“Erdha në Durrachium sepse është një qytet i lirë, pasi këtu njerëzit janë të përkushtuar ndaj meje… “ Ciceroni
Nga Luan Rama
Është e habitshme të mendosh sot që në brigjet e Adriatikut, Durrësi dhe Apolonia kanë qenë né kohën e Antikitetit vende ku strehoheshin të përndjekurit e Romës së kohës së Republikës, por dhe të kohës së imperatorisë. Këta ishin politikanë, por ndonjëherë dhe fetarë, njerëz të Kishës, si në kohën e fillimeve të Kristianizmit dhe luftës që i bënte Republika romake kristianëve të parë në Romës, çka njihet në historinë ilirike dhe me vrasjen e disa kristianëve romakë, në Durrës, (Durrachium), bashkë me Shenjt Astin, peshkopin e parë të Durrachium, të cilët u vranë sepse ishin ithtarë të Jezu Krishtit. Por pa dyshim, një nga azilantët më të njohur të kësaj apoke antike ishte Ciceroni, (Marcus Tullius Cicero, 106-43 p.e.s.), një prej personaliteteve më në zë të kohës së vet, senator dhe orator i madh, ku ndër katër figurat më të shquara të Romës republikane, krahas Çezarit, Pompeut dhe Cassius, ishte dhe Ciceroni. Por përse Ciceroni kërkoi strehë në brigjet shqiptare dhe çfarë ndodhi me të?
Ciceroni ishte një figurë e madhe humaniste dhe ndër të parët autorë antikë që ka përdorur fjalën «humanitas». Eshtë ai që fliste me aq forcë në tribunat publike apo në librat e tij për vlerat e një shoqërie të ndërtuar mbi «demos»-in grek, pra modelin grek të demokracisë, për vlerat më themelore të njeriut si «drejtësi», (Institia), «moderim», tolerancë, (Temperantia) apo «kurajo» qytetare, (Fortitudo). Kur Brutus ishte me trupat e tij në Durrachium, Në vitin 63 p.e.s. ai mori vesh se në Romë, Ciceroni ishte shpallur konsull dhe i gëzuar i dërgonte një letër më 15 maj, ku i shkruante: «E kisha mbaruar letrën kur mora vesh se ti do të zgjidheshe konsull. Atëherë, më duhet të mendoj idenë e një Republike legjitime, një «rem publicam instam» të mbështetur në forcat e veta».
Edhe pse ky lajm nuk ishte i vërtetë, por një fjalë që qarkullonte në rrethet politike, kjo tregonte se Ciceroni kishte një famë të madhe dhe shumë komandantë të legjioneve romake ishin gati ta mbështesnin atë. Fjalimet e tij kundër korrupsionit të politikanëve dhe demagogjisë së populistit Cantilia e bënë atë një nga figurat më popullore, aq sa dhe konsujt më të fuqishëm si Çezar, etj, kishin frikë nga fjalimet e Ciceronit. Jo më kot atë e kishin quajtur «Pater patriae» (“Baba i atdheut”). Madje konsulli i gjithpushtetshëm Çezar filloi ta shohë me dyshim dhe si një kundërshtar të fortë, meqë me kurajon që e karakterizonte, ai dinte t’i bënte për vete fisnikët dhe shefat ushtarakë. Disa herë në Senat, Ciceroni kishte dalë hapur kundër politikës së Cezarit, i cili për ta bërë për vete, i kishte propozuar më parë ta dërgonte «legat», pra ambasador, përfaqësues të Republikës, por Ciceroni nuk e kishte pranuar. Ai nuk mund të bënte kompromis meqë nuk kishte një etje të madhe për pushtet. Kjo ishte dhe arësyeja që gjëndja e tij në vitin 58, p.e.s. u rëndua dhe qëndrimi i mëtejshëm në Romë u bë i rrezikshëm. Çezari kishte filluar ta izolonte tashmë. Kur Ciceroni la Romën për të shkuar në shtëpinë e tij në periferi të kryeqytetit romak, ai e gjeti shtëpinë e tij të bastisur dhe pa njerëz. Koha e përndjekjes kishte filluar. Atëherë ai jetonte atje me gruan e tij Terentia.
