Haxhi Qamili (1876-16 gusht 1915) ishte kryetari i lëvizjes panislamiste të Shqipërisë së mesme, që ndodhi gjatë viteve 1914-1915. Shkaku i rebelimit të tij ishte formimi i një qeverie të re të Vlorës me pëlqimin e fuqive të mëdha të krishtera, pas dorëheqjes së Ismail Qemal Beut më 1913. Në këtë qeveri të re pasuese e qeverisë së parë të Ismail Beut, fuqitë e mëdha caktuan Princin Wied. Qeveria e Princit Wied krahas masave të tjera filloi një proces deislamizimi në kuadrin e laicizimit të qeverisjes dhe të shtetit të porsa formuar shqiptar.
Në maj të vitit 1914 në periferi të Tiranës nisi ajo që njihet në histori si Kryengritja e Shqipërisë së Mesme. Kryengritja kishte si qëllim dëbimin e Princ Vidit dhe drejtimin e shtetit shqiptar nga një princ turk.
Më 3 qershor 1914, fshatarët e udhëhequr nga Haxhi Qamili dhe Myfti Qazim Beqari mblidhen në Kavajë për të kundërshtuar ndarjen nga perandoria osmane dhe qeverinë e sapoformuar me një Princ të krishterë. Kryengritësit kërkuan heqjen e flamurit shqiptar të Skënderbeut, rivendosjen e flamurit Osman të perandorisë osmane dhe bashkimin me Turqinë dhe vendosjen e ligjit të Sharias.
Pas luftës së Durrësit, me 18 Qershor 1914, forcat Vidiste u bënë gati për të shtypur këtë kryengritje. Në luftën e Rrashbullit sipas Shtjefen Gjecovit morën pjesë rreth 3000 trupa nga te dyja palët. Në anën e Vidistëve përveç mercenarëve të huaj morën pjesë edhe shumë malësorë katolikë nga veriu të udhëhequr nga Gjon Marka Gjoni.
Në korrik të vitit 1914, fshatarët rebelë të udhëhequr nga Haxhi Qamili, u futën në Elbasan. Turma e armatosur nisi të demonstrojë forcën në rrugën e qytetit e motivuar edhe nga “persekutimi” shekullor i ndarjes qytet-fshat. Fshatarët kryengritës të urdhëruar nga Haxhi Qamili filluan të ushtrojnë dhunë, jo vetëm ndaj figurave që kishin përkrahur qeverinë e Princ Vidit, por edhe ndaj pronarëve të thjeshtë dhe figurave të nderuara patriotike në Elbasan. Rebelët dogjën fillimisht shtëpinë e Aqif Pashë Bicakçiut.
Revolta pati sukses dhe kryengritësit pushtuan Shqipërinë e mesme me përjashtim të Durrësit.
Ata me 1 shtator 1914 pushtuan Vlorën pasi shpartalluan forcat e Princ Wiedit dhe ngritën flamurin ottoman me tre hëna në sfond të kuq duke thirrur: “Padishahem Cok Jasha” (Rroftë Sulltani). Dy ditë më vonë Princ Wied abdikoi dhe u largua nga Durrësi 6 muaj pasi qeverisjes së tij.
Në nëntor 1914 rebelët e Haxhi Qamilit djegin pallatet e Esat Pashë Toptanit në Tiranë dhe në janar 1915 bëjnë kongresin kombëtar duke e nxjerrë të jashtëligjshëm qeverinë e Esat Pashë Toptanit dhe deklarojnë neutralitet të Shqipërisë në luftën e parë Botërore që kishte nisur që më 1914.
Në dhjetor 1914 Haxhi Qamili shpall një program të ri ku nën parullat fetare kërkon të thellojë masat e ashpra ndaj pronarëve dhe intelektualëve.
Me kërkesë të Esat Pashë Toptanit, trupat serbe fillojnë një mësymje në qershor të 1915.
Forcat serbe arrestuan Haxhi Qamilin më 2 qershor dhe e dërguan në Durrës në burg. Xhelal bej Zogu kryetari i trupit gjykues e dënon me vdekje me varje.
Gjatë vitit 1915 Esat Toptani kap drejtuesit kryesorë të Kryengritjes dhe më në fund edhe Haxhi Qamilin. Haxhi Qamili ekzekutohet me varje më 16 gusht të vitit 1915. Këtu merr fund edhe Kryengritja e Shqipërisë së Mesme.