Tha “ejani në Beograd” –
NGA IV KALOÇI*
Voal . Zbulohet dhe bëhet publike për herë të parë në faqet e “Gazeta Shqiptare”, raporti sekret i Sigurimit të Shtetit i realizuar nëpërmjet Drejtorisë së Zbulimit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (Drejtoria V), i cili mban datën 15 maj 1972, ku agjentët e shërbimit të fshehtë që kamufloheshin si diplomatë pranë atij dikasteri, survejuan, përgjuan dhe incizuan me “teknikë operative”, të gjitha bisedat e aktorit të famshëm shqiptar nga Kosova, Bekim Fehmiu, gjatë periudhës dyjavore që ai qëndroi në Shqipëri.
RAPORTI I SIGURIMIT
Sot për herë të parë, ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plotë dokumentin e Drejtorisë V të Sigurimit të Shtetit (në Ministrinë e Jashtme) lidhur me survejimin dhe përgjimin e vazhdueshëm që iu bë aktorit shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu, gjatë vizitës së tij dyjavore në Shqipëri. Fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, do të shënonin një “shkrirje të akujve” për sa u përket marrëdhënieve politike, ekonomike dhe sidomos atyre kulturore midis Tiranës dhe Beogradit.
Sulmi i forcave të Traktatit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë në vitin 1968 si dhe garancia e plotë që udhëheqësi komunist i Jugosllavisë, Josip Broz Tito i dha Enver Hoxhës se “Jugosllavia nuk do të bëhet një territor trampolinë në rast pushtimi të Shqipërisë nga trupat sovjetike”, dhe “përfundimi me sukses” i demonstratave të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1968, pas dhënies së autonomisë së zgjeruar dhe hapjes së Universitetit të Prishtinës, do të ndikonin pozitivisht në përmirësimin e këtyre raporteve, shpeshherë tejet të tensionuara.
Gjatë kësaj periudhe, midis Shqipërisë dhe Kosovës do të niste si kurrë më parë një etapë e rëndësishme e shkëmbimit të ndërsjellë të delegacioneve qeveritare të rangjeve të larta, arsimit dhe shkencës, grupeve të ndryshme kulturore dhe artistike, këngëtarëve dhe aktorëve të mirënjohur, si dhe sportistëve të mirënjohur nga të dyja anët e kufirit. Shkëmbime të tilla do të ndodhnin jo vetëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe midis Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Në këtë kuadër bashkëpunimi, në 20 prill të vitit 1972 vjen për një vizitë dyjavore në Tiranë, aktori shqiptar (kosovar) me famë botërore Bekim Fehmiu. Gjatë kësaj vizite, Bekim Fehmiu do të shoqërohej nga personalitetet më të larta shqiptare të artit dhe kulturës në të gjithë axhendën e takimeve të tij në vendin tonë, si zv/ministri i Kulturës, Mantho Bala, Drejtori i Kinostudios, Todi Bozo, regjisori Dhimitër Anagnosti, shkrimtari i famshëm Ismail Kadare, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqi, shkrimtari dhe poeti Dritëro Agolli, regjisori i Teatrit Popullor Esat Oktrova etj.
Bekim Fehmiu, pa dyshim deri atëherë ishte shndërruar në një idhull të padiskutueshëm jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por edhe për ata jashtë saj, deri në kufijtë e diasporës. Aktori shqiptar me famë botërore do të bëhej i njohur fillimisht në kinematografinë jugosllave dhe pastaj në atë europiane e botërore me kryeveprat e tij “Morgan: A Suitable Case for Treatment” (1966), “Odissea” (1968), përkrah aktores greke (me origjinë shqiptare) Irene Papas, “The Adventures” (1970), “The Deserter” (1971), “Permission to Kill” (1975), “Black Sunday” (1977) dhe të tjera kryevepra me famë botërore, si “Disperamente Giulia” (1989).
