I njohur me mijëra shtyllat gjashtëkëndore që ngrihen vertikalisht si shkallë, Kalldrëmi i Gjigantit është një çudi gjeologjike, e cila në shikim të parë duket si diçka që mund të jetë bërë nga dora e njeriut. Në fakt, formacionet e pazakonta janë formuar nga procesi natyror gjatë paleogenit (65-23 milion vjet më parë), kur Irlanda e Veriut ishte nën ndikimin e aktivitetit të fortë vullkanik.

Gjatë kësaj periudhe, bazalti i shkrirë kishte ardhur në kontakt me gurin gëlqeror, duke krijuar kështu sipërfaqe të mëdha të pellgjeve të llavës. Kur llava ishte ftohur shpejt, këto pellgje ishin plasaritur dhe me këtë rast ishin krijuar më shumë se 40.000 shtylla gjashtëkëndore me lartësi të ndryshme, prej të cilave më e larta arrin në 12 metra.

Ashtu si për shumicën e mrekullive natyrore edhe për këtë kalldrëm ka shumë histori e legjenda. Sipas një legjende, gjiganti irlandez me emrin, Fionn mac Cumhaill e kishte ndërtuar këtë kalldrëm që të  arrinte  më lehtë në Skoci, për ta mposhtur rivalin e tij, Benandonner. Por, para se të arrinte në Skoci, gjigantin e kishte zënë gjumi, kështu që Benandonner e kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte kaluar në Irlandë.

Për ta mbrojtur Fionnin e fjetur, gruaja e tij e kishte mbështjellë atë me një pëlhurë duke e bërë të dukej sikur të ishte fëmija i tyre. Kur Benandonneri kishte arritur në Irlandën e Veriut dhe e kishte parë  fëmijën aq të madh, ai kishte menduar me vete se sa i madh mund të jetë i ati i tij. I frikësuar nga ky mendim ai ishte kthyer përsëri në Skoci, ndërsa kalldrëmi i gjigantit ka mbetur edhe sot e kësaj dite.

Që nga viti 1986, Kalldrëmi i Gjigantit është në listën e Trashëgimisë Botërore në Evropë të UNESCO-s, si “një shembull unikat i ftohjes së shpejtë të llavës së bazaltit të depërtuar nëpër pllajën gëlqerore dhe plasaritjes së saj vertikale në formë të shtyllave të lidhura”. 


LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here