Korbi
Ishte një mesnatë e trishtë, kur i lodhur, zemër brishtë
Po përpiqesha dërmuar mbi ca libra vitesh blerë-
Tundesha, mendja dremiste- Trembur sahati trokiste
Dhe dikush lehtë kërciste- lehtëzë në timen derë
“Këtë mik askush s’e priste, Që troket në timen derë
-Veç këtë thash’ menjëherë.
Pamjet syve më lëvrijnë, atë Dhjetor drithërimë.
Kur nga eshtrat nën lëndinë, dilnin fantazma pa zë.
Mëngjesin luta me dhimbje, Më kot fletësh prisja bindje
Bindje si mos kisha dhimbje- dhimbje për Lenorën nën të
Për të rrallën e rrezoren- Engjëjt thanë Lenor’ nën zë
– Lën’ pa shënjë përgjithnjë.
Erë e butë, plot me trishtim, perdesh shkiste, pambarim,
Më rënqethte e më dredhte, më me tmerr se tjetër herë;
Trokun zemrës për t’i ulur, përsërita i patundur
“Eshtë veç një rrugëhumbur, që troket në timen derë-
Një i vonë rrugëhumbur, që troket në timen derë”
– Këtë thashë dhe njëherë
Zemra u bë më e fortë, C’mund të jetë më shumë se mort.
-Zot a Zonj’ që pret në portë,- i them -falmëni këtë herë.
Po ju erdhët kur dremitja, dhe e lehtë qe trokitja
Si zukamë isht’ kërcitja- Kërcitja në timen derë
Ndaj nuk di në mir’ dëgjova- Fët e hapa timen derë
Jashtë pus si asnjëherë.
Jashtë n’atë terr i trembur, Gjatë ndenja, dridhur , zverdhur,
Ngecur, endur n’ëndrra tmerri si askush kurrë ndonjëherë;
Por e rëndë ishte heshtja, brenda grryer nga kureshtja
E me tingujt më të thjeshta, si të një lire të vjetër
Psherëtita oh Lenorë, Lenor’ gjegji n’anën tjetër.
Veç këtë e asgjë tjetër.
Pas u ktheva n’dhomën time, i dyzuar në dyshime
I përhumbur në mendime, Kur erdhi trokitja tjetër
“Oh me siguri do jetë, Diçka n’pezul që troket
Le ta shoh se ç’farë e fshehtë është pas kanatës s’vjetër,
Zemërdridhur do e zbuloj, C’fshihet pas kanatës s’vjetër,
Vetëm era asgjë tjetër.”`
Pak nga pak u hap kanata, kur në prag më i zi se nata
Hyri një Korb i krekosur, si prej luftrash të kaherë
Fluturoi, as dha as mori, As i hodhi sytë prori,
Por si zotëri oborri, lehtë u hodh mbi timen derë,
U hodh e mbi të u ul, n’bust të Athinës përmbi derë
Përmbi bust e menjëherë.
E nënqeshja m’u përtëri, nga zbavitësi zog i zi
Me solemnen paraqitje, e të përzishmen në të.
“Ndonese pa kurorën lafshë, pjellë e territ nderur jashtë,
Shpend i frikshëm e i lashtë, ardhur botës nënë të,
Thuaj ç’emër të kan’ vënë, brigjesh të ferrit nënë të?”
Gjegjet Korbi “Kurrë më”.
I çuditshmi zog më habiti, me të sqepit fjalë që qiti
Edhe pse pa domethënie, dhe kuptim pak gjen në të;
Nuk ka ndodhur kurrë më par’, derës tek një vdekëtar
Shpend të hidhet me të parë, edhe të qëndrojë mbi të
Shpend a kafshë të kërcejë, bustit që qëndron mbi të,
Me këtë emër Kurrë më.
Porse Korbi i krekuar, mbi statujën e praruar
Tjetër s’tha, a thua se, shpirtin shprehte vetëm në një
Asnjë fjalë tjetër s’ mundi, asnjë pendë më nuk tundi-
“Nuk do jetë ky i fundmi- mërmërita nënë zë
Porsi shpresat fluturimthi, edhe këtë agu se zë”
U gjegj Korbi “Kurrë më”
Atë çast u drodha trembur, nga përgjigja e pastepur
“Pa dyshim” me vehte thashë” kjo çka di e vetmja gjë,
Që më gojë ka mësuar nga një mjeshtër i trishtuar,
Nga dështimet i dërmuar der’sa shpirti s’nxurri më
Shpresa vitesh mbetur shuar, veçse dëshpërim në të
Të së tillës Kurrë më.”
Por nënqeshja m’u përtëri, nga zbavitësi zog i zi
Ndaj përballë shpendit, derës dhe statujës përmbi të
Në kolltuk u rehatova dhe me mendje thellë blova
Ky zog ogurzi që s’ftova, ardhur ferrit nënë të,
Ky i zi, i lig i frikshëm, edhe me të çjerrë zë
C’do të thotë me “Kurrë më”.
Mbeta në mendime rënë, asnjë fjalë pa i thënë,
Djallit me vështrim që m’shpon gjoksin me zemrën në të;
Gjatë ndenja i përhumbur, me kokën prapa përkulur,
Në ndenjësen ku isha ulur, dhe shandanin përmbi të,
Ndenjsen me ngjyrë vjollcë, që shkëlqen kur drita e zë,
Ajo ta prekë por se prek më
E m’u duk ajri i dendur, prej një ere të sapoderdhur
Sikur Serafim’ kisht’ shkelur, e plluskuar nëpër të.
“Lanxho- klitha- Zoti dërgoi këta ëngjëj të shpëtoj
Pakëz pakëz të harroj, kujtimet që kam për të,
T’thith e thith t’opiumit lloj, Lenor’n të fshij, dhimbjen për të.”
Këlthet Korbi”Kurrë më”.
“Profet -thashë- emërshuar, Shpend ti qofsh, djall i Mallkuar
Prej skëterrës i dëbuar, a furtunës gjithë zë;
Hallakatur, shpirtrash rrekur, tek kjo shkretëtirë e vdekur
Në kët’ dhomë tmerr përndjekur, thuam’ t’lutem, bëmë zë,
Gjendet balsam në Xhilied, po të lutem, bëmë zë.”
Bëzan Korbi “Kurrë më”.
“Profet- thashë- emërshuar, Shpend ti qofsh, djall i Mallkuar
Për të paradisit fron, e për atë Zot që rri mbi të
Thoji shpirtit të dërmuar, n’atë Eden të bleruar,
A do kem për ta takuar, të shenjtën Lenorë në të,
Më të rrallën e rrezoren, ëngjëjt n’krahë e mbajnë atë,
Krak’rrit Korbi “Kurrë më”.
“Le të jet’ kjo fjala e fundit- thirra, zëri muret tundi-
Ti rikthehu në furtuna, a brigjesh t’ferrit nënë të,
Dhe mos lerë të zezë pendë, peng për gënjeshtrën e thënë
Vetminë ma lerë brengë- ik nga busti përmbi të,
Sqepin nga zemra ti hiqma, dhe lësho vendin që zë.”
Thërret Korbi “Kurrë më”.
Dhe nuk lojti me sy ngulur, ende ulur, ende ulur
Mbi të Athinasë bust, vënë derës përmbi të,
Tej më shpon me atë vështrim, si të djallit të lig përçmim,
Kur i shandanit ndriçim, në dysheme hijen i lë,
Dhe i shkreti shpirti im, shtrirë poshtë bashkë me të
Rënë për mos u ngritur më.
Edgar Allan Poe (Përktheu: Naum Mara) /InforCulture.info