MIC SHPENDI I TROPOJËS-Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) Jusuf Buxhovi

Jusuf Buxhovi

Mic Shpendin e Tropojës e sollën në kalë në Rekën e Keqe. Sheh Alia, Lam Mula, Rremë Kusari dhe Padër Coli e pritën në kullën e bajraktarit të Morinës. Përcillej nga dy stërnipa dhe një mocanik, që i thonin Zekë Çorri.
Plaku azgan, që kishte kaluar të njëqindtat dhe kishte përballuar murtajën e fundit si fëmijë, kishte folur pak, por ato që kishte thënë pse ishte gjallë jo vetëm ai por shumë të tjerë, duhej me ua ditë për nder plakave dhe gërrith…jeve të tyre, që jo gjithkush u kishte besue.
Kur Sheh Alia e kishte pyetur se prej nga plakat e kishin atë ilaç, Mic Shpendi kishte thënë se Zekë Çorri i din këto punë.
“Nuk shoh me sy, por me mendje”, kishte folë Zeka. “Sytë m’i ka marrë murtaja, por jo edhe dritën e shpirtit, që e fitova nga ajo kohë”.
Zeka kishte treguar se plakat që gërrithnin atë punë e kishin trashëgim nga plakat, që po ashtu kishin bërë të njëjtën gjë në një murtajë të mëparshme.
“Ato flisnin se ilaçi vjen nga ai që derdh sëmundjen.. Thonin se fruthi derdhet me fruth. lija me lijë, kolli keq me kollë…”
Rreth zhvillimit të sëmundjes, Zeka kishte thënë se murtaja kishte katër valë. E para ishte tinëzare, meqë shfaqej pa paralajmërim. E dyta ishte e rrezikshme. Ndërsa e treta vdekjepruese. Dhe e katërta, kalimtare, po me behane të shumta, që u mbesin atyre që shpëtojnë…
Për grrithjen, Zeka kishte thënë se bahej në valën e dytë, pra kur shfaqeshin të sëmurët dhe u merreshin dregëzat…
“Herën e fundit, vala e dytë solli pak të sëmurë, ndërsa vala e tretë shumë pak të vdekur…”
Si me shpoti, për behanet që len sëmundja, Zeka kishte thënë se Krasniqes ia kishte lanë dy dërrasa mangu në krye. Ndërsa Berishes, hijallet…
Në fund, Mic Shpendi, kishte thënë se valët e sëmundjes mateshin me hanën.
“Katër herë ndërrohet hana deri sa merr fund sëmundja…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here