Arben Kondi
Të vizitosh Çamërinë është emocion dridhërues. Për më tepër që ditët e fundit po flitet aq shumë për të. Sot, prej politikanëve të lartë grek, duke përfshirë këtu edhe vetë presidentin Pavlopuolos, Çamëria është vënë në mirinë të pushkës, njësoj si në kohën e Napolion Zervës. Duke ulur e ngritur se çështja e saj nuk egziston, se shteti shqiptar duhet të hesht për të, ndryshe nuk do të bëhet pjesë e Evropës së Bashkuar, Athina zyrtare nuk po bën asgjë tjetër veçse po e përgjak sërish fytyrën e saj martire. Çamëria është dhimbje, është dhimbje krenare. Ajo vërtet mbetet ende plaga që rrjedh gjak prej shtatit të kombit shqiptar, por Çamëria është edhe vend mitik, është vendi që i këndoi Homeri i pavdekshëm. Çamëria është tokë mbretësh dhe princash. Eshtë vendi i mbretëreshës Olimbi, nënës së Aleksandrit të Madh, por edhe i Pirro Burrit, mbretit të shquar të Epirit. Eshtë vendi i Gjin Bue Shpatës dhe i Pjetër Loshës që dominuan në mesjetë. Çamëria është vendi i Hasan Tahsinit, i Abedin Dinos, i Muharrem Rrushitit, por edhe i Bilall Xhaferrit e sa e sa martirë të tjerë që bën aq shumë për Shqipërinë. Çamëria është perla e Jonit, valët e të cilit prej më shumë se një shekulli rënkojnë thellë.
Mbi të gjitha, ajo është e pavdekshme. Pra jeton, bues, shpërthen mes shqipes së saj mijra vjeçare, aq më tepër në këtë prag pranvere. Dhe për të vërtetuar katërcipërisht këtë e në të njejtën kohë për të hedhur poshtë zërat që e mohojnë dhe që jehojnë si prej Hadit, perëndisë së vdekjes, do të mjaftonte të bënim veçse një vizitë të shkurtër ne të. Kështu që, dridhmën më të madhe e ndjen kur gjendesh brenda kufijve shtetërorë të fqinjit tonë jugor. Tej Qafë Botës, sapo kapërcen kufirin shqiptaro-shqiptar gjendesh në Sajadhë, një qytezë bregdetare kjo e njohur për pasuritë e saj qysh prej periudhës mesjetare të princit arbëror Gjon Zenevishi. Ngadalson makinën në udhë e përshëndet në gjuhën shqipe kalimtarë të rastit e të panjohur. Për çudi e kënaqësi bashkë, ata që të gjithë ta kthejnë në shqip, aq sa për një moment humbet mendjen e kujton se vazhdon të jesh në Shqipëri. Madje ndonjëri prej tyre ta bën me dorë e të uron edhe udhë të mbarë. Rrugës për në Filat, veç gërmadhave të fshatrave çame si Spatari, Lopsi apo dhe Koska pak më tej, të bëjnë përshtypje tabelat e shumta ku i vihet kryqi aparateve fotografike. Pra në këto vende, ku gjurmët e genocidit zervist janë ende të gjalla nuk mund të fotografosh asgjë.
Me synim për të vizituar mbarë Çamërinë shmangim buzëdetin që të shpie në Gumenicë dhe marrim të përpjetat e rrugës së Paramithisë. Edhe për gjatë rrjedhës së Kalamait, Thiamisit antik, emrat e fshatrave çame si Sidheri, Galbaqi, Minina, Nihori etj, janë greqizuar duke u quajtur Elea, Nerada, Neohor. Si për kundërshti të këtij mohimi, në malësinë e Paramithisë gjuha shqipe buiste, mbetet tepër e gjallë. Këtë e provojmë fare rastësisht në stacionin e autobuzit, para se të ngjitesh në qytetin mitik. Atje një zonjë flokëthinjur rreth të pesëdhjetave, na dëfton në shqip se prej qytetit të Paramithisë, burimi Aheronit, lumit të famshëm të Homerit, ku poeti i verbër shoqëron Odisenë në botën e të vdekurve për të takuar nënën si dhe Agamemnonin, nuk është më larg se njëzet kilometra. Ai lum, shton miqësisht çamja ortodokse, rrjedh prej maleve të Sulit, malësi kjo që ne as më pak e as më shumë të kujton malet e Mirditës kur shkon në Kosovë nëpërmjet udhës së kombit. Habitet ime shoqe pasi shqipja e gruas paramithjote është e njëjtë me tonën. Kështu që del nga makina dhe e falenderon duke e njatjetuar përzëmërsisht. Ndahemi nga kjo zonjë e pasi kemi vizituar Paramithinë, një tjetër befasi e këndshme na pret në fshatin Dhrahomi që tok me Gardhiqin janë dy fshatrat më të fundit ku elementi muhamedan çam njihte shtrirjen e tij gjeografike.
