Kur njerëzit u njohën me Betejën e Titanëve, një betejë e tmerrshme ndërmjet perëndive të Olimpit dhe Titanëve dhe që zgjati 10 vite, disa nga Titanët u rreshtuan në anën e Zeusit. Midis tyre ishte Prometeu, biri i Titanit Lapetus. Për shkak të kësaj ngjarjeje Jupiteri u lidh me miqësi të ngushtë me të, miqësi që zgjati për shumë vite. Por, dikur, miqësia e tyre filloi të tronditet dhe shpejt u kthye në urrejtje.
Shkak për këtë armiqësi të tyre ishte se Prometeu u mësoi njerëzve artet, u dha njohuritë për të zhvilluar qytetërimet, u dhuroi mish për të ngrënë, duke siguruar se tek zotat do të sakrifikoheshin kockat dhe në fund u dha zjarrin. Për të gjitha këto Zeusi sigurisht ishte kundër dhe grindej shpesh me Prometeun derisa në fund e lidhi për 3,000 vite në Kaukaz. Por, para se të mbërrinte në këtë zgjidhje, ishte përpjekur përsëri të ndëshkonte jo vetëm Prometeun, por edhe racën njerëzore. Prometeu kishte një vëlla, Epimiteus.
Ndërsa Prometeu ishte i urtë, i pjekur dhe i zgjuar, vëllai i tij ishte mëndjelehtë dhe shumë naiv. Prandaj Prometeu i kishte tërhequr vëmendjen për të mos marrë ndonjë dhuratë nga sundimtari i perëndive. Për më tepër, Epimiteus ishte pronari i kutisë në të cilin Prometeu kishte mbyllur çdo të keqe, si Urinë, Çmendurinë, Luftën etj etj, dhe që e cila nuk duhej hapur kurrë që mos të përhapeshin nëpër botë. Zeusi mendoi të krijonte një grua të parezistueshme nga bukuria, magjepsëse e cila gjoja do i jepej si dhuratë Prometeut me qëllim për të shkatërruar atë dhe njerëzimin. Për këtë arsye krijoi atë grua. Zotat e Olimpit dhe Orët e zbukuruan, e parfumuan, e krehën dhe i mësuan të ketë hir, feminitet dhe sjellje të hijshme. Ermis, (Mërkuri) i mësoi si të jetë dinake dhe truke të ndryshme për të mashtruar dikë. Gruaja që do t’i jepej dhuratë Prometeut, tani ishte gati. Emri i saj ishte Pandora. Por Zeusi mendoi se Prometeu, i cili ishte mjaft i mençur, do ta kuptonte kurthin që do t’i ngrinte dhe kishte frikë se plani i tij do të dështonte. Për këtë arsye, mendoi t’ia dhuronte Epimiteut. Kur Ermis i shpuri Pandorën Epimeteut, ai mbeti aq i mahnitur nga bukuria dhe hiri i saj sa që jo vetëm e pranoi këtë dhuratë, por u martua shpejt me të. Prometeu gjithmonë kishte frikë nga gruaja e vëllait të tij dhe ishte skeptik ndaj saj. Kjo ishte arsyeja pse i kërkonte Epimiteut të bënte kujdes dhe të kishte gjithmonë mendjen që Pandora të mos i afrohej kutisë me të gjitha të këqijat e botës. Për sa kohë që Epimiteus i kujtonte Pandorës se jo vetëm që nuk duhej të hapte kutinë, por as mos t’i afrohej fare, aq më shumë ajo bëhej kurioze për atë që mund të përmbante. Kjo është arsyeja pse mendonte gjithmonë si do të gjente mundësinë për ta hapur fshehurazi nga burri i saj.
Ndonëse Epimiteus e vëzhgonte mjaft mirë, ajo gjeti rastin kur ai nuk ishte aty. E mbushur me kureshtje rreth përmbajtjes së kutisë, iu afrua dhe hapi kapakun. Në çast, Pandora e frikësuar pa të çlirohen në botë të gjitha të këqijat dhe përbindëshat që Prometeu i kishte mbyllur me aq shumë mundim. Në një moment kur kapërceu tmerrin, e mbylli përsëri kapakun, duke arritut të mbajë brenda Shpresën. Që atëherë, të gjitha të këqijat e botës u derdhën dhe mundojnë njerëzit. Por ajo që është akoma përballë dhe pret zemërthyer është shpresa që lehtëson dhimbjen e njerëzve. Nga ky mit është e njohur deri më sot “Kutia e Pandorës”. Thuhet se dikush “hapi Kutinë e Pandorës”, kur bën një akt në dukje të parëndësishëm por që mund të ketë pasoja të pallogaritshme. Simbolika e mitit është shumë më e thellë. Eshte dualiteti i njeriut, pra në njërën anë virtytet, ato që duken në pamje të parë, dhe në anën tjetër pjesa e errët, ajo që duhet zbuluar dhe kur zbulohet mbetesh viktimë dhe humb pafajësia. Zeusi e krijoi si qenie perfekte për manipulim, por nuk ka qenie të tilla sepse medalja ka dy anë gjthmonë.