Shumica e njerëzve frikësohen t’i konsumojnë artikujt të cilëve u ka kaluar afati i përdorimit, mirëpo ka ushqime të cilat vërtet mund të konsumohen edhe pas afatit i cili u është shënuar në paketim

Në kundërshtim me besimin popullor, nuk kanë të gjithë artikujt afat të caktuar të përdorimit. Afati i skadimit së ushqimit mund të jetë mjaft konfuz. Ndodh që në padijeni hedhim shumë gjëra, edhe pse nuk ka nevojë për të, transmeton Telegrafi.

Shumica e artikujve gjithmonë duhet shikuar me kujdes dhe të hidhen pasi t’u ketë kaluar përdorimi i tyre, aq më parë kujdes të veçantë duhet t’u kushtojmë datave, kur është fjala për mishin, peshkun dhe frutat e detit, mirëpo shumë artikuj të tjerë janë krejtësisht të mirë për ushqim.

Mirëpo, ekziston dallimi i madh midis “afatit të përdorimit” dhe “më mirë është të përdoret deri…”. Kur kalon afati i përdorimit do të thotë që janë të rrezikshëm të konsumohen ata artikuj, mirëpo “më mirë është të përdoren deri” do të thotë që ushqimi deri në atë datë do të jetë në kulmin e shijes. Pasi të kalojë data, artikujt nuk do të jenë të rrezikshëm, mirëpo po ashtu nuk do të përmbajnë shijen e tyre.

Maya Feller, MS, RD, CDN, dietiste e regjistruar dhe nutricioniste me seli në Brooklyn, thotë për Bustle. “Sipas rregullit, çdokush që ka sistem të dobësuar imunologjik nuk do të duhej të hante ushqimin pas afatit, aq më parë nëse është dukshëm i prishur apo ka aromë të keqe”.

Në të vërtetë, këto data më nuk tregojnë cilësinë e ushqimit por sigurinë e tij. Shitësit duhet të kujdesen për ushqimet dhe t’i shesin ato deri në afatin e caktuar në të cilin kanë cilësinë më të mirë, por te këto produkte lirisht mund t’i injoroni numrat të cilët shkruajnë në paketim.

Biskotat

Falë konservanseve, biskotat janë të sigurta edhe dy muaj pas skadimit të afatit. Mirëpo e humbin shijen. Nëse dëshironi t’i bëni krokante mund të provoni që shkurtimisht t’i nxehni në furrë.

Buka

Edhe buka mund të konsumohet, vetëm nëse ruhet në mënyrë të drejtë. Dikush thotë që frigoriferi është vendi më i mirë, mirëpo nëse është i ashtuquajturi, pa ngrirje, “no frost”, pasi në të nuk ka lagështi e cila përshpejton shfaqjen e mykut në bukë.

Brumërat e thata

Shpagetat, makaronat dhe të gjithë artikujt e këtij lloji që nuk janë të përgatitura të freskëta, por të thata dhe të paketuara. Pra, ato kanë afat më të gjatë të përdorimit, ndërkaq ato mund të jenë të ngrënshme edhe pas tre vjetësh nëse ruhen në ambient të ftohtë, të thatë dhe të papërshkueshëm.

Qumështi

Është për t’u habitur që qumështi është përfshirë në këtë listë, mirëpo te qumështi është me rëndësi që ende të ketë shijen dhe aromën e zakonshme, se sa kur i kalon afati. Nëse nuk duket ashtu, fillon të tharbet dhe të bëhet droçka, i vjen erë kosi apo djathi, mos e përdorni. Ndërkaq kur është fjala për afatin – ai ndonjëherë edhe nuk është i sigurt, çdokujt i ka ndodhur të blejë qumësht i cili ka qenë i prishur, edhe pse afati i përdorimit nuk i ka kaluar.

Jogurti

Nëse nuk është i hapur, apo nuk ka ndonjë vrimë në ambalazh, mund ta përdorni edhe deri në tri javë pas kalimit të afatit. Natyrisht që nëse ka aromë të ngjashme me qumështin e prishur, ka ndryshuar strukturën dhe më shumë duket si kos – hidheni menjëherë.

Djathërat e forta

Kaçkavalli ka kore të fortë, andaj myku nuk mund të depërtojë më thellë në djathë. Prandaj djathërat e këtillë, mund të hahen pa frikë, vetëm hiqjani mirë mykun. Nëse ndodh që të ndryshojë shijen, aromën dhe strukturën, atë djathë hidheni poshtë menjëherë.

Mishi – kujdes, mos rrezikoni nëse nuk jeni të sigurt

Nëse nuk jeni të sigurt që mishi është i ngrënshëm, hidheni. Pas skadimit të afatit të përdorimit, mishi ende mund të jetë i sigurt për konsumim, mirëpo assesi nuk bën të ketë aromë të pakëndshme, të jetë më i kuq, më i errët apo të lirojë lëng të trashë. Mishin, i cili është para skadimit të afatit të përdorimit, futeni në frigorifer me ngrirje të thellë dhe kështu do “t’ia zgjasni” afatin e përdorimit.

