka Bartli pohon:
“Shoqëria fisnore jetonte sipas ligjeve të veta. Bashkëjetesa rregullohej përmjet normave të një kodi të pashkruar dokësor, i cili te fiset e ndryshme nuk ishte doemos i njësuar, porse kishte gjithsesi një themel të përbashkët.
(Bartl: 56)
Meqë organizimi fisnor është organizim parashtetëror, jashtështetëror, (antishtetëror në esencë), si i tillë është formacion i vogël dhe nuk akumulon potenciale të mjaftueshme për prodhim të mirëfilltë e dinamik kulturor, veçmas në formë të shkruar. Edhe sot fiset primitive të cilat jetojnë në Ande, Amazonë apo Afrikë, me të cilat antropologët merren shumë, kanë formacione që nuk prodhojnë kulturë të shkrimit. Ato prodhojnë rituale, kulturë gojore, por jo kulturë të shkrimit.
Po të krahasohet organizimi ilir me organizimin grek, i cili ka qenë në modelin e qytetit shtet, ose edhe me organizimin e shtetit romak, i cili ka qenë një shtet i qendërzuar, me formë perandorake të sundimit në pjesën më të madhe të ekzistimit të vet, organizimi fisnor i ilirëve ka qenë me defekt serioz në mënyrën e organizimit të vet. Pra, nuk është aplikuar as modeli i polisit grek, as ai i një shteti të qendërzuar, por një organizim fisnor, i decentralizuar, i rivalizuar ndërmjet vete, që ka prodhuar pak a shumë modele të tjera të jetës kulturore dhe sociale, sesa ato që janë karakteristike tek grekët dhe romakët. Kjo formë e organizimit fisnor, pa e arritur shkallën e një organizimi mirëfilli institucional e shtetëror, e ka vulosur edhe epilogun e konflikteve shumëshekullore të ilirëve me popujt përreth ose fqinjët e tyre, ndërsa Romanizimi qëndron në qendër të këtij fragmentimi fisnor e dobësimi etnik dhe kulturor.
Ilirët e paromanizuar kanë ngelur pa institucione dhe pa ndonjëfarë identiteti kulturor ose shoqëror që do të tregonte se çfarë ata ishin. Në kushte të atilla, shkrimi në gjuhën e tyre ka qenë mision i pamundur, sepse ata iu nënshtruan procesit të Romanizimit dhe një pjesë e madhe e tyre edhe u romanizuan.
Për ta kuptuar më mirë se çfarë pasojash të rënda solli pushtimi romak dhe veçmas Romanizimi, duhet të evokohet se cila ishte gjendja demografike, fetare, sociale dhe ekonomike e ilirëve para pushtimit romak, në të njëjtat hapësira gjeografike? Edhe pse ende nuk patën krijuar institucione mirëfilli shtetërore, që do ta bënin kapërcimin vendimtar nga organizimi fisnor tek ai shtetëror, ilirët në periudhën para pushtimit romak, ishin në një proces të kompaktësimit demografik, të zhvillimit ekonomik e kulturor dhe të formimit të një shteti me parashenjë të fuqishme etnike.

Milazim KRASNIQI (fragment nga libri “Ekskomunikimi si histori e fshehur, Rozafa, Prishtinë, 2015) /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here