Vendimet e Kongresit të Berlinit e shtuan zemërimin e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha dhe kundër Portës së Lartë. Nga të katër anët e vendit u bënë protesta për të kundërshtuar shkëputjen e trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Kudo u shpreh gatishmëria e masave popullore për të mos lëshuar, qoftë në veri, qoftë në jug, asnjë pëllëmbë tokë të banuar nga popullsi shqiptare. Megjithatë, pasi mbaruan punimet e Kongresit të Berlinit, vëmendja e shqiptarëve u drejtua kryesisht nga fati i trojeve veriore, pasi vendimi i Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë në favor të Malit të Zi kishte formë të prerë. Si i tillë ai duhej të zbatohej menjëherë, kurse vendimi për viset jugore do të merrte formë përfundimtare më vonë, pasi ishte i lidhur me bisedimet turko-greke.
Tensioni i madh politik që pushtoi opinionin publik krijoi një truall të favorshëm për rritjen e shpejtë të autoritetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për shtrirjen e saj organizative, brenda pak javëve, në të katër anët e vendit.
Pasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit, besëlidhjet lokale ose komisionet e vetëmbrojtjes, që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë në degë të Lidhjes Shqiptare. Në ato krahina, ku ato mungonin, u organizuan mbledhje të posaçme, të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Duke marrë parasysh vështirësitë e ndërlidhjes së degëve të shumta me Komitetin Kombëtar dhe për ta rritur operativitetin e këtyre degëve në përshtatje me rrethanat lokale, në fillim të korrikut u formuan në bazë vilajetesh tri komitete ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare me qendër në Prizren, në Shkodër dhe në Janinë. Me to u lidhën degët e shpërndara në sanxhakët dhe në kazatë e këtyre vilajeteve. Meqenëse më 1878 vilajeti i Manastirit ishte suprimuar, degët e formuara në sanxhakët e Dibrës, të Ohrit e të Manastirit u lidhën me Komitetin Ndërkrahinor të Prizrenit, kurse ato të sanxhakut të Korçës me Komitetin Ndërkrahinor të Janinës. Lidhjet ndërmjet Komitetit të Janinës dhe komiteteve të Prizrenit ose të Shkodrës kryheshin sipas rastit, nëpërmjet degës së Elbasanit ose nëpërmjet degës së krijuar posaçërisht për këtë qëllim në Selanik, e cila shërbente si ndërmjetëse për lidhjet e komiteteve ndërkrahinore të vilajeteve me Komitetin e Stambollit. Për të shpejtuar lidhjet ndërmjet tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën telegrafike, madje, nëpërmjet telegrafistëve atdhetarë, edhe shifrazhin sekret telegrafik.
Në përshtatje me situatën e krijuar, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës u ngarkua me detyrën që të merrte masa politike e ushtarake për të parandaluar ose, në pamundësi të kësaj, për të kundërshtuar shkëputjen e Çamërisë në favor të Greqisë. Për këtë qëllim në dhjetëditëshin e tretë të korrikut 1878 u organizua në Janinë një Kuvend i gjerë Ndërkrahinor me përfaqësues të të gjitha degëve të vilajetit. Pasi vendosi të shprehte botërisht vendosmërinë e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë çdo lëshim të trojeve të tyre në favor të Mbretërisë Greke, Kuvendi Ndërkrahinor caktoi për çdo kaza numrin e forcave vullnetare, që do të mobilizoheshin për të hyrë në luftë menjëherë sapo të dilte nevoja. Në të njëjtën kohë përfaqësuesit e degëve të Jugut miratuan një memorandum, me të cilin paralajmërohej Porta e Lartë se shqiptarët ishin të vendosur të viheshin edhe kundër saj, në rast se ajo do të tërhiqej përballë pretendimeve shoviniste të Athinës.
Në mbledhjen që mbajti më 24 korrik 1878, nën drejtimin e Abdyl Frashërit, Kuvendi Ndërkrahinor i Janinës, krahas vendimeve që mori për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, shqyrtoi edhe çështjen e formimit të vilajetit autonom shqiptar. Për këtë qëllim, më 24 korrik 1878, u hartua një rezolutë e veçantë, në të cilën aspirata e shqiptarëve për autonomi është formuluar nëpërmjet tri kërkesave: bashkimi i trojeve të tyre në një vilajet të vetëm, zhvillimi i gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare dhe zbatimi menjëherë në Shqipëri i reformave të përshtatshme me nevojat e saj, sikurse ishte krijimi i “milicisë shqiptare” me forca të rekrutuara nga e gjithë Shqipëria. Lidhja parashikonte që vetëm në vilajetin e Janinës të mblidhte 30 mijë burra të armatosur.
