Atë ditë ra një shi i rrëmbyer. Ujëra të shumbushën të gjitha rrugët e Korçës. Njerëzit mbetën një çast të habitur. Nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte kështu. Mos vallë po afronte ndonjë përmbytje e madhe? Disa u futën poshtë strehëve me shpresën se shiu do të largohej shpejt, të tjerë vrapuan drejt shtëpive të tyre nëpër shi. Edhe nga burimet po gurgullonte më tepër ujë. Dikush tha: “Sot çezmat e lagjeve qenkan bërë si çezmat e Demir Aga Mborjes?” Kush ishte vallë ky Demir Aga Mborja? Njeriu që e kishte përmendur këtë emër nuk dinte asgjë më shumë.
“Kështu thuhet, tha ai, sa herë që çezmat sjellin shumë ujë”. Por, përse përmendej emri i Demir Aga Mborjes dhe jo ndonjë emër tjetër? Askush nuk ishte në gjendje të thoshte diçka më tepër. Ndoshta do të jetë ndonjë histori tepër e vjetër, tha dikush, aq sa është harruar gjithçka dhe ka mbetur vetëm emri i personazhit; ngjarjen do ta ketë marrë uji dhe do ta ketë çuar në det”. Ndoshta mund të ishte edhe kështu, megjithatë që nga ajo ditë pata një nxitje të pakuptueshme për të mësuar se kush kishte qenë ky Demir Aga Mborja.
“Si çezmat e Demir Aga Mborjes”
Kohë më vonë do të mësoja se dikush ishte përpjekur që emri i tij të mos përmendej kurrë mes njerëzve. Demir Aga Mborja duhej të harrohej tërësisht, njësoj sikur nuk kishte lindur kurrë. Askush nuk duhej të dinte se kush kishte qenë ai. Dhe njerëzit kishin filluar ta harronin. Edhe nëse dikush do të pëshpëriste qoftë edhe me vete atë emër, atëherë do të dënohej për agjitacion dhe propagandë. Thonë që kështu e kishte pësuar padashur edhe një banor i qytetit të Korçës. Edhe atë ditë binte shumë shi, çezmat kishin sjellë më shumë ujë se çdo ditë tjetër. Befas dikush kishte thënë: “Sot çezmat e lagjeve qenkan bërë si çezmat e Demir Aga Mborjes?” Të gjithë kishin mbetur një çast të heshtur. Vështronin njëri-tjetrin me habi. Si ishte e mundur që ky njeri të kishte guximin e të thoshte se çezmat e Demir Aga Mborjes sillnin ujë shumë! Pas asaj që ishte thënë, askush nuk dëshironte të qëndronte më aty në atë vend. Njëri pas tjetrit që të gjithë nisën të largoheshin pa e kthyer më kokën mbrapa. Gjithkush prej tyre dëshironte të harrohej një çast e më parë që kishte qenë aty pranë çezmave të lagjes. Po largoheshin të gjithë pa e kthyer kokën prapa. Gjithkush kishte ndjesinë se dikush po i ndiqte nga pas hap pas hapi. Ai që kishte përmendur emrin e Demir Aga Mborjes, pak më vonë vuri re se kishte mbetur i vetëm. Shoqëri i bënte vetëm shiu që i derdhej mbi fytyrë. Ishte lagur dhe ishte bërë qull. I mbetur i hutuar kishte dalë nga streha dhe lagej në shi. Pastaj pa e kuptuar as vetë kishte nisur të vraponte drejt shtëpisë së tij. Një frikë e pakuptueshme e kishte mbërthyer të gjithin. I dukej sikur nga çasti në çast do të hapej dera dhe njerëz me uniformë do t’i hidhnin prangat. “Në emër të popullit je…”. Nuk ndodhi kështu, por frika se mund të ndodhte edhe kështu nuk iu largua kurrë nga shpirti i tij. Ishte koha e regjimit enverian.