Në mungesë të tabelave orientuese edhe këtu detyrohemi të qëndrojmë e për të marrë udhën e Sulit pyesim dy kalimtare të rastit. Gratë në fjalë janë aty tek të pesëdhjetat, në moshë të gruas sime. Këtë herë pyetjet e bën ime shoqe dhe për kënaqësinë e saj përgjigja na vjen po në shqip. Por, e papritura më e madhe do ndodhë në fshatin Gliqi, rrëzë maleve të Sulit, ku zënë fill çamo-fshatrat ortodokse të fushës së Frarit. Pasi lamë prapa një grumbull pleqsh që rreth një rrapi shekullor pinin kafe e llafosnin shqip, i afrohemi një shtëpie dy katëshe, oborri i së cilës shërbënte si lulishte e ku gjithashtu një numër njerëzish pinin kafe. Të mbetur në udhëkryq mes dy rrugëve, për të shkuar në Pargë pyesim një gruaje të re, pranë së cilës qëndronte një djalë i vogël që nuk duhet ti kish mbushur ende të dhjetë vjetët. Për çudi, pyetjes sonë i përgjegjet në një shqipe të pastër i vogli. Kjo me të vërtet qe tepër befasuese, pasi çamët ortodoksë në Çamëri nuk e gëzojnë të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare. Lëre më pastaj të kenë të drejtën e shtypit apo të mediave po në gjuhën e mëmës. Një marrëri e tillë me siguri do të bënte që grushti i egër i shtetit diktatorial nacionalist grek, të binte mbi ta pa mëshirë me forcën e një çekiçi pneumatik. Ndërkohë që në Shqipërinë tonë, prej vitesh egziston katedra e gjuhës greke, egziston gazeta e minoritit, e po kështu edhe radio.
Veç odiseja jonë në Çamëri nuk do mbaronte as pranë Sulit (që realisht i dha Pavarësinë Greqisë), dhe as kur morëm rrugën për në Pargë. Para se të arrinim në Morfat, fshat ky në të hyrë të përpjetës së Pargës, do të hasnim një tjetër befasi emocionuese. Tek një verandë që ngrihej si ballkon përmbi udhë, shohim një djalë tek të tridhjetat dhe një plakë e veshur në të zeza, e cila më solli pranë imazhin e plakave tona të jugut. Frenoj makinën dhe e pyes të riun në shqip se sa larg mbante që këtu Parga. Ai më përgjigjet aq saktë e lirshëm po në shqip, saqë dyshova se mos ishte shqiptar i Shqipërisë dhe punonte si emigrant atje. E pyes gjene duke i kërkuar të më thoshte se çfarë ishte shqiptar apo grek. Më përgjigjet se është grek.
– Po si ke mundur ta mësosh kaq mirë shqipen?- e cys më tej.
– Po në të gjithë shqip flasim këtu, – përgjigjet ai.
Buzëqesha lehtë më thëniet e tij dhe bëhem gati të ngas makinës. Kur ngrihet nga vendi e moshuara e duke na folur po në shqip thotë.
– Po ejani more bir, ejani të pini një kafe! Keni bërë udhë të gjatë e me siguri jeni të lodhur!