Duke parandjerë se njerëzit e Çezarit mund ta kapnin dhe ta vrisnin në ndonjë pusi, ai vendosi të largohej menjëherë. Kështu, i vetëm, duke u ndarë me gruan e tij të dashur, fshehurazi, ai morri rrugën e njohur drejt jugut, “Via Apia”, dhe u nis në drejtim të Brindizit, ku u strehua në shtëpinë e një mikut të tij, Laenius Flaccus, në pritje të një anije, që ta çonte në Siqeli, por rrugës, duke marrë vesh se atje nuk ishte i mirëpritur nga guvernatori romak, ndaloi dhe u kthye drejt brigjeve të Ilirisë, drejt Durrachium-it. Ishte data 29 prill e vitit 58 p.e.s.dhe nëpër det atij iu desh të bënte një udhëtim të rrezikshëm. Durrachium atëherë ishte një nga portet që mbahej nga ushtria romake. Rrugës në det ai i shkroi një letër gruas së tij, duke i treguar për dhimbjen e madhe që po e linte, duke ikur në udhë të panjohura. Kur po afrohej drejt Epirit, ai morri vesh se Claudius ia kishte ndaluar qëndrimin në Buthrote, (Butrint).
Atëherë e vetmja zgjidhje ishte të shkonte së pari në Durrachium, që në atë kohë konsiderohej si një nga portet më të njohura tregëtare, apo si «Taverna e Adriatikut» siç e konsideronte Catulle. Madje Durrachium ishte qyteti që kishte më shumë prostituta se në gjithë portet e tjera të Mesdheut. Sigurisht, çështja ishte nëse duhej të qëndronte në Durrachium apo të shkonte në thellësi drejt Selanikut, ku kishte njerëz të besuar, mes të cilëve Cyzique dhe guvernatorin romak Plaucius. Ndërkohë në Romë, luftrat midis klaneve të ndryshme politike e ushtarake po ashpërsoheshin gjithnjë e më shumë. Disa kërkonin që Ciceroni të kthehej, të tjerë që të kapej dhe të ndëshkohej. Më 9 korrik të atij viti, Pompeu organizoi një mbledhje të Senatit në Capitol, në Tempullin e Jupiterit, duke i dhënë hapur Ciceronit titullin «shpëtimtar i Atdheut», çka tregonte qartë përçarjen dhe antagonizmin midis Çezarit dhe Pompeut që jo vonë do të çonte drejt luftës midis tyre.
Ciceroni vendosi të largohej nga Selaniku ku ndjehej i pasigurtë për jetën e tij dhe të rikthehej përsëri në Durrachium, në këtë qytet të ngrohtë me amfiteatrin e tij të madh, me banjot, mozaikët e bukur dhe plot gjallëri: qytetarë, skllevër, legjionarë, tregëtarë nga shumë anë të Mesdheut. Ardhja e Ciceronit ishte padyshim një ngjarje e madhe në qytet. Të gjithë kishin dëshirë ta dëgjonin atë lidhur mbi ligjet, shtetin, detyrat qytetare, etj, edhe pse ai tashmë tregohej i rezervuar. Më 25 nëntor, ai i shkroi një letër mikut të tij Atticus, në Romë, ku i shprehte se ishte tepër i trishtuar dhe se «banorët e Durrachiumit janë shumë të devotshëm ndaj meje». Po atë ditë, një letër tjetër ai ia dërgoi gruas së tij Terentia dhe vajzës së tij Tullia, duke u shkruar se i vjen keq që ato po vuajnë për shkak të tij, «por nuk duhet rënë në dëshpërim»… «Erdha në Durrachium, – u shkruante ai, – sepse është një qytet i lirë, pasi këtu njerëzit janë të përkushtuar ndaj meje. Por nëse do të ndihem keq, në një vend kaq të rrahur, do të iki gjetiu». Një ditë më vonë, ai morri tri letra që i kishte dërguar javë më parë gruaja e tij. «Aristocrite më solli tri letra që pothuaj i lava me lotët që derdha», shkruan ai. «Natë e ditë kam para sysh pamjen tuaj në zi… Nëse ndodhem në Durrachium, kjo për arsye se këtu mund të informohem më shpejt se çfarë ndodh atje. Këtu jam i sigurt, pasi ky qytet, më parë, më ka patur mbrojtës të tij.» Ciceroni vazhdoi tu shkruajë letra dhe në 10 dhjetor, e më pas në gjysmën e dhjetorit apo në mesin e janarit të vitit 57. «Kam letrën e vëllait tim Quintus, – i shkruante ai gruas së tij, – i cili më njofton për vendimin e Senatit, (për kërkesën që ai të kthehej në Romë), por unë do pres që ligjet t’i propozohen popullit. Nëse do të ketë kundërshtim, më mirë të mohoj jetën time, sesa të kthehem në atdhé. Ndërsa ti nxitohu të vish». Në mesin e janarit ai i shkruante konsullit Matellus, duke i kërkuar mbështetje për kthimin e tij dhe duke e falenderuar për fjalët e tij në Senat, ku e ka mbështetur fuqimisht.