E kishte ditur kush ishte Demir Aga Mborja
Ai e kishte ditur kush kishte qenë Demir Aga Mborja. Në shtëpinë e tij sa herë binte rasti flitej edhe për të. Tregoheshin shumë histori dhe thuhej se Demir Aga Mborja kishte qenë jo vetëm i pasur, por edhe i nderuar. Pas viteve 1925, Korça nisi të ndjente edhe më shumë mungesën e ujit të pijshëm. Lagjet që nuk kishin ujë të pijshëm ishin ato të “Varoshit”. “Kasabaja” nuk e kishte ndjerë mungesën e ujit. Në vitin 1930 gjendja u rëndua edhe më tepër. Qyteti ishte shtuar në numër dhe uji nuk shuante dot etjen e të gjithëve. Kur vera vinte e nxehtë uji bëhej edhe më i pakët. Disa prej çezmave thaheshin dhe nuk sillnin më asnjë pikë. Fëmijët që vraponin drejt çezmave dhe i gjenin bosh, dëshpëroheshin dhe nuk u besonin do syve: “Edhe uji mbarohet?!”- pyesnin veten te habitur. Ndodhte që edhe kur shkonin në shtëpi të mos gjenin ujë për të pirë. Ishte nëna e tyre që vraponte te komshia me shpresën se do të gjente pakëz ujë, por herë-herë edhe që andej kthehej duarbosh. Kështu e përshkruan situatën edhe gazeta “Zëri i Korçës”: “Nuk kemi shumë kohë që patëm folur mbi mungesën e ujit për të pirë në çezmat e “Varoshit”. Për të mbushur një shtambë për nevojat e ditës, njeriu duhet të ngrihet që në mes të natës, përndryshe mbetet pa ujë. Ky avaz ka vazhduar qysh prej tre-katër muaj, por megjithatë nuk është marrë ndonjë masë, mbasi mungesa e ujit nuk vjen nga thatësira, sa vjen nga plasja e qyngjeve. Kompetentët po të duan mund ta gjejnë shkakun”. (18 tetor 1930)
Ujë një mrekulli
Pikërisht në këto vite ishte shfaqur Demir Aga Mborja. Ai kishte nisur të ndërtonte diku një çezmë e diku një pus që të kishte ujë për fëmijët, udhëtari të kishte ku të njomte buzën dhe një i sëmurë të mos vdiste për një pikë uji. Gjithçka e bënte me shpenzimet e veta dhe nuk dëshironte që t’ia përmendte kush si bamirësi. “Është gurgullima e ujit që rrjedh, ajo që më falënderon”, – ishte shprehja e tij. Kështu e tregojnë sot më të moshuarit ndonjë fjalë të tij që ende mbahet mend. Ai mblidhte gjithë ujin e burimit në një vend dhe kur depozita ishte mbushur me ujë, çezmat fillonin e rridhnin më shumë nga çdo ditë tjetër. Që atëherë nisi të përdorej shprehja: “Sot çezmat e lagjeve qenkan bërë si çezmat e Demir Aga Mborjes?” Madje ato çezma nuk shteronin kurrë. Edhe nëse ndodhte që ndonjë sulinë të çahej nga ngrirja e ujit, ai gjithnjë do ta zëvendësonte me një tjetër. I gëzohej rrjedhës së ujit njësoj sikur të ndodhej përpara një mrekullie. “Uji është vërtet mrekulli”, ishte një shprehje tjetër e tij. Ai e dinte se edhe më të pasurit e këtij qyteti, bamirësinë e parë e kishin patur të lidhur me ujin, dhe e mira si uji u kishte rrjedhur.
Themeluesi i qytetit
I pari që ndërtoi çezma e puse në këtë vend, madje që nga viti 1468, kishte qenë themeluesi i qytetit Iljaz bej Mirahori. Edhe për këtë njeri për vite të tëra me radhë nuk ishte folur asnjë fjalë. Edhe Mirahorët duhej të harroheshin. Madje nuk u përmend as fakti që Emineja, nëna e vëllezërve Frashëri, kishte dalë nga dera e Mirahorëve. Vite më vonë si bamirës i mrekullisë së ujit, doli në skenë Mehmet pashë Plasa, një nga njerëzit më të pasur në gjithë krahinën. Edhe ai kishte patur si Perëndi gurgullimën e ujit. Ujësjellësi i parë i Korçës u ndërtua nga vetë ai. Kjo ndodhi në vitin 1789. Edhe emri Mehmet pashë Plasës, nuk duhej përmendej as për mirë dhe as për keq. Kërkohej me çdo kusht që ai, ashtu ngadalë dhe ditë pas dite, të shndërrohej në një hiç. Si gjyshër të Eminesë, nënës së vëllezërve Frashëri, siç e thamë edhe më sipër, njihen Mirahorët, por në të njëjtën kohë edhe Mehmet pashë Plasa ishte gjyshi i Eminesë, por edhe këtë të vërtetë askush nuk duhej ta dinte dhe janë të paktë ata që e dinë edhe sot e kësaj dite. Mehmet pashë Plasa kishte një vajzë të quajtur Zymbyle të cilën e martoi te Mirahorët. Nga kjo martesë lindi Emineja. Mehmet pashë Plasa ishte gjyshi i Eminesë nga ana e nënës.