Do e kisha pranuar me kënaqësi ftesën, për më tepër që ishim të lodhur. Por duke qënë për herë të parë në Çamëri nuk dinim se ç’udhë na priste më tej. Megjithatë, për të mos e prekur të moshuarën zbres nga makina dhe ngjitem nëpër shkallët e verandës së lartë. E falenderove duke e përqafuar sikur të qe nëna ime. Çasti i ndarjes me të nuk do më harrohet kurrë. Sikur të kishte frikë prej të riut që ishte deklaruar grek, e moshuara më thotë me zë të ulët;
– Por edhe ne si ju shqiptarë jemi more bir. Po kohërat, kohërat i nakatosën keq punërat tona…
Shtanga në vend. Vetullat m’u bënë një. Deri në atë moment, gjatë vizitës sonë në Çamëri, paçka se kishim llafosur në shqip me dhjetra të panjohur, askush prej tyre nuk kishte pranuar haptas se ishte shqiptar! Ç’ti thosha më tej të moshuarës e çfarë të na thoshte ajo ne?! I dhashë gaz makinës që një me shpirtin tonë zu të rënkonte fort në atë të përpjetë. Në çast m’u kujtuan disa thënie të historianëve grekë që ulin e ngrenë pa pushim idenë se në Çamërinë e sotme gjuha shqipe nuk egziston, se popullsia e saj e vjetër është e padukshme, e pandjeshme. Veç realiteti ynë i prekshëm i hedh poshtë, i tjetërson këto thënie thjesht në formula propagandistike. Realiteti i sotëm i Çamërisë vërteton bindshëm se atje gjuha shqipe, gjuha e perëndive si thoshte Arestidh Kola i madh, nuk vdes kurrë. Të padukshme, të pandjeshme popullsinë si dhe gjuhën e saj mijravjeçare e bën politika asimiluese e shtetit grek. Ndërkohë që shteti shqiptar, si edhe këtyre ditëve të fundit nuk ngre zë, hesht si gjithmonë, nuk proteston deri në instancat më të larta europiane për këtë realitet të dhimbshëm e të mohuar.
Në Pargë, në këtë qytet të bukur, në këtë perlë të Çamërisë, që lartohet si ballkon përmbi Jon nuk qëndruam gjatë. Thjesht shuajtëm ca urinë dhe pimë një kafe helm. Megjithëse dita qe zgjatur, si një re gri dhe i trishtë po lëshohej muzgu. Nuk donim të vonoheshim. Nuk kishim ndër mend të flinim në Pargë. Do ktheheshim në Sarandë. U gjendëm në makinën e parkuar aty pranë. Tashmë s’kishim nevojë për të pyetur, për guide. Ndiheshim zëmërthyer. Nuk di pse dritat apo neonet anës udhës më sollën ndër mend plumbat që rrëfenin udhët e përgjakura në poezinë e famshme të Bilal Xhaferit “Lamtumirë Çamëri”. Në kthim, si për të mbushur zbrazëtin që na kishte përfshirë, por edhe me besimin e plotë se një ditë patjetër do kthehemi në vatrat tona amtare, vura një kasetë me këngë të Çamërisë. Tumankuqja dhe kënga e Osman Takës sikur na i lehtësuan ca shpirtin.
Tabelën e Margëlliçit mezi e shqujtëm në errësirë. Megjithëse e shkruajtur edhe me gërma greke edhe me gërma latine, emërtimi shqip i këtij qyteti qe tjetërsuar. Margëlliçin, kërthizën e Çamërisë grekët e kanë pagëzuar me emrin Margariti. Po nxitonim drejt veriut. Prevezën s’e pamë, nuk shkuam dot. Megjithëse një ditë më pas, në një emision televiziv të bërë prej gazetarit të mirënjohur Marin Mema, e njohëm, e pamë përmbi tridhjetë minuta. Edhe atje, dielli, ngrohtësia e shqipes nuk mund të shuhej kurrë. Në Prevezë, në qendrën më të madhe të Çamërisë kudo flitej shqip. Shkonim drejt Gumenicës. Në të djathtë lamë Mazrekun. Përpara priste Pllatoreja e bukur dhe deti poshtë saj. Por, për dreq, kodrave të saj nuk mundëm të shquanim as shtëpitë gërmadha të çamëve mysliman të përzënë me dhunë e genocid prej Zervës e as detin e thinjur. Terri kishte mbuluar gjithçka. Sikur të fshihte plagët e shumta, Çamëria qe zhytur në errësirë. Shpirti i saj ofshamë ndihej jo vetëm tek përplasja e valëve të detit për gjatë bregut, por edhe tek këngët që dëgjoheshin brenda makinës sonë.