Kjo rezolutë, në të cilën shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë në dorë çdo aneksim të tokës së tyre nga Greqia, madje edhe në kundërshtim me qëndrimin e Portës së Lartë, shqetësoi qarqet qeveritare të Stambollit. Në telegramet që i dërgonte kryetarit të Kuvendit Ndërkrahinor të Janinës më 3 dhe 25 gusht, kryeministri turk shpejtoi t’i qetësonte shqiptarët, duke u zotuar se nuk do t’i lëshonte Greqisë asnjë pëllëmbë tokë nga vilajeti i Janinës.
Gjithashtu, në përshtatje me situatën e krijuar, dy komitetet ndërkrahinore të Veriut u mobilizuan për të kundërshtuar me armë dorëzimin e kazasë së Gucisë (ku bënte pjesë edhe Plava) në favor të Malit të Zi. Për mbrojtjen e tyre në Shkodër u zhvillua një miting popullor, pas të cilit filluan menjëherë përgatitjet për të rekrutuar vullnetarë dhe për të grumbulluar armë. Brenda pak ditëve, në fillim të korrikut, në rrethin e Shkodrës u regjistruan rreth 6 mijë vullnetarë. Qytetarët dhe fshatarët dhanë kontribut në të holla e drithë. Një mobilizim i tillë ndodhi edhe në Kosovë, sidomos në Gjakovë e në Pejë. Më shumë se kudo mobilizimi përfshiu banorët e Plavës e të Gucisë. Shqiptarët, të cilët përbënin shumicën dërrmuese të këtyre dy krahinave, u vunë në gatishmëri të plotë, duke vëzhguar ditë e natë lëvizjet e ushtrive malazeze përtej kufirit. Sipas vendimit që mori Komiteti Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit, vullnetarët e krahinave të tjera do të qëndronin në shtëpitë e tyre në pritje për t’u nisur në front sapo të lëshohej kushtrimi.
Përgatitjet politike dhe ushtarake të Lidhjes së Prizrenit tregonin se nenet e Traktatit të Berlinit, që cenonin të drejtat kombëtare të Shqipërisë, nuk mund të zbatoheshin pa dhunën e armatosur kundër shqiptarëve që do të ushtrohej ose nga Mali i Zi, ose nga Perandoria Osmane. Për ta mënjanuar këtë konflikt tepër të kushtueshëm dhe me përfundime të pasigurta për Malin e Zi, knjaz Nikolla kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, duke e akuzuar Portën e Lartë si organizatoren e Lidhjes së Prizrenit.
Për Perandorinë Osmane kazaja e Gucisë, me më pak se 10 mijë banorë, nuk kishte asnjë rëndësi ekonomike e strategjike në krahasim me territoret e gjera të Bullgarisë, të Bosnjës, të Hercegovinës etj., që asaj iu shkëputën nga Traktati i Berlinit. Por Porta e Lartë nuk donte që, për shkak të një krahine të parëndësishme kufitare, të ndizte revoltimin e mëtejshëm të 1,6 milion shqiptarëve, të cilët do të mbeteshin brenda kufijve të Perandorisë. Si rrjedhim, ajo ngurroi të dorëzonte Plavën e Gucinë, duke u justifikuar para Fuqive të Mëdha me arsyen e vërtetë, me rrezikun e një konflikti të armatosur ndërmjet saj dhe shqiptarëve.
Ndërkaq, në dhjetëditëshin e tretë të korrikut u acaruan marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët, për shkak të qëndrimit të këtyre të fundit ndaj pushtimit të Bosnjës e të Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Kur më 22 korrik ushtritë austro-hungareze filluan marshimin drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, autoritetet shtetërore osmane u kërkuan krerëve të Lidhjes Shqiptare që t’u vinin në ndihmë me forcat e tyre të armatosura boshnjakëve, që kishin rrëmbyer armët kundër pushtuesve të huaj. Kërkesën e Stambollit e miratuan vetëm qarqet sulltaniste, të cilat u përpoqën të bindnin Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes për të marrë pjesë në luftën kundër Austro-Hungarisë, ndërsa anëtarët e tij nuk pranuan, duke përdorur si argument nevojën e ngutshme që kishte vendi për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Presioni i qarqeve qeveritare dhe i elementëve turkomanë vijoi katër javë, derisa më 19 gusht 1878 Këshilli i Përgjithshëm, i mbledhur posaçërisht për këtë qëllim, e hodhi përfundimisht poshtë kërkesën e Portës së Lartë. Lidhja vendosi të mos dërgonte forcat e saj të armatosura kundër invazionit austro-hungarez në Bosnjë, me arsyen e thjeshtë se ato ishin krijuar për të mbrojtur interesat kombëtarë të Shqipërisë e jo të Perandorisë Osmane. Me këtë qëndrim Lidhja e Prizrenit u dha, pas miratimit të kanunit kombëtar më 2 korrik 1878, goditjen e dytë planeve të sulltanit. Goditjen e tretë ajo ua dha tre javë më vonë me vrasjen në Gjakovë të mareshalit Mehmet Ali pashë Maxhari.