Mungesa e ujit, shqetësim mbretëror
Mungesa e ujit në lagjet e Varoshit, tashmë ishte shndërruar në një shqetësim mbretëror. “Gazeta e Korçës” në një nga numrat e saj bënte të ditur: “Lajmërohemi nga Tirana se L.M.T. Mbreti, duke u interesuar gjallërisht për çështjen e ujit të qytetit tonë, urdhëroi Ministrinë e Punëve Botore të merret vesh me shoqërinë frënge të vajgurit për ujin që kishte nxjerrë në Turan. Pas marrëveshjes që bëri Ministria me Drejtorin frëng, u përfundua t’i paguhen shoqërisë frënge 76.000 franga ari për të riçelur në Turan pusin nga doli ujë dhe t’ia dorëzojë Bashkisë së Korçës”. “Siç dihet, pusi që hapi kjo shoqëri në Turan, sqaronte më tej gazeta, nxori një sasi tepër të madhe uji për të pirë. Dhe pas analizave që ka bërë shoqëria e vajgurit, ky ujë është pikërisht si ujë mineral me famë i Evianit (e shtunë, 11 mars 1933). Megjithatë, pavarësisht nga lajmet që sillte gazeta, Demir Aga Mborja, vazhdonte të ndërtonte diku një pus dhe diku një çezmë. Gjithnjë ishte atje ku uji ishte i pakët. Kur ndërtimi i çezmës kishte marrë fund, ai ulej përballë saj, dridhte një cigare dhe pinte duhan gjithë kënaqësi, duke vështruar ujin që rridhte e nuk kishte të shterur. E dinte mirë se punët e qeverisë janë të mira, por gjithnjë vonojnë. Ndaj edhe të nesërmen ai do të shkonte te një burim tjetër.
Bashkia në kërkim të ujit
Edhe Bashkia e Korçës ishte vënë në kërkim të ujit. “Në kohërat e fundit po vërtetohet një aktivitet i jashtëzakonshëm i Bashkisë për studimin e sjelljes së ujit për të pirë, i cili prej tërmetit është pakësuar shumë, shkruante gazeta e cituar më sipër, ndërsa vazhdonte, që disa vjet më parë bashkia solli një inxhinier- hidrolog për të dhënë mejtimin e tij mbi çështjet e ujit. Tani në fund një specialist tjetër hartoi një plan me tërë hollësitë për sjelljen e ujit në qytetin tonë. Ndërkaq marrim vesh se plani parashikon që uji për të pirë të sillet ose nga përroi i Dishnicës, ose nga çezmat e Boboshticës. Inxhinieri i përmendur hartoi për këtë punë planet me të gjitha hollësitë, si edhe me llogaritë e kushtimit dhe ia paraqiti bashkisë për studim. Veç kësaj bashkia solli këto ditë nga Belgjika, edhe një hidrolog tjetër, z. Emil Bouloin, specialist për të gjetur ujë duke çpuar me tryela. Ky zotëri, pasi studioi vendin rreth e rrotull qytetit tha se fusha e Korçës ka shumë ujë nën të, i cili duke u çpuar toka, uji mund të hidhet disa metra përpjetë (E shtunë 27 maj 1933). Lajmi se edhe Bashkia po bënte të gjitha përpjekjet për të gjetur ujë, shkoi edhe në vesh të Demir Aga Mborjes. Për të ishte një nga lajmet më të bukura që dëgjonte. “Ku ka ujë, ka jetë’,- thoshte ai. Pak kohë më parë Demir Aga Mborja kishte përfunduar së ndërtuari një pus në pazarin e drithit. Atje mblidheshin nga ana e anës shumë njerëz dhe në ditët e verës të gjithë kishin nevojë për ujë. Tashmë kishte filluar të ndërtonte një çezma tjetër. Bashkë me ujin do të kalonte gjithë jeta e tij
Përsëri mbreti
