Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Arkivat britanike/ Pse dështoi divizioni kosovar “Skanderbeg” në Shqipëri

“Qeveria shqiptare e mbështeste, pasi aty shikonte fillesën e forcave të saj të armatosura”

Divizioni “Skanderbeg” i krijuar nga ushtria gjermane në vitin 1944 me mijëra forca shqiptarësh nga Kosova, vijon të mbetet ende një mister në lidhje me aktivitetin e tij. Historiografia shqiptare e trajton si një formë e pastër të bashkëpunimit me forcat pushtuese, ndërsa historianë të tjerë nuk kanë arritur të japin shpjegime të hollësishme në lidhje me ndikimin e këtij divizioni.

Ky divizion i krijuar pas muajit prill, të vitit 1944, ekzistoi vetëm për pak muaj dhe u angazhua shumë pak në luftime, ndërsa sipas britanikëve, forca e tyre ushtarake nuk mund të llogaritej me saktësi. Gjithsesi, në vlerësimin minimal, ai përbëhej nga të paktën 7 mijë forca. Dokumentacioni arkivor britanik përmban edhe një analizë ushtarake prej 2 faqesh i bërë në muajin korrik 1944, ku analizon bashkëpunimin e shqiptarëve të Kosovës me ushtrinë gjermane. Vlen të theksohet se sipas inteligjencës britanike, këto forca nuk pranuan që të përplasen ushtarakisht me partizanët shqiptarë apo të angazhoheshin në një luftë civile. Në këtë raport të britanikëve jepen edhe dy raste konkrete. Kështu, në zonën e Korçës u dërgua një batalion me shqiptarë të Kosovës që të luftonin kundër partizanëve shqiptarë, por krejt papritur një masë e madhe e tyre dezertuan menjëherë te partizanët shqiptarë, sepse nuk kërkonin të luftonin kundër vëllezërve të tyre shqiptarë. Një rast tjetër është edhe çarmatosja e menjëhershme e një batalioni kosovarësh në Elbasan për të njëjtat arsye. “Është e qartë se gjermanët kishin qëllim që elementë të caktuar të këtij divizioni t’i përdorin kundër partizanëve shqiptarë dhe ndoshta, ata i dërguan në zonën e Korçës nga rruga e Strugës gjatë muajit maj, por aty ndodhën dezertime të tyre, duke shkuar te partizanët. Kjo ndodhi në të njëjtën kohë me çarmatimin që iu bë batalionit të kosovarëve në zonën e Elbasanit. Arsyeja e kësaj trazire dhe dezertimi nga trupat kosovare ishte fakti se partizanët serbë ishin duke sulmuar zona të Kosovës në zonën e Gusinjës, në Veri-Lindje dhe këto trupa kërkuan që ata të shkonin dhe të luftonin armikun e tyre tradicional, serbët, dhe jo vëllezërit e tyre shqiptarë. Batalionet e divizionit “Skanderbeg” u çarmatosën edhe në Pejë e Prizren, ndërsa oficerët e tyre u arrestuan dhe u dërguan në Prishtinë, ndërsa në veçanti një komandant i tyre u dërgua në burg në Gjermani”, thuhet në raportin britanik.

Pas kësaj eksperience të papëlqyer nga gjermanët bënë që ata të ndryshojnë strategjinë duke i përdorur shqiptarët e Kosovës vetëm në luftë kundër partizanëve të Titos. “Duke iu bindur qëllimit politik të një pushtimi serb, gjermanët dhanë urdhra që trupat kosovare nuk duhej të përdoreshin ndaj partizanëve shqiptarë si dhe shtabi i divizionit “Skanderbeg” me zyra në Prizren, Pejë, Prishtinë e Gjakovë janë aktualisht në aksion kundër Titos, në kufirin me Malin e Zi si dhe në lindje të zonës së Gjilanit”, thuhet më tej në raportin britanik të kohës.
Vlen të theksohet se në fakt xhandarmëria e qeverisë së Tiranës nën pushtimin gjerman ishte një sukses për gjermanët, siç theksojnë britanikët. Kjo ishte një ndër arsyet që gjermanët kërkuan të shkojnë më tej duke krijuar edhe divizionin e famshëm “Skanderbeg”. Por, britanikët nuk arrijnë të specifikojnë fuqinë ushtarake të këtij divizioni dhe në ato pak muaj që ekzistoi deri në nëntor 1944, duket se ai dështoi pothuajse plotësisht. Sipas britanikëve, në Shqipëri kishte një forcë ushtarake xhandarmërie nën armë prej rreth 6 mijë kosovarësh të vendosur kryesisht në disa qytete si Tirana, Vlora, Shkodra apo Berati, të cilët u armatosën nga gjermanët dhe paguheshin nga qeveria e Tiranës.

DOKUMENTI I PLOTË
Rekrutimi gjerman i Kosovarëve/

1-Regjimenti kosovar i xhandarmërisë Kur Gjermania pushtoi Shqipërinë në gusht dhe shtator 1943, dhe ngritën një qeveri shqiptare dhe pas 4 vitesh e gjysmë qeverisjeje italiane, ata panë se nuk kishte asnjë xhandarmëri qeveritare. Ata nisën dhe proceduan të rekrutojnë një regjiment me kosovarë nën komandën e majorit Buletinatz, ku funksioni i tyre ishte ruajtja e rendit nga vetë Shqipëria. Në janar dhe shkurt 1944, elementët e këtij regjimenti, të cilët ruanin qytete si Tirana, Shkodra, Vlora, Berati numëroheshin në afërisht 6 mijë vetë. Thuhej se popullsia në Shqipëri nuk i kishte me sy të mirë këto trupa kosovarësh dhe u trembeshin shumë atyre dhe egërsisë që kishin më shumë seç kishin ndaj gjermanëve. Në shkurt 1944, Ministria e Jashtme Gjermane shënoi me kënaqësi të madhe në Berlin se ata tani kishin një forcë të madhe përkrah me këta shqiptarë nga Kosova. Në këtë kohë do të shfaqej se vetë regjimenti udhëhiqej nga shqiptarë të armatosur nga gjermanët dhe që financoheshin nga qeveria e Tiranës. Në zonën e Vlorës, batalioni lokal i kosovarëve u bashkuan në qytet me xhandarmërinë e Ballit Kombëtar. Nuk është evidentuar ndonjë aktivitet i këtij regjimenti këto kohë në Shqipëri, ndërsa një batalion kosovarësh u çarmatos në Elbasan nisur nga trazirat. Me shumë mundësi, ata janë duke u tërhequr ngadalë në zonën e Kosovës, ndërsa tani ata janë nën urdhra të disa oficerëve gjermanë.
2- DIVIZIONI S.S SKANDERBEG
Pasi formuan në mënyrë të suksesshme një xhandarmëri me Kosovarë, gjermanët u bënë me ambiciozë. Në fund të muajit mars, ata organizuan një konferencë me shefat e zonës së Dibrës dhe Kosovës, në të cilën Dr. Xhaver Deva dhe Gjenerali Von Fehn ishin prezentë, me qëllimin e rekrutimit të një xhandarmërie speciale forcash vetëm për të mbrojtur zonën e Kosovës. Fillimisht këto forca u menduan që të drejtoheshin nga majorit Buletinatz, ndërsa një komitet në zonën e Kosovës u formua nën drejtimin e Bedri Pejanit (me famë të keqe). Në datën 1 maj, ata kishin 7 mijë forca nën armë që përshkruheshin si personel që kishin shërbyer në kohën e ish-regjimit jugosllav, të cilët shquheshin, visheshin dhe paguheshin nga gjermanët. Gradat e tyre u rritën për 1500 shqiptarë, ndërsa shumë prej tyre ishin riatdhesuar nga Gjermania që nga prilli i 1944. Klauzolat origjinale të kontratës të bërë nga gjermanët me shefat e Dibrës dhe Kosovës nuk u arritën të kryhen dhe ky divizion po drejtohej nga gjermanët, dhe aktualisht është nën komandën e Schmidt Huber. Është e qartë se gjermanët kishin qëllimet që elementë të caktuar të këtij divizioni t’i përdorin kundër partizanëve shqiptarë dhe ndoshta, ata i dërguan në zonën e Korçës nga rruga e Strugës gjatë muajit maj, por aty ndodhën dezertime të tyre, duke shkuar te partizanët. Kjo ndodhi në të njëjtën kohë me çarmatimin që iu bë batalionit të kosovarëve në zonën e Elbasanit. Arsyeja e kësaj trazire dhe dezertimi nga trupat kosovare ishte fakti se partizanët serbë ishin duke sulmuar zona të Kosovës në zonën e Gusinjës, në verilindje dhe këto trupa kërkuan që ata të shkonin dhe të luftonin armikun e tyre tradicional, serbët, dhe jo vëllezërit e tyre shqiptarë. Batalionet e divizionit “Skanderbeg” u çarmatosën edhe në Pejë dhe Prizren, ndërsa oficerët e tyre u arrestuan dhe u dërguan në Prishtinë, ndërsa në veçanti një komandant i tyre u dërgua në burg në Gjermani.
Duke iu bindur qëllimit politik të një pushtimi serb, gjermanët dhanë urdhra që trupat kosovare nuk duhej të përdoreshin ndaj partizanëve shqiptarë si dhe shtabi i divizionit “Skanderbeg” me zyra në Prizren, Pejë, Prishtinë e Gjakovë janë aktualisht nën aksion kundër Titos në kufirin me Malin e Zi, si dhe në lindje të zonës së Gjilanit.

3-REGJIMENTET KOSOVARE
PËR MBROJTJE LOKALE

Rezultatet e konferencës me shefat e zonës së Dibrës dhe Kosovës në fund të muajit mars nuk ishin të gjitha të suksesshme për faktin se shefat e Dibrës, si rezultat edhe i presionit të oficerëve të ndërlidhjes së aleatëve, ishin më të avashtë në marrjen e avantazheve nga oferta e gjermanëve. Nën emrin e komandës së përgjithshme në Beograd, një gjerman me emrin Karl Berger, i ftoi sërish shefat e zonës së Dibrës për të dërguar njerëzit e tyre në Gostivar, ku ata do të merrnin në formë për t’i tërhequr ata të drejtën për të grabitur dhe plaçkitur. Është e mundshme që gjermanët po kërkonin të rekrutonin batalionet për të ruajtur luginën e Vardarit, ku besonin se ndjenjat e dibranëve do të lidheshin bashkë me qëllimet e gjermanëve për të mbrojtur këto territore nga partizanët maqedonas. Duhet të evidentohet fakti se Karl Berger është ndoshta pjesë e inteligjencës ushtarake gjermane, i cili koordinon batalione lokale me trupat ushtarake gjermane. Një organizim i tillë njihet në Tiranë i organizuar nga Hauptmann Eckers me oficerë komandues shqiptarë.
4-TRUPAT VULLNETARE
Me sulmin serb në verilindje në Gusinjës, në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit, por edhe sulme të tjera që po ndodhin në zonën e Gjilanit, kanë shkaktuar një irritim të madh në Shqipëri, të cilën gjermanët sigurisht që në mënyrë natyrale e shfrytëzuan. Disa trupa vullnetare nën komandën e mësuesve të shkollave janë përshkruar se po nxitojnë të shkojnë në front. Gjithsesi, sugjerohet se numri i këtyre trupave vullnetare është i vogël.

Faksimile e raportit të britanikëve mbi rekrutimet e gjermanëve te shqiptarët e Kosovës

DIVIZIONI “SKANDERBEG” NË SHËNIMET E TË DËRGUARIT SPECIAL TË HITLERIT

I dërguar special i Hitlerit dhe njeri me fuqiplotë i gjermanëve në Ballkan, Herman Neubaherit, ka hedhur mjaft dritë në lidhje me divizionin “Skanderbeg”. Në Ballkan pati edhe mjaft regjimente të tjera që luftonin serbët, siç ishin ato kroate dhe boshnjake, të cilat gjermanët i konsideronin një eksperiencë e mirë, çka menduan të bëjnë diçka të ngjashme me shqiptarët e Kosovës. “Arrita ta bind Himlerin se një eksperiencë e tillë nuk mund të ndodhte me shqiptarët. Rekrutimi duhej ndërprerë pasi nuk përkonte me politikën tonë të neutralitetit. Por, Himleri, i cili kishte dëgjuar tregime për regjimentet e Bosnjës dhe Hercegovinës që kishin luftuar për Habsurgët gjatë Luftës së Parë Botërore, iu rikthye qëllimit të tij më 1944. Ai mori të drejtën nga Hitleri që në Shqipëri për nevoja të luftës lokale partizane brenda kufijve, të formojë një divizion malor SS “Skanderbeg”. Mua ky formacion nuk më entuziazmoi asnjëherë, por qeveria shqiptare e mbështeste, pasi aty shikonte fillesën e krijimit të forcave të saj të armatosura dhe xhandarmërisë”, ka deklaruar Neubaherit në kujtimet e tij. Historiografia shqiptare ende nuk ka një shpjegim të plotë në lidhje me rolin e shqiptarëve të Kosovës në deportimin e disa qindra hebrenjve në Kosovë, arrestimet, ngritjen e kampit të përqendrimit në Prishtinë etj. Britanikët nuk japin detaje në lidhje me këto pretendime, ndërsa nga ana tjetër i dërguar special i Hitlerit Neubaherit, pranon se ka pasur probleme me deportimin e mjaft serbëve nga Kosova, gjatë kësaj kohe si dhe problem me palën bullgare. Ai nuk jep detaje të tjera se ka pasur rol divizioni “Skanderbeg” në deportimin e hebrenjve nga Kosova apo nëse ka pasur arrestime në masë të shqiptarëve të tjerë duke i akuzuar si komunistë. “Kur gjenerali dhe kryeministri serb, Nediçi, m’u drejtua me ankime të tilla për këtë çështje, këshillova Qeverinë Shqiptare që t’i japë fund ndjekjeve të kolonëve. Por edhe kjo ndërhyrje rezultoi e pafrytshme. Ndaj u detyrova të kërcënoj me dorëheqjen time duke theksuar se do të jem i detyruar që t’i lë një tjetri detyrën e mbrojtjes së Shqipërisë nga dëshirat territoriale Bullgare. Xhafer Deva që kishte ndikim në Kosovë më premtoi që do të interesohet. Ai atë e bëri me sukses. Por, me gjithë këtë qysh më 1941 e këndej ishin bërë shumë gjëra të pahijshme”, thuhet në kujtimet e Neubaherit. Ai, siç e ka shprehur edhe vetë, nuk ishte shumë entuziast për këtë divizion nga pikëpamja ushtarake, kjo sepse “shqiptarët nuk kishin disiplinë dhe regjistroheshin vetëm për të marrë armë, sepse ata i adhuronin e më pas shkonin me to në shtëpi”.

ERALD KAPRI /panorama.com.al

InFor. Culture

Recent Posts

4 arsyet më të zakonshme përse lulet dhe bimët vyshken, ja zgjidhja për çdo problem

Të kujdesesh për bimët e lulet në vazo duket mjaft e lehtë deri në momentin…

4 hours ago

“Shtëpia e Bardhë”, kur u vendos guri i parë i themelit dhe si u vendos ky emër

Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë nisi me gurin e parë të themelit, më 13 tetor…

4 hours ago

Nëse jeni djegur, ja masat urgjente për të mos mbetur shenja

Nëse aksidentalisht jeni djegur me hekur apo ju është derdhur kafeja e nxehtë, duhet të…

5 hours ago

Njerëzit që braktisën shkollën, por ndryshuan botën!

Një nga çmimet më prestigjiozë, që një person mund të marrë në rrugëtimin e jetës,…

5 hours ago

Mbajeni gripin dhe virozat sa më larg vetes duke shmangur këto gabime në të përditshmen tuaj

Moti i paqëndrueshëm, luhatjet e temperaturave, qëndrimi për një kohë të gjatë në ambiente të…

5 hours ago

Kosova në Ilirikun e vitit 1689

Historiani Jahja Drançolli, ka publikuar një pjesë të hartës së Ilirikut, marrë nga atlasi i…

5 hours ago