Kolonel-lejtnant Neil Loudon Desmond McLean, i njohur si Billy McLean, ishte oficeri i zbulimit i dërguar në Shqipëri nga forcat britanike. Koloneli, i cili udhëhoqi operacionet speciale në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore është ndarë nga jeta më 17 nëntor të vitit 1986.
Në fillim të vitit 1943, Londra e caktoi Mcleanin për të udhëhequr një mision në Shqipërinë e pushtuar, për të bashkërenduar luftën kundër nazizmit.
Ai u hodh me parashutë në prill të vitit 1943 dhe ra në kontakt me partizanët, duke vendosur gjithashtu lidhjen e parë me radiotransmetues me shtabin britanik. Ekipi McLean organizoi Brigadën e Parë partizane, krahas stërvitjes dhe armatimit të saj. Pas largimit nga Shqipëria, në nëntor të vitit 1943, McLean u thirr në Londër.
Megjithatë, tensioni mes partizanëve dhe Legalitetit e Ballit Kombëtar, shkaktuan shqetësime mes britanikëve se lufta po pengohej dhe Billy McLean u dërgua përsëri në Shqipëri, në prill 1944 me një ekip të vogël, të përbërë nga David Smiley dhe Julian Amery, me mision për e bashkimin forcave mes nacionalistëve dhe partizanëve, por pa sukses.
Pas kësaj, strategjia britanike ndryshoi; Mclean u urdhërua nga Londra të braktiste shtabin e Abaz Kupit dhe prej këtu, përkrahja britanike ishte vetëm për partizanët.
Pas luftës, në fund të viteve 1940, Billy McLean iu bashkua përpjekjeve të agjencive amerikane dhe britanike të zbulimit kundër regjimit komunist në Shqipëri.