Edhe shqetësimi i mbretit Zog për mungesën e ujit në qytetin e Korçës vazhdonte të ishte i njëjtë ashtu si edhe më parë. “Edhe Lart-Madhëria Tij, Mbreti duke u interesuar veçanërisht për nevojat e qytetit tonë, shkruante “Gazeta e Korçës”, porosinë e parë që i dha zotit Rustem Ymeri, kur u emërua kryetar i bashkisë së këtushme (Korçë), ishte zgjidhje e çështjes së ujit. Dhe kryetari i bashkisë që ditën që ardhi filloi të merret me këtë çështje. Pas studimeve që janë bërë vetëm uji i moçaleve të Boboshticës mund të sillet më shpejt dhe me shpenzime më të pakta dhe është i vetmi ujë që nuk i shërben për nevojat e para as ndonjë katundi tjetër të rrethit. Dhe analiza që iu bë e nxori fare mirë për të pirë. Këshu Bashkia vendosi që brenda këtyre ditëve ta nxjerrë në pakdhënie (ankand) të sjellit e këtij uji që nga burimet në depon e madhe të Shën –Thanasit. Gjithë punimet nuk do të zgjatin më tepër se katër muaj dhe në qytet do të shpërndahen edhe përmbi 60 çezma prej këtij uji. Kjo vepër me aq rëndësi për qytetin tonë e lartëson në zemrat e popullit z. Rustem Ymeri se tregon dashurinë e zotërisë së tij për t’i shërbyer Korçës sa më mire (E dielë, 11 qershor 1933). Në fillim të nëntorit të gjithë përpjekjet e Bashkisë nën kujdesin e Mbretit Zog do të bëheshin realitet. “Ka disa ditë që Bashkia ka vënë tërë aktivitetin e saj për vendosjen e solinarëve që të sjellë ujë për të pirë nga çezmat e Gjergos për 9 çezma dhe shpresohet se kjo punë e filluar do të marrë fund brenda 2-3 javëve, informonte gazeta në fjalë (E martë, 7 nëntor 1933)
Uji i fabrikës së “Birra Korça”
Edhe pse u bënë studime të shumta për sigurimin e ujit të pijshëm, zgjidhja erdhi nga fabrika “Birra Korça”. Kjo e fundit kishte siguruar ujë për prodhimin e birrës. Uji ishte i mirë, vinte nga malet e Moravës. Me këtë rast Bashkia u përpoq të detyronte “Birra Korçën” që të furnizonte me ujë edhe Korçën, pasi në të kundërt nuk do ta lejonte të merrte ujin nga malet e Moravës. Një tentativë e tillë, nuk kishte qenë e nevojshme. Në krye të shoqërisë së “Birra Korçës” ishte zgjedhur Selim Mborja. E dinte mirë ai se çfarë kishte bërë Demir Aga Mborja që banorët e Korçës të kishin ujë. Mborjarët gjithnjë ishin përpjekur që Korça të bëhej një qytet modern. E firmosi kontratën me bashkinë. Ja çfarë thuhet në shtypin e kohës” “Dje u nënshkrua akti i ujdisë mes Bashkisë dhe shoqërisë së fabrikës së Birrës për çështjen e ujit. Ky ujë vjen prej burimeve të quajtura “Çezma e Gjergos” dhe “Izvor”, të njohura dhe me emrat “Burimi i luadhit” dhe “Çezma e luadhit”. Të drejtën e sjelljes së këtij uji fabrika do ta ketë për 60 vjet, e cila do të jetë e detyruar që prej këtij uji të pastër, për të pirë, në çdo 24 orë, të derdhë në depon e Bashkisë këto sasi: Kur rrjedha e ujit është më lart se 1.75 litra në sekondë, duhet të derdhë 440 hektolitra në 24 orë. Kur rrjedha e ujit është 1,5 litra në sekondë, derdhja 340; kur të jetë 1 litër në sekondë, derdhja 120; në 0.75 litra në sekondë, derdhja 80; dhe në 0.50, litra në sekondë, derdhja 55 hektolitra në 24 orë. Veç këtij, fabrika e birrës do t’i japë ujë edhe Mborjes, një sasi prej 2000 litrash në 24 orë Fabrika ka të drejtën të ngrejë çdo ndërtesë rreth e qark çdo burimi me sipërfaqe prej 200 metra katrorë dhe të kryejë çdo lloj punimi që do ta quajë të dobishëm për mbledhjen e ujit…” (e shtunë, 26 gusht 1933)
