Shumica e pickimeve nga insektet shkaktojnë vetëm kruajtje, skuqje ose ënjtje të lehtë. Megjithatë, disa shenja mund të tregojnë infeksion, reaksion të rëndë alergjik apo sëmundjen Lyme, e cila transmetohet nga rriqrat e infektuara.

 

Farmacisti Richard Harrison, nga “Asda Pharmacy” në Mbretërinë e Bashkuar, ka shpjeguar se si mund të dallohen pickimet e zakonshme nga ato që kërkojnë trajtim mjekësor.

 

Një nga shenjat më karakteristike të sëmundjes Lyme është një skuqje rrethore që zgjerohet gradualisht dhe mund të duket si shënjestër. Nëse një skuqje e tillë shfaqet pas pickimit të një rriqre ose pas qëndrimit në një zonë me bar dhe pyje, duhet kërkuar sa më shpejt këshilla mjekësore.

Advertisement

Sëmundja Lyme është një infeksion bakterial që transmetohet te njerëzit përmes pickimit të disa rriqrave të infektuara. Jo çdo rriqër e bart bakterin dhe jo çdo person i infektuar zhvillon skuqjen karakteristike.

 

Simptomat mund të përfshijnë:

  1. temperaturë dhe ndjesi të ngjashme me gripin;
  2. lodhje;
  3. dhimbje koke;
  4. dhimbje të muskujve dhe nyjave;
  5. mpirje ose ndjesi shpimi në duar dhe këmbë;
  6. dobësim apo varje të njërës anë të fytyrës;
  7. në raste më të rralla, palpitacione dhe ënjtje të nyjave.

Advertisement

Skuqja zakonisht shfaqet nga tri deri në 30 ditë pas pickimit. Megjithatë, mungesa e saj nuk e përjashton sëmundjen Lyme. Diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm me antibiotikë e zvogëlojnë rrezikun e komplikimeve afatgjata.

 

Si duhet hequr rriqra?

Rriqra duhet hequr nga lëkura sa më shpejt dhe në mënyrë të kujdesshme.

“Përdorni një palë piskatore të pastra me maja të holla. Kapeni rriqrën sa më afër sipërfaqes së lëkurës dhe tërhiqeni ngadalë e drejt lart”, këshillon Harrison.

Advertisement

Rriqra nuk duhet përdredhur, shtypur ose shtrydhur, pasi pjesë të saj mund të mbeten në lëkurë. Pas heqjes, zona duhet pastruar me ujë dhe sapun ose me një antiseptik.

Nëse më pas shfaqet një skuqje që zgjerohet, temperaturë, lodhje e pazakontë apo dhimbje muskujsh dhe nyjash, duhet kontaktuar mjeku dhe duhet përmendur pickimi ose qëndrimi i fundit në natyrë.

 

Shenjat e infeksionit

Edhe pickimet e zakonshme mund të infektohen, veçanërisht kur zona kruhet dhe gërvishtet vazhdimisht. Pickimet nga mushkonjat, mizat e kalit dhe pleshtat mund të bëhen problematike nëse lëkura dëmtohet.

Advertisement

Shenjat që mund të tregojnë infeksion janë:

  1. ënjtje që vazhdon të zmadhohet;
  2. skuqje që përhapet;
  3. dhimbje e fortë ose në rritje;
  4. nxehtësi rreth zonës;
  5. rrjedhje lëngu ose qelbi;
  6. temperaturë dhe gjendje e përgjithshme e rënduar.

Në raste të rralla, një infeksion i patrajtuar mund të përhapet dhe të shkaktojë sepsë, një reagim i rrezikshëm i organizmit ndaj infeksionit. Temperaturë shumë e lartë ose e ulët, frymëmarrje e shpejtë, konfuzion, lëkurë e zbehtë apo me njolla dhe përkeqësim i menjëhershëm kërkojnë ndihmë urgjente.

 

Kujdes nga reaksioni alergjik

Advertisement

Një pickim ose thumbim mund të shkaktojë reaksion alergjik edhe te personat që më parë nuk kanë pasur probleme të tilla. Reaksionet e rënda lidhen më shpesh me thumbimet e bletëve dhe grerëzave, por mund të ndodhin edhe pas pickimeve të tjera.

 

Shenjat e anafilaksisë përfshijnë:

  1. ënjtje të menjëhershme të buzëve, gojës, gjuhës ose fytit;
  2. vështirësi në frymëmarrje ose gëlltitje;
  3. ndjesi mbytjeje ose shtrëngimi në fyt;
  4. fishkëllimë gjatë frymëmarrjes;
  5. marramendje, konfuzion ose humbje të vetëdijes;
  6. lëkurë të ftohtë, shumë të zbehtë ose të kaltër;
  7. skuqje të ngritur dhe kruajtëse në pjesë të ndryshme të trupit.

Anafilaksia është urgjencë mjekësore dhe kërkon thirrjen e menjëhershme të shërbimit emergjent.

Advertisement

Si dallojnë pickimet e ndryshme?

Mushkonjat

Pickimi i mushkonjës zakonisht shfaqet si një fryrje e vogël, e ngritur dhe që kruhet. Mund të skuqet ose të inflamohet dhe zakonisht ndodhet në pjesët e pambuluara të trupit, si krahët, këmbët dhe fytyra.

Pickimet mund të jenë të veçuara ose të shpërndara, pa formuar domosdoshmërisht një vijë apo model të rregullt.

Advertisement

Miza e kalit

Nëse dhimbja ndihet menjëherë, mund të bëhet fjalë për pickimin e mizës së kalit. Ky pickim është shpesh më i dhimbshëm, sepse insekti e pret lëkurën në vend që vetëm ta shpojë.

 

Mund të shkaktojë një zonë më të madhe të skuqur, ënjtje të dukshme dhe ndonjëherë mavijosje. Fëmijët zakonisht ankohen më shumë për dhimbje sesa për kruajtje.

Zona duhet pastruar, mbi të mund të vendoset një kompresë e ftohtë dhe duhet shmangur kruarja.

Advertisement

Mushkonjëzat e imëta

Pickimet nga insektet shumë të vogla fluturuese, të njohura në anglisht si “midges”, janë të vogla, por mund të shkaktojnë kruajtje të fortë.

Ato shfaqen shpesh në grupe, sidomos në këmbë, kyçe, krahë dhe pjesë të tjera të ekspozuara. Simptoma kryesore është kruajtja e vazhdueshme dhe jo dhimbja.

 

Larja me ujë dhe sapun të butë, vendosja e kompresës së ftohtë dhe shmangia e kruarjes mund ta zvogëlojnë irritimin.

Advertisement

Pleshtat

Pickimet e pleshtave shfaqen zakonisht si pika të vogla të kuqe që shkaktojnë kruajtje intensive. Ato gjenden më shpesh rreth kyçeve, pjesës së poshtme të këmbëve ose pranë skajeve të veshjeve.

Shpesh paraqiten në grupe prej tri ose më shumë pickimesh dhe mund të formojnë një vijë të drejtë. Kruajtja duhet kontrolluar për të shmangur dëmtimin dhe infektimin e lëkurës.

Kur duhet kërkuar ndihmë?

Advertisement

Këshillohuni me mjekun ose farmacistin nëse:

  1. skuqja zgjerohet në formë rrethi;
  2. dyshoni për pickim rriqre;
  3. zona bëhet gjithnjë e më e dhimbshme, e nxehtë ose e ënjtur;
  4. shfaqet qelb ose rrjedhje tjetër;
  5. keni temperaturë, lodhje të pazakontë ose dhimbje nyjash;
  6. simptomat nuk përmirësohen;
  7. pickimi ndodhet pranë syve, gojës ose fytit.

 

Vështirësitë në frymëmarrje, ënjtja e gjuhës ose fytit, të fikëtit dhe shenjat e anafilaksisë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here