Luan Rama – Para disa vitesh një kineaste bullgare kishte bredhur nëpër Ballkan në kërkim të origjinës së një kënge që e këndojnë shumë popuj të Ballkanit, shqiptarët, grekët, serbët, bullgarët, turqit, etj, dhe gjatë këtij itinerari ballkanik, kudo asaj i thonin se origjina e kësaj kënge ishte shqiptare apo greke, bullgare, turke, serbe, etj. Askush nga njerëzit nuk pranonte se kjo këngë ishte e një populli tjetër. Gjatë shkrimit të librit për konsullin francez, «Dozon, le consul qui aimait les contes albanais» («Dozon, konsulli që pëlqente përrallat shqiptare», duke kërkuar origjinën e këngës «Konstandini i vogëlith», ashtu siç tregonte dhe Dozon, këtë këngë e kishin dhe popuj të tjerë. Por i shtyrë nga kureshtja, m’u desh ti drejtohesha epopesë bizantine të Digenis Aritas, dhe habia ime ishte e madhe, ndërkohë që dhe një studim i një studiuesi francez Rambaud në fundin e shekullit XIX, tregonte se kjo këngë ishte një epope bizantine. Pra ç’origjinë kishte kjo këngë? Sigurisht, shumë shqiptarë mund te habiten, por historia është kokëfortë, dhe ja se si…

Lexime

10:25 – 03.02.19Gazeta Shqiptare

Luan Rama – Para disa vitesh një kineaste bullgare kishte bredhur nëpër Ballkan në kërkim të origjinës së një kënge që e këndojnë shumë popuj të Ballkanit, shqiptarët, grekët, serbët, bullgarët, turqit, etj, dhe gjatë këtij itinerari ballkanik, kudo asaj i thonin se origjina e kësaj kënge ishte shqiptare apo greke, bullgare, turke, serbe, etj. Askush nga njerëzit nuk pranonte se kjo këngë ishte e një populli tjetër. Gjatë shkrimit të librit për konsullin francez, «Dozon, le consul qui aimait les contes albanais» («Dozon, konsulli që pëlqente përrallat shqiptare», duke kërkuar origjinën e këngës «Konstandini i vogëlith», ashtu siç tregonte dhe Dozon, këtë këngë e kishin dhe popuj të tjerë. Por i shtyrë nga kureshtja, m’u desh ti drejtohesha epopesë bizantine të Digenis Aritas, dhe habia ime ishte e madhe, ndërkohë që dhe një studim i një studiuesi francez Rambaud në fundin e shekullit XIX, tregonte se kjo këngë ishte një epope bizantine. Pra ç’origjinë kishte kjo këngë? Sigurisht, shumë shqiptarë mund te habiten, por historia është kokëfortë, dhe ja se si…

Kënga e Konstandinit është padyshim një nga perlat e folklorit të Ballkanit dhe secili nga ne, që me tekstet e shkollave, është magjepsur me botën magjike dhe forcën e një krijimi që nuk mund të harrohet: është historia e fjalës së dhënë dhe e udhëtimit të një të vdekuri. Duke punuar për librin studiuesit francez dhe konsull në Janinë, (1869-1875) m’u desh të studioja dhe versione të tjera të ngjashme ballkanike si dhe krijimin e poetit gjerman Gottfried August Bürger, Leonore. Madje, për shumë kohë kjo legjendë mbahej si një krijim popullor gjermanik. Sigurisht, poetët, shkrimtarët e artistët e tjerë kanë të drejtë të frymëzohen nga thesaret e krijimit gojor popullor, por në fushën e folkloristikës, është e nevojshme që të vihen gjithnjë në dukje variantet më të vjetra dhe që përbëjnë variantin fillestar dhe jo të përpunuar nga duar shkrimtarësh, siç ka ndodhur me vëllezërit Grim apo autorë të tjerë të përrallave e të legjendave popullore. Sidoqoftë, duke hyrë në botën e vet legjendës, kupton se ashtu si dhe në përrallat e vjetra, ato kanë shtegtuar nga një popull në tjetrin, brenda sferës ballkanike, si kultura të përafërta, edhe pse origjinale, duke marrë nga krijimet e njëri-tjetrit. Megjithatë, një gjë duket e sigurt: kjo legjendë, ka si atdhe jo Perëndimin e as Lindjen e Largët apo të Afërt. Ajo ka si atdhe veçse Ballkanin!…

Udhëtimi i të vdekurit
Në vëllimin për këngët e pabotuara bullgare, Dozoni i referohet këngës Udhëtimi i të vdekurit, apo, siç e shkruan ai, Le voyage du mort. Në të tregohet historia e një nëne me nëntë djem dhe një vajzë, Vekia, të cilën ajo nuk donte ta martonte larg. Dimitri, i vetmi nga vëllezërit, pranon që e motra të shkojë e të martohet larg, pas nëntë pyjeve të blertë. Të nëntë bijtë e nënës vdesin dhe një ditë Dimitri ngrihet nga varri për të shkuar dhe për ta marrë Vekian e për t’ia sjellë nënës së tij të vetmuar.

