Disa janë të famshme, mbrohen nga UNESCO, të tjera, mbase të panjohura, por të gjitha një destinacion ideal për disa ditë pushimesh apo një fundjavë në ajër të pastër.


Uells-Snowdonia

Parku kombëtar më i njohur në Evropë ndodhet në Uells dhe është vërtet spektakular. Snowdonia nuk është vetëm parku kombëtar më i vjetër në vend, në të ndodhet edhe mali më i lartë, Mali Snowdon, si dhe liqeni më i madh, Liqeni Bala. Peizazhi i harlisur shtrihet në 2 mijë kilometra katrorë, midis vargmaleve, liqeneve dhe ajrit të freskët. Nuk ju pëlqejnë ecjet e gjata dhe tour-et në mal, por gjithsesi doni ta shijoni këtë peizazh? Mjafton të merrni trenin e vetëm publik në Mbretërinë e Bashkuar deri në lartësinë 1.085 metra të Malit Snowdon. Lokomotiva me avull niset nga mesi marsit deri në tetor dhe kapërcen një ndryshim lartësie rreth 1000 metra.

Poloni-Bieszczady

Në vend të dytë është Parku Kombëtar i Bieszczady, me sipërfaqe 292 kilometra katrorë, i cili është një ndër peizazhet më të paprekura në Europë. Arsyeja është e trishtë: në vitin 1947, rreth 100 mijë banorë të fshatrave përreth u zhvendosën me forcë në kuadër të Operacionit Vistola. Si pasojë, parku është larg civilizimit. Meqenëse 70% e parkut është i mbyllur për vizitorët, kafshët dhe natyra janë, në pjesën më të madhe, të pashqetësuar. Ata që vizitojnë këtë zonë të mbrojtur dhe përshkojnë shtigjet në brendësi do të gjejnë një peizazh thuajse të paprekur dhe paqe në mendje, transmeton Monitor.

Bullgari-Rila

Podiumi i parqeve kombëtarë europianë më të famshëm mbyllet me Rilën në Bullgari. Zona e mbrojtur shtrihet në 80 mijë hektarë, që përfshijnë edhe malin më të lartë të Bullgarisë (Musala, 2.925 metra). Për një përvojë të paharrueshme ju këshillojmë të bëni një ekskursion duke kaluar para shtatë liqeneve të Rilës. Peizazhi është i mrekullueshëm dhe do t’ju shtyjë të harroni gjithçka tjetër. Në lartësinë 1.147 metra mbi nivelin e detit ndodhet Manastiri i Rilës, që daton në shekullin X, pasuri e UNESCO-s, i cili është një nga manastiret ortodoksë më të mëdhenj në botë.

Spanjë- Ordesa dhe Monte Perdido

Nëse ju pëlqejnë filmat fantastikë, me siguri do ta admironi peizazhin në Parkun Kombëtar të Ordesës dhe Monte Perdido. Shpatet shterpë të maleve dhe ngjyrat e mrekullueshme të kujtojnë rajonin e shkretë të Mordor tek Zoti i Unazave. Ndjesia përforcohet nga pozicioni i Parkut Kombëtar në rajonin Aragona dhe nga mali Monte Perdido, që do të thotë, “Mali i Humbur”, që i jep emrin parkut. Parku është pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s dhe ka shumë për të ofruar – lugina piktoreske të rrethuara nga vargmale, gryka të thella, ujëvara dhe pika piktoreske të mrekullueshme, të cilat ju presin t’i vizitoni.

Zvicra Saksone

Me Parkun Kombëtar të Zvicrës Saksone, edhe Gjermania përfaqësohet në klasifikimin e dhjetë parqeve kombëtarë më të njohur në Evropë. Motoja e parkut kombëtar është “Gurë të çuditshëm, gryka të egra”. Parku Kombëtar përbëhet nga tre zona të mbrojtura dhe një zonë qendrore – në këtë të fundit, zbatohet një rregullore rigoroze dhe ata që largohen nga shtigjet rrezikojnë të gjobiten.

Poloni- vargmalet Stołowe

Formacione spektakolare shkëmbore ju presin edhe në Parkun Kombëtar të vargmalit të Stolowe, ku format e çuditshme në gur ranor dhe strukturat e mrekullueshme të Table Mountain do t’i çojnë vizitorët në një botë fantastike. Parku, thuajse 64 km katrorë, përbëhet thuajse tërësisht nga pyje, që ju ftojnë në shëtitje të gjata. Pika kulmore e parkut kombëtar janë “shkëmbinjtë e kërpudhave”, pasi qëndrojnë si kërpudha të mëdha në pyll dhe përforcojnë ndjesinë sikur je në një përrallë.

Mal i Zi-Durmitor

Ata që kërkojnë një aventurë do ta gjejnë në Durmitor National Park. Doni të provoni sporte ekstreme? Atëherë zhytuni një nga këto aktivitete, që ky park ofron – parapending, rafting, dirt bike apo zip line mbi grykën Tara. Atraksionet më të mëdha janë sigurisht Liqeni i Zi pranë Zabljak, i cili në një kohë të mirë, pasqyron peizazhin përreth, dhe Gryka e Tarës, e thellë 1300 metra.

Greqi- Mali i Olimpit

Në vendin e tetë të klasifikimit të parqeve kombëtare europianë më të famshëm është Olimpi legjendar, i cili u shpall parku i parë kombëtar i Greqisë në vitin 1938. Sipas gojëdhënave, Mytikas, maja më e lartë e Olimpit 2.918 metra, ishte vendi ku takoheshin perënditë; ndërsa Stefani, 2.909 metra, një majë pak më e ulët, ishte froni i Zeusit, babai i perëndive. Nëse ngjiteni në këto maja, do të keni ndjesinë sikur jeni thuajse në majë të botës.

Norvegji – Jotunheimen

Nga Perënditë te gjigantët: Parku Kombëtar i Jotunheimen në Norvegji njihet si “Perandoria e gjigantëve”, me më shumë se 250 maja, që kapërcejnë lartësinë 1900 metra. Maja më e lartë është Galdhøpiggen (2.469 metra). Nga mesi i qershorit deri në mes të shtatorit, vizitorët e parkut bëjnë rrugën e tyre përgjatë kreshtës së Bessengen – bëhet fjalë për rreth 17 mijë persona në muaj! Mundimi juaj do të shpërblehet me një peizazh të mrekullueshëm mbi lum, mbi liqenet malore dhe majat e spektakolare. Ata që pëlqejnë vetminë duhet të vizitojnë maja më pak të njohura, si për shembull Lei Rungs Dalen, që nuk është më pak piktoreske. Ajo çfarë natyra ka krijuar në këtë park kombëtar është vërtet mbresëlënëse.

Greqi- Vikos-Aoos

Greqia, ashtu si Polonia, përfaqësohet nga dy parqe kombëtarë në këtë klasifikim dhe mbyll top 10 me Parkun Kombëtar Vikos Aoos, i cili ndodhet në një rajonin e Zagorisë. Parku Kombëtar e merr emrin nga dy gryka, ku më e njohura është Gryka e Vikos, pjesërisht sepse bën pjesë në Librin e Rekordeve Guinness. Arsyeja: raporti midis pikës më të thellë dhe gjerësisë më të ulët është më e madhja në botë. Një shkallë prej guri, në formë gjarpërore, shkallët e Vradeto, ju çojnë te gryka. 45 fshatrat e rajonit të Zagorisë lidhen me ura të vjetra prej guri, me hark, dhe shtigje dredha-dredha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here