Pas dështimit të planeve të saj në lidhje me Bosnjën e me Hercegovinën, Porta e Lartë filloi të shqetësohej si nga rruga e veprimeve të pavarura në të cilët tashmë kishte hyrë Lidhja Shqiptare, ashtu edhe nga trysnia e madhe që po ushtronin Fuqitë e Mëdha në lidhje me zbatimin e Traktatit të Berlinit kundrejt Malit të Zi e Mbretërisë Greke. Trysni të fuqishme ushtronte sidomos Rusia cariste, e cila po e kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të veta nga Rumelia Lindore me dorëzimin nga ana e Perandorisë Osmane të trojeve që i qenë premtuar Malit të Zi. Kërkesën e plotësimit të detyrimeve, që rridhnin nga Kongresi i Berlinit, ia parashtroi Stambollit edhe princi i Malit të Zi, më 13 gusht 1878. Për t’u çliruar nga ky presion e sidomos nga ai që ushtronte Rusia, ushtritë e së cilës ndodheshin në afërsitë e Stambollit, Porta e Lartë vendosi të shpejtonte veprimet për dorëzimin e këtyre trojeve, duke përfshirë këtu edhe Plavën e Gucinë. Në përgjigjen që i dha princit të Malit të Zi, më 20 gusht, Ministria e Jashtme e njoftonte knjaz Nikollën se qeveria perandorake kishte caktuar mareshalin Mehmet Ali Pashën si komisar i jashtëzakonshëm për të kryer formalitetet e dorëzimit të Plavës e të Gucisë.
Në fund të gushtit u dërgua në Shqipëri mareshali Mehmet Ali pashë Maxhari si komisar me fuqi të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë, i shoqëruar nga një adjutant i sulltanit. Ai u porosit që, para se të shkonte në kufi, ta bindte Komitetin e Lidhjes të mos e kundërshtonte dorëzimin e Plavës e të Gucisë dhe të mos i sillnin atij pengesa në zbatimin e Traktatit të Berlinit.
Qysh në fillim u mor vesh se mareshali turk kishte marrë përsipër të shpërndante Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare në Prizren dhe, pasi të kryente dorëzimin e Plavës e të Gucisë, do të vinte në Shkodër për të shpërndarë edhe aty Komitetin Krahinor të Lidhjes. Prandaj lajmi i misionit të Mehmet Ali pashës u prit me zemërim në Shqipëri. Në Prizren, Komiteti Kombëtar i Lidhjes u shpreh kundër pjesëmarrjes së mareshalit në komisionin e kufirit. Po kështu, në një mbledhje të fshehtë që u mbajt në Shkodër nga aktivistët, u vendos që të mos e linin komisarin e sulltanit as të hynte në qytetin e tyre.
Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra menjëherë në kontakt me anëtarët e organeve qendrore e ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare. Ai u përpoq të bindte veçan udhëheqësit e saj për kotësinë dhe dëmin e kundërshtimit të shqiptarëve, pasi, sipas tij, jo vetëm Porta e Lartë, por as Fuqitë e Mëdha nuk do të tërhiqeshin; ato do ta zbatonin me çdo kusht Traktatin e Berlinit. Në një mbledhje të përbashkët me të gjithë krerët e Lidhjes, më 26 gusht, ai përdori, midis të tjerave, edhe kërcënimin, duke u lënë një afat prej 24 orësh për t’u menduar. Por të nesërmen askush nuk u paraqit në mbledhje. Për më tepër, atë ditë u vra nga njerëzit e Lidhjes Shqiptare me atentat, në kafenenë “Marash” të Prizrenit, telegrafisti i Mehmet Ali pashës, të cilin mareshali e kishte sjellë me vete për të ruajtur sekretin e raporteve që do t`i drejtonte Portës së Lartë. Vrasja e telegrafistit ishte një paralajmërim që Lidhja e Prizrenit i drejtonte Maxhar Pashës dhe nëpërmjet tij qeverisë osmane, për të hequr dorë nga dorëzimi i trojeve shqiptare.
Mehmet Ali pasha nuk qe në gjendje as t’i bindte udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare, as edhe të shpërndante Komitetin Kombëtar sipas porosive të posaçme që kishte marrë në Stamboll. Megjithatë, mareshali turk nuk hoqi dorë nga misioni i tij.