Orizi i bardhë

Kjo kokërr e rafinuar është e paketuar me konservanse dhe nëse mbahet në paketim të pahapur apo në këse me vakum, me siguri nuk do të prishet. Orizi kafe, nga ana tjetër, mund të prishet. Temperatura më e mirë për të ruajtur orizin është në 4.5° C ose më pak. Orizi është mirë të ruhet në enë plastike për ushqime (PETE) ose në kavanoza qelqi.

Vezët

Edhe pse dihet që janë artikuj që prishen, nëse gjithë kohës i mbani në frigorifer, mund të hahen edhe deri në tri javë pas kalimit të afatit. Vezët e prishura kanë aromë karakteristike të fortë, prandaj e dimë që nuk janë më për përdorim.

Sallata e gjelbër

Derisa duket e freskët dhe ka ngjyrë të gjelbër, por nuk është e mykur, mund ta hani, edhe nëse i ka kaluar afati i përdorimit.

Perimet e ngrira

Nëse kurrë nuk shkrihen dhe qëndrojnë në frigorifer me ngrirje të thellë pa i nxjerrë nga frigoriferi, perimet e ngrira, mund të kenë afat përgjithmonë. Natyrisht, nëse i shkrini, ndërkaq ato ngjasojnë me jargët, kanë aromë të çuditshme, myk apo kanë ndryshuar ngjyrën, hidheni atë qese.

Sheqeri

Nëse ruhet në vend të ftohtë dhe në paketim i cili e mbron nga lagështia, do të ketë afat të pacaktuar.

Çokollata

Derisa çokollata ka shijen të pandryshueshme, mund të hahet. Ndonjëherë sipërfaqja e saj mund të jetë pak kërcëlluese, por është kështu për shkak të sheqerit i cili pas një kohe kristalizohet. Mirëpo kur është më e shndritshme se ajo e freskëta, do të thotë që nën ndikimin e nxehtësisë ka ndodhur shkrirja e yndyrës në të dhe ajo del në sipërfaqe.

Çipsat

Gjithashtu humbin freskinë, mirëpo janë të sigurt për konsumim, madje falë sasisë së madhe të kripës. Megjithatë më mirë është të mos prisni që të kalojnë më shumë se tri javë pas skadimit të afatit.

Kafja

Kafen e paketuar të cilën e keni hapur dhe të cilën e keni harruar bën ta përdorni madje tre deri në pesë muaj pas afatit të shënuar të përdorimit. Kokrrat e kafes nuk humbin cilësitë as pas gjysmë viti.

Çaji

Pa marrë parasysh a është i paketuar në qeska apo gjethe mund ta konsumoni gjashtë muaj pas skadimit të afatit.

Pijet e forta

Wiskey, vodka, gin, rakia… të gjitha mund të konsumohen shumë gjatë edhe pas skadimit të afatit. Aq gjatë, sa që ka gjasa të vogla që deri atëherë të mos i pini, transmeton Telegrafi.

Mustarda dhe keçapi

Keçapi që nuk është i hapur mund të qëndrojë edhe deri në një vit, atëherë është me rëndësi të përdoret në afat prej gjashtë muajsh pas hapjes. Mustarda mund të ruhet deri në dy vjet pas skadimit të afatit, përkatësisht një vit në frigorifer pasi që e keni hapur.

Erëzat kanë afat dy vjet

Kanella, piperi, speci i kuq pothuajse të gjitha erëzat mbajnë cilësitë dy vjet pas afatit të shënuar të përdorimit, mirëpo është me rëndësi të ruhen në ambalazh të qelqtë dhe në vend të thatë dhe të errët.

Turshitë

Natyrisht që turshitë mund të kenë afat të përdorimit edhe deri në dy vjet, nëse janë perime të konservuara, këtë çdo amvisë e di, kur mbetet e pashpenzuar gjatë dimrit, mund të konsumohet dimrin e ardhshëm.

Produktet e konservuara

Shumica e ushqimit të konservuar ka afat të përdorimit prej disa vjetësh, ato janë të ngrënshme një kohë të gjatë pas skadimit të afatit. Konservat e padëmtuara dhe të ruajtura në vend të ftohtë dhe të errët mund të kenë afat deri në katër vjet.

Uthulla

Pasi që e përdorim si konservans, është e logjikshme që afati i saj i përdorimit është i pakufizuar. Nëse shishja është e hapur, mund të ndryshojë pak shijen, domethënë e zvogëlon intensitetin e vet, mirëpo derisa juve ju përshtatet, lirisht përdoreni.

Salca e sojës

Salca sojës duhet të ruhet në një enë hermetike. Salcë me cilësi të lartë mund të bëhet vetëm përmes fermentimit natyror, një proces që zakonisht merr diku nga disa muaj deri në dy vjet. Vetëm kjo lloj salce  mund të zgjasë më shumë se tre vjet.

Mjalti

Mjalti origjinal cilësitë e veta nuk i humb me kalimin e kohës, andaj është i mirë derisa nuk shpenzohet.Për më tepër, nëse mjaltin e vendosni në kavanoza të mbyllur mirë, mund të jeni absolutisht i sigurt se nuk mund të prishet, pasi nuk do të vihet në kontakt me ajrin dhe ujin. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here