Por Bekim Fehmiu, gjatë gjithë vizitës së tij në Shqipëri dhe konkretisht në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kinostudion “Shqipëria e re”, Galerinë e Arteve, Muzeun Historik Kombëtar, ekspozitën “Shqipëria Sot”, Teatrin e Operës dhe Baletit etj., do të survejohej dhe përgjohej vazhdimisht nga njerëzit e kudondodhur të Sigurimit të Shtetit, të kamufluar si “diplomatë”, “gazetarë” dhe “shoqërues” të tij. Sigurimi i Shtetit, në raportin që i dërgon Drejtorisë V të saj, me drejtor Jonuz Mersinin (në Ministrinë e Jashtme), vëren me imtësi të gjitha bisedat dhe qëndrimet personale të aktorit të madh, për të gjithë ecurinë e marrëdhënieve politiko-ekonomike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, e veçanërisht midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Në këtë raport të hollësishëm përmenden dashamirësia dhe sinqeriteti që Bekim Fehmiu tregon për çdo lloj ecurie pozitive në marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës. Por, edhe me gjithë këto lavdërime dhe qëndrime dashamirëse të tij ndaj Shqipërisë, Bekim Fehmiu do të vëzhgohej rreptazi me mosbesim nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit, pasi “nuk duhej harruar” se ai vinte nga Jugosllavia, një nga shtetet më të atakuara politikisht nga regjimi i Enver Hoxhës deri në atë kohë.
Gjatë gjithë vizitës së tij në Shqipëri, dhe deri në largimin e tij nga Tirana në 4 maj 1972, Bekim Fehmiu nuk e mori vesh kurrë se ai do të survejohej dhe përgjohej, në të gjitha takimet dhe shëtitjet e tij, nga Sigurimi i Shtetit. Dhe kjo sepse deri në këtë kohë, nuk është bërë publik asnjë dokument zyrtar që ta dëshmojë më së miri këtë fakt. Dhe, sipas të gjitha gjasave, ai iku në jetën e përtejme pa e mësuar kurrë këtë fakt. Vetë Bekim Fehmiu do të rikthehej tashmë në Shqipëri në vitin 2000, si i ftuar nderi në një koncert në Pallatin e Kongreseve, por kësaj radhe i pasurvejuar nga askush.
Aktori i madh shqiptar me famë botërore do t’i botonte kujtimet e veta në librin “Shkëlqim dhe tmerr” (të përkthyer nga diplomati dhe njëkohësisht njohësi më i mirë i gjuhëve sllave në Shqipëri), Xhelal Fejza, në 2012-ën, dy vite pas vdekjes së Fehmiut në shtëpinë e tij në Beograd. Në këto kujtime Fehmiu i kushton një kapitull të tërë vizitës së rëndësishme të tij në Shqipërinë e vitit 1972, si dhe kujton me nostalgji marrëdhëniet kulturore të Tiranës me Prishtinën në periudhën e komunizmit.
Raportin e Sigurimit të Shtetit mbi përgjimet e Bekim Fehmiut, të realizuar nëpërmjet Drejtorisë V të Ministrisë së Jashtme, po e botojmë të plotë, së bashku me raportin e Sektorit të Kulturës, ndërsa nga libri me kujtime “Shkëlqim dhe tmerr”, të botuar në vitin 2002 në Beograd, kemi përzgjedhur disa fragmente, kryesisht ato që kanë të bëjnë me vizitën e tij në Tiranë dhe disa rrethe të tjera të vendit ku ai u prit me nderime të mëdha.
Raporti i Sektorit të Kulturës për Bekim Fehmiun
Informacion nga takimi me artistin kosovar Bekim Fehmiu
Gjatë këtyre tri ditëve ai ka pasur takime në Kinostudio, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ka parë disa filma artistikë shqiptarë, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, ekspozitën e madhe “Shqipëria më 1971″, Galerinë e Arteve, Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Arkeologjik të Durrësit etj. Në takimin me shokun Mantho, për të gjitha këto që pa dhe mësoi gjatë këtyre ditëve në vendin tonë, ai u shpreh me fjalë të ngrohta.