Në fillim të shkurtit të vitit 57, në kujtimet e tij ai shkruante se është duke u përgatitur për tu kthyer. Ishte kthimi nga një ekzil i pasigurt për jetën e tij. Edhe pse Senati ishte shprehur se ishte për kthimin e tij, përsëri u desh disa muaj derisa të vendosej ligjërisht. Dhe ligji u shpall në ditët e para të gushtit. Ndërkohë Senati kishte filluar të mbështeste Pompeun. Më 4 gusht të atij viti më së fundi ai morri anijen. Në portin e Durrachiumit ai u përcoll gjithë fanfara, brohorima dhe nderime të mëdha nga guvernatori i qytetit si dhe ushtarakët e lartë. Të gjithë brohorisnin mbojtësin e ligjit dhe të lirisë. Një ditë më vonë Ciceroni mbërriti në Brindizi. Në të gjitha qytetet që kaloi, rrugës së kthimit për në Romë, ai u prit me një triumf dhe entusiazëm të madh. Më 4 shtator ai hyri triumfalisht në Romë… Por vila e tij në Palatin ishte shkatërruar nga kundërshtarët politikë. Po kështu dhe vilat në Tusculum dhe Formia ishin braktisur plotësisht.
Shumë vite më vonë, Ciceroni do të kthehej sërish në Durrachium, ku do të qëndrojë për pak kohë, meqë ai përgatitej të udhëtonte larg Romës, duke marrë drejt Butrintit, Prevezës e më pas drejt Thalës dhe Lindjes së Afërme. Në këtë kohë janë shkruar dhe përshtypjet e tij mbi Apoloninë e Ilirisë, të cilën ai e konsideronte si një «Magna urbs et gravis», (“Qytet i madh dhe hijerëndë”). Pas kthimit të tij nga nga Azia e vogël, ku ishte caktuar prokonsull në Cilici, në vitin 51 p.e.s. dhe disa betejave që komandoi, i ndihmuar dhe nga vëllai i tij Quintes, përveç jetës politike si senator dhe orator i famshëm, gjatë disa viteve ai iu kushtua shkrimit të librave të tij, De Republica, (Republika), De Oratore, (Mbi oratorinë), De Lois, (Ligjet), De officis, (Detyrat), çka ishte trashëgimi më i madh që ai i la njerëzimit. Në këtë kohë, i tërhequr disi, ai shkruante dhe u jepte këshilla të tjerëve: «Ju këshilloj të bëni siç bëj unë. Mos u dukni tepër, edhe pse mund të flitet shumë rreth jush. Meqë zërat tanë nuk dëgjohen në Senat dhe në Forum, ne e dimë mësimin e të urtëve të kohës së vjetër. Pra ne duhet t’i shërbejmë atdheut me shkrimet tona, duke u përqëndruar në çështjet e etikës dhe të ligjit kushtetues». Por kur kriza midis Çezarit dhe Pompeut po bëhej gjithnjë e më e madhe dhe midis të dyve, Ciceroni zgjodhi Pompeun. Madje ai shkoi dhe u bashkua me Pompeun në Epir, kohë kur ka parë përsëri Butrintin, Orikumin, Apoloninë dhe Durrachiumin, ku do të bëhej dhe beteja e gjatë midis legjioneve të Çezarit dhe Pompeut, luftë e cila do të mbaronte me fitoren e Çezarit në Farsale të Maqedonisë. Pas kësaj beteje, Ciceroni u rikthye në Romë dhe filloi përsëri luftën e tij qytetare në fushën politike.
