Pazari i vjetër në Shkodër, në kohën e lulëzimit të tij një sipërfaqe që nxinte mbi 10 000 vetë, ata që punonin dhe blerësit. Pazari, i shtrirë në 1.8 km, midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, konsiderohej asokohe, mirëfilli një qytet i madh tregtar, ku vlonte tregtia.

Ndërsa në ditët e pazarit, ditët e diela apo të mërkura, aty mund të numëroje më shumë se 30 mijë vetë, çka e tregonte edhe fakti se shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar si “mjeshtrit” më të shkëlqyer në tregti.

Në breg të liqenit dhe lumit të Bunës, ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha, deri tek avulloret e mëdha. Po ashtu, kishte edhe një pazar anijesh që “konkurronte” me pazarin, kur në fakt ishte vazhdim i tij.

Aty ishin ngritur magazina të mëdha për hyrje – dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore, banka, si edhe 1 500 dyqane me vlera historike të papërsëritshme.

Në të djathtë të urës së Bunës ka qenë Zyra Doganore, ku kryheshin të gjitha veprimet financiare për import-eksportet e mallrave në Shkodër.

Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët e pazarit, që ishin ndarë sipas zanateve (zejeve) e ku punonin disa qindra zanatçinj e çirakë, të cileët mësonin e punonin çdo ditë.

Brenda “Pazarit të vjetër” kishte rregull dhe disiplinë të veçantë, si edhe kryheshin shërbime kafeje, berberhaneje, hekurosje etj.

Gjatë kohës së punës, tregtarët për nevojat e tyre komunikonin njëri me tjetrin, me anë dritaresh të vogla dhe në fund të ditës së punës, dyqanet mbylleshin me taraba, qepena, si dhe siguroheshin me roje dhe elemente të tjerë sigurie.

“Pazari i vjetër” përveç anës ndërtimore, ka qenë i sistemuar edhe në pjesën nëntokësore, konkretisht ka pasur 5 kanale, afër 1.8 metër të thellë.

Kanali i parë mblidhte ujin e kodrave, i dyti përshkonte “sokakun e shitësve të fruta-perimeve”, një i tretë kalonte “skelën e peshkut”, i katërti përshkonte “sokakun e kasapëve” dhe i pesti kalonte përmes “Pazarit të madh”. Të pesë kanalet, ujin e mbledhur e shkarkonin në Bunë.

Sigurisht që kanalet pastroheshin çdo vit, nga punëtorë të veçantë. Pra, që në atë kohë, sistemimit të pazarit i është dhënë një rëndësi e madhe, si në anën ndërtimore ashtu edhe në relacion me funksionimin e plotë të tij, për zhvillimin e tregtisë dhe zejtarisë.

Kështu, shumë shpejt “Pazari i vjetër” u bë qendra më e madhe tregtare e trevave shqiptare e më gjerë në eksport – importin e mallrave nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë e asaj kohe.

Në planin tregtar dhe financiar, “Pazari i madh” në Shkodër është vlerësuar nga të tjerët si “hipermarketi” më i madh i asaj kohe në Ballkan, si dhe ka qenë i pakonkurrueshëm për nga madhësia, pasuritë që kishte brenda dhe kapacitetet përpunuese të mallrave, i krahasuar me pazaret e tjerë të fqinjëve tanë, çka vërteton se Shkodra ka qenë metropoli i Arbërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here