Për realizimet tona ai tha se janë me të vërtetë të mëdha, sidomos kur i krahason me gjendjen e mjeruar të Shqipërisë në periudhën e Zogut, të cilin e quajti feudalizëm primitiv. Ai u shpreh për Kosovën se do ishte e mjaftueshëm të arrinte gjendjen ku ka arritur sot Shqipëria në fushën e Arsimit dhe Kulturës. Duke folur për të kaluarën e vendit tonë, tha se nuk ka pasur kush fat më të hidhur se Shqipëria dhe shqiptarët, nuk ka pasur luftë ballkanike dhe botërore që nuk i kanë kaluar këto treva kryq e tërthor Shqipërisë. Dhe, megjithatë, shqiptarët jetojnë me emër në botë. Shtoi se për nga vitaliteti dhe zotësia nuk ka popull tjetër në botë si populli shqiptar.
Vlerësoi lidhjet e shumta, rritjen e popullsisë shqiptare dhe të moshës mesatare në vendin tonë. Pasi foli për numrin e sotëm të popullsisë në vendin tonë, ai i shtoi këtij numri edhe një milion shqiptarë të Kosovës (sipas regjistrimit të fundit, të cilin e quajti pak a shumë objektiv). Duke dashur të shprehë kënaqësinë për shtimin e shqiptarëve, vuri në dukje me humor se vetë do të bëjë 12 fëmijë. Tha se “shumë është folur dhe thuhet rreth teorisë së Marksit, Engelsit dhe Leninit, por Shqipëria është një shembull në këtë drejtim. Juve iu karakterizon një modesti që imponohet”. Duke folur për luftën plot suksese kundër analfabetizmit në Shqipëri, nënvizoi gjendjen e rëndë në Jugosllavi, ku problemi i analfabetizmit po bëhet gjithnjë dhe më i mprehtë. Vuri në dukje se në Beograd tani janë rreth 40 për qind analfabetë.
Në bisedën e tij theksoi se në shkëmbimet me Kosovën duhen pasur parasysh rrethanat konkrete, dhe përsëriti se në grupet që vijnë në Shqipëri, duhet të pranohen edhe elementë serbë dhe malazezë. La të kuptohet se kjo është e nevojshme në marrëdhëniet me Kosovën. Në bisedën me shokun Mantho, ai përdori disa herë shprehjen: “të punojmë me kopili”. Me këtë ai donte të thoshte se ne duhet të përdorim një taktikë elastike, e cila të sigurojë një bashkëpunim të nevojshëm për çështjen shqiptare. Për këtë çështje ai la të kuptojë se ishte i shqetësuar. Shoku Mantho i tregoi se në grupet kosovare që kanë ardhur në Shqipëri, kanë bërë pjesë edhe serbë etj. Vlerësoi lart qëndrimin dhe punën e pedagogëve tanë në Universitetin e Prishtinës (ka një vëlla pedagog në këtë universitet). Me punën e tyre të mirë, thjeshtësinë dhe seriozitetin, ata kanë ndikuar dhe te pedagogët vendas që të kuptojnë si duhet rolin e tyre.
Me këtë la të kuptohet nevojën e predominimit tek ata të ndjenjës patriotike. Gjatë gjithë bisedës ai la të nënkuptohej se ushqente ndjenja të thella patriotike. Foli me dashuri për punën e të atit të tij si mësues, pionier i shkollës shqipe në atë krahinë, të motrës së tij, gjithashtu mësuese etj. Përmendi se kur vajti për të marrë vizën, i kishin thënë se s’ka ç’mëson në Shqipëri. Me këtë rast ai theksoi se edhe Aleksandër Moisiut i thanë: “Ç’e do Shqipërinë”, dhe përpiqeshin të tregonin se ai s’ishte shqiptar. Përmendi se ai vetë e ka bërë të qartë kombësinë shqiptare dhe nuk ka pranuar kurrsesi prapashtesën “viç”.