Demir Aga Mborja
Nënshkrimi i kontratës me fabrikën e birrës ishte një lajm tjetër i mirë edhe për Demir Aga Mborjen. Edhe ai nuk kishte patur asnjë dyshim që Selim Mborja do ta nënshkruante kontratën. Edhe të tjerë njerëz të pasur të Mborjes kishin investuar shumë për Korçën, por emrat e tyre nuk u përmendën kurrë. Strategjia ishte e njëjtë. Ata duhet të harroheshin. Demir Aga Mborja e dinte shumë mirë se Selim Mborja do të përmendej për fabrikën e “Birra e Korçës”, por njerëzit nuk do ta harronin kurrë për ujin që u kishte çuar në shtëpitë e tyre. Për të njëjtat arsye, i paharuar mbeti edhe kujtimi për Demir Aga Mborjen, edhe pse për 50 vjet me radhë u përpoqën që emri i tij të mos përmendej nga askush. Gazeta “Zëri i Korçës” në vitet 30 shkruante: “Z. Demir Aga Mborja, i cili nga koha në kohë ka lënë kujtime duke ndërtuar çezma, disa ditë më parë me shpenzimet e veta, ndërtoi një tullumb ujë në pazarin e madh të drithit. Vepra e tij duhet të bëhet shembull për të tjerët dhe gëzohemi që ay të lërë kujtime të tjera si këto. Me që është i pasur dhe ka qëllim kurdoherë bamirësinë, shpresojmë se mirëbërësitë e tij do të vazhdojnë për të mirën e populates (Zëri i Korçës, 1 mars 1930). Ndërsa dr. Iljaz Gogaj në një shkrim të tij ku flet për bamirësit e Korçës vë në dukje faktin se “në rrafshin urbanistik, në qytetin e Korçës, ka edhe në këtë periudhe, disa vepra mirëbërësie, por ne nuk kemi të dhëna të shkruara. Në vitin 1930, Demir Aga Mborja, kishte ndërtuar një tullumb për ujë në pazarin e madh të drithit. Demir Aga, kohë më parë, kishte lënë kujtime të mira kur kishte ndërtuar me shpenzimet tij edhe dy çezma në qytetin e Korçës, përfundon Gogaj. E megjithatë ndërtimi i puseve dhe çezmave nga dora e Demir Aga Mborjes vijuan deri në fund të jetës së tij
DISA NGA PUSET ARTEZIANE QË KISHTE KORÇA?1. Në rrugën “Misa Durham”, lagjja “Barç”2. Në rrugën “Dr. Hann”, “Lagjja e Re”3. Në rrugën “Rober Cecil”, lagjja “Penço”4. Në sheshin “Ali bej Frashëri” lagjja “Lumë”5. Në sheshin “28 nëntor” lagjja “Lumë”6. Në furrën e Xhaferajt, lagjja “Qoshk”7. Në sheshin e Amzos, “Lagjja e Re”8. Në rrugën “D’estaurneller Decostland”, lagjja “Barç”9. Në rrugën e “Leskovikut”, lagjja “Qoshk”10. Në rrugën “Iljaz bej”, lagjja “Treg”11. Në tregun e peshkut, lagjja “Treg”12. Në rrugën e “Ligës së Prizërenit”, lagjja “Barç”13. Në tregun e kafshëve, lagjja “Treg” 14. Në rrugën “Tefta”, “Lagjja e Re”15. Në lëmenjtë lagjja “Kulla e Hirit”16. Në rrugën “ Dodona ”, lagjja “Radanec”17. Në kopshtin “Sanije Zogu”, lagjja “Lumë”18. Në rrugën “Jovan Vreto”, lagjja “Lumë”19. Në rrugën “Iljaz Bej”, te Medreseja, lagjja “Qoshk”20. Te ura e Myftiut, lagjja “Lumë”21. Në rrugën “Dervish Hima”, lagjja lumë22. Pusi i Protos etj.
Vepror Hasani/Standard/InforCulture.info