Ka njerëz që besojnë se të moshuarit mjaftohen me pak orë gjumë. Në fakt, kjo është thjesht një legjendë urbane. Të gjithë të rriturit kanë nevojë për të paktën 7 deri në 9 orë gjumë. Ajo që ndodh me kalimin e moshës është se njeriu e ka më të vështirë të flejë siç duhet. Por kjo nuk do të thotë se nevojat për gjumë ndryshojnë. Një nga sfidat e plakjes së shëndetshme është garantimi i orëve të mjaftueshme për gjumë.
Si ndryshon gjumi tek të moshuarit
Për arsye nga më të ndryshmet, të moshuarit kanë vështirësi në fjetje. Atyre u nevojitet më shumë kohë t’i zërë gjumi, zgjohen tre deri në katër herë gjatë natës, urinojnë tepër, kanë tendencën të flenë herët në mbrëmje e të zgjohen po aq herët.
Përse të moshuarit flenë më pak
Trupi ndryshon me plakjen dhe këto ndryshime prekin cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit. Në këtë të fundit mund të luajnë rol shumë faktorë.Ju pëlqen!
Hormonet
Truri i të moshuarve prodhon më pak melatoninë, që është hormoni i gjumit ndërkohë që hormoni i rritjes sekretohet në nivele më të ulëta. Ky hormon është arsyeja përse fëmijët flenë aq mirë. Tek gratë mund të luajë rol edhe menopauza, simptomat e së cilës ndërhyjnë tek gjumi.
Sëmundjet kronike
Sëmundjet dhe simptomat e tyre ndikojnë direkt tek gjumi. Për shembull, artriti shkakton dhimbje që pengon ardhjen e gjumit. Diabeti mund të nxisë nevojën për të urinuar më shpesh gjatë natës. Sëmundjet e zemrës mund të shkaktojnë zgjim të menjëhershëm gjatë natës për shkak të vështirësisë në frymëmarrje. Sëmundjet mendore që shoqërohen me ankth kanë tendencën që të ndërhyjnë tek cilësia e gjumit.
Ndryshimet në stilin e jetesës
Të moshuarit kryejnë më pak aktivitet fizik dhe qëndrojnë më pak në diell. Drita e diellit është e nevojshme për prodhimin e melatoninës që rregullon ciklet e gjumit. Të moshuarit duhet të kalojnë të paktën 2 orë ekspozimi në diell. Konsumi i alkoolit, kafeinës dhe cigares shkakton kaos në cilësinë e gjumit dhe nuk duhen konsumuar të paktën 3 orë përpara fjetjes. Tek cilësia e gjumit ndërhyjnë edhe medikamentet siç janë ato të tensionit të gjakut, kundër depresionit, e të tjerë.