Në këngën serbe me të njëjtën temë, vëllezërit vdesin, sepse në vend ka rënë murtaja. Tre vjet kanë kaluar dhe Jelica është e martuar larg. E mërzitur, ajo pyet veten se ku janë vëllezërit e saj. Atëherë, Zotit i vjen keq dhe i dërgon dy engjëj që vëllai, i cili pranoi që motra të shkonte larg, t’i jepnin jetë. Dhe kështu, guri i varrit të Joanit u bë kalë, me dheun ai bëri ëmbëlsira për motrën e tij. Dhe kur shkoi ta marrë, ajo i tha: – Përse je i zbehtë, vëlla, sikur të kesh dalë nga dheu. Dhe vëllai iu përgjigj: – Sepse punova dhe ngrita kulla për vëllezërit e mi… Jelica atëherë bën këmisha mëndafshi për vëllezërit e saj dhe ata u nisën. Kur iu afruan shtëpisë së nënës, ai i tha se do të ndalonte te kisha, sepse kur martohej i vëllai i kishte rënë unaza dhe se duhej ta kërkonte. Kështu ai shkoi dhe hyri në varr. Motra e priste, pastaj ajo e kërkoi dhe pa se rrotull kishës kishte varre, duke e kuptuar se ai ishte një i vdekur. Motra shkoi drejt shtëpisë, gjeti nënën, dhe i tha t’i hapte derën. – Ç’ke moj flamë e mallkuar, – i tha nga brenda e ëma. – Ti më vdiqe nëntë djemtë dhe ja tani do të marrësh plakën e gjorë. Por Jelica iu përgjigj: – Hape, nënë, nuk jam flama e Zotit, por jam vajza jote, Jelica!… Ajo hapi derën, rënkuan të dyja si qyqe, u përqafuan dhe ranë të vdekura në tokë. ”
Dozoni, ka vazhduar krahasimin e versioneve të ndryshme ballkanike me versionin grek, të mbledhur në ishullin Hio, në shtëpinë e një fshatari. Ja çfarë shkruan ai:
“Nëna ka nëntë djem dhe një vajzë. Tetë vëllezërit nuk donin që e motra të martohej larg, por Konstandini kishte tjetër mendje: “Jepe, nënë, Aretën tonë në dhé të huaj, andej nga unë udhëtoj vazhdimisht që të kem një strehë dhe unë. – Po nëse na ndodh një vdekje, një gjëmë, kush do ma sjellë bijën time? – Të betohem para Zotit e shenjtorëve që, nëse ndodh gjë, unë do të shkoj ta marr dhe do të ta sjell.

Areta martohet, kolera bie në ato anë. Nëntë vëllezërit vdesin dhe nëna mbetet vetëm. Në tetë varret, ajo godet gjoksin nga dhimbja. Te i nënti, ajo ankohet dhe ngre pllakën e varrit të Konstandinit: Çohu, Konstandin, dhe më sill time bijë. Ti m’u betove para Zotit dhe shenjtëve që nëse do ketë zi apo gajret në shtëpi, ti do ta sillje. Ishte ky betim i bërë që e nxori atë nga varri. Reja u bë kalë, një yll iu bë shalë dhe hënën ai e mori si shoqëruese, duke lënë pas lugina e male. E gjeti motrën tek krihej në dritën e hënës. – Eja të shkojmë, Areta, se nëna kërkon të të shohë. – Po si të vishem, o im vëlla, për zi apo për dasmë? – Eja kështu siç je!
Rrugës nga shkonin ata dëgjonin zogjtë që këndonin: “Kush ka parë një të vdekur që ka pas vetes një vajzë të bukur? Më tutje, të tjerë zogj këndonin: “Oh, ç’dhimbje, një i gjallë që shkon me një të vdekur!” – Ç’thonë kështu këta zogj? – i thotë e motra. – Eh, zogj janë… – Kam frikë nga ty, im vëlla, se ti vjen erë temjani. – Dje ishim në kishën e Shën Gjonit dhe prifti hodhi shumë temjan. Dhe ata vazhduan rrugën.Zogjtë këndonin: Ç’gjë të çuditshme ke bërë, o Zot, një vajzë e bukur me një të vdekur shkon! … Dhe zemra e Aretës u plagos: – A e dëgjon, Konstandin, se ç’thonë zogjtë? Thuamë , ku i ke flokët? Po mustaqen tënde të dendur, ku e ke? – Kam vuajtur, motër, nga një sëmundje e rëndë dhe desh vdiqa. Flokët më ranë, e po kështu dhe mustaqet.
Dhe ata e gjetën shtëpinë e nënës të mbyllur me kyç, ndërsa dritaret mbuluar nga merimangat. – Hapma derën, nëna ime, jam Areta! – Nëse je ti, Koron i vdekjes, vazhdo udhën tej, pasi s’kam më fëmijë. Areta ime e shkretë është në dhé të huaj. – Hape derën, nënë, jam unë, Konstandini. Isha betuar përpara Zotit dhe shenjtorëve që në zi apo gëzim motrën do ta merrja e do ta sillja. Por sapo nëna doli në prag të shtëpisë,ajo dha shpirt…”
Më poshtë, në këtë libër, duke iu referuar gjithnjë kësaj kënge, Dozoni boton dhe versionin shqiptar, ku ai shkruan:[1]