Plenumin e katërt e vlerësoi pozitivisht; sipas tij, ndihmoi për çështjen e Kosovës. Për gjendjen në Jugosllavi, ai vuri në dukje se veprojnë në një forcë të madhe dollari dhe dinari. Përmendi raste të shumta të vjedhjes nga drejtues ndërmarrjesh. Përmendi se këta vjedhës të miliona dollarëve nuk ndëshkohen, dënohen lehtë, dalin dhe përsëri kthehen në punë me përgjegjësi.
Vlerësoi lart filmat tanë nga pikëpamja teknike dhe bëri vërejtje nga ana artistike. Tha se filmi duhet të ketë sa më pak karakter deklarativ, të ndihet më mirë dhe më fort shqiptari i sotëm, të intensifikohen ritmi i filmit dhe dinamika e tij. Duke dalë, ai përmendi fjalën e urtë se “peshku qelbet nga koka”. Me këtë rast vuri në dukje se me realitetet e shënuara, Shqipëria po ecën përpara. Me këtë rast ai deshi të vërë në dukje se kur ecën Shqipëria në rrugë të drejtë, kjo është edhe në interes të Kosovës.
Gjatë bisedës, Bekimi pyeti për rrugët e përgatitjes së kuadrove të artit në vendin tonë, si sasi dhe cilësi, vuri në dukje nevojën që ndihet sot në Kosovë, dhe kërkoi që në këtë fushë të ndihmohet dhe nga vendi ynë. Shoku Mantho, gjatë këtij takimi i foli gjerësisht për sukseset e arritura në fushën e Arsimit dhe Kulturës, vështirësitë që janë hasur dhe rrugët që janë ndjekur për kapërcimin e tyre. I foli për traditat e lashta në fushën e artit dhe të kulturës të popullit tonë, për kujdesin që tregohet për këtë, për perspektivat e mëdha në fushën e arsimit e të kulturës.
Ai i foli gjithashtu për realizimet e mëdha në fushën ekonomike e shoqërore si edhe rrugët dhe format e punës që janë përdorur te ne në përgatitjen dhe kualifikimin e kuadrit, sidomos të atyre të kulturës dhe artit. Shoku Mantho i foli edhe mbi shkëmbimet që janë realizuar në fushën e Arsimit dhe Kulturës në marrëdhëniet me Kosovën, dhe shprehu kënaqësinë e gatishmërinë tonë për forcimin e mëtejshëm të tyre.
24.IV.1972, F. Hobdari – J. Mato
Raporti i Sigurimit të Shtetit
Informacion mbi qëndrimin në vendin tonë të aktorit kosovar Bekim Fehmiu
Prej datës 20 prill deri më 4 maj qëndroi në vendin tonë, i ftuar nga Kinostudio, aktori kosovar Bekim Fehmiu. Gjatë kësaj periudhe me të u realizua ky program: Pritje në Drejtorinë e Kinostudios, ku morën pjesë dhe disa punonjës artistikë, mbas takimit vizitoi disa reparte të Kinostudios si dhe asistoi në sheshin e xhirimit të një filmi artistik. Takimi në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve me shokun Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Llazar Siliqi etj. Shikimi i shfaqjes së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe bisedoi me artistët e ansamblit, mbas shfaqjes. Shikimi i filmave artistikë “Malet me blerim mbuluar”, “Kur zbardhi një ditë” dhe “Vallëzimi i shqipeve”.
Vizitën në Galerinë e Arteve dhe bisedën me piktorët Foto Stamo, Abdurrahim Buza etj.
Vizitë në ekspozitën “Shqipëria më 1971″. Në Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare, në Mauzole në Durrës, si dhe në Muzeun Arkeologjik.
Në datën 24 u organizua pritje në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës nga shoku Mantho Bala.
Vizita në Krujë, në kala dhe muzeun e kalasë. Vizita në Gjirokastër dhe në shtëpinë-muze të shokut Enver, në Muzeun e Armëve dhe nëpër qytet. Shikimi i shfaqjes “Shtëpia në bulevard”, interpretuar nga teatri profesionist i Gjirokastrës.
