Në fillimet e kultivimit të saj, njerëzit e përdornin karrotën për kura mjekësore.
Më vonë e kuptuan se ajo kishte një potencial të shkëlqyer në kuzhinë.
Karrota ka të paktën 5000 vjet që rritet mbi këtë tokë, por asnjë nuk e di kohën e saktë se kur kjo perime u shfaq për herë të parë.
Me kalimin e viteve, karrota u rendit mes ushqimeve më të shëndetshme për organizmin.
Ekspertët thonë se njerëzit duhet të hanë karrota çdo ditë që të përfitojnë të mira të vazhdueshme shëndetësore. Lexoni më poshtë përfitimet e renditura nga AgroWeb.org.
Fibra Tek Karrota
Një racion me karrota të prera përmban 3.6 gramë fibër e cila mban stomakun dhe arteriet të pastra.
Në këtë mënyrë shmanget rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare, kolesterolit të lartë, konstipacionit dhe hemoroideve.
Fibra rregullon sheqernat në gjak dhe është e dobishme për të humbur në peshë.
Vitamina A dhe Beta Karoteni
Karrotat janë ndër burimet kryesore të vitaminës A.
Një racion me karrota ofron 1,069 mikrogramë të kësaj vitamine, duke tejkaluar dozën e nevojshme prej 700 mikrogramë për femrat dhe 900 mikrogramë për meshkujt.
Vitamina A është e domosdoshme për shëndetin e syve, lëkurës, dhëmbëve dhe kockave.
Ajo u vjen në ndihmë qelizave për t’u rritur normalisht.
Beta karoteni ndihmon të parandalojë problemet shëndetësore të nxitura nga mosha, si sëmundjet koronare.
Vitamina K
Një racion me karrota ofron 16.9 mikrogramë të vitaminës K ose 20% të dozës së rekomanduar ditore.
Vitamina K luan një rol thelbësor në mbarëvajtjen e qarkullimit të gjaku dhe shëndetit të kockave.
A Rrezikoheni Nga Beta Karoteni i Tepërt?
Ngrënia e sasive të mëdha të beta karotenit nuk ju vë në rrezik nga një mbidozë e mundshme e vitaminës A.
Organizmi di vetë të rregullojë sasitë e nevojshme të beta karotenit që ka nevojë.
Megjithatë, nëse konsumoni sasi të mëdha karoteni, do të përballeni me një zverdhje të lëkurës.
Nga ana tjetër është shumë e vështirë ta teproni me ngrënien e karrotave apo edhe perimeve të tjera.
Sa i përket karrotës, ju mund të konsumoni një ose dy në ditë.
Lëkura e Karrotës Nuk Duhet Hequr
Lëkura e karrotës përmban gjysmën e antioksidantëve që gjenden tek kjo perime e nëntokës.
Karrotat pasi t’i lani mirë gatuajini me avull ose hajini të pagatuara, duke i përfshirë në sallata ose lëngje frutash./AgroWeb.org/InforCulture.info