Korbat e Apolonit
Në vitin 44 p.e.s. shumë gjëra kishin ndryshuar në jetën politike të Romës. Edhe pse ai luftoi gjer në fund të jetës së tij për të mbrojtur ekuilibrin e brëndshëm politik të Republikës nga grindjet e mëdha që zhvilloheshin midis Brutus, Cassius, Marc Antonios, (Mark Antoni) dhe konsujve të tjerë, ai nuk arriti ta shmangte zemërimin e kundërshtarëve të tij politikë. Siç shkruan dhe në veprën e tij Filipikët, «Mark Antonio është një i çmendur, një i korruptuar dhe akoma më i keq se Çezari. Antoni kërkon të fillojë një gjakderdhje të re». Vrasja e Çezarit në 15 mars të atij viti ishte kulmi i kaosit në Romë. Oktav, nipi i Çezarit dhe trashëgimtari i tij, i cili studionte në atë kohë në akademinë ushtarake të Apolonisë, u kthye me nxitim në Romë. Ciceroni i kërkoi që të bashkohej me të në luftën kundër Mark Antoni, por Oktavi nuk guxoi. Pikërisht këtë vit, duke e parë si një kundërshtar të rrezikshëm, Mark Antoni dhe besniku i tij Lepide, dërguan ushtarët e tij që ta kapnin. Tashmë emri i Ciceronit ishte në listat e njerëzve që duhej të ekzekutoheshin. Kur ushtarët shkuan ta arrestonin, tregojnë se atë e kishin gjetur duke u larguar me shpejtësi nëpër një pyll për t’iu afruar detit dhe për të gjetur atje ndonjë anije. Ndoshta për ta çuar drejt brigjeve ilirike, në Durrachium, ku ende kishte miqtë e tij. Në fakt, para se të largohej, Ciceroni kishte shkuar më parë në shtëpinë e tij në Gaeta, që ishte bosh. Kronistët thonë se atë natë, mbi vilë fluturonin korbat. Madje një korb kishte hyrë dhe kishte shkuar në krevatin e tij, duke e goditur me sqep, por plaku i lodhur flinte. Me sa duket korbat ishin të dërguarat e Apollonit, që kërkonin t’i vinin në ndihmë Ciceronit, ta zgjonin që ai të ikte sa më shpejt. Të nesërmen, miqtë e tij e morën dhe po iknin. Ndërkohë ushtarët kishin mbërritur në vilën bosh dhe kishin pyetur për të. Njëri nga banorët, dhe pikërisht Filologes, që Ciceroni vite më parë i kishte dhënë mësime, u kishte treguar rrugën nga kishte ikur Ciceroni. Dhe ja, duke nxituar drejt brigjeve, ata panë Ciceronin që po priste anijen. Më së fundi atë e kapën dhe menjëherë i prenë kokën, të cilën ia dërguan në Romë të fuqishmit Mark Antoni. Ishte 7 dhjetor i vitit 43 p.e.s. dhe Herennius, i preu kokën dhe duart.
Brutus, i cili kishte lënë Durrachiumin, ishte ngjitur drejt Italisë së veriut, pastaj kishte marshuar në tokat e galëve e më pas kishte zbritur drejt Romës. Ai ishte shpallur imperator, por Ciceroni tashmë kishte vdekur. Koka dhe duart e tij ishin ekspozuar nga njerëzit e Mark Antonit në «rostrum», në tribunën popullore të Romës. Ata kapën dhe birin e tij si dhe vëllain Quintes, të cilët i vranë gjithashtu.
Kohë më pas, Plutarku shkroi librin Jeta e Ciceronit, ku do të bënte të njohur jetën dhe veprimtarinë politike e humaniste të një prej gjigandëve që nxorri Roma antike, atë të Ciceronit, autorit të veprave të mirënjohura të antikitetit romak. Sigurisht, në veprën e tij De Fato, (Mbi Fatin), ai nuk e kishte parashikuar fatin e tij, as atë që do t’i prisnin kokën dhe duart e tij për t’i ekspozuar pastaj në Forum, para qytetarëve të Romës. Gjenitë kishin shpesh një fat tragjik…