“La Gazette de France” ka botuar, të enjten e 20 nëntorit 1913, në ballinë, telegramin ekskluziv të Esat Pashës dërguar asokohe Ismail Qemalit në lidhje me një sulm të organizuar nga krerët shqiptarë ndaj Serbisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Sulmi shqiptar ndaj serbëve. Dëshmia e ofensivës
Burimi: gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
La Stampa e Beogradit boton një dokument të rëndësishëm. Bëhet fjalë për një telegram të dërguar nga Esat Pasha për Ismail Qemal beun, kreut të qeverisë së përkohshme shqiptare, në prag të sulmit në territorin serb nga krerët shqiptarë.
Megjithëse dihet që agresioni i kohëve të fundit kundër Serbisë u paramendua dhe u organizua në detaje nga qeveria e përkohshme, dokumenti i botuar sot nga La Stampa sjell një provë vendimtare.
Ky telegram është përgjigjja e Esat Pashës ndaj shkresës së Ismail Qemal beut në të cilën i ofronte të merrte komandën e njëzet mijë shqiptarëve që ishin nisur për të sulmuar Serbinë.
Teksti nuk lë vend për asnjë dyshim:
“Ende nuk jemi bërë zotër në shtëpinë tonë, dhe ja ti po përgatit një sulm kundër fqinjit tonë, Serbisë, me të cilën interesi ynë do të ishte që të jetonim megjithatë në marrëdhënie të mira.
Unë të shoh me keqardhje të marrësh këtë përgjegjësi të rëndë.
Sa për mua, unë nuk pranoj të marr pjesë për veten time, dhe protestoj energjikisht kundër veprimeve që ti po planifikon dhe që do të kenë pasoja të rënda për ne.”
“Esati”
Austriakët dhe italianët ishin në dijeni për sulmin e planifikuar.