Historia e shfrytëzimit të naftës në Shqipëri ka një kronikë jo më shumë se një shekullore. Puna e mirëlltë shkencore ka nisur pas krijimit të shtetit të ri shqiptar, që në vitin 1913. Ishin italianët ata që regjistruan daljet e naftës në perëndim të Kuçovës, në Selenicë, në Patos dhe rreth vitit 1914, gjeologët e ushtrisë italiane që ishte stacionuar në Sazan, vunë re në det shenja nafte dhe duke i gjurmuar këto shenja, vunë re se ato vinin nga lumi i Shushicës, i cili kalon në Drashovicë.

Natyrisht italianët, si të parët, si fqinjë dhe vend industrial me zhvillime të shpejta, janë treguar mjaft të interesuar për të, dhe në vitin 1914 vendosën të shpojnë pusin e parë, i cili u quajt Rexhina Maria, në nderim të mbretëreshës së Italisë me të njëjtin emër.

Pusi i parë është shpuar deri në rreth 200 metra dhe dha naftë shumë të mirë. Pas këtij rezultati italianët filluan të kenë një interes të jashtëzakonshëm, dhe nga viti 1924, në një kongres ndërkombëtar, u bënë të njohura shenjat e naftës në vendin tonë që ishin në Patos, Kuçovë dhe Drashovicë.

Në vitin 1925 kur u formua qeveria e Ahmet Zogut, qeveritë e shumë vendeve europiane, si ato angleze, italiane, franceze, kanë ardhur dhe kanë kërkuar koncesione, madje edhe iu është dhënë një sipërfaqe e konsiderueshme që nga Tepelena, Memaliaj e deri në Shkumbin, sipërfaqe në të cilën përfshiheshin edhe daljet sipërfaqësore të bitumeve. Janë të panumërta korrespodencat mes ambasadorëve tanë në vendet perëndimore dhe përfaqësuesve ligjorë të shtetit shqiptar, deri te Kryeministri e Mbreti Zog, të cilët interesoheshin për naftën shqiptare, për të pasur një dominim të tyre në Shqipëri.

Në vitet 1930-1932 italianët morën në dorë të gjitha kërkimet e naftës në Shqipëri dhe deri në çlirimin e vendit ata organizuan dhe drejtuan të gjitha kërkimet e naftës dhe hodhën bazat e zbulimeve-citon politico.al

Në 1927 filluan shpimet e para në Kuçovë, ku në 1934 erdhi një gjeolog botërisht i njohur, Stanislav Zuber, polak me origjinë, por ishte i angazhuar nga shoqëria italiane e naftës, A.I.P.A. Ai ka zbuluar Kuçovën, e cila filloi të prodhojë naftë, e cila transportohej në Itali. Deri në vjeshtën e vitit 1943, ky vend realizoi një prodhim maksimal të naftës deri në 200 000 ton.

“Në vitin 1932 Konti Çiano vajti në Berat, për të vizituar puset naftëmbajtëse që atje ishin afër. U prit nga kryetari i shoqërisëe A.I.P.A., inxhinier Jakobini, si edhe nga punëtorët, në shumicë shqiptarë, që e brohoritën”, dëshmon Francesko Jakomoni në kujtimet e tij.

Në vitin 1935 u ndërtua në Kuçovë i pari naftësjellës që e dërgonte naftën në Vlorë, në një largësi 74 km, me anë të një tubacioni 200 mm, me katër stacione ndërmjetëse.

Po sipas Jakomonit, “në ditarin e tij Çiano shkruante më 5shkurt 1939 se duhej nxituar për një veprim në Shqipëri dhe, në një mendje me Musolinin, thoshte se kjo kohë veprimi duhej vendosur në javën e Pashkëve, sepse nuk i duhej lënë kohë Qeverisë jugosllave që të forcohej në fushën politike, diplomatike dhe ushtarake. Ai ishte i vendosur që të vepronte sa më shpejt në Shqipëri, sepse kishte marrë vesh nga ambasadori ynë në Berlin se Gjermania kishte ndërmend të vinte duart në naftën shqiptare.”

Në vitin 1943 italianët kishin shumë nevojë për naftë dhe u detyruan të ngrinin një uzinë përpunimi në Kuçovë dhe thuhet që plotësonin ato pak nevoja që kishin. Por, pas kapitullimit, kur ikën, italianët hodhën në erë gjithçka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here