Albert Vataj
Ka tekste që lexohen si letërsi dhe ka të tjera që ngrihen mbi kohën si një liturgji e ndërgjegjes kombëtare. “Symfonija e Shqipevet” e Ernest Koliqi është një nga ato shpërthime të rralla të mendimit dhe ndjenjës, ku fjala nuk mbetet vetëm shprehje artistike, por shndërrohet në betim, në kushtrim dhe në besëlidhje shpirtërore me fatin e Shqipërisë. Kjo nuk është thjesht një prozë poetike; është një credo shqiptare, një ungjill laik i dashurisë për kombin, për gjuhën, për trashëgiminë dhe për misionin historik të shqiptarëve.
Në këtë tekst monumental, Koliqi ngre një arkitekturë besimi mbi themelet e gjakut, kujtesës dhe shpresës. Fjala “BESOJMË”, e përsëritur si një kambanë që kumbon nëpër ndërgjegjen kombëtare, merr fuqinë e një formule sakrale, ku shqiptari nuk paraqitet si një qenie e thyer nga historia, por si bartës i një trashëgimie të lashtë, të mbijetuar ndër shekuj përmes vuajtjes, krenarisë dhe qëndresës.
“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.
BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, si çdo kombit në botë, i shënjoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot në vallen e shekujve të palindun.
BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.
BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.
BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.
BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut, që për Të u derdh.
BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sugurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbnore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”
Koliqi i sheh shqiptarët jo si një grumbull njerëzish të lidhur vetëm nga gjuha apo territori, por si një bashkësi shpirtërore që mbahet gjallë nga virtytet e fshehta të trashëguara prej qytetërimeve iliro-thrake, nga puna, nga dija, nga besimi dhe nga sakrifica. Në vizionin e tij, kombi nuk ndërtohet vetëm me armë, por me parmendën e bujkut, me pendën e dijetarit, me këngën e poetit dhe me moralin e njeriut që jeton përtej interesit të ngushtë vetjak.
Ky tekst vjen si një himn për bashkimin, për fisnikërinë e kujtesës stërgjyshore dhe për idealin e një Shqipërie që ecën “prej territ kah drita”. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e Koliqit: ai nuk shkruan me mllefin e humbjes, por me dritën e besimit. Një besim që nuk është verbëri, por vullnet për të mos u dorëzuar kurrë para historisë.


