Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Qershor 2018
Në në faqen n° 236 të dokumentit me titull “Documents diplomatiques français, 1871-1914. Série 3,Tome 8 / Ministère des affaires étrangères. Commission de publication des documents relatifs aux origines de la guerre de 1914.”, gjejmë një telegram të zëvendës – konsullit francez në Manastir, drejtuar asokohe ministrit të punëve të jashtme të Republikës franceze, në lidhje me hyrjen e Isa Boletinit dhe 15 mijë luftëtarëve shqiptarë në Dibër për të sulmuar garnizonet serbe.
Çfarë përmban me konkretisht ky telegram? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
De Berne – Lagarde, Zëvendës-Konsull i Francës në Manastir, për Z. Pichon, Ministrin e Punëve të Jashtme.
Manastir, 25 Shtator 1913, ora 11
(Marrë : 26 shtator, ora 14)
“Forcat e mirëorganizuara shqiptare, prej 15,000 burrash, nën udhëheqjen e dukshme të Isa Boletinit, kanë hyrë në Dibër. Garnizoni serb, pasi pësoi humbje të rënda, i duhej të braktiste të gjithë Dibrën e poshtme dhe të tërhiqej në Strugë duke lënë dy topa artilerie në duart e shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, banda të shumta bullgare, sigurisht me nxitjen e qeverisë së vendit të tyre, kanë hyrë në aksion.
Disa prejt tyre bashkëpunojnë me shqiptarët, ndërsa të tjerat kanë angazhuar një guerilje të vërtetë në zonat që ndodhen në veri dhe në perëndim të Manastirit.
Shqiptarët, të cilët kanë me vete një numër të caktuar topash, dhe me sa duket, drejtohen nga oficerë austriakë, kanë arritur pranë Strugës.
Situata konsiderohet kritike, pasi serbët nuk kanë trupa të mjaftueshme.
Presim këtu ardhjen e katër regjimenteve që padyshim do të vijnë nëpërmjet hekurudhës.
Ka qenë e pamundur për mua t’u dërgoja një telegram deri tani si pasojë e ndërprerjes telegrafike. Komunikatë e legatës.”