Aqif pashë Elbasani lindi në Elbasan më 1860. Më 1894 zgjidhet anetar i Keshillit Administrativ të Sanxhakut të Elbasanit, ndërhyn në paqtimin e një demostrimi popullor në Elbasan më 1897. Më 1908 me shpalljen e kushtetutës ishte ndër përkrahësit më të mëdhenj të klubit “Bashkimi”.

Më 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës me Dervish bej Biçakun, myderriz Ali efendi Bashen e Beniamin Nosin. Më 1910 është ndër kontribuesit e mitingut kundër gërmave arabe që xhonturqit donin t’ua detyronin shqiptarëve. Më 1912 përdori gjithë ndikimin e tij për suksesin e kryengritjes së përgjithshme. Në nëntor 1912 delegatët e Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës u zgjodhën në shtëpinë e tij. Më 26 nëntor 1912 ngriti flamurin kombëtar në Elbasan. Në prill të 1913 me largimin e trupave serbe nga qyteti, Ismail Qemali e emëroi prefekt të Elbasanit, detyrë të cilën e ushtroi derisa më 1914 u emërua ministër i Brendshëm dhe i Luftës në periudhën e Princ Vidit.

Me kryengritjen e Shqipërisë së Mesme shkoi në Bari, ku qëndroi 6 muaj dhe më pas u vendos në Shkodër. Internohet për disa muaj nga malazezët dhe nga rrethanat e krijuara nga zhvillimet e Luftës së Parë Botërore dhe ofensiva austro-hungareze kundër Malit të Zi, u lirua. Më 1920 i zgjedhur nga bashkia e Peqinit, përfaqësoi kazanë e Peqinit si delegat në Kongres, ku emërohet kryetar dhe me vendosjen e rendit të Regjencës, emërohet si një nga anëtarët e Këshillit të Naltë duke përfaqësuar elementin bektashi. U vendos në Vjenë, ku formoi “Partinë Kombëtare”. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 zgjidhet deputet i Korçës në Kuvendin Kushtetues. Ndërroi jetë më 10 shkurt 1926. /traditat, Instagram/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here