Vizitë në Sarandë, Butrint dhe Vlorë. Në Fier vizitoi Azotikun dhe Apoloninë. Vizitë në Shkodër, në Uzinën e Telave dhe në Vaun e Dejës. Takim dhe bisedë me aktorët e teatrit “Migjeni” dhe vizitë në shtëpinë e gruas së Bajram Currit.
Pas kthimit nga Shkodra në Tiranë, ai asistoi në premierën e filmit “Yjet e netëve të gjata”. Asistoi në paradën e 1 Majit. Pati një intervistë televizive. Në datën dy, shëtiti në parkun e madh, ku zhvillohej manifestimi popullor.
Në Kinostudio u shfaq për pedagogët dhe studentët filmi “Odisea”. Mbas filmit u zhvillua një bisedë, thjesht për probleme profesionale. Pa shfaqjen e Institutit të Arteve, “Ylli pa emër”.
Ditën e fundit pati një bisedë me kolektivin krijues të Kinostudios, mbi problemet profesionale, dhe pasdite asistoi në provën e pjesës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Mbas provës pati një takim të shkurtër me kolektivin e Teatrit Popullor, ku kryesisht u bisedua rreth spektaklit, dhe Bekim Fehmiu bëri disa vërejtje profesionale e artistike, të cilat shokët e teatrit i gjetën me vend.
1. Nga gjithë qëndrimi i tij më parë dhe nga shprehjet e tij gjatë kohës që qëndroi këtu, dukej një ndjenjë e thellë e shqiptarizmit. Në librin e përshtypjeve të Muzeut të Armëve të Gjirokastrës, ku ai gjeti të ekspozuar dhe një fotografi të ngritjes së flamurit në Vlorë, në të cilën dukej dhe i ati, shkroi:
“Jam krenar që jam shqiptar”. Këtë ndjenjë krenarie që është shqiptar e shfaqi vazhdimisht. Mbas shfaqjes së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, u shpreh: “Dilni bre vasha dhe djem e tundeni dhe ta marri vesh e gjithë bota se kush jemi ne…”. “Do të ishte mirë të vijshit dhe atje në Beograd dhe të jepshit shfaqje që të mbushej stadiumi më i madh i Beogradit”. Çmonte shumë, dhe këtë e shprehte vazhdimisht, kujdesin që tregohet te ne për njeriun, për shëndetësinë dhe arsimin. Ishte shumë entuziast për sukseset e tilla të vendit tonë, siç janë zhdukja e analfabetizmit, elektrifikimi etj. (në këto raste nuk ngurronte të sillte shembuj të shumtë negativë për vjedhjet dhe korrupsionin, diferencat e mëdha të rrogave, analfabetizmin, që tani në Beograd zë 40 për qind të popullsisë, dhe të tjera për Jugosllavinë e sotme).
Ai thoshte: “E duam shumë Kosovën tonë, por ma shumë duam nënën tonë Shqipëri dhe duhet, që në çdo lamë të na e kaloni ne në Kosovë”.
Gjatë bisedave të ndryshme për përparimin e vendit tonë, fliste me dashuri për udhëheqësit tanë. Kishte dëshirë të madhe të shihte shokun Enver Hoxha dhe i ngeli merak që në festën e 1 Majit nuk e pa ashtu si duhet. Vlerësonte shumë kujdesin dhe shpenzimet që bënte shteti për zbulimet arkeologjike, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e veprave të artit, muzeve etj.
Ishte shumë i etur që të mësonte sa më shumë nga historia e lashtë dhe përparimet e sotme të vendit tonë. Gjithmonë shprehej entuziast për çdo gjë që i pëlqente. Kur pa Butrintin dhe Sarandën, tha: ‘Këto janë vende të mrekullueshme, do t’u them të gjithë kosovarëve të vijnë dhe të pushojnë këtu’”. /voal.ch /InforCulture.info