“Na ishte një nënë nga një derë e fisme, që kishte nëntë djem të famshëm dhe një vajzë që quhej Garentina. Plot djem senjorësh e familjesh të mëdha e kërkonin për grua. Më së fundi erdhi një djalë nga një vend i largët. Nëna dhe djemtë nuk e pranuan kërkesën e tij, sepse ai vinte nga shumë larg. Vetëm Konstandini pranoi dhe donte që martesa të bëhej: – Nënë, pranoje këtë martesë. – Konstandin, biri im, ç’thua kështu, ti do që motra tënde të shkojë aq larg? Po të kem ndonjë gëzim, një nevojë në ditë zije, ajo do më mungojë. – Atëherë, nëna ime, unë do shkoj ta marr!
Dhe Garentina u martua. Por pas kësaj ndodhi një vit i tmerrshëm që i kositi të nëntë vëllezërit e saj në fushën e betejës. Dhe nëna u vesh me të zeza dhe e mbylli shtëpinë.[2]
Të shtunën e të vdekurve ajo doli dhe shkoi në kishë, ku ishin varret e djemve të saj dhe në secilin varr vendosi nga një qiri dhe vajtoi. Ndërsa në varrin e Konstandinit ajo vuri dy qirinj dhe vajtoi dy herë.[3]

Kur mbrëmja ra dhe kisha u mbyll, nën dritën e qirinjve, Konstandini u ngrit nga varri. Pllaka e gurtë e varrit iu shndërrua në një kalë të furishëm, mbuluar me një pelerinë të zezë. Ai u hodh mbi kalë dhe u nis me galop. Dielli ishte ngritur, kur ai mbërriti në kullën e së motrës. Në oborrin e madh ai gjeti fëmijët e saj që loznin duke ndjekur dallëndyshet. – Ku është nëna juaj? – i pyeti ai. – Daja ynë Konstandin, nëna ka shkuar të hedhë valle në qytet.

Dheai shkoi drejt njerëzve që vallëzonin. Iu afrua vajzave të bukura dhe i pyeti:- A është me ju motra ime, Garentina? – Shko më tej se do ta gjesh me rroben e saj të shkëlqyer dhe kapelen prej veluri. Pastaj iu afrua valles së dytë që hidhej: – Konstandin, vëllai im! – Garentinë, lëre vallen dhe eja të shkojmë. Do shkojmë në shtëpinë tonë. – Po më thuaj, ç’të bëj, sepse në shkoj për zi, të vishem me të zeza, dhe nëse shkoj për gëzim, të marr rrobat e festës. – Eja të shkojmë kështu siç je.
Dhe ai e vendosi atë mbi kalë. Kishin kohë që shkonin kaluar, kur Garentina i tha: – Konstandin, vëllai im, shoh një shenjë vdekjeje, sepse supet e tua janë mbuluar me myk. – Garentinë, motër, është tymi i pushkëve që i ka bërë kështu supet e mia. – Por shoh dhe diçka tjetër, pasi flokët e tu me onde tashmë janë kthyer në pluhur. – Garentinë, motër, të gënjejnë sytë, pasi ky është pluhuri i rrugës. – Konstandin, im vëlla, përse vëllezërit e tu të dashur dhe kushërinjtë nuk i shoh të na presin? – Ata do të jenë atje tutje. Por ne ndoshta po mbërrijmë vonë dhe ata s’na presin. – Por tjetër gjë po shoh, o im vëlla, dritaret e shtëpisë sonë janë mbyllur dhe barërat i kanë mbuluar. – Ah, nëna i ka mbyllur ato nga erërat e detit, sepse nga kjo anë fryn flladi i dimrit.
Duke mbërritur, ata kalojnë pranë kishës. – Lermë të shkoj në kishë të lutem! – i thotë Konstandini… Duke ngjitur shkallët e larta, ajo shkoi drejt derës së nënës së saj. – Hape derën, nëna ime! – Kush je ti që troket në derë? – Zonja mëmë, jam unë, Garentina! – Shko tutje moj hienë e vdekjes, që më more nëntë djemtë dhe tani, me zërin e vajzës sime, vjen të më marrësh dhe mua. – Oh, hape,zonja mëmë, jam unë vetë, Garentina. – Po kush të solli këtu, bija ime? – Konstandini, im vëlla! – Po ku është ai tani? – Ka shkuar të lutet në kishë.
Nëna hapi derën dhe shtrëngoi bijën e saj në krahë, e bija shtrëgoi nënën dhe nënë e bijë dhanë shpirt.”
Pikërisht në këtë periudhë Dozoni u njoh edhe me shkrimet e Dora d’Istrias të botuara në revistën e famshme Revue des Deux Mondes. Më 1865, ajo kishte botuar në këtë revistë studimin mbi këngën popullore serbe, ndërsa një vit më vonë, po në këtë revistë ajo kishte botuar studimin Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore (La Nationalité albanaise d’après les chants populaires). Në këtë studim Dozonit i bëri përshtypje të veçantë njohja e thellë prej kësaj intelektualeje me origjinë shqiptare e folklorit ballkanik, e në veçanti atij shqiptar. Madje në një nga shkrimet e tij, ai nuk lë pa përmendur edhe punën e lavdërueshme të zonjës Dora d’Istria. Në fakt, që në fillim të studimit të saj, ajo kishte vendosur referencat që ishin në bazë të këtij studimi, emra të tillë si: D. Camarda, Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese (Livourne 1865); H. Dr G. deHahn, Chants tosques et Proverbes tosques, dans Albanische Studien (Vienne 1853); – Griechische und albanische Mœrehen (Leipzig 1864); G.Petta, Piana dei Greci nella Rivoluzione siciliana del 1860 (Palerme,1861). H. Hecquard, Histoire et Description de la Haute-Albanie ou Guégarie;- V. G. Crispi. Chants des Albanais de Sicile, en albanais, dans Vigo, Canti pop. Sicil. (Catane 1849); V. Dorsa, Poesia popolare – Su gli Albanesi ricerche e pensieri (Naples 1847); A.Masci, Discorso sull’ origine, i costumi, etc., Naples 1847; G. de Rada, Poésies albanaises, en albanais, (Naples 1836); Chants de SéraphinaThopia, princesse de Zadrina au quinzième siècle, en albanais, (Naples 1843).
Pra, këta ishin studiuesit e burimet themeltare ku Dozoni duhej të mbështetej më vonë për studimet e tij rreth floklorit shqiptar dhe gjuhës shqipe. Dhe kjo punë këmbëngulëse s’do të vononte… Po nga Bleta shqiptare, por në versionin shqiptaro-italian, pra, arbëresh, Dozoni kishte gjetur dhe përkthyer dhe Këngën e Konstandinit, Constantin,le mort voyageur, duke bërë njëkohësisht përqasje interesante dhe me variantin e botuar nga Dhimitër Kamarda,Kostantini e Garentina, të cilën e kishte regjistruar ndër arbëreshët e Kalabrisë, ku, ndër të tjera, shkruhej:

“- Bila ime, kush të suallë? / – Kostantini erth e më suallë. / – Kostantini eni ku vate? / Vate hiri në qishë. / -Kostantini po po bile / Kostantini u bë botë. / Tue qaiturë, ture u puthurë / U shtrënguan e jëma e e bila / e aqë helmi, aqë taraksia / sa vëdiq e bila e e jëma.”[4]

Epika shqiptare ruan edhe Këngën e Halil Garisë, të botuar gati një shekull më parë nëVisaret e Kombit ku këtë legjendë e gjejmë në një formë tjetër të ngjashme dhe ku Halili është njëri nga nëntë vëllezërit, i cili i ka dhënë fjalën të motrës që do ta merrte edhe pse 9 ditë rrugë larg. Kur motra pa se Halili s’kishte ardhur sipas fjalës së dhënë, i kërkoi një zogu që të shkonte dhe t’i kujtonte Halilit besën e dhënë. “Amanet,more zogu malit! / M’i thuej vllaut, Halilit të ri, / Se jot motër mue më ka thanë: / – Ku e le besën, qi m’ke dhanë?…/” Por në fakt, vëllezërit ishin vrarë me njëri-tjetrin dhe ja ku pas 7 vjetësh mrekullia ndodhi. Halili u çua nga varri dhe shkoi të marrë motrën e tij dhe kur e solli atë, menjëherë u zhduk. Nënë e bijë takohen, shkojnë tek varret e djemve dhe aty vdesin nga dhimbja.
Në shkrimet e tij Dozoni shprehej se në bazë të kësaj ballade të bukur u krijua më pas dhe ballada e famshme e Lenore-s (Leonorës), e Bürger-it[5] “dhe fama e këtij tregimi gjerman bëri të flitet për pararendësit e tij…” “Në Shqipëri, – shton ai, – nuk është e rrallë të shohësh një burrë që ka toka si pronë, por që ikën nga shtëpia e tij dhe bën ekspedita të largëta për të fituar…” Dhe njëkohësisht ai pyet: “Cili është origjinali?… Ai nuk është në një mendje me studiuesin gjerman Fullmerajer (Fallmerayer) sipas të cilit shqiptarët janë prioritarë në krijimin e legjendës “Udhëtimi i të vdekurit”, “Voyage du mort”. Në fakt, më shumë se popujt e tjerë fqinj, shqiptarët e perandorisë otomane ishin të detyruar të shkonin nizamë gjer në territoret më të largëta të perandorisë, në Liban, Siri apo Jemen e gjer në Palestinë. Është e njohur kënga e tyre “Mbeçë, more shokë,mbeçë / përtej urës së Kiabesë…” KëngaKostandinii vogëlith gjendej apo këndohej pak a shumë në gjithë diasporën shqiptare:
“Konstantini i vogëlith / tri ditë dhëndërith; / perënduar tri ditë / me nusen e re, të re, / i erdh karta e zotit madhë, / ai të vejë nd’ushtaratë…”
Në studimin e saj Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore (La nationalité albanaise d’après les chants populaire), botuar në frëngjisht që në vitin 1866, në Revue des Deux Mondes, Dora D’Istria i referohej gjatë kësaj kënge të mbledhur njëkohësisht nga Dorsa dhe Krispi, një këngë që tregonte për shqiptarët në kohën e Bizantit. Ja si e botonte Dora d’Istria këtë legjendë:

“Gjatë tri ditëve kam parë një ëndërr/ Konstantini im i vogëli. / Perandori i kishte kërkuar të nisej në luftë. /Djaloshi fisnik/ mori leje nga unë dhe nëna e tij e dashur / dhe pastaj nga e shtrenjta e tij/ me të cilën kish lidhur unazë / së cilës para se të shkonte i tha: /”Lamtumirë, bukuroshja ime e shtrenjtë, / Do të jem larg nëntë vjet,nëntë muaj e nëntë ditë./ Dhe (nëse nuk kthehem), ti gjej një tjetër burrë.” /Kaluan kështu nëntë vjet / nëntë muaj e nëntë ditë / dhe bukuroshja u bë e fejuara e një tjetri/. Dhe të djelën e ardhshme i dha dorën./…

Por natën e kësaj fejese, – siç shkruan Dora d’Istria, – poshtë tendës së perandorit, në mes të natës, u dëgjua zhurma e një psherëtime aq të madhe, sa të gjithë u zgjuan nga gjumi. Kur erdhi mëngjesi, perandori u ngrit nga shtrati dhe u dha urdhër t’u binin daulleve, duke mbledhur rreth tij fisnikët dhe luftëtarët. – Më thoni, zotërinj, cili nga ju psherëtiu mbrëmë gjatë natës?… Të gjithë heshtën, kur ndërkohë Konstantini u përgjigj: – Jam unë ai fatkeq që psherëtiu. – Për kë kështu? – Psherëtima ime shkon larg, madhëri. – Konstantin, i shtrenjti im! Shko te stalla e kuajve dhe midis tyre zgjidh kalin e zi si ulliri, ose atë që është i bardhë si pëllumbi, apo atë që është i shpejtë si gjeraqina. Konstantini mori leje, zgjodhi kalin e shpejtë si gjeraqina, i hipi dhe u dha yzengjive. Ditën e dasmës, i ati i tij i mjerë po largohej nga ai vend dhe rrugës takoi Konstantinin që kishte qenë fejuar veç tri ditë. – “Mirëdita, o plak / ku po shkon kështu?” – “Ah, mos folë,se më kujton tim bir/ – Kam patur një djalë që e quanin Konstantin /Konstantini,im bir! / E kam parë në ëndërr gjatë tri ditëve/ Perandori më urdhëroi ta dërgoja në luftë…
Pas një përsëritjeje homerike të ngjarjeve të kënduara në fillimin e këngës, poeti shton:
“Dhe e bukura e tij u fejua/Ajo do jepte dorën të djelën / Ta kam thënë, o ati im plak / që pas pak Konstantini do të vijë/ – Oh, për një lajm kaq të lumtur, t’i kesh ditët e gjata e të lumtura! / Konstantini erdhi të djelën/ erdhi në qytet që herët në mëngjes. /La aty vezmen e tij/ dhe shkoi në derën e kishës/ dhe aty vendosi flamurin e tij/ E çfarë, ndoshta ju nuk më donit për kumbarë të dasmës / Ju prindër, fisnikë dhe gjithë sa jeni? / Qofsh i mirëserardhur, o i huaj! – o djalosh beqar!”
Në çastin kur Konstantini i vë unazën të dashurës së tij, ajo e njohu.
“Dhe si fletët e trëndafilit ubë fytyra e saj / dhe gjoksi iu mbush me pika të kuqe / Konstantini e pikasi dhe thirri/ O prindër, dhe ju o fisnikë / Konstantini ka ardhur/ Dhe ai e pushton vajzën e tij / Ju pëlqen apo nuk ju pëlqen / bukuroshja është e imja /e atij që ishte i fejuari i saj i parë.”
Megjithatë, pa arritur në konkluzione për përparësinë e njërit version nga tjetri, pra i krijimit fillestar nga njëri popull ballkanik apo tjetri, le t’i drejtohemi dhe versionit gjerman të kësaj legjende ballkanike të poetit Bürger,që fillimisht u përkthye në frëngjisht nga poeti i njohur francez Gérard de Nerval. Ja çfarë shkruhet në këtë tregim të Bürger-it:

Lénore (Leonorë)

Pas ëndrrash të trishta, Leonora ngrihet që në ag: “Vilhelm, burri im! Vallë ke vdekur? Apo e ke shkelur betimin e bërë? Vallë ende do të vonohesh?”

