Kur Atë Gjergj Fishtës i heqin priftërinë e gegërinë…

Nuk mendoj se është e nevojshme që të bëj një hyrje mbi figurën poliedrike të Atë Gjergj Fishtës. Për çdo aspekt të jetës së tij është folur shumë, qoftë si shkrimtar, politikan, publicist, diplomat, përkthyes e të tjerë, por shpesh është harruar fakti se ai ka qenë meshtar i Urdhrit të Fretërve Minorë.

Si i tillë, ai ka ndryshuar emrin në ditën e shugurimit e kështu, nga Zef Ndoka (Zefi i Ndokës pasi Ndokë ka qenë mbiemri i të atit) ka marrë emrin Atë Gjergj Fishta.

Në Konferencën e Paqes në Paris ku ndër të tjerë, Shqipëria përfaqësohej edhe nga Atë Gjergji, vjen radha e këtij të fundit për të folur. Prezantuesi e fton duke thënë: “Radhën e ka Gjergj Fishta nga Shqipëria”.

Të gjithë kthejnë kokën nga delegacioni shqiptar, por Atë Gjergji nuk ngrihet. Prezantuesi përsërit sërish thirrjen e tij dhe sërish asnjë lëvizje.

Një ndër përgjegjësit e stafit organizativ të Konferencës i shkon pranë dhe e pyet pse nuk ngrihet.

Sepse emri im para se të isha frat ishte Zef Ndoka, ndërsa tani që jam frat është Atë Gjergj Fishta. Prandaj, ose të më thërrasë Zef Ndoka, ose Atë Gjergj Fishta! – përgjigjet ai prerazi.

Prandaj, kur flasim për të, të mos përdoret titulli i tij meshtarak Atë, Padër ose Frat, është gabim dhe mohim i vetë poetit tonë të madh, atij për të cilin prof. Ridvan Dibra tha se meritonte të ishte krah Naim Frashërit si poeti jonë kombëtar, pavarësisht se kjo i shkaktoi vuajtje në të ardhmen.

Dhe e dyta, mohimi i origjinalitetit fishtjan është një krim për letërsinë shqipe. Kështu, të botosh librat e atë Fishtës nën përkujdesjen e docentëve shkencorë të gjuhës shqipe e të shkruash:

qanë; qe; qofsh është një mohim i identitetit letrar të Atë Fishtës.

Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm me përmendjen e Atë Gjergj Fishtës dhe të mësuarit e vargjeve të tij, nëse duam të jemi korrektë dhe të drejtë me të. Ky është edhe një detyrim ndaj figurës së Tij e cila vuajti padrejtësinë për plot 40 vite. /Konica.al /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here