Rreth jetës së Edith Durhamit përpara udhëtimit të saj në Ballkan ka shumë pak informacion. Mendohet që për të ndërmarë këtë udhëtim ajo është frymëzuar nga Edward Lear, artist dhe shkrimtar britanik i cili vizitoi Shqipërinë, shkruajti libra dhe realizoi piktura të peizazheve shqiptare. Thuhej se asnjëherë nuk e kishte menduar veten të përfshirë në politikën e Ballkanit.
Në fakt, ajo para se të nisej për në Ballkan kishte njohuri të kufizuara për jetën dhe politikën e këtij rajoni. Pavarsisht gjendjes së trazuar në atë kohë përmendet se shqiptarët ishin shumë të shoqërueshëm dhe se shqipja një gjuhë indo-europiane dallon nga sllavishtja dhe është një gjuhë unike. Durham mbërriti në Trieste në vitin 1900 dhe më pas u nis drejt Malit të Zi, e hipur në një gomar, duke mbajtur në kujtesën e saj çdo peizazh që kalonte para syve të saj të cilat do t’i pasqyronte më vonë në shkrimet e saj.
Durham do të rikthehej në vitin 1901 në Malin e Zi dhe më pas do të shkonte në Shkodër, e cila sipas studjuesve ishte kryeqyteti verior i Shqipërisë. Në vitin 1903, ajo do t’u dedikonte një shkrim të titulluar ‘Nga pikëpamja e shqiptarëve’ dhe hapur do të fliste për aspiratat e tyre. Ajo do t’i mbështeste shqiptarët sepse i kishte bërë përshtypje Shqipëria, kultura dhe qytetërimi që sipas saj ishte shumë ndryshe nga e saja. Zjarri me të cilin ajo e mbronte Shqipërinë, origjinaliteti dhe përshkrimet e saj të gjalla kishin zënë një hapësirë të gjerë në mediat perëndimore përfshirë dhe Suplementin Letrar të The Times. Revista britanike ‘The Athenaeum’ i konsideronte librat e saj me udhëtimet në Ballkan si ‘më të mirat të shkruajtura ndonjëherë’ dhe kjo e inkurajoi Durhamin të mbronte edhe më shumë çështjet e shqiptarëve.
Në verë të vitit 1904, ajo hyn në territorin shqiptar për tu informuar personalisht se çfarë po ndodhte në Shqipëri. Sipas studjuesve ajo shoqërohej nga Konstantin Sinas, një shqiptar përfaqësues i Shoqërisë Biblike Britanike dhe të Huaj. Në fakt ata shkuan në Tepelenë dhe mbërritën në Vlorë e cila u bë qëndër atdhetare gjatë luftës në Ballkan. Ajo u tha autoriteteve turke në frëngjisht ‘Unë jam angleze’. Sipas saj ajo kaloi në një kontroll rigoroz ku çdo libër që kishte me vete vulosej dhe shikohej me imtësi. Më pas ajo vazhdoi rrugën në fshatrat shqiptare nga Berati në Elbasan më pas në Durrës. Në Shkodër atë e mikpritën si një mikeshë të vjetër sepse shkodranëve ju kishte bërë përshtypje Edith Durhami e cila pati mundësinë të diskutonte dhe aspiratat kombëtare me ta. Ajo kishte patur mundësinë të udhëtonte nëpër qytetet shqiptare dhe të dallohej për shpirtin e saj të lirë.
Me rikthimin e saj në Angli, ajo filloi të shkruante librin e saj Brenga e Ballkanit që i shkruar në një gjuhë sa më të thjeshtë do të mbërrinte në duart e shumë lexuesve dhe do të bënte të njohur çështjet e shqiptarëve duke argumentuar dhe shpjeguar pozicionin e Shqipërisë, ndjenjat kombëtare që shqiptarët kishin për vendin e tyre. Në fakt, ajo i kishte kuptuar shume mirë shqiptërët. Kishte arritur të futej në skutat më të thella të dashurisë që ata kishin dhe kanë për atdheun e tyre.
Pas vdekjes së nënës së saj, ajo vjen në Shqipëri, tashmë nuk ishte e kushtëzuar për t’u rikthyer në Britani. Kishte mbledhur shënime dhe koleksione, objekte dhe veshje popullore. Ajo ishte antropologe, anëtare e Institutit Antropologjik Mbretëror dhe sipas saj politika mund të studjohej vetëm duke parë traditat, kulturat dhe sidomos zotërimet e një populli. Kërkimet e saj ishin aq origjinale sa që ajo jepte kontributin e e saj të vyer me anë të publikimeve që realizonte për Shqipërinë. Në vitin 1908, Durham drejt rrugës së saj në Shkodër dëgjoi për revolucionin Xhon Turk. Mendohej që ata do të ndërmerrnin reforma të reja. Ajo ishte shumë e lumtur në fillim dhe thoshte se ‘gjithë jetën e kishte pritur këtë moment. Do të vdes e lumtur sepse shqiptarët do të jenë të lirë’.
Studjues të shumtë përmendin sa e apasionuar ishte ajo pas çështjes shqiptare, sa e ndjente deri në palcë dëshirën e shqiptarëve për të qënë të lirë. E zhgënjyer nga reformat e turqve, ajo hipi në një kalë dhe së bashku me Marko Shantojën udhëtoi drejt Shkodrës. Në shkrimet e saj ajo i përshkruan këto rrugëtime dhe tregon se sa e afërt ishte ajo me Shqipërinë dhe shqiptarët. Thjesht e donte dhe vlerësonte kulturën shqiptare. Në periudhën që ishte në Shqipëri, Durhami pati kontakte me shërbimet konsullore britanike të rajonit dhe ju dërgonte letra ku përshkruante tensionet mes Turqisë dhe Shqipërisë dhe sigurisht duke mbajtur krahun e shqiptarëve ndërsa do të vlerësohej nga zyrtarët e asaj kohe ‘si një grua e spikatur që zotëron një gjuhë të fuqishme’.
Në vitin 1909, ajo u largua nga Ballkani për në Angli, me dëshirën më të madhe për t’u rikthyer në Ballkan por megjithëse larg ajo vazhdoi të shkruante për Shqipërinë dhe nëpër revistat perëndimorë të diskutonte çështjet e shqiptarëve. Gjithashtu, po në këtë vit ajo publikoi librin Shqipëria e Epërme i cili do të bënte një përshkrim të detajuar të shqiptarëve. Kritikët pasi vlerësuan maksimalisht udhëtimet e saj në Shalë, Dushman, Nikaj etj treguan se Durham donte një Shqipëri të drejtuar nga vetë shqiptarët dhe jo të drejtuar nga të huajt. Pavarsisht se ajo udhëtonte vetëm, u bë shumë e dashur për popullsinë vendase ndërs ajo ja kthente admirimin duke i quajtur shqiptarët të armatosur dhe gati për qëndrese ‘tigra të çuditshëm, të bukur dhe brilantë. Në vitin 1910, Durham ishte ende në Londër por kishte një vëmendje të madhe ndaj situatës së trazuar në Ballkan dhe donte të rikthehej sërish aty sa më parë që të ishte e mundur që të jepte kontributin e saj…Durham mbetet një nga figurat më të rëndësishme, një mbrojtëse e flaktë e shqiptarëve dhe e çështjes shqiptare.