Që atë natë që ishin martuar, ai ishte nisur për në betejën e Pragës, duke ndjekur pas mbretin e tij Frederik; dhe qysh atëherë,nuk kishte sjellë asnjë lajm për shëndetin e tij. Por mbreti e mbretëresha, të lodhur nga grindjet e përgjakshme, duke u paqtuar pak nga pak, më së fundi përfunduan paqen. Dhe nën tingujt e timbaleve e të fanfarave, “kling”, “klang”, duke vënë në koka gjethet e dafinës, secila ushtri u kthye në mbretëri të e vet.
Dhe kudo, papushim, mbi rrugë e mbi ura, të rinj e pleq takohen me njëri-tjetrin. “O Zot, qofsh lëvduar !”, thërret çdo fëmijë e grua. “Mirë ardhshi!” – thërresin të fejuarat. Por mjerisht, e vetme, më kot Leonora pret puthjen e kthimit prej Vilhelmit. Ajo vërtitet mes njerëzve dhe pyet ngado, por nga të gjithë ata që janë kthyer, askush s’mund t’i japë lajme të reja për burrin e saj të shtrenjtë. Dhe meqë ai është larg, ajo nis të shkulë flokët dhe të plaset përtokë duke u dridhur në delir. Nëna shkon me nxitim drejt saj: “Ah, Zoti të ndihmoftë! Ç’ke, o fëmija im i shkretë? – dhe ajo e shtrëngon në krahët e saj. “Oh, moj nëna ime, ai ka vdekur! U shoftë kjo botë, u shofshin të gjithë. Zoti s’ka më hiç mëshirë! Oh, e mjera unë, e mjera unë!”
– “Zoti na ndihmoftë e na mëshiroftë! Vajza ime, lutju Atit tonë. Ajo çka ai bën është gjithnjë në të mirë, dhe asnjëherë ai nuk ka munguar të na ndihmojë.”
– “Oh, moj nënë! Ti gabohesh, Zoti më ka braktisur : përse kanë shërbyer lutjet e mia, përse?”
– “O Zot, ki mëshirë për ne! Ai që njeh Atin, e di mirë që ai nuk i braktis fëmijët e tij: At ishenjtë, paqtoi gjithë dhimbjet e tua!”
– “Oh moj nënë, moj nënë! Asnjë sakriment nuk mund t’ua kthejë jetën të vdekurve!”
– “Zoti im! Ki mëshirë për ne! Mos e gjyko vajzën time të gjorë. Ajo nuk di se ç’thotë. Mos ia merr si mëkate. Vajza ime, harroji dhimbjet tokësore, mendo për Zotin dhe lumturinë qiellore, që burri të jetë në qiell!”
– “Oh nëna ime, ç’është lumturia? Ç’ështëferri? Lumturia ime është vetëm me Vilhelmin, ndërsa pa të është vetëm ferri! Shuaju,ti o flakë e jetës sime, shuaju në tmerrin e errësirave! Zoti s’ka aspak mëshirë… Oh, sa fatkeqe që jam!”
Kështu, dëshpërimi i skajshëm hapte plagë në shpirtin e zemrën e saj dhe e bënte të shante mirësinë e Zotit. Ajo godiste gjoksin dhe ndrydhte gjymtyrët gjer në perëndim të diellit, deri në çastin kur yjet e praruara u shfaqën në kupën e qiellit. Ndërsa jashtë bëhet zhurmë. Trap, trap, trap… duket si hapi i një kali. Ngjan se një kalorës zbret përmes zhurmave të mburojës së tij. Dëgjoni… dëgjoni… Zilja tingëllon lehtë… “klingklingling”! Dhe përmes derës një zë i ëmbël depërton:
– “Hola! Hola! Hapma derën fëmija im! Zgjuar je apo po fle? Po gëzon apo po qan?” – “Ah Vilhelm, qenke ti? Kaq vonë nëpër natë? Po rrija zgjuar dhe qaja… Oh, kam vuajtur tmerrësisht. Nga po vjen,kështu, me kalin tënd?”
– “Ne u hipim kuajve veç në mesnatë. Po vij nga thellësia e Bohemisë. Ja pse kam ardhur kaq vonë, të të marr me vete.” – “Ah, Vilhelm, sëpari hyrë brenda, sepse era e pyllit po fërshëllen.”

– “Le të fërshëllejë era në pyll, ç’rëndësi ka?”… Kali gërryen tokën, këmbëzat e tij bëjnë zhurmë.”Nuk mund të rri këtu. Eja Leonorë, vishu dhe hidhu në kurriz të kalit tim, se kemi njëqind lega për të bërë deri sa të shkojmë në banesën tonë.”
– “Po si kërkon të nisesh e të bësh njëqind lega që sonte për të shkuar në shtëpinë tonë? Dëgjo, këmbana e mesnatës ndihet ende.” – “Vështro, vështro si shkëlqen hëna! Ne dhe të vdekurit… të shkojmë shpejt. Dua të të çoj që sonte.”