Më 31 gusht ai u nis për në Gjakovë i shoqëruar nga tri batalione ushtarësh turq, duke kërkuar nga Mitrovica që t’i dërgonin në ndihmë edhe një batalion tjetër. Edhe në Gjakovë ai thirri më 1 shtator në një mbledhje krerët e degës së Lidhjes, të cilët u përpoq t’i bindte që t’i nënshtroheshin vullnetit të sulltanit. Por këtu ai gjeti një qëndrim më të rreptë. Me përjashtim të kryetarit të degës së Lidhjes, Abdullah pashë Drenit, i cili si përfaqësues i krahut sulltanist u bashkua me Maxhar Pashën, të gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr nga patriotët e vendosur Sulejman Vokshi e Ahmet Koronica, e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më tej rrugën drejt kufirit malazez. Sapo morën vesh nisjen e tij, udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare për Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjigjën mijëra malësorë të armatosur. Më 1 shtator, nën drejtimin e Ali pashë Gucisë, ata u grumbulluan në malin Erenik, duke zënë rrugën që kalonte prej Gjakove në Plavë e në Guci. Në këto rrethana, Mehmet Ali pasha e shtyu marshimin për në kufi dhe u struk në sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë. Pas kësaj, për t’i dhënë një paralajmërim tjetër më të prerë, po atë mbrëmje qytetarët e malësorët gjakovarë, rreth 4 500 veta të armatosur, të cilët i qenë përgjigjur kushtrimit të Lidhjes Shqiptare, lanë malin Ereç dhe zbritën në qytet, ku rrethuan sarajet e Abdullah pashë Drenit. Të nesërmen, më 2 shtator 1878, një delegacion gjakovarësh u paraqit përsëri te Abdullah pashë Dreni (në sarajet e të cilit ishte strehuar Mehmet Ali pasha) dhe i dha një ultimatum prej 24 orësh që ta përcillte mareshalin nga kishte ardhur. Të dy pashallarët shpresuan se me gjashtë kompanitë, rreth 600 veta që mbronin sarajet, me 30 trimat që kishin me vete dhe me ndihmat që prisnin t’u vinin nga Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre, do ta shtypnin kryengritjen. Në të vërtetë atyre u erdhën vetëm 70 malësorë nga Fandi i Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre.
Më 3 shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth 4 500 kryengritës, që mbanin të rrethuar sarajet, filluan sulmin. Përleshja ishte e ashpër dhe me humbje të mëdha për të dyja palët. Në mbrëmje u bë një armëpushim prej 24 orësh për të rifilluar bisedimet, të cilat vijuan gjatë natës dhe gjatë ditës së nesërme, por pa ndonjë rezultat. Në mbrëmjen e 4 shtatorit rifilluan luftimet. Më 5 shtator gjendja e të rrethuarve u keqësua, pasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u dorëzuan. Batalioni që u nis nga Mitrovica për t’i ardhur në ndihmë Maxhar Pashës u shthur rrugës dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë shqiptarë, u bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878, pas një sulmi të rreptë që ndërmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e kompanive turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Pastaj kryengritësit arritën t’u vënë zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe Abdullah pashë Dreni mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit. Me vrasjen e tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare. Gjatë këtij luftimi treditor të dyja palët patën humbje të mëdha, të rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500 veta.
Përpjekja e armatosur e Gjakovës ishte frymëzuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërsa me organizimin e saj të drejtpërdrejtë u mor dega e Lidhjes për Gjakovën. Udhëheqësit kryesorë të saj ishin Ahmet Koronica, Sulejman Vokshi, Ali bej Gucia, Jakup Ferri dhe Ismail Myderizi, së bashku me krerët e esnafëve të qytetit të Gjakovës.
Përpjekja e Gjakovës pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Në saje të pjesëmarrjes së gjerë të masave popullore dhe të gjakut të tyre të derdhur në këto luftime, kjo ngjarje shënoi fitoren e plotë të vijës atdhetare shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Aksioni i Gjakovës tregoi se Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë krejtësisht e pavarur nga Porta e Lartë, madje ajo ishte e vendosur që, për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut, të luftonte edhe kundër saj. Në të vërtetë, Lidhja e Prizrenit, e cila u formua për të kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha dhe u përgatit për të hyrë në luftë kundër ekspansionit të shteteve fqinje, dëshmorët e saj të parë i la në luftë kundër Perandorisë Osmane.
Luftimet e Gjakovës patën jehonë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë në tri drejtime: si një akt që cenonte Traktatin e Berlinit në lidhje me detyrimet territoriale të Perandorisë Osmane ndaj Malit të Zi; si një aksion që keqësoi më shumë marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët; si një veprim që e vështirësonte më keq zgjidhjen e problemeve të krijuara nga Kriza Lindore në Gadishullin Ballkanik.
(Portali Shqipëria com) /InforCulture.info