Koronavirusi, ka detyruar miliarda njerëz të izolohen në shtëpitë e tyre. Për shumëkënd, kjo është një përvojë e rëndë, sidomos në aspektin psikologjik. Por, nga artistët e deri tek shpikësit më të mëdhenj, njerëzit kanë arritur që të ndryshojnë botën për të mire pikërisht nga dhomat e tyre të karantinës. Ja cilët janë disa prej tyre.

“Eugjen Onjegin”

Është kryevepra e shkrimtarit rus Alexander Pushkin-it (1799-1837) e botuar për herë të parë në vitin 1832. Historia fokusohet në jetën e Eugjen Onjeginit, një aristokrati të pasur që jeton në Shën Petersburg. I lodhur nga jeta mondane, ai transferohet në fermën e madhe të xhaxhait të tij të ndjerë jashtë kryeqytetit. Atje njihet me bukuroshen Tatjana Larina, që do të bëhet fiksimi i jetës së tij. Vepra u shkrua në vjeshtën e vitit 1830, pasi një epidemi e rëndë e kolerës në Moskë e bindi Pushkinin të largohej për disa muaj në pronat e familjes së tij jashtë qytetit.

“Ditari” i Samuel Pepys-it

Samuel Pepys (1633–1703) ishte anëtar i Parlamentit anglez. Gjatë jetës së tij ishte më i njohur për përpjekjet e tij për modernizimin e marinës britanike. Por, sot vlerësohet për ditarin që ai mbajti gjatë viteve 1660-1669, pasi mbetet një nga dokumentet më të mira në lidhje me restaurimin e Monarkisë angleze. Në vitin 1665, Londra u godit nga murtaja bubonike. Falë kronikave të tij, historianët dhe shkencëtarët e kuptojnë më mirë se si u përhap aq shpejt murtaja dhe pse shkaktoi aq shumë të vdekur në Londër.

“Mali magjik”

E cilësuar si një nga veprat më të mira të letërsisë gjermane, romani i Thomas Mann-it (1875-1955) u botua për herë të parë në vitin 1924. Ai ka në qendër Hans Kastorpit, një tregtar të ri nga Hamburgu, që vendos të vizitojë kushëririn e tij Joakim në një sanatorium për tuberkulozin në Alpet Zvicerane. Udhëtimi i tij ndërlikohet, pasi sëmuret edhe vetë, dhe kësisoj nis të takojë pacientët e tjerë. Gati që të gjithë ata përfaqësojnë degradimin social të Evropës së pas Luftës së Parë Botërore. Mann dinte disa gjëra mbi sanatoriumet. Gruaja e tij Katia vuante nga tuberkulozi dhe në vitin 1912 u shtrua në një sanatorium në Davos-Platz të Zvicrës. Shkrimtari e vizitonte shpesh. Në vitet në vijim, që të dy ishin pacientë të rregullt në banjave termale në të gjithë botën. Mann e shndërroi përvojën personale në skenën ku zhvillohen ngjarjet e “Malit Magjik”.

“Pavioni nr. 6” dhe “Murgu i zi”

Ashtu si Pushkin-i para tij, edhe Anton Chekhov-i (1860-1904) gjeti kohë për të shkruar, për shkak të epidemive të shpeshta të kolerës në Rusi. Midis viteve 1892-1899, ai shkroi disa nga tregimet e tij më të njohura, përfshirë “Pavioni nr. 6” dhe “Murgu i zi”. Njëkohësisht, pati një jetë gjysmë të izoluar në vilën e tij në Melikhovo. Aty ai ndihmoi në lehtësimin e situatës për fshatarët vendas. Ndërkohë që shkruante, vazhdoi punën e tij të përditshme si mjek praktikant. Iu desh ta ndërpresë punën në vitin 1897, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai vuante nga tuberkulozi, sëmundje që i mori edhe jetën në vitin 1904.

“Parajsa e humbur”

Anglezi John Milton (1608-1674), u mor me shumë gjëra gjatë jetës së tij. Ai ishte pamfletist, filozof, dhe si politikan shërbeu si Sekretar i Gjuhëve të Huaja në Këshillin e Komonuelthit. Por, njihet sot më shumë si një shkrimtar. E shkroi veprën “Parajsa e Humbur”, ku flet për dëbimin e Satanait nga Parajsa dhe luftën e tij kundër Zotit dhe njerëzimit. Ai e nisi veprën në vitin 1652. Por, në vitin 1665 u transferua me familjen e tij nga Londra më Shalfont, për të shmangur Murtajën e Madhe të Londrës. Pikërisht aty e përfundoi edhe librin.

“Dekameroni”

E shkruar më gjasë midis viteve 1348-1353, libri flet mbi 10 aristokratë të rinj që u arratisën në një fshat, për të shmangur Vdekjen e Zezë që kishte prekur në atë kohë qytetin e Firences. Aty ata tregojnë secili nga 10 histori, ose në total 100 gjatë disa ditëve. Ashtu si “Komedia Hyjnore” e Dante Alighieri-t, Dekameroni u shkrua në dialektin fiorentin që u bë në fund italishtja standarde. Vetë autori Giovanni Boccaccio (1313-1375), jetoi në vitet e tmerrshme të Murtajës të shekullit XIV-të. Ngjashëm me personazhet në veprën e tij më të famshme, ai shmangu me sukses epideminë që ra në Firence duke shkuar në Napoli dhe qytete të tjera italiane.

“Mbreti Lir”…

William Shakespeare (1564-1616), ishte një nga fëmijët e paktë në Stratford-upon-Avon, që i mbijetoi Murtajës së vitit 1564. Një nga biografët më të shquar të tij, Jonathan Bate , shkruan se përvoja e Shakespeare-t me murtajën ishte aspekti i vetëm më përcaktues i jetë dhe veprës së tij. Murtaja shfaqet në disa nga veprat më të mira të Shekspirit, përfshirë “Romeo dhe Xhulieta” . Edhe më befasues është fakti se Shakespeare ishte jashtëzakonisht prodhimtar në vitet 1605-1606, kur shkroi “Mbretin Lir”, “Makbethin” dhe “Antonin dhe Kleopatrën”. Studiuesit besojnë tani, se Shekspiri ishte aq produktiv gjatë asaj kohe, pikërisht për shkak të Murtajës së viteve 1605-1606 që goditi Anglinë.

Ligjet e lëvizjes dhe graviteti…

Fizikani dhe matematikan anglez, Isaac Newton (1643-1727), vlerësohet si njeriu që zbuloi gravitetin dhe që shkroi ligjet themelore të fizikës. Pa zbulimet e tij, Epoka e Iluminizmit mund të mos kishte ndodhur kurrë. Në vitin 1665, Newton ishte student në Universitetin e Kembrixhit. Atë vit universiteti u mbyll për shkak të Murtajës së Madhe të Londrës. Me mbylljen e shkollës u rikthye në shtëpinë e familjes së tij në Kembrixh, dhe nisi të kryente një seri eksperimentesh. Gjatë punës së tij në karantinë, shkroi ligjet e lëvizjes së sendeve dhe ato të gravitetit. Kur Njutoni u kthye në universitet në vitin 1667, ai i ngjiti me shpejtësi shkallës e karrierës akademike, duke marrë titullin profesor në vitin 1669. /Përgatiti: Bota/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here