– “Pa thuama, ku është banesa jote? A ka vend përmua?” – “Ka për të dy ne. Eja Leonorë, hidhu mbi kalë. Banketi i dasmës është përgatitur dhe të ftuarit na presin.”
Vajza vishet e hidhet mbi kalë. Ata shkojnë: hop, hop,hop, dëgjohet jehona e galopit. Kali dhe kalorësi mezi marrin frymë. Nën hapat e tyre, gurët nxjerrin xixa. Djathtas e majtas, gjatë rrugës së tyre parakalojnë me shpejtësi lëndinat, pyjet, fshatrat… dhe urat nën hapat e tyre kumbojnë. “A ka frikë e dashura ime?” “Hëna shkëlqen, Hurra! Të vdekurit shkojnë shpejt. Mos ka frikë nga të vdekurit e dashura ime?”… – “Jo…, por lëri të vdekurit në paqe!”
“Ç’janë atje tutje ato zhurma e këngë? Ku shkon ajo re korbash? Dëgjo… është zhurma e një këmbane. Janë këngë funeralesh.” “Kemi një të vdekur për të varrosur.” Dhe karvani afrohet e shoqërohet nga këngët që ngjajnë me gjuhën e rëndë të bujtësve të kënetave.
“Pas mesnate, trupin ua mbulojnë bashkë me vajet dhe këngët e dhimbshme. Unë do të çoj nusen time dhe ju ftoj në sofrën e dasmës sime. Eja, afrohu me korin, dhe nisja himnit të fuqishëm të martesës. Eja, prift, ti do të na bekosh!” Vajet e këngët kanë heshtur. Birra ka mbaruar.
Të prekur prej ftesës së tij, të gjithë e ndjekin në karvan. Hurra! Hurra! Ai shtrëngon kalin dhe hop, hop… dhe tutje dëgjohet galopii tij. Kali dhe kalorësi mezi marrin frymë dhe gurët poshtë nxjerrin xixa. Djathtas e majtas kalojnë fluturim imazhet e kodrinave, pyjeve, fshatrave. Majtas e djathtas shkojnë qytezat e qytetet. “A ka frikë mikja ime? Hëna shkëlqen, hurra! Të vdekurit shkojnë shpejt! Vallë, ka frikë ajo nga të vdekurit?” – “Ah, lëri të vdekurit në paqe!
“Pa shih, a shikon pranë atyre trikëmbëshave hijet ajrore që hëna e argjendtë i bën të dukshme? Ato hedhin valle rreth tyre. Hë,ju figura të këndshme, afrohuni, ndiqmëni pas që të hidhni valle në vallen e dasmës sonë… Po shkojmë në një banket të gëzuar…”
Hush, hush… gjithë ajo tufë lëshohet pas tyre, ashtu me zhurmën e erës, mes gjetheve të thara: pastaj përpara, përpara! Hop, hop,hop, jehon galopi i kalit. Kali dhe kalorësi mezi marrin frymë dhe, nën hapat etyre, gurët lëshojnë xixa. Oh, si fluturojnë, si fluturojnë aq larg, ndërkohë që hëna ndriçon gjithçka përreth. Qielli dhe yjet shkojnë sipër kokave të tyre. “Vallë, ka frikë e dashura ime?” Hëna ndriçon… hurra!” Të vdekurit shkojnë shpejt…” – “O Zoti im! Lëri në paqe të vdekurit!”
“Guxim, kali im i zi. Më duket se gjeli i mëngjesit po këndon. Koha më së fundi do të mbarojë. Ndiej erën e mëngjesit. Nxito, ti kaliim! Po përfundon, po merr fund vrapi ynë, shpejt! Po shoh banesën tonë… Të vdekurit shkojnë shpejt… Dhe ja, më në fund po arrijmë!”
Ai hidhet vërtik kundër një grile hekuri dhe kalin e godet me një të rënë kamzhiku. Hekurat thyhen… të dy tërhiqen duke rënkuar.Vrulli i kalit e çon midis varreve, të cilat, nën shkëlqimin e hënës, duken ngado. Ah, e sheh?!… por në të njëjtin çast ndodh një çudi e tmerrshme… Ai bie e zhduket në thellësitë e tokës: ulurimat zbresin nga hapësirat ajrore, rënkimet ngrihen nga varret e nëndheshme… Dhe zemra e Leonorës përpëlitet midis jetës e vdekjes. Dhe shpirtrat, në qartësinë e hënës mblidhen rreth saj dhe vallëzojnë duke kënduar: “Durim! Durim! Kur dhimbja thyen zemrën tënde, mos e mallko kurrë Zotin e qiellit tonë! Ja trupi yt që dha shpirt… Zoti e mëshiroftë shpirtin tënd!”
Siç pohon Émile Legrand, autori i një bibliografie të gjatë të letërsisë mbi Shqipërinë, i njohur veçanërisht për studimet e tij mbi tekstet e vjetra mesjetere greke (si Permbledhja e poemave historike në greqishten vulgare popullore, 1877; Bibliografia helenike, 1885, Cresthomatie grecque moderne, 1899 apo Bibliografia joniane, 1900), Dozon paraqet një epokë të afërt me epopenë bizantine të dorëshkrimit anonim të Trebizonte-s, të shkruar si duket në shekullin e X-të. Alfred Rambaud në studimin e tij rreth kësaj epopeje të Digenis Akritas i referohet studimeve të Legrand, Constantin Sathas dhe Dozonit, lidhur me atë që kënga “Konstandini vogëlith” vjen nga shumë shekuj larg. Në “Kalërimi funebër” (“Udhëtimi i të vdekurit”) shkruan Rambaud në studimin e tij “Bëmat e Digenis Akritas” botuar në Revue des Deux Mondes më 1875, – nëna e Eudocie-s nuk arrin të ngushëllohet që e ka martuar vajzën larg në një vend të huaj. Ishin bijtë e saj që i kishin thënë ta martonte edhe pse larg, por ata tani kishin vdekur të gjithë. Me mallin e madh për të parë vajzën ajo shkon e vajton në varret e nëntë bijve e veçanërisht në varrin e Konstantinit që nguli këmbë aq shumë. Ajo shkul flokët e thotë: “Cohu Konstandini im i shtrenjtë! Dua Endocie-n. Ti më the se garant janë hyjnitë e martirët që do të ndihmonin të shkoje ta merrje në gëzim a hidhërim, tri herë në verë e tri herë në dimër”. Mallkimi i nënës bëri që Konstandini të ngrihet nga varri. Gurri i varrit iu bë kalë dhe tokai u bë shalë, flokët e verdhë iu bënë kapistall dhe krimbi i tokës u kthye në vetë Konstandinin. Dhe ai nxitoi drejt Eudocie-s. E merr atë me vete mbi kalin dhe gjatë udhës së kthimit zogjtë e vegjël këndojnë: “Si vallë është e mundur që të gjallët të shkojnë bashkë me të vdekurit?” Eudocie fillon të ketë frikë por vëllai i saj e siguron. Në afërsi të shtëpisë së tyre Konstandini zhduket. Endocie bie në krahët e nënës së saj dhe ky përqafim është i fundit, sepse pastaj atë e varrosin të vdekur në dheun me merimangat që bëjnë pëlhurën e tyre”. Siç thotë Legrand, “Në gjuhën greke ekzistojnë disa variante të kësaj kënge. Ne kemi gjetur variante dhe tek shqiptarët e serbët. Zoti Dozon sapo ka botuar një tekst të tillë të bullgarëve. Dhe së fundi: gjithë bota e njeh versionin gjerman: “Të vdekurit shkojnë shpejt”!
Rambaud n’a kujton gjithashtu se Aktritas (d.m.th. rojatar kufiri – akras), është pinjoll i dy racave: ai është grek, pra një Dukas nga e ëma, bijë e Andronikut, dhe musliman nga i ati, emir i Edesse dhe se ndoshta rrënjët e kësaj poeme anonime të Trebizonte të shekullit XIV “vijnë nga koha kur kryqtarët e shekullit XIII gjejnë shumë ngjashmëri me stratiotët grekë dhe baronët e Perëndimit, dhe se shkrirja e këtyre dy shtresave fisnike u bë menjëherë. Kronika franceze e Moresë nuk heziton tu japë luftëtarëve indigjenë titullin fisnik, ndërsa ata, në gjuhën e tyre i cilësojnë kryqtarët frankë estradiotë apo kalorës”. Bëhet fjalë për një dorëshkrim të historisë së Digenis Akritas ku mungon libri i parë, gjysma e të dytit apo një fletë e të shtatit, etj. Rambaud nuk heziton të shkruajë për punën e zotit Sathas, autor i “Kronkës së Galaxhidhit”, i cili që në vitin 1867 kishte btouar një poemë të gjatë të Koronaios për nder të estradiotit Mercurios Bua, i një familje shqiptare….

Shënime
[1]Nga Rapsodi e një kënge shqiptare, përkthyer dhe bërë të njohur nga Gerolamo De Rada, botuar në Firenze më 1866,Canto XVII. Këtu po japim përkthimin në shqip të versionit të Dozonit, të botuar në frëngjisht në këtë libër mbi këngët bullgare.
[2]Atëherë të gjitha dritaret mbylleshin plotësisht, e po kështu edhe porta. Te ortodoksët e pasur të Janinës, vendosnin në dhoma perde të zeza, madje dhe në divan vinin cohë të zezë. Fotografia e të vdekurit mbulohej me një shami të zezë. Dhe kështu, vejushat mbeteshin në këtë lloj varri vite të tëra, madje ato s’dilnin dhe për të shkuar në kishë.
[3]Zakoni i detyronte gratë të vajtonin (vaje) për të afërmit e tyre të vdekur. Ky zakon është më i fuqishëm te shqiptarët se te popujt e tjerë të zonës danubiane. Ja pse vajzat i martojnë pranë familjeve të tyre.
[4] Sipas botimit të kësaj kënge në Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar. Në këtë përrallë është e habitshme ruajtja e gjuhës epirote, çame, (e të folmes çame) siç e gjejmë edhe tek libri i Reinhold-it.
[5] Lénore, e botuar nga Gottfried August Bürger (1747-1794), poet gjerman /gazetashqiptare.al /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here