”Gjergj Elez Alia” nga Mitrush Kuteli

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia… Vjete e vjete ai kish dalë zot truallit të të parëve; ia kish mbrojtur nderin. Kish luftuar me topuz e shpatë kundër armiqve të derdhur këtej nga deti e nga toka për të shkelur vendin, për ta dhunuar e zhveshur. Dhe të gjithë këta armiq Gjergj Elez Alia i kishë shtrirë përtokë, pa frymë. Por në Luftërat e shumta me dhunues të shumtë trimi ynë kish marrë nëntë plagë në shtat dhe tani kish nëntë vjet që dergjej në kullë. E motra i rrinte ditë e natë mbi krye i lante plagët me ujët e gurrës nëntë vjeçe, ia shpërlante me lotët e syve të saj, I terte gjakun me flokët e ballit: shtatin ia lidhte me shamitë e nënës, ia hijeshonte me petkat e moçmetë tatës: armët pranë, bacë Gjergji e ndjente zemrën ende të ngrohtë, i ngjallej një fill shprese. Ai i duronte si burrë dhimbjet e plagëve kur i ndërronte e motra shtatin. Vetëm një dhimbje nuk e duronte dot Gjergji: dhembjen për motrën e dashur të varrosur së gjalli pranë tij, në kullën e lart, që t’ia mjekonte plagët, të përkujdesej për të. Kjo dhembje e shtrinte Gjergjin si të vdekur, pa frymë. E motra e Gjergjit s’kish pasur kurrë çaste gëzimi. Ndërsa shoqet e saj gëzonin të ritë e tyre, kishin dashuruar, ishin martuar, kishin lindur fëmijë, ajo rrinte gjithnjë e mbyllur në kullë pranë Gjergjit të sëmurë. Kështu kaluan të nëntë vjetët. Vitin e nëntë u hap e mori dhenë fjala gjëmëmadhe se kish dalë nga deti një baloz i zi trim i fortë e i prapë, më i lig nga gjithë bajlozët e tjerë që kishin shkelur gjer atëherë truallin tonë. Ky bajloz i prapë i kish hedhur vendit një rreng të rëndë: çdo derë t’j jepte një dash të pjekur çdo vatër t’i dërgonte një vash të njomë. Balozi vriste ditë për ditë, digjte javë për javë një krahinë. Kish vrarë kaq kreshnikë, sa tani askush s’kish zemër t’i dilte përpara e t’i priste hovin, sepse topuzi i tij ishte shumë i rëndë, shpata e tij ishte shumë e mprehtë dhe heshta e tij e përshkonte tej përtej shtatin e kreshnikut. kështu, tër vendi lëngonte nën thundrën e tij. Gjergj Elez Alia s’dinte gjë: ai dergjej në shtrat si i vdekur i pakallur në varr. Kur i erdhi radha shtëpisë së Gjergjit që t’i jepte balozit haraçin: dashin e pjekur dhe motrën, kjo,motra, qau me lot, u ankua dhe nëmi:
-O vëlla, po qysh na harroi neve mortja e s’na mori? Nëna e tata kalben të vdekura nën blir. Shtati vëllait kalbet së gjalli brenda në shtëpi. Shtati i motrës do të bjerë në duart e balozi të zi… Pse vallë s’shembet kjo kullë të na zerë brenda te vdekur? Pse s’bëhet germadhë kjo shtëpia jonë? Vdekja është më e ëmbël, moj e zeza nënë, se sa jeta pa nder!
Atëher Gjergji u zgjua, shikoj përredh e s’dinte ç’kishte ndodhur. Kish ndjerë se i qe larguar ftyra dhe kish pandehur se kulla qe rrënuar kaq shumë, sa shtinte shiun brenda. Zemra ju bë dy copë, shikoi motrën: dy vija lotësh ia përshkuan faqet e tretura. Dhe nga pikëllimi mallkoi kullën:
– Hej, u nxifsh, moj kulla ime! Të mbuloftë funde krye lëmashku! Paç banorë brevën e gjarpin! Si më lëshove ti kaq shpejt pikat e shiut brenda në shtrat? Motra ia fshiu me dorë të dredhur lotët e i tha:
– Jo more vëlla, nuk bie shi jashtë e nuk pikon çatia e kullës. Ty të kanë lodhur fort plagët e shtatit dhe shkretia, prandaj s’di se ç’flet: sytë e mi pikojnë lot, vëlla! Atëherë Gjergji i shtrëngoi dorën me atë pëllëmbën e thatë, i lëmoi ëmbël ftyrën, e shikoi me ata sytë e malllit dhe i foli me zjarr, si nuk kishin folur kurrë:
– Pse qan, moj motër? Pse ma thyen kaq fort zemrën? Shtati im ka nëntë vjet që po kalbet sëgjalli. Në këta nëntë vjet Gjergji yt s’ka pasur kurrë pushim e ka fërfëlluar gjithë si ai gjethi i ahut në faqe të shullërit. Vallë a s’ke pasur të hash e të pish në këta nëntë vjet? A s’të ka mbajtur ty vëllai më të veshur e të mbathur? A të ka rënduar ndonjëherë me fjalë? Apo t’u mërzit vëllai e të ka lindur dëshira të martohesh e ta braktisësh? Atëhrtë motra i mori dorën, ia shpuri në ballin e saj e ju përgjigjë:
– Oh, vëlla! Kaq fort të paska mërzitur ty vuajtja që më flet kështu? Hyfsha gjallë në dhe ne mëshkon mendja të martohem! Të ngrënë e të pirë kam pasur mjaft, vëlla. Edhe të veshur e të mbathur kam pasur mjaft. Kurrë s’më ke rënduar në fjalë si sot. Unë ty të kam tatë, ty të kam vëlla. Po sot, bacë Gjergj, dua të të qaj një brengë të madhe. Si nuk t’u përkund vall shtati në këta nëntë vjet që të dalësh gjër te praku i derës? Si nuk u tha motra jote,e thartë vera! Po qysh të duroj unë e zeza turpin që ti shkoj bailozit në derë?
Kur dëgjoi këto fjalë, bacë Gjergji i harroi tënëntë plagët e shtatit, i harroj të nëntë dhimbjet dhe brofi drejt më këmbë sikur të mos paskej lënguar kurrë në shtrat: i hollë, i gjatë, ashtu siç kish qenë dikur: trim mbi trima. I tha së motën:
– O motër, merr që tani gjogun e luftës e zbrit shpejt në qytet drejt tej nallban vëllami. I thuaj: “Të dërgon falëmeshëndet Gjergji, t’ia mbathësh mire gjogun me potkonj hekuri të farkuar e thumba trunxhi, se do t’i dalë balozit në shesh të burrave”. Po s’desh të ma mbathë gjogun vëllathi, hypi sërish dhe shko në derë të nallbanit dashmirit. Vajza i hypi gjogut, e ngau shpejt, zbriti nëqytet, shkoj drejt te nallban vëllami.- Puna mbarë, o nallban vëllami!
– Mbar paç, moj vashë e largët!
-O vëllam, të dërgon falëmeshëndet bacë Gjergji, t’ia mbathësh mirë gjogun me potkonj hekuri të farkuar e thumba tunxhi, se do ti dale balozit në shesh të burrave.
Mirpo në këta nëntë vjet, që kur Gjergji ish varrosur së gjalli brenda në kullë, nallban vëllami e kish harruar fare vëllazërinë e vjetër. Ai nisi t’i flaëssë prapthi motrës së bacë Gjergjit.
– Po të m’i falësh, – tha, – moj vashë, ata sytë e ballit, unë do të ta shpëtoj Gjergjin tënd: do t’ia math mir gjogun e do t’ia bëj të fluturoj si era.
Motra e Gjergjit ia ktheu me zemërim:
– Ç’po thua ashtu, o nallban, t’u thaft goja? Unë pandeha se pata ardhur në derë të vëllamit, po e shoh se paskam rënë në derë të magjypit. Këta dy sy unë ia kam falur një herë e përgjithmonë nënës e tatës që kalben nën dhe, i’a kam falur Gjergjit tim që kalbet më nëntë plagë mbi dhe! Kaq i tha motra e Gjergjit nallban vëllamit që e kish harruar vllazërinë dhe i ra kalit e shkoi te nallban dashmiri.
– O nallban dashmiri, – i tha, – të dërgon falëmshëndet bacë Gjergji, t’ia mbathësh mire gjogun me potkoj të farkuar e me thumba trunxhi, se do të dalë të luftojë me balozin e detit.
Nallban dashmiri s’ia bëri fjalën dy, po ia mbathi kalin mirë e bukur, si për vete.
– I thuaj, – tha, falëmshëndet bacë Gjergjit edaltë faqebardhë në luftë.
– Rroshe e qofsh, o nallban dashmiri!… – ia ktheu vasha.
Mbrëmnat vajza u kthye në shtëpi dhe e gjeti Gjergjin tek po priste në hije të blirit: i veshur e I mbathur, me armët pranë. Ai kishte mposhtur dhembjen e shtati për të ruajtur nderin e shtëpisë së vet e të gjithë vendit,për hakmarrje. Ç’bëri Gjergj Elez Alia? I dërgoi falëmshëndet balozi të detit e i tha:
– U në s’kam vashë për ty, o baloz! Deshë e Vathës nuk i kam majmur për ty. Kam vetëm një motër në shtëpi, po nuk ta jap dot se s’ka kush m’I lidh plagët e shtatit. Pra, të pres të dalësh në dyluftim në shesh të burrave! Kur zuri drita të zbardhë majat, ata të dy Gjergji dhe balozi i detit – dolën kaluar në fushë të luftës dhe zunë ta thumbojnë shoqi-shoqin me fjalë. Balozi ish veshur me parzmore të rënda hekuri, kish vënë në kokë përkrenare çeliku, ish armatosur me topuz të rënd e me shpatë të gjatë. Edhe kalin e kish ngaruar me pllaka hekuri. Tundej dheu ku shkelte. Sapo e pa Gjergjin for të tretur, kaluar mbigjog, balozi qeshi me të madhe e i thirri:
– Nga varri qenke ngritur, o Gjergj? Pse më ke nxjerrë kot, bre burrë, në fushë të luftës? A nuk di ti se mua më thonë baloz deti? Unë kam shembur nga kali shumë kreshnikë e i kam dërguar në botën tjetër. Ty do të të shemb me gishtin e vogël.
Gjergji ia ktheu bukur:
– Mirë po thua, o baloz, të lumtë goja! Vërtet unë kam nëntë vjet që kam marrë udhën e varrit, se kam nëntë plagë në shtat. Po pa arritur ende në varrë ti më ktheve prapë. Sepse ti më ke kërkuar motrën përpara se të kërkosh dyluftimin, ke kërkuar berrat përpara se të kërkosh bariun. Unë kam ardhur këtu të të tregoj se ç’na thotë kanuni i të parëve tanë: të mos lëshojmë gjënë përpara se të lëshojmë armët, të mos ia japim kurrë motrat balozit përpara se të pritemi me shpatë në shesh të luftës. Bëhu gati baloz, se të ka ardhur dita e fundit!
Ktu i thotë Gjergj Elez Alia! I lëshuan kuajt vrap në fushën e luftes tym më tym. Balozi i prapë morri në shenjë i pari dhe hodhi topuzin. Gjogu i Gjergjit përkuli të dy gjunjët dhe u ul. Topuzi i rëndë i balozit i fluturoi Gjergjit mbi krye dhe u ngul tutje dymbëdhjetë pashë thellë në lëndinë. Pluhuri u ngrit dymbëdhjetë pash lart. Kur i erdhi radha Gjergjit e hodhi bukur topuzin e vet dhe e qëlloj balozin në shteg të ballit. Balozi u përkul e u gremis i vdekur. Kur u germis, u tundt erë fusha. Kali mori arratinë. Gjergji nxori menjëherë shpatën e mprehtë dhe ia ndau kryt nga trungu. Kryet ia vari në mollë të shalës, trungun ia hoqi zvarrë për këmbe, nëpër fushë, përmes ferrash e drizash dhe ia hodhi në një krua. Gjaku I balozit të zi rrodhi nëpër përrua nxiu gjithë lumin. Tre vjet rresht vendi rrethe e qark kundërmoi erë kërme…
Si e vrau balozin e zi, trimi u kthye fitimtarë në shtëpi, mblodhi gjithë shokët e u tha:
– Pa dëgjoni, o shokët e mi! Falë ju qofshin kullat e mia, falë ju qofshin gjithë paret e mia, falë ju qoftë gjithë malli e gjëja ime! Amanet motrën e Gjergj Elez Alis!
Dhe trimi u hodh të përqafojë motrërzezën, që e priste me gëzim. Të dyve zemrat u pushuan përnjëherësh. Vëlla e motër ranë përdhe të vdekur. Vdekja më e lehtë dhe më e ëmbël s’ish pare kurrë! Shokët i vajtuan me gjëmë të madhe. Hapën pastaj një varr të gjerë t’i nxerë të dy, vëlla e motër, të përqafuar. Varrin e rrethuan me një muranë të bukur që të mos harrohej kurrë sa shumë e kish dashur motra vëllain dhe sa shumë e kish dashur vëllai motrën, që të mos harrohet trimi I madh Gjergj Elez Alia që mbrojti nderin e vet e të shtëpisë dhe që shpëtoi vendin nga dhunat e bajlozit të zi!
Mbi krye shokët u mbollën atyre të dyve një blitë bukur: atje pushon nga herë zogu i verës. Të gjitha shkuan e vanë: Gjergj Elez Alia vdiq, motra e dhimbsur vdiq, kulla e lartë u shemb. Edhe murana e varrit s’njihet më, as kulla e dikurshme. Po doli kënga që shkon si një yll drite nëpër shekuj për të kënduar trimërinë e vëllait dhe dashurin e motrës. Dhe kënga nuk vdes kurrë!
Mitrush Kuteli | TREGIME TË MOÇME SHQIPTARE /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here