Nga: Bedri Tahiri
“Nuk kemi dalë maleve për grada e pasuri, por për atdhe e për liri”
Azem Galica
Pas shumë kryengritjesh e betejash çlirimtare të luftëtarëve të lirisë, Qeveria serbe e Nikolla Pashqit detyrohet të ulet në bisedime me Kryekomandantin e çetave çlirimtare, Azem Galicën. Takimi u bë në fshatin Zhabar të Mitrovicës. Palën serbe e kryesonte inspektori i lartë e krimineli i regjur nga Beogradi, Mihajlo Ceroviqi.
Azem Galica, në konsultim me shokë dhe me udhëzimet e Komitetit të Shkodrës, në emër të çetave çlirimtare i paraqiti kërkesat në tetë pika, të cilat më vonë do të njiheni si “Tetë pikat e Azem Galicës”:
1. Të njihet e drejta e popullit shqiptar të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë.
2. Të ndalohen menjëherë vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet kundër shqiptarëve.
3. Të ndalohet grabitja e tokave të shqiptarëve, ardhja e kolonistëve serbë e malazezë dhe dëbimi i shqiptarëve jashtë vendit.
4.Të ndalohen operacionet ndëshkuese të ushtrisë kundër shqiptarëve nën pretekstin e marrjes së armëve dhe ndjekjes së çetave.
5.Të lejohet hapja e shkollave shqipe.
6. Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe nëpunësit e huaj të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë.
7. Të ndalohet burgimi dhe internimi i familjeve të luftëtarëve të çetave dhe të atyre që i përkrahin çetat.
8. Të ndalohet ndjekja e çetave shqiptare dhe të gjithë ata që ndiqen të mbrohen nga çeta.
Ceroviqi kur i dëgjoi kërkesat tha se, për këto nuk është kompetent, për to mund të vendosë krali në Beograd, por nëse keni diçka tjetër, na i thoni.
Azem Galica iu përgjigj se kërkesa tjera nuk kishte. Këto janë kërkesat tona që edhe ju i keni ditur, sepse ua kemi thënë sa e sa herë, përmes grykëhollës e sot ua paraqitëm edhe me shkrim. Politikën tuaj po e njohin edhe fëmijët në djep. Sa i përket kralit i thuaj se deri aty ku bukës i thonë bukë e ujit ujë është tokë shqiptare dhe nuk e lëshojmë pa dalë fare. “Nuk kemi dalë maleve për grada e pasuri, por për